Arben Çokaj

Teoria filozofike e arratisjes nga realiteti

Socialistët dhe fjalimi i zotit Nano
Kur je jashtë Shqipërisë dhe lexon në faqet e internetit fjalimin e kryeministrit tënd, mundohesh që të kapësh pikat kryesore të tij, aty ku kryeministri mbështet punën inkurajuese për prespektivat dhe zhvillimin e vendit tënd, alternativën e partisë së tij, përballë alternativave të opozitës dhe vizionin e tij si kryemministër për të ardhmen e vendit që ai drejton. Aq më tepër, që fjalimi i zotit Nano, bëhej në një kongres partie, ku ai synonte vazhdimësinë e përjetshme në postin e kryetarit të saj.

Po çfarë të reje na solli z. Nano në këtë fjalim, që ne nuk e dinim më parë?

Kryetari i përhershëm socialist kishte kaluar në ëndërr. Kjo ishte e reja. Për analistë shqiptarë, ky pohim mund të mos përbëjë risi, pasi zoti Nano dhe rrënjët e barit rreth tij, ka kohë që duhet të jetë në ëndërr. Ëndërr dhe zhgjëndërr njëherësh – dy realitete të përkundërta këto, që paraqesin edhe thelbin e politikës socialiste: Injoro të tashmen, krimin, papunësinë, skamjen, korrupsionin, etj. etj. dhe mendo për të ardhmen. Familja e madhe socialiste e z. Nano, po përgatitet vërtetë që të shohë në horizont një fushë të gjelbër oruelliane, ku gjërat fillojnë e shfaqen si në një film pa zë, dhe ngjarjet ecin pa prekur tokën, pa e njohur realitetin. Fluturojnë ëndrrat në dëshirën e papërmbushur delirante të gjelbërimit socialist, dhe vetëm një kokë e madhe, me mustaqe, në ekranin e deformuar të propagandës, nevojitet për të na kujtuar se ne akoma jetojmë. Ne akoma jemi gjallë, e si të tillë duhet të reagojmë.

Filozofia e fluturimit jashtë realitetit (ne shqiptarët i themi me pras në b…), apo arratisja nga e vërteta, është një fenomen tepër i dukshëm edhe në vendet e Evropës perëndimore. Pra, kjo teori filozofike e pashkruar akoma ndër libra publikë, nuk është diçka e re për ne – atë e ka zbatuar me kohë familja e madhe e z. Nano, Internacionalja Socialiste, në vendet e ndryshme të Evropës. Dhe rezultati është premtues si fillim, si çdo teori tjetër idealiste, por trishtimi që vjen më pas është i pariparueshëm.

Synimi i Internacionales përmes kësaj filozofie morsë, është arritja e komunizmit nëpërmjet zhvillimit teknologjik. Pra, njeriu mohohet që në fillim si faktor zhvillues dhe evolutiv. Njeriu del në plan të dytë. Fjalën e kanë makinat, dhe disa njerëz (filozofë politikë në pretendim), të cilët fillojnë zbatimin e mekanizmave nga më të çuditshmet, në mënyrë që të shpërlajnë trurin e njerëzve. Dhe njeriu e ka vështirë ta kuptojë realitetin objektiv, ta ndajë atë nga ideja e së ardhmes somnambuliste, pasi forcat propoganduese e shkëpusin njeriun nga bazamenti ku ka këmbët, dhe individi në vetvete ndjehet tepër i lehtë e pa peshë. Pra, individi evropian fluturon me pras!…

Por ky proces nuk mund t’i shmmanget krijimit të viktimave gjatë rrugës, pasi për filozofët politikë të së majtës internacionaliste, ku z. Nano bën pjesë, nuk ka rëndësi e tashmja. Rëndësi ka vetëm e ardhmja – fusha e gjelbër e ëndrrave. Kujtojmë këtu fabulën e gomarit, të cilit ujku po i hante prapanicën: “Ah sikur të jem në ëndërr!” tha gomari i gjorë. Po të kishte njohur kryeministrin tonë, gomari do kishte thënë me siguri: “Ah sikur të jem në ëndërr si Nano!”. A nuk e patët rastin të dëgjoni apo lexoni fjalimin filozofik e idealist të z. Nano, para delegatëve të kongresit socialist? A nuk citonte z. Nano filozofin anglez, që thoshte se ka fluturuar aq lart, sa e keqja nuk i prek as këmbët? Dhe gomari i fabulës patjtër që do të thoshte: “Ah sikur të fluturoj si z. Nano; ujku nuk do më prekte as këmbët, e jo më prapanicën?!”.

Për ne që akoma vazhdojmë të mendojmë me këmbë në tokë, ky lloj fluturimi i z. Nano na duket shkëputje nga realiteti objektiv, ose klinikisht e përcaktuar si fillesa e çfarëdolloj sëmundjeje psikike. Dhe fatkeqësia e përbashkët është se ky person, me një kulturë politike mediokre, vazhdon të jetë kryeministër për të pesë-gjashtën herë i Shqipërisë. Deri kur duhet të na sundojnë veset?! Deri kur shqiptarët do lejojnë politikanë mediokër në drejtim, të cilët popullin e lënë pa bukë, pasi shpalosin platforma ideologjike, të cilat nuk i përgjigjen ligjeve të natyrës? Edhe komunizmi lindor ishte i tillë; kundërshtonte ligjet evolutive të natyrës dhe shoqërisë, dhe si i tillë ishte i destinuar të dështojë.

E djathta shqiptare duhet që bashkarisht të pengojë zbatimin e praktikave dhe sitemeve të tilla në shoqërinë shqiptare. Shqipëria nuk ka nevojë për sisteme, të cilat janë të destinuara të dështojnë, si pasojë e kundërshtisë që ato paraqesin me ligjet e zhvillimit natyror të një shoqërie. Shoqëria amerikane tregon sot se është ndërtuar më afër realitetit që krijon rregullsia i ligjeve të natyrës, dhe si e tillë, sot për sot, shoqëria amerikane tregohet si më e suksesshmja. Do ishte mirë që intelektualë shqiptarë me banim në SHBA të ofronin shembuj se si duhet të përfitojmë ne nga një shoqëri e tillë, pavarësisht presionit që do të bëjnë vendet evropiane, me ndihmën e socialistëve shqiptarë, që në Shqipëri të aplikohet një sistem politik social-demokrat, i destinuar të dështojë, siç po jep përditë shenjat e një kolapsi total dhe plakje të shoqërisë, në vendet e Evropës perëndimore.

Shqipëria nuk ka nevojë të ndërtojë sisteme sociale që ngordhin ekonominë e një vendi dhe që vdesin popullin e tij – ashtu siç bëri komunizmi në 50-60 vjet. Edhe politikanët socialistë duhet ta kuptojnë sot këtë të vërtetë. Përveç interesave personale apo partiake, socialistët të mbajnë vetëm emrin dhe të hapin horzontin e tyre për ndryshime në perspektivë dhe jo për ëndrra delirante.

Sistemi social-demokrat i vendeve të ndryshme në Evropën perëndimore është një sistem politik ndërmjet sistemit amerikan dhe sistemit komunist të aplikuar në vendet e lindjes. Jetëgjatësia e këtij sistemi është relativisht më e madhe në krahasim me sistemin komunist të egër të lindjes, ku Shqipëria bënte pjesë, por përfundimi është fatkeqësisht i njëjtë. Sistemi është si një lloj makine, që ecën sa ecën, por një ditë shkatërrohet. Dhe ne shqiptarët duhet ta kuptojmë këtë, e t’i largohemi sa më larg teorive dhe eksperimenteve politike të përkohëshme, të cilat e kanë kahun drejt një komunizmi ideologjik sipas Marksit, si faza e fundit e zhvillimit shoqëror. Faza e fundit e zhvillimit shoqëror duket se është demokracia liberale, pa klasa, e cila bazohet në ligje të forta të një shteti ligjor, e jo në sisteme, ku mund të punojnë nëpunës mediokër, që marrin vendime katrore.

Përvoja e shteteve evropiane tregon se sistemi social prodhon gradualisht papunësi dhe një sërë keqpërdorimesh të burimeve të përbashkëta. Gjermania ka sot një shtet të papunë, me popullsi sa Danimarka (mbi 5 milionë). Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë marrin ndihmën e papunësisë, apo ndihmë sociale nga shteti, përveç rrogave të administratës që merret me ketë punë. Politikanët e sotëm gjermanë e vlerësojnë ketë fenomen, si kanceri i shoqërisë. Dhe shoqëria gjermane, falë politikave idealiste të social-demokratëve në pushtet, e ka zhytur vendin në borxhe e krizë ekonomike, saqë nuk ka patur mundësi në këto vitet e fundit të paguajë as detyrimin financiar prej 3% të brutos nacionale për Bashkimin Evropian. Kjo është edhe arsyeja reale, e mbetur e pathënë, që politikanët evropianë nuk mundën të binin dakort për një kushtetutë të përbashkët. Ligjet e përbashkëta të Evropës injorohen nga vendet e mëdha si Gjermania e Franca, për arsye të problemeve të brendëshme “sociale”, që këto vende kanë. Prespektiva evropiane është sot më shumë se kurrë në një udhekryq të madh.

Drejt Amerikës nuk shkohet me sisteme sociale, të destinuara që të konsumojnë energji më kot, dhe që kalojnë në kolaps pas një kohe të caktuar. Shoqëria evropiane, e influencuar nga suksesi propogandistik i vendeve komuniste të lindjes, i ka hapur rrugë me kohë të majtës evropiane, Internacionales Socialiste të z. Nano. Kjo është arsyeja që politikanët në Evropë, përveç Berluskonit e ndonjë tjetri, janë të gjithë brekë-grisur, pasi sistemi i vlerave politike në Evropë nuk është kapitalizmi. Është diçka e ndërmjetme, që në emër të sigurisë për punëtorët dhe qytetarët, e ka kaluar shoqërinë evropiane në të vërtetë, në një gjendje tejet të pasigurtë për të ardhmen e gjithësecilit.

Politikanët shqiptarë ëndërrojnë Evropën, pa e ditur fort mirë se ku po shkojnë. Përveç kësaj, Shqipërisë i kanoset edhe një ëndërr tjetër: Ëndrra e ideve të z. Nano, apo z. Rama. Filozofi shqiptar Kleanthi Zoto e analizon tendencën filozofike të z. Rama, si pragmatiste. Kjo gjë mund të jetë relativisht e vertetë, dhe do ishte mirë që z. Rama si socialist, të mund ndikojë edhe partinë e tij, për ide të tilla të suksesshme amerikane. Por pas optimizmit, vjen si rrjedhojë skepticizmi intelektual. Kryebashkiaku me vota të dyshimta z. Edvin Rama, përmend në fjalimet e tij fjalën “sistem”. Kjo fjalë mund të konsiderohet si mjaft e dyshimtë. Në Evropë, fjala “sistem” ka zëvendësuar fjalën “parti”, që dikur përdorej në Shqipëri. Për cilin “sistem” e ka sot fjalën z. Rama? Për “partinë”?!

Ish-kryeministri i nderuar izraelit, Shimon Peres, në një intervistë të tij shprehet, se kur njerëzit merren me politikë, atëherë politika gjeneron konflikte. Njerëzit duhet të merren me ekonomi! Politikanët socialistë në kongresin e tyre folën më shumë për politikë, për interesat e tyre të sundimit të përjetshëm, në formën “më mirë i pari i katundit, se i fundit në qytet”, dhe nuk folën aspak për prespektivat ekonomike të popullit shqiptar dhe platformën e tyre të drejtimit, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Politikanët socialistë tregojnë se janë dhe do vazhdojnë të jenë në krizë. Kjo do të ishte gjysma e së keqes, nëse socialistët nuk do ishin sot në krye të shtetit shqiptar.

Arben Çokaj, Frankfurt, 14.12.2003

>Dërguar për: “Bota Sot”, “Illyria”, QIK, Shekulli, TemA

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *