Arben Çokaj

Shërbimi shëndetësor duhet të bëhet gjysmëprivat

Nga Arben Çokaj, 28 mars 2006

Sistemi shëndetësor shqiptar kryhet me mënyra informale, që nëpërkëmbin dinjitetin e mjekut dhe injorojnë betimin e Hipokratit. Për 15-vjet me radhë, punonjësit e mjekësisë kanë vetë-aplikuar një sistem shëndetësor, i cili në vetvete nuk është sistem, por një mënyrë shërbimi shëndetësor, gjysmëprivat dhe gjysmështetëror. Tërheqja e paorganizuar nga përfitimi vetjak, e ka vështirësuar shumë kooperimin ndërmjet mjekëve, që në disa raste ka qenë fatale për jetën e pacientëve.

Nuk ka shqiptar që s’e di, (përveç disa politikanëve dhe drejtuesve të Min. së Shëndetësisë, që bëjnë sikur nuk e dinë), se në spitalet shqiptare duhet të paguash ekstra (dhe shuma mjaft të mëdha) që të shërohesh, të bësh një operacion, të bësh një vizitë mjekësore tek specialisti, qoftë edhe tek mjeku i familjes. Të paguash mjekun për punën e tij është mëse normale, ashtu siç është e domosdoshme edhe rritja e rrogave për punonjësit e shëndetësisë. Por gjithashtu, duhen gjetur rrugët optimale të pagesës dhe jo të mbyllen sytë e të pranohet në heshtje një sistem korruptiv dhe jo-ligjor.

Përderisa mjekët dhe infermierët kërkojnë para “ekstra” në spitalet shqiptare, dhe ky veprim i tyre nuk mund të ndalohet, ose të shmanget nga autoritetet përkatëse shqiptare, atëherë duhet të gjendet rruga e duhur për legalizimin e kësaj metode të pashmangshme. Me gjuhën e filozofisë politike mund të thuhet se mjekët shqiptarë marrin nga pacientët e tyre një pjesë të papaguar të parave që ata meritojnë dhe që shteti shqiptar nuk është në gjendje t’ua paguajë atyre.

Si mund të vihet mbi baza ligjore kjo pagesë “ekstra” e pacientëve shqiptarë? Si mund ta shndërrojmë këtë sistem denigrues, që implikon figurën morale dhe besueshmërinë e mjekut, në një sistem të pranueshëm ligjor, ku mjekët të marrin të ardhurat që meritojnë dhe pacientët shërbimin e domosdoshëm? Si mund ta rrisim cilësinë e shërbimit në spitalet tona?

Megjithëse paguajnë “ekstra” për shërimin e tyre, shumica e shqiptarëve nuk është e kënaqur me nivelin e shërbimit shëndetësor në spitalet tona. Në rastet kritike, pacientët dërgohen jashtë shteti për t’u shëruar, ose kush ka ndonjë lidhje shkon vetë në spitalet e huaja, qoftë edhe në Turqi, apo Mal të Zi. Rënia e interesit për një shërbim cilësor në Shqipëri, ka ardhur më tepër ngaqë një shërbim cilësor kushton, ka psikologjinë e kohës së monizmit, në shumë raste nuk ka energji elektrike, dhe interesat e tërthorta të shoqëruara me mungesën e një kontrolli të rreptë, në një sistem të financuar prej shtetit, bën që të lihet hapur rruga për abuzime.

Shpeshherë ne shqiptarët fajësojmë vetveten për fenomenet negative që vërejmë në shoqërinë tonë. Dhe në majë të gjuhës të gjithsecilit dëgjon: “S’kemi shtet ne!” E pra, kjo nuk na ndihmon as ne dhe as shtetin shqiptar. Ka edhe vende të tjera, ku shërbimi shëndetësor është në duart e shtetit dhe vihet re një rënie graduale e cilësisë së shërbimit. Në përgjithësi, pjesa e këtij shërbimi ku hyn shteti si pronar, ofron çmime më të lira të shërbimit, por edhe cilësi më të ulët, ose gjithnjë në rënie.

Në Danimarkë, çdo qytetar është i pajisur me një kartë të sigurimit shëndetësor, e cila mbahet gjithmonë me vete, dhe danezët nuk paguajnë për asnjë lloj shërbimi, përveç një pjesë të shërbimeve të luksit tek dentisti. Spitalet daneze, të cilat sidoqoftë ofrojnë një shërbim më cilësor se spitalet tona, kanë filluar rënien që në fund të viteve 80-të. Rënia e cilësisë vërehet tek pritja e gjatë, shpeshherë fatale për t’u operuar, sidomos gratë me kancer në gji janë bërë problematike. Kjo sepse për vetë natyrën e shoqërisë daneze, gratë rrinë pa u martuar ose nuk bëjnë fëmijë (ose bëjnë fëmijë shumë vonë) dhe kështu japin shkas për një sëmundje të tillë kancerogjene. Pritja 2-3 muaj për një operacion të tillë është e njëvlershme me dënimin me vdekje. Prandaj shumë gra daneze marrin rrugën për në Turqi, apo vende të tjera, për t’u operuar me paratë veta… ndonëse janë të siguruara në vendin e tyre. E çfarë sigurimi kanë ato, atëherë?!…

Kurse në Gjermani aplikohet një sistem sigurimi shëndetësor më liberal. Ndonëse ekziston një shoqëri sigurimesh shtetërore AOK, e cila mbulon edhe shtresat shoqërore në nevojë, shumë mjekë gjermanë kanë filluar të refuzojnë pacientët që janë të siguruar me AOK-në, sepse ajo u nxjerr probleme në të shumtën e rasteve. Pra, preferohen më shumë shoqëritë private të sigurimit.

Sistemi shëndetësor parësor (mjeku i familjes) në Gjermani bazohet në klinika private, ku mjeku paguhet sipas vizitave që kryen, përmes pacientëve të siguruar në firma sigurimi private apo shtetërore, ose me para në dorë për raste të tjera. Me anë të parave që merr mjeku, paguan sekretaren e klinikës dhe shpenzimet që lidhen me klinikën e tij, duke paguar edhe tatimin e duhur për shtetin. Kjo do të ishte një mënyrë efikase, drejt së cilës duhet të shkojë edhe shërbimi parësor në Shqipëri, duke filluar me sistemin gjysmëprivat.

Edhe në Shqipëri, trashëgimia shtetërore e shërbimit shëndetësor, si në shumë sektorë të tjerë i bën njerëzit të kërkojnë më shumë nga shteti, dhe të presin më shumë prej tij, që në fund të fundit, të ndjehen të zhgënjyer në thënien e mbipopulluar “ne s’kemi shtet!”. Atëherë pse shteti shqiptar mban kaq shumë përgjegjësi në emër të qytetarëve, kur mund të lëshojë shumë gjëra nga dora – për tek privati, në mënyrë që shërbimet të kryhen më mirë dhe në rastin konkret, shërbimi shëndetësor të ketë një cilësi dhe efikasitet më të lartë?! Në ekzistencën e formës së organizimit shtet, ne shohim shumë të meta që duken absurde, dhe që marrin kohë për t’u ndryshuar edhe kur kemi një vullnet të mirë politik. Por si fillim, duhet vullneti i mirë politik dhe më pas një përgjegjësi dhe punë më e madhe, të cilës i ndruhen politikanët tanë.

Klinika të ndryshme private, laboratorë dhe klinika dentare janë hapur me shumicë në Shqipëri këto vitet e fundit, të cilat kryejnë një punë të mirë dhe e lehtësojnë mjaft barrën për shërbimin shtetëror, por janë aq shumë punë që nuk mund të bëhen askund tjetër veçse në spitale – pra, në atë pjesë të rëndësishme të shërbimit shëndetësor, që është akoma plotësisht në duart e shtetit. Për më tepër, ne vazhdojmë të kemi një shërbim parësor totalisht shtetëror – gjë që nuk ofron sukses, as për pacientët dhe as për mjekët.

Duke shfrytëzuar përvojën e mirë të disa vendeve perëndimore në shërbimin shëndetësor, do të ishte më e efektshme dhe brenda një kornize ligjesh që duhet të hartohet nga qeveria e sotme, që shërbimi shëndetësor në spitalet tona të bëhej gjysmë-privat. Me këtë nënkuptojmë, që punonjësit e shëndetësisë të paguhen si nga shteti, ashtu siç bëhet edhe tani, por edhe nga privati, ashtu siç ndodh në fakt, por kjo pagesë “ekstra” që vjen nga privati, të vihet mbi baza ligjore të një ekonomie tregu.

Pra, krijimi i mundësisë nga shteti shqiptar që mjekët tanë, sidomos mjekët e spitaleve tona, të marrin një pjesë të fitimit edhe nga pacientët. Mjekët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë të paraqesin hapur çmimet konkurruese të shërbimit/shërbimeve të tyre dhe pacientët mund t’i shohin ato tek një zyrë e përbashkët, e kompjuterizuar, e spitalit përkatës. Çmimet duhet të diskutohen edhe me përfaqësuesit e Min. së Shëndetësisë, që të mos jenë të pakontrolluara. Nëse pacienti nuk ka sigurim shëndetësor shoqëror apo privat, atij i duhet të paguajë me para në dorë. Në këtë rast, pacienti, ose firma e sigurimit të tij nuk paguan drejtpërdrejtë mjekun, por zyrën e mjekëve, e cila mund të paguhet me paratë që shteti merr si tatim nga mjekët për çdo shërbim të kryer. Në këtë mënyrë mund të marrim edhe një kooperim ndër-mjekësor më të madh se deri tani.

Duhet që sigurimi shëndetësor të garantohet për të gjithë, ata që kanë punë dhe të papunët dhe paratë duhet të qarkullojnë përmes shoqërive të sigurimit dhe sistemit shëndetësor. Pacientët duhet të pajisen me kartat e sigurimit shëndetësor, ku shënohet numri i sigurimit dhe adresa e tij. Paratë e sigurimit depozitohen përmes bankave dhe shoqëritë private, që mund edhe të pasurohen nga kjo, bëjnë investime, që sjellin zhvillimin e vendit. Gjërat duhet të shihen në një zhvillim të ndërvarur zinxhir. Ky do të ishte hapi më i mirë drejt integrimit të Shqipërisë dhe më i rëndësishëm (e ndoshta më pak i kushtueshëm) edhe se vetë Ministria e Integrimit.

Le të supozojmë që një kirurg i caktuar merr 5000 lekë për një operacion, ndërsa një kirurg tjetër merr 7000 lekë. Pacienti në këtë rast zgjedh ose mjekun, ose çmimin më të lirë për operacionin në fjalë. Pacienti paguan tek zyra e kompjuterizuar, ku shënohet në kompjuter edhe kartela e tij, dhe kërkon mjekun që dëshiron. Shteti tërheq automatikisht TVSH-në nga përfitimi, që mjeku merr për operacionin në fjalë. Kam përshtypjen që edhe mjekët do të ishin dakord me një mënyrë të tillë, e cila u jep atyre fitimet që meritojnë dhe që praktikisht janë duke bërë, por e vë shërbimin shëndetësor mbi baza më të kontrollueshme, më transparente, dhe ku shteti merr edhe një pjesën e fitimit për punën e tyre. Duhet të tregohet më shumë përgjegjësi për pacientin, gjë që nuk ndodh në sistemin tonë ekzistues.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar dhe politikanët ruajnë edhe fytyrën njerëzore të solidaritetit dhe ofrimit të shërbimit shëndetësor falas nga ana e shtetit, por meqë puna e mjekut është e shtrenjtë dhe cilësia e këtij shërbimi kushton, shteti duhet të pranojë që punonjësit e shëndetësisë të marrin edhe një pjesë të pagesës nga privati, e cila duhet të jetë plotësisht e kontrollueshme dhe me faturë, dhe jo “nën dorë” siç ka qenë dhe është deri tani.

Jam i sigurtë se nëse aplikohet një mënyrë e tillë pagese në sistemin tonë shëndetësor, spitalet tona dhe mjekët tanë të aftë do të jenë në gjendje pas disa vjetëve të shërojnë edhe pacientë, që mund të vijnë nga jashtë për në spitalet tona, ashtu siç shkojnë pacientët shqiptarë për t’u shëruar në spitalet e huaja. Kështu krijohen vlera në ekonominë e tregut, dhe shet cilësinë e punës tënde, siç bëjnë edhe një pjesë e stomatologëve shqiptarë. Dhe kjo mos të duket çudi!

Spitalet tona mund të konkurrojnë me të tjerët me anë të çmimeve dhe nivelit të shërbimit, nëse ato nuk lihen të degradojnë në këtë mënyrë, siç ka ndodhur deri tani. Bëhet fjalë për reformë në një sektor të rëndësishëm të shoqërisë, ku punonjësit kanë një ngritje të admirueshme intelektuale. Të mos i lëmë gjërat të kryhen për forcën e zakonit… por të gjejmë rrugët efikase dhe të pranueshme.

Botuar në: Albania | Koha Jonë | Standard

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *