Arben Çokaj

Dy-tre histori dhe lideri i lindur…

Nga Arben ÇOKAJ, 2 gusht 2006

Kur krenaria i prin dështimit

Në veprën e tij “Jeta ime”, Bill Klinton thekson një thënie filozofike: “Krenaria është pararojë e dështimit”. Ai e mbyll me këtë fjali sqarimin për përpjekjen e madhe të administratës së tij për të arritur një marrëveshje ndërmjet stafit të ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak dhe ish-presidentit të autoritetit palestinez Jaser Arafat.

Ndërsa administrata amerikane, nisur edhe nga zemërgjerësia e presidentit amerikan Bill Klinton, ushtroi një presion të kuptueshëm mbi qeverinë e Izraelit dhe arriti që të sigurojë përfitimin më të madh në histori të territorit për palestinezët në Jeruzalem dhe në Rripin e Gazës, ish-presidenti Arafat i tha jo kësaj marrëveshjeje. Bill Klinton habitet me faktin, se si ka mundësi që presidenti i një autoriteti nën pushtim t’i thotë jo një oferte kaq joshëse, sa shprehet, se në histori palestinezët nuk do të kenë kurrë një shans kaq të madh që të marrin diçka të tillë nga Izraeli.


Ilustrim i gazetës “Standard”

Për ata që s’e dinë, çifutët u detyruan të shpërngulën nga vendi i tyre, aty ku sot është Izraeli, rreth dy mijë vjet më parë. Ata emigruan dhe e mbajtën në emigrim konsistencën e tyre nacionale, përmes së njëjtës fé dhe martesave deri vonë vetëm me njëri-tjetrin. Kështu që pas luftës së dytë botërore, pas asaj masakër të paparë të Hitlerit kundër çifutëve, vendet e aleancës menduan që t’i japin mundësi çifutëve që të vendosen në tokat e tyre, të cilat ishin të banuara në pjesën më të madhe nga palestinezët. Pasi çifutët ishin shpërngulur, palestinezët kishin populluar vendin e tyre. Tani, konflikti i gjatë ka ardhur pikërisht se të dyja palët zihen me njëra-tjetrën se kujt i takon toka e premtuar: çifutëve që kanë qenë dikur, apo palestinezëve që e kanë populluar më pas.

Është karakteristike për vendet koloniale apo të pushtuara, që të krijojnë një bosht të qëndrueshëm rezistence me njerëz të aftë e të shkolluar, të cilët dinë t’i hapin rrugën vendit të tyre drejt pavarësisë. Jaser Arafat ishte një lider i lindur, por i pashkolluar si duhet dhe ndoshta i manipuluar, e për rrjedhojë nuk pritej më shumë prej tij. Nuk duhet lënë mënjanë edhe diferenca fetare, që ekziston ndërmjet të dyja palëve.

Kosovarët e zgjuar

Ndryshe nga palestinezët e viktimizuar, të cilët e ndjejnë në nënndërgjegje se Izraeli është më i fuqishëm dhe i mban nën kontroll ata, dhe që nuk ishin në gjendje të nxirrnin një lider që t’u printe drejt një suksesi të mundshëm maksimal, kosovarët vepruan me më zgjuarsi. Dhe kjo e gjitha falë një njeriu me kulturë solide dhe orientim perëndimor, siç ishte presidenti Ibrahim Rugova. Në politikën e tij, Rugova zgjodhi perëndimin si mundësi zgjidhje për popullin e vet, ai ishte lider i lindur dhe i shkolluar. Kundërshtarët politikë e kritikonin Rugovën sepse i dha dorën Millosheviçit, ndërsa në Kosovë bëhej luftë, por Rugova si evropian që ishte, i dha dorën kasapit të Ballkanit, që vetë të bëhej president i Kosovës së lirë, ndërsa Millosheviçi të përfundonte në Hagë. Anglosaksonët thonë: “Me armikun rri, për interesin tim!

Isa Boletini trim dhe krenar

Përkundër kësaj mund të përmendim historinë e Isa Boletinit, luftëtar i lirisë, karriera politike e të cilit fillon me të qenit roje personal i një pashai. Kur Isa Boletinin e ftojnë që të shkojë në Londër, mikpritësi anglez i thotë me qesëndi: “Të çarmatosëm, o Isë?!” dhe historia tregon se Isa Boletini nxjerr alltinë fëshk nga çorapi nën tirqe dhe thotë me krenari se “Isa Boletini nuk çarmatoset!”. Këtë histori të mësuar ndër shkolla e kemi treguar si trimëri shqiptare, ngaqë në historinë tonë të përvuajtur në sundimin e të huajit, nuk kemi shumë gjëra, me të cilat të krenohemi. Duket se edhe në këtë rast, krenaria ishte pararojë e dështimit. Por nuk mund të pritej më shumë prej Isës, jo!

Një njeri me kulturë, shkollë, përvojë dhe finesë evropiane, në vend të Isa Boletinit, do të kishte qeshur me dashamirësi, duke i thënë mikpritësit anglez fjalën e urtë: “Si është vendi, bëhet kuvendi!” – “unë respektoj zakonet e mikpritësit”, dhe nuk e kishte ekspozuar fare alltinë nën tirqe, të cilën nga krenaria u detyrua përsëri ta dorëzonte, por do e kishte mbajtur të fshehur deri në fund të takimit, për të papriturat që ai dyshonte se mund të ndodhnin. Por Isa Boletini ishte një lider i lindur dhe jo i shkolluar…

Duke vuajtur nën një pushtim të gjatë osman, shqiptarët krijuan kode kanunore në formë ligjesh, të cilat i zbatuan nën idenë e marres (turpit). Edhe sot, në shoqërinë shqiptare, sheh një dozë të lartë sforcimi për t’u dukur, për të rënë në sy të të tjerëve. Madje, kjo ndjenjë në disa raste e zona është aq e thellë saqë mund të supozohen njerëz që jetojnë për hir të të tjerëve, për sytë e të tjerëve, për hir të “dynjasë”. Ky është morali kolektiv, i shtrirë në një formë disi primitive – një rudiment i mbetur nga kaluara… Mbyllja e Shqipërisë në vetvete dhe pamundësia e lëvizjes së lirë e bën edhe më të theksuar këtë karakteristikë shqiptare.

Përkujdesje dhe besë për armikun

Duke lexuar librin me kujtime të At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, më bëri përshtypje të madhe një histori e çuditshme. Gjatë luftës së dytë botërore, diku nga viti 1941, ushtarë serbo-malazezë pushtojnë zonën e dukagjinit. Kur Beogradin e pushtojnë gjermanët, ushtria pushtuese tërhiqet, por malësorët e atyre anëve kishin përshtypje se ushtritë në të ikur janë më të rrezikshme se ushtritë që pushtojnë. Kështu që vendosën t’u zënë pritë. Njëri prej prijësve të ushtrisë pushtuese kishte qenë mjaft i përgatitur dhe erdhi duke vrarë nga dy-tre vetë në secilën pritë që i dilte para; e çau rrethimin dhe ashtu i plagosur në këmbë iu afrua për ndihmë shtëpisë së parë në fshatin e parë që ndeshi.

Thirri në gjuhën e tij nashke 1) , dhe mori si përgjigje një zë gruaje: “Hajde bujrëm!”. Gruaja e Deli Dedës hapi derën, se burri i kishte vdekur dhe djemtë i kishte në mal, duke luftuar kundër ushtrisë pushtuese. Ajo e futi brenda të plagosurin, i bëri vend pranë vatrës dhe filloi t’i mjekonte plagët që kishte marrë në këmbë, duke dëmtuar edhe një palë brenavekë (mbathje të brendshme të gjata) të reja të të birit.

Nuk vonoi shumë dhe në shtëpi erdhën dy malësorë, se lufta kishte pushuar. Serbo-malazezët ishin dorëzuar dhe ishin dërguar për në Shkodër, ndërsa njëri nga djemtë e shtëpisë ishte vrarë pikërisht nga dora e këtij të plagosurit, që malësorja në fjalë po e strehonte në shtëpi. Megjithëse dy malësorët që erdhën i treguan se ai ishte vrasësi i djalit të saj, kufomën e të cilit po e sillnin në vig nga mali, zonja e shtëpisë tha: “Mos e kërcënoni ushtarin e plagosur, se nuk jam në gjendje të përballoj edhe vdekjen e djalit edhe marren (turpin) e prerjes në besë…” të armikut…

Ajo e mbajti ushtarin e ushtrisë pushtuese në shtëpi, ia mjekoi plagët derisa iu shëruan dhe në fund e përcolli shëndosh e mirë për në Kolashin të Malit të Zi, ku ai kishte shtëpinë. Kjo është mikpritja shqiptare e kultivuar ndër shekuj, për të cilën ne të gjithë krenohemi! Dhe kur themi ne, nënkuptoj një pjesë të mirë të popullit shqiptar…

Sapo e lexova këtë histori, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte kuptueshmëria e vërtetë e arsyes se pse ne shqiptarët kemi humbur kaq shumë troje, kaq shume toka. Dhe kushdo e sheh qartë se pse fqinjët tanë janë kënaqur me marritë tona… dhe prénë që kanë marrë nga ne. A mos ndoshta vazhdojmë të jemi gjë naivë në këtë besim të verbër, që tregojmë kundrejt të huajit, kundrejt të panjohurit?!

Dhe kthehemi në ditët e sotme

Ndikimi i këtyre kodeve zakonore vazhdon edhe sot të shfaqet diku më shumë e diku më pak, deri në politikën më të lartë të këtij vendi. Shqiptarët vazhdojnë të zgjedhin njerëz të papërshtatshëm që t’i drejtojnë, qoftë në politikën qendrore, qoftë në atë lokale. Pastaj fillojnë e ankohen… Për këtë arsye gjërat kanë shkuar kështu siç janë dhe ne po vuajmë një tranzicion të stërzgjatur.

Një zv/ministër më tha një ditë se i kishte thënë deputetit të Shkodrës, z. Astrit Bushati, se “Shkodra ka njerëz, por nuk ka drejtues!”. Dhe në fakt, vihet re se një pjesë e deputetëve të Shkodrës edhe nëse kanë ndonjë shkollë të caktuar, nuk kanë përvojën e duhur politike. Por më të dallueshmit ndër ta janë një hidraulik dhe një elektricist…

Ta mbyllim me Shkodrën, ku hunda (krenaria) vlen shumë

Konkurrenca ndërmjet feve në Shkodër, dhe paragjykimet katundar e qytetar lëvizin pendulin e përzgjedhjes së drejtuesve vendorë e qendrorë, dhe na jep një produkt që lë shumë për të dëshiruar. Vihet re një tendencë kënaqësie në zënien me njëri-tjetrin për arsye fetare apo me koncepte arkaike “katundar”, “qytetar”, sesa të vihet truri në punë, të shfrytëzohen njerëzit e zgjuar, të cilët dinë ta drejtojnë qytetin më mirë. Kjo natyrisht që bëhet për efekt të një dominance primitive: Më mirë i pari i fshatit, sesa i fundit i qytetit!

Po diskutoja një ditë me disa zyrtarë të Prefekturës Shkodër, dhe përmenda atë që më pati thënë zv/ministri. Kur njëri nga zyrtarët aty më tha: “Lideri lind, nuk ka nevojë për shkollë!” Ka mundësi që ai po mbronte veten… Dhe njëri nga pjesëmarrësit aty iu kundërvu duke thënë: “Prandaj e kemi Shqipërinë kështu. Prandaj e kemi Shkodrën kështu, se vuajmë nga liderit e lindur – ndërsa bota i çon ata në shkollat më të mira, për të zhvilluar vendin e tyre…”

Shkodra një arenë e konflikteve të heshtura, pushton ende pasionet e egra të atyre që mbahen për intelektualë. Këtë e sheh tek disa koka të nxehta, që i kundërvihen pa kriter shkrimtarit Ismail Kadare, në ëndrrën e tyre për ta penguar atë që të marrë çmimin “Nobel”. Ndoshta ngaqë e kanë të vështirë të krahasohen me shkrimtarin e madh, ndoshta ngaqë e kanë më të lehtë të shajnë se të shkruajnë…

Le të shpresojmë se Shqipëria do të ecë, Shkodra do të ecë përpara… Disa nga krerët e Këshillit të Qarkut nuk i kanë shkollat e duhura, por janë lider të lindur… Dhe politikisht dëgjojmë ankesa, se Shkodra është lënë pas dore. A i shkon mendja dikujt se një pjesë të fajit duhet ta kenë edhe drejtuesit e papërvojë të Shkodrës, të cilët nuk dinë se si të thithin investimet?! Shqiptarët jetojnë në shanse të humbura…

Dhe nuk duan të mësojnë… se vjelja e mendimit më të mirë, duket se i nxjerr jashtë loje… Ndonjëri prej tyre, një herë e një kohë ka drejtuar edhe qetë e kooperativës… kështu që realisht, ai i sheh mundësitë e mbyllura, kur në drejtim afrohen njerëz të aftë, me shkollë e përvojë jete. Bëje Zot mirë, thonë njerëzit, në këtë qytet të balancuar nga fetë dhe paragjykimet, e jo nga mençuria e zotësia… do të shkojnë edhe disa kohë të tjera, derisa drita e arsyes, prakticiteti e pragmatizmi të kapin tempin e kohës.

Kështu është kur politika i lihet rastësisë… dhe kur liderit e lindur nuk kanë shkollë, as përvojë jete…

1) Nashke, shkianisht, term dialektor për gjuhën sebo-malazeze

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *