Arben Çokaj

Kryeministri lypsar shqiptar

Nga një ekonomi e centralizuar dhe e mbështetur në forcat e veta, Shqipëria ka kaluar tashmë në një ekonomi të lirë, të hallakatur dhe të paorganizuar, lypsare dhe të mbytur në borxhe, ku sektorët strategjikë dhe fitimprurës të ekonomisë si ALBtelecom apo ALBPetrol shiten ose jepen me koncension për të huajt, ndërsa produktet e vendit, ose shiten bruto si nafta, të papërpunuara, ose mbesin stok e nuk shiten fare, si produktet bujqësore. Të krijohet ideja se ekonomia shqiptare funksionon më shumë si fitim për politikanët dhe për të huajt, sesa për biznesin apo qytetarët shqiptarë.

Nga ARBEN ÇOKAJ, 13.04.2013

Kudo ku shkon kryeministri shqiptar, ai vetëm kërkon ndihmë nga vendet e tjera, thjeshtë lyp! Në këtë mënyrë, ai e ka kthyer vendin tonë në një vend lypsar, pa dinjitet dhe për më tepër, pa tendencën dhe idenë për të punuar dhe për të zhvilluar linja prodhimi brenda vendit, që i duhen ekonomisë sonë, pasi hapin vende të reja pune për shqiptarët, rrisin nivelin ekonomik, e mbajnë në ekuilibër bilancin monetar dhe ekonomik, duke sjellë edhe valutë nga jashtë.

Që nga produktet bujqësore, prodhimi i të cilave në shumë raste shkon dëm për shkak të mosorganizimit të shitjes, telefonia, shërbimet e tjera, nafta dhe mineralet, ndërtimi i rrugëve, etj., mundësitë e vendit tonë dhe të shqiptarëve nuk shfrytëzohen me efikasitet në kthimin e moralit të punës dhe krijimit të vlerave në vend, por synohet importi, hyrja e mallrave nga jashtë, nxjerrja e mallrave tona bruto jashtë vendit, shitja, apo dhënia me koncensione e sipërmarrjeve fitimprurëse, privatizimet me shkallë të lartë rreziku, etj. Pra, vërehet një koncept i hallakatur ekonomik dhe jo i rafinuar, ku të synohet fitimi për vendin dhe jo fitimi i disa zyrtarëve.

Le të marrim si shembull prodhimin e naftës bruto në vend, të këtij malli kaq të rëndësishëm, që konsiderohet edhe si ari i zi. Në vit, prodhohen në vend rreth 1 milion ton naftë bruto, që shiten relativisht lirë në tregun e huaj. Vendi ynë përdor rreth 600-700 mijë tonë karburante të rafinuara, për nevojat e konsumatorëve. Tani nëse ne do të kishim një linjë moderne të përpunimit të naftës, gjë që mund të bëhet, i bie që të mbulonim nevojat e vendit me karburantin tonë e më pas të shisnim edhe 300-400 mijë ton karburant të rafinuar, ku çmimi në treg është natyrisht më i lartë. Kështu që do të punësonim më shumë njerëz në industrinë e përpunimit të naftës, dhe jo vetëm në atë të nxjerrjes, çmimi i karburantit mund të ishte më i lirë, relativisht, dhe për më tepër, kemi edhe një menaxhim të shëndetshëm e pozitiv të këtij tregu.

Me skandalin e privatizimit të CEZ shpërndarje, patëm një shembull tjetër dështimi. Para se të privatizohej sektori i shpërndarjes së energjisë elektrike, unë pata botuar një artikull në lidhje me privatizimin e këtij sektori qendror, OSSH. Kam parë në Gjermani, se sektori i shpërndarjes së energjisë elektrike është privat dhe i liberalizuar, ku psh. Darmstadt me zonat përreth ka një kompani, që quhet Entega, ndërsa Frankfurti me zonat e tij, ka një kompani që quhet Mainova, ndonëse largësia mes këtyre dy qyteteve, nuk është më shumë se 30 km. Kështu, më shkoi në mendje, pa hyrë në thellësi të privatizimit, që të ndiqet modeli gjerman. Ideja ime ishte decentralizimi i shpërndarjes, nga OSSH qendrore dhe shtetërore, në privatizime lokale, për të shmangur e zvogëluar edhe mundësinë e monopolizimit të tregut dhe për të rritur eficiencën në mbledhjen e pagesave nga konsumatorët. Menaxhimi e fitimi prej shitjes së energjisë, do të mbetej në dorë të shqiptarëve dhe do të shmangej humbja e miliona dollarëve me rroga të larta e dërgesa për në Pragë, siç ndodhi me CEZ-in.

Po kështu, mund të diskutonim edhe për shitjen e shumë produkteve dhe shërbimeve fitimprurëse në vend, ku zyrtarët e qeverisë kanë zgjedhur fitimet e vogla personale, përkundër efektivitetit dhe fitimit më të madh për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Rasti i shfrytëzimit barbar e pakriter të minierave është i tillë, ku qeveria ka dështuar me mënyrën e menaxhimit të mineraleve dhe nxjerjen jashtë të produktit bruto, në vend që të krijojë edhe linja prodhimi për mineralet, apo rasti i privatizimit të pjesshëm të Metalurgjikut të Elbasanit nga Kurum, dhe përqendrimi i tij vetëm në shkrirjen e metalit të mbledhur nga mbeturinat, në vend që të krijohej edhe një linjë investimi në përpunimin e metaleve vendase, që vijnë nga minierat, më duket si investim i pjesshëm dhe i paplotë.

Kështu kemi edhe rastin e privatizimit të ALBtelecom-it, ku në vend që të privatizohej ky sektor për privatët shqiptarë, dhe fitimet të mbeteshin në vend, për pronarin vendas, me asetet dhe investimet e tij, qeveria ia shiti këtë sipërmarrje fitimprurëse një kompanie turke. Po a është Turqia, apo firma që bleu ALBtelecom-in, një investitor strategjik? Jo, nuk është! Ndyshe do të ishte psh., po të blihej nga Deutche Telekom, etj. Edhe shitja së fundi e 4 hidrocentraleve, që sillnin fitim në vend, vetëm sepse qeverisë i duheshin pará në dorë, nuk është biznes efektiv dhe privatizimi i tyre shënon humbje edhe në këtë rast, për kasën e shtetit, për ekonominë tonë dhe për shqiptarët.

Pra, kemi në përgjithësi veprime ekonomike, që dalin me humbje për bilancin ekonomik të vendit, duke nxjerrë fitimin jashtë dhe duke i shkaktuar dëm ekonomisë shtetërore e private në vend. Kemi kështu politika qeverisëse, që mbajnë të dobët e nën presion të vazhdueshëm investitorin shqiptar, produktet e vendit dhe fitimin shtetëror, apo privat në vend. Paralelisht me këtë, kemi një rendje të zyrtarëve tanë, të kryeministrit Berisha në veçanti, për të lypur jashtë, për ta mbytur këtë vend në borxhe e kredi, dhe për të mos i përdorur borxhet e mëdha (rreth 2300 Euro për frymë), që të krijohen linja prodhimi në vend, të cilat më vonë, do të mund lajnë edhe borxhin kombëtar. Kush jep llogari për këto lloj politikash rrënuese dhe humbje të mëdha, që janë shkaktuar?!

Kemi fatkeqësisht një kryeministër të papërgjegjshëm, që nuk ia ka idenë ekonomisë, dhe nuk punon për ta forcuar ekonominë e vendit dhe për ta bërë atë të shëndetshme, por synon të fusë në borxh shqiptarët, t’i lërë ata nën presion të vazhdueshëm, dhe e kthen gjithë interesin e zhvillimit të vendit, në fushatë elektorale dhe në funksion të pushtetit të tij. Në vend që produkti vendas të mbulojë nevojat e tregut vendas dhe më pas të shesë mbiprodhimin jashtë, nga i cili valuta hyn në vend (e jo vetëm nga remitancat e emigrantëve), dhe kështu privati shqiptar të forcohet dhe investon më shumë, duke mbajtur të shëndetshme ekonominë dhe duke hapur vende të reja pune…

Edhe rrugët e vendit, që janë bërë me pará publike (të marra borxh në të shumtën e kohës), u janë dhënë në shumë raste firmave të huaja, duke e nxjerrë kështu kapitalin tonë jashtë dhe duke mos i mbrojtur siç duhet interesat e firmave shqiptare. Tenderat shpeshherë fitohen nga firma fantazmë, si ajo e Balliut, etj., që nuk kanë asnjë punëtor dhe pastaj punët i kryejnë me nënkontraktorë. Në këto raste, fitimi shpërndahet dhe cilësia e punës bie, pasi firma që kryen punimet nuk e merr fitimin e duhur dhe synon natyrshëm uljen e cilësisë së punimeve, për të rritur fitimin. Në vend, që vendi të ketë disa firma të specializuara për rrugët dhe paratë t’u shkojnë atyre, të cilat kanë edhe bazën materiale dhe ekspertizën e duhur për ato punë specifike, siç ndodh në Kroaci, apo vende të tjera, ne kemi zgjedhur hallakatjen edhe në këtë sektor, ku çdo inxhinier ndërtimi mund të ketë një firmë dhe me para nën dorë, siç ndodh në këto raste, të fitojë edhe tenderat e rrugëve… Se kemi një kryeministër lypsar dhe të papërgjegjshëm!

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *