Arben Çokaj

Shqiptarët, sa larg mentalitetit perëndimor

— nga Arben ÇOKAJ

Asnjë regjim nuk është perfekt, por demokracitë perëndimore kanë krijuar gradualisht aftësinë për të reaguar në mënyrë të përbashkët drejt një qëllimi të përbashkët, në mënyrë që demokracia të funksionojë. Drejtuesit politikë në vendet e Perëndimit janë bërë më të kujdesshëm, më taktikë dhe të pranueshëm nga publiku, fshehin egoizmin e tyre personal dhe shfaqin interesin publik. Pavarësisht problemeve dhe fenomeneve negative, që ekzistojnë në çdo shoqëri, në vendet e zhvilluara, drejtuesit politikë janë më të vetëdijshëm për mundësitë e tyre, më të përgjegjshëm për ligjet dhe rregullat dhe e marrin demokracinë seriozisht, siç thekson edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers.

Diçiturë e përdorur nga gazeta Shekulli

Diçiturë e përdorur nga gazeta “Shekulli”

1.

Duke dëgjuar leksionin demokratik dhe angazhimin e tij publik, si rrallë ndonjëherë të ndonjë ambasadori, më shkoi në mendje një histori e largët. Historia e poetit të mirënjohur Gjekë Marinaj me ambasadorin amerikan në Beograd, në vitin 1991. Pasi ambasadori amerikan dëgjoi t’i lexohej poezia “Kuajt”, e cila kishte rrezikuar jetën e poetit të ri, tha: “Mirësevjen në SHBA, bir!” Kështu, ai i dha mundësi poetit Marinaj për të emigruar në SHBA, ngaqë ai përndiqej nga vendi i tij, që në atë kohë vriste poetët. Ambasadori amerikan nuk kërkoi para nën dorë për këtë shërbim, siç bëjnë mjekët tanë për të shpëtuar një jetë, as nuk veproi si politikanët tanë, që nuk të begenisin fare, po nuk gjete sekserin e tyre dhe të paguash paradhënie thesin me para për një punë. Përndryshe nuk kanë besim. Pra, ambasadori amerikan ishte i përgjegjshëm, përkundër papërgjegjshmërisë absurde, që shfaq pjesa më e madhe e politikanëve tanë, që e konsiderojnë shtetin si mall pa zot.

2.

A mundet një ambasador shqiptar të bëjë një gjest të tillë për një qytetar të huaj, të ngjashëm me veprimin e ish-ambasadorit amerikan në Beograd? Jo! Po sjell këtu përvojën e një biznesmeni shqiptaro-australian, me banim në Kopenhagë. Bashkim Zeneli, ish-ambasador i Shqipërisë në Berlin, u kërkua në vitin 1999 të ndërmjetësonte për të kaluar ndihma nga porti i Durrësit për popullin kosovar, që kishte kapur armët për të mbrojtur veten, në një luftë shkatërruese. Biznesmeni shqiptaro-australian, si përfaqësues i komunitetit shqiptar në Danimarkë, i hipën avionit dhe shkon me një mik kosovar të takohet me ambasadorin Zeneli në Berlin. “Unë do të ndërmjetësoj, që të hyni në port pa ju kontrolluar” – thotë ndër tjera ambasadori Zeneli, “…por cila është pjesa ime?!”

Pra, shiko ndërgjegjen e ulët e kriminale të një ambasadori shqiptar, në kohën kur Kosova digjej! Ai kërkonte pará nën dorë, madje hapur, siç bëjnë edhe mjekët tanë. Kemi të bëjmë me një çështje kombëtare, që nxjerr në pah veprimin e ulët të ish-ambasadorit Bashkim Zeneli, i cili u sëmur, kur e hoqën nga puna si ambasador në Greqi. Në kontrast me veprimin e një ambasadori amerikan, që disa vite më parë ndihmoi një poet të jetonte, pa interesin më të vogël personal apo kombëtar amerikan, Bashkim Zeneli kërkoi pará, për t’i shërbyer interesave kombëtare. Si ky rast dhe më keq se ky, kemi mijëra raste këtu në Shqipëri, të cilat e kanë kapur peng këtë vend dhe nuk po e lënë të zhvillohet e të ecë përpara, në bazë të disa ligjeve të natyrshme, që vetë-rregullojnë ekonominë e tregut.

Duke parë interesimin e ambasadorit amerikan në Tiranë, të krijohet përshtypja se amerikanët interesohen më shumë për ne, se ç’bëjmë ne për vetveten. Dhe nuk ka dyshim, se kjo është e vërtetë. Kjo ka të bëjë me konceptet, botëkuptimin dhe mentalitetin e një shoqërie të lirë. Amerikanët shikojnë në radhë të parë interesat e veta, pastaj interesat e aleatëve të tyre. Por ata i marrin gjërat seriozisht, se kanë koncepte të qarta për ekzistencën e së mirës në shoqërinë njerëzore, përkundër interesave banale e thjeshtë personale, qoftë edhe të një kryeministri shqiptar, që e sjell gjithçka në interes të familjes së tij. Sjellja jonë politike në këtë kohë duhej të pasqyronte interesin për zhvillimin e vendit, jo me njerëz të dyshimtë e mafiozë të firmave fantazmë si Fazlliç, por me investime serioze dhe qëndrime racionale.

3.

Autoriteti i të huajve në Gjermani ndodh që t’i sorollasë njerëzit për vite me radhë, siç ndodh edhe në vendet e tjera të perëndimit, pasi pavarësisht ligjeve, gjermanët janë të lodhur nga të huajt. Kështu ndodhi pak a shumë edhe me vëllain tim, i cili kishte të drejtë ligjore të merrte qëndrim në Gjermani. Pasi qëndrimi i tij u bllokua për më shumë se dy vjet në Darmstadt-Dieburg, ne shkuam në Frankfurt. Për të penguar korruptimin e mundshëm të autoritetit të të huajve në Frankfurt, takuam një këshilltar të Kryetares së Bashkisë së Frankfurtit, i cili pranoi të na ndihmonte. Qëndrimi iu dha vëllait për dy javë dhe këshilltari i Kryetares së Bashkisë, përveç një falënderimi, nuk mori asgjë tjetër nga ne. “Njerëz si ti e mbajnë Gjermaninë në këmbë!” – i thashë ndër tjera, në një letër që i dërgova më pas.

Nisur nga kjo çështje personale, e çoj nëpër mend këtë ngjarje, për të ilustruar një mentalitet funksional, që përballë korruptimit, demokracitë perëndimore i bën të mbijetojnë, si rezultat i funksionalitetit që ato manifestojnë, që ka të bëjë me mentalitetin apo botëkuptimin për të respektuar ligjin. Në momentin kur ky funksionalitet dështon, do të kemi edhe fillimin e fundit të këtyre shoqërive. Prandaj bëhen përpjekje gjithmonë, për të respektuar ligjet dhe për të luftuar korrupsionin, i cili në vendet e Perëndimit ndeshet më shpesh si korruptim individësh apo strukturash në shërbim të interesave të shtetit, se kjo mund të tolerohet, sesa si veprime korruptive për të mbushur xhepat personalë.

Këtu tek ne, gjithçka shkon në interes personal të politikanit a zyrtarit të korruptuar, qoftë edhe vjedhja e fondeve publike, pra vjedhja e parave të shtetit. Përkundër veprimit të këshilltarit të Bashkisë së Frankfurtit, të cilin nuk e njihja më parë, si do të ishte sjellë, ta zëmë, deputeti Ramiz Çobaj, për të cilin punova bashkë me vëllain, që ai të bëhej deputet? Sapo u bë deputet, ai filloi një luftë të heshtur kundër meje. Në Shqipëri, ky veprim i tij nuk shihet me çudi, pasi njerëzit janë mësuar me banalitete të tilla dhe kjo arsyetohet si ‘frikë nga konkurrenca’. Por, jo! Pa konkurrencë nuk ka zhvillim. Nëse nuk i dënojmë veprimet e dënueshme, ato kanë gjasa të përsëriten, prandaj njerëz si deputeti Çobaj zbardhin dhëmbët nga vetëkënaqësia në televizor, duke na kujtuar me cinizëm se kanë arritur shumë në jetë, më shumë nga sa e meritojnë. Pozojnë pushtet e vetëbesim, pikërisht sepse iu është dhënë mundësia të vjedhin paratë tona të përbashkëta, duke u përpjekur të poshtërojë ish-mbështetësit e tyre dhe këtë popull që vuan akoma për kafshatën e gojës. Politikanët tanë përdorin organet e sigurisë, përgjimet, kërcënimet dhe sulmet vandale të tipit a’ la Topalli, “jepi dy-tre shpulla, e lëre!”, për të realizuar gjueti shtrigash kundër konkurrentëve, kritikëve apo kundërshtarëve të tyre. Kjo është primitive dhe e dënueshme!

4.

Po i referohem një historie vandale që ndodhi në Amerikë, ku një basketbollist serb rreh shumë keq një çifut, sepse ai i përmendi Kosovën. Serbi u arsyetua sikur ngjarja ka ndodhur për një vajzë, por u detyrua më pas të arratisej nga Nju Jorku, me ndihmën e konsullatës serbe, për t’i shpëtuar drejtësisë. Ka ndërhyrë senatorja Hillary Clinton, ka patur kërcënime për sanksione, që serbi të kthehet në SHBA dhe të gjykohet për veprimin e tij agresiv. Ndërsa në Shqipërinë tonë të dashur, ku politikanët pa mend në kokë, por me pasione të egra e urrejtje të pashuar, me lidhje të dyshimta me ish-sigurimin e shtetit, fusin dy halabakë që të sulmojnë vëllain tim, për shkak të shkrimeve të mia. Jozefina Topalli vjen 4 herë në Shkodër pas aktit vandal, për të ndërhyrë që të bllokojë drejtësinë, siç po bëjnë edhe me ngjarjen e Gërdecit, se janë të kapur nga krimi, janë të implikuar. Përkundër veprimit ligjor e parimor të znj. Clinton, e cila kërkon një kriminel ordiner serb të kthehet për gjykim në SHBA, znj. Topalli, me ndihmën e deputetit Çobaj, për arsye të kapedanllëkut të tyre oriental, komplekseve të persekutimit dhe marrëzisë institucionale, ndërhyjnë në prishjen e fejesës dhe të ardhmes së një vajze të re, duke futur halabakë të paguar prej tyre, për të goditur vëllain tim mjek, ndërsa me dy miq tanë inxhinierë, po dilnim nga një kafene në Shkodër. E gjitha kjo histori tentohet të shpjegohet në mënyrën serbe, gjoja për një vajzë…

Kjo është politika serbe e “ndryshimit”, që na është premtuar dhe për të cilën dhamë kontributin tonë. Përkundër veprimeve ligjore të senatores amerikane Hillary Clinton, znj. Topalli zgjedh poshtërimin e ligjeve, duke bllokuar Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Shkodrës. Prandaj ndërhyn me të drejtë edhe ambasadori amerikan Uithers, sepse ai e sheh mjaft qartë, se Shqipëria po shkon teposhtë, për sa i përket respektimit të shtetit ligjor dhe pavarësinë institucionale në organet e drejtësisë.

5.

Ish-kryeministri dhe presidenti izraelit Shimon Perez, në një intervistë të hershme për Xhorxh Soros, të dhënë për gazetën daneze “Politiken” thekson: “Kur njerëzit merren me politikë kemi konflikte. Konfliktet shuhen kur njerëzit fillojnë të merren me ekonomi…” Për aq kohë, sa paratë e “tepërta” të shqiptarëve vidhen nga politikanët, pra për aq kohë sa të ketë korrupsion të hapur në këtë vend, ne do të vuajmë nga këto konflikte të stisura, banale e absurde, që kemi parë në këto 18 vjet tranzicion. Kur ekonomia shqiptare të arrijë, që biznesi të absorbojë paratë e “tepërta”, jo politika, atëherë do fillojmë të mendojmë se shoqëria jonë po shërohet, po bëhet më racionale dhe me një mentalitet më të pranueshëm për shoqëritë e zhvilluara e demokratike, ku synojmë të integrohemi.

Deri atëherë duhet të kënaqemi me politikanin Berisha, që i kapur në befasi dhe i prerë në besë nga “miqtë” e tij serbë, ka humbur sensin e realitetit dhe po sillet si i marrosur, gjoja në shpëtim të kombit shqiptar. Njeriu që deri më sot ka përdorur gjithkënd për të absorbuar pushtet, po përfundon i përdorur nga fëmijët e tij, nga znj. Topalli e klane mafioze. Në një farë mënyrë, është për të ardhur keq, se si e përfundon karrierën e tij një politikan shqiptar, që nuk di të shkëputet nga afeksionet e tij orientale e infantile.

Publikuar në: TemA, 22.10.2008 (i plotë) | Shekulli, 20.10.2008 (me shkurtime nën titullin S’votuam për këtë “ndryshim”)

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *