Arben Çokaj

Të KESH apo të mos KESH?!

(Kjo është çështja!)
Nga Arben Çokaj, 17 mars 2006

Liçensimi i firmave private për shpërndarjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e parave nga konsumatorët, do të ishte një hap shpëtimtar për nxjerrjen e vendit nga kriza energjetike

Do të kenë shqiptarët energji elektrike të mjaftueshme në shtëpitë e tyre në këtë fillim të shekullit 21, apo jo? Kur do të kemi drita 24 orë në ditë? Kur do të ndalohen abuzimet me energjinë elektrike, apo kufizimet e saj? Është kjo një ëndërr e parealizueshme për shqiptarët për disa dekada me radhë, apo ekzistojnë mundësi që nuk janë provuar akoma?… Një mori pyetjesh janë diskutuar dhe po diskutohen vazhdimisht, për një çështje kaq problematike në kohën e sotme.

Diçiturë në gazetën Koha Jonë

Diçiturë në gazetën “Koha Jonë”

Diskutimeve për energjinë elektrike duket se iu mungon një element thelbësor: përballja reale e KESH-it me normat e ekonomisë së tregut. Energjia elektrike është mall, i cili shitet si çdo mall tjetër. Kjo nuk thuhet për të bërë moral – ta lëmë mënjanë bamirësinë, apo moralin. Problemi njihet dhe nuk është padija ajo që e lë këtë gangrenë kombëtare, të na ngërthejë ekonominë tonë dhe ta paralizojë jetën normale të qytetarëve.

Pa energji elektrike nuk ke investime, nuk ke ekonomi, nuk ke zhvillim, nuk ke kthim të emigrantëve për të investuar në vendin e vet. Pa energji elektrike, nuk ke internet në shkolla, nuk ke rrugë të standarteve të larta, nuk ke vende të reja pune, nuk ke prodhim dhe nuk mund ta ruash prodhimin tënd. Pa energji elektrike, nuk je qytetar!

Ministri Ruli lajmëroi në një emision televiziv para disa javësh, se KESH humbet rreth 150 milionë dollarë në vit, shumë kjo e barabartë me vlerën e ndërtimit të një hidrocentrali të ri. Humbjet vijnë kryesisht nga abuzimi me energjinë, nga mospagesa prej konsumatorëve, dhe nga korruptimi i vetë punonjësve të KESH-it, në qendër ose në bazë. Në xhepat e dikujt kanë hyrë (dhe ndoshta hyjnë) shumë para, ndërsa nga ana tjetër, ka shumë qytetarë që kanë vite, që nuk e paguajnë asnjë lek për energjinë elektrike, të cilën sidoqoftë e marrin të kufizuar… Dhe ne vazhdojmë të gënjejmë veten, pa gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Krerët e rinj të KESH-it nuk po e tregojnë veten se dinë të menaxhojnë më mirë furnizimin e qytetarëve dhe biznesit me energji elektrike, por vazhdojnë me kufizime kolektive, e njëjta metodë që kemi parë të përdorë KESH-i, nën qeverisjen socialiste. Edhe në “Kohën për ndryshim”, strukturat e KESH-it kanë një ngërç, ose i kanë duart e lidhura, ose janë të paaftë për t’i dalë në krye punës që kanë marrë përsipër. Situata energjetike për të ardhmen e Shqipërisë, paraqitet e pashpresë, përderisa unë në shtëpinë time, vazhdoj të kem drita vetëm maks. 10 orë në ditë. Kur dhe si do i vijë fundi këtij problemi kaq madhor për shoqërinë shqiptare?!

Para disa ditësh pata rastin të rri me një prej drejtuesve të lartë të KESH-it. Ai më tha shkurt, “nuk jemi në gjendje ta zgjidhim situatën – pra, nuk garantojmë se sigurojmë energji të mjaftueshme, përderisa nuk jemi në gjendje që të mbledhim paratë!” dhe paraqiti disa arsye se pse. Unë i tregova atij historinë time me elektricistin e lagjes, i cili, sa herë që diskutonim për dritat, më thoshte: “Këtë miell kam, me krimba, pa krimba, nuk kam se ç’bëj…”. “Atëherë na e lëshoni ne!”, – ia ktheja unë në mënyrë figurative elektricistit, “ne mund të sjellim miell pa krimba…”.

Punonjësi i lartë i KESH-it, tregoi se borxhet e korporatës kundrejt Bankës Botërore, kanë krijuar një bllokim të privatizimit të këtij sektori të rëndësishëm energjetik, i vetmi operator i energjisë elektrike në Shqipëri. Edhe ai ishte i mendimit se në Shqipëri duhej të kishte të paktën edhe një operator tjetër. Ngërçin me energjinë elektrike duhet ta zgjidhë shteti i sotëm shqiptar.

Mendoj se sipërmarrjet e formave vullnetare, të strukturave lokale për mbledhjen e parave për energjinë elektrike, apo tërheqja aforfe e parave nga rrogat e punonjësve shtetërorë, nuk janë metoda efikase që mund ta zgjidhin situatën energjetike për një afat të gjatë. Ka shumë evazion dhe moskorrektësi, qoftë me mbledhjen e parave, apo të drejtat e qytetarëve. Vetëm reformat, që bazohen në parimet e konkurrencës së lirë të ekonomisë së tregut, dhe jo në vullnetin e mirë të x-njerëzve, apo y-drejtuesve politikë, janë mekanizma afatgjatë për daljen nga kriza e përhershme.

Duhet gjetur mënyra për të bërë një privatizim të plotë të sektorit të shpërndarjes së energjisë, në mënyrë që duke mbledhur paratë për energjinë e konsumuar, KESH-i mund të vijë duke rregulluar borxhin e madh që ka, dhe duke rikuperuar humbjet në rrjet, pasi mbledhja e parave, i jep KESH-it mundësi, që të investojë më shumë në modernizimin e rrjetit shpërndarës, apo riparimin e defekteve teknike, që mund të dalin në hidrocentrale, transformatorë, rrjet, etj.

Konkretisht, firma të ndryshme private mund të marrin përsipër shpërndarjen e energjisë në një qytet, rreth apo qark të caktuar, me privatizim 100% të shpërndarjes dhe grumbullimit të parave, por pa privatizim të rrjetit. Firma private lidh kontratë me KESH-in, (ashtu siç bën kontratë psh. Korum) për blerjen nga KESH të një sasie të caktuar energjie në 24 orë, me oraret e përcaktuara qartë të kufizimeve, duke llogaritur edhe humbjet në rrjet. Shkeljet e kontratës nga secila palë janë të dënueshme, në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, firma private e shet këtë energji për konsumatorët (natyrisht, diçka më shtrenjtë për të siguruar fitimin, plotësisht e negociueshme me përfaqësuesit e shtetit), dhe nëse synon të ekzistojë, duhet të mbledhë 100% të parave për energjinë e shpërndarë, përndryshe nuk mund të mbijetojë në treg. Derisa firmat private të fuqizohen, defektet në rrjet dhe investimet e mëdha vazhdon t’i mbulojë KESH-i. Më vonë, gradualisht, këto firma private, mund të blejnë edhe rrjetin ekzistues të KESH-it në zonën ku operojnë, nënstacionet e tij, etj. Burimet e energjisë në Shqipëri, mund të rrinë pronë shtetërore (pra e KESH-it), në bazë të atyre parametrave që parashikon Kushtetuta, apo ligjet e tjera në fuqi.

Ky lloj privatizimi kërkon një studim më të madh dhe të detajuar të mënyrës së shpërndarjes së energjisë në perëndim, pasi përvoja e ekzistencës së këtyre firmave në tregun evropian apo amerikan, do të ishte me mjaft interes për privatizimin, që duhet të bëjë Korporata Energjetike Shqiptare, ose në të kundërtën, do ndeshemi përsëri me dështime dhe me diskutime të pafundme stresuese, kemi apo nuk kemi drita?

Me anë të privatizimit, shteti shqiptar nga ana tjetër, heq nga vetja një kokëdhimbje të madhe, dhe paralelisht me të minimizon ndjeshëm mundësinë e abuzimit me këtë mall, kaq të çmuar të ekonomisë sonë. Përveç kësaj, në arkën e shtetit hyn rregullisht TVSH-ja mbi energjinë e shitur/konsumuar dhe tatimi që paguajnë punonjësit e KESH-it nga rrogat që marrin.

Lind pyetja, si do të bëhet me ata individë a familjarë, që nuk janë realisht në gjendje që të paguajnë energjinë? KESH-i nuk fal dhe nuk duhet të falë energji. Korporata duhet të ekzistojë mbi parimet e një kompanie private. Për familjarët, që për arsye të nivelit të ulët ekonomik, nuk janë në gjendje të paguajnë energjinë, shteti me anë të sistemit bashkiak a komunal, përcakton një shumë minimale të energjisë së domosdoshme, dhe ashtu siç jep ndihmë sociale për familjet e vobekta, mund të japë ndihmë edhe duke iu paguar një minimum energjie.

Në Gjermani dhe Danimarkë vetëm një herë në vit shikohet matësi i energjisë elektrike – dhe kjo edhe nga vetë konsumatori. Në bazë të konsumit fillestar 3-6 mujor përcaktohet sasia e konsumit të energjisë për një mesatare një mujore, dhe konsumatori e paguan më pas këtë shumë aforfe. Në fund të vitit, kur bëhet leximi i matësit llogaritet energjia e shpenzuar në total dhe në bazë të arkëtimeve, nxirret shuma përfundimtare që duhet të paguajë konsumatori. Nëse konsumatori ka paguar më shumë, i kthehen paratë.

Kam dëgjuar se në Angli kanë përdorur sistemin e pagesës me kartë energjie – si në rastin e telefonit në rrugë. Që të flasësh, duhet të paguash. Në rastin e energjisë elektrike, vendosja e aparateve të tilla për elektricitetin mund t’i detyrojë qytetarët shqiptarë që të paguajnë për të pasur drita. Dhe kur energjia paguhet, ajo është e vështirë që të shpërdorohet, se askujt nuk i kanë tepruar paratë. Kështu që i japim fund gradualisht edhe moralit që bën KESH-i për kursimin e energjisë.

Në Itali, kanë instaluar një sistem më të avancuar. Nuk jam i sigurtë se sa është i aplikueshëm një sistem i tillë, aq më tepër në Shqipëri – pasi duhet të jetë një sistem i kushtueshëm. Matësit e rinj elektrikë, të cilët janë instaluar në një pjesë të mirë të Italisë së Veriut, kanë një çips, i cili mban të dhënat e numrit të matësit, adresës dhe pronarit të shtëpisë ku vihet matësi.
Përmes një lidhjeje me kompjuterin qendror, bëhet matja në kohë reale e sasisë mujore të harxhuar të energjisë, kështu që në fund të muajit, tërhiqen nga banka e klientit paratë për energjinë e harxhuar.

Natyrisht, që mundësitë janë të shumta, veçse duhet vullnet i mirë dhe real për ta stabilizuar një herë e mirë këtë gjendje.
Procesi i zgjidhjes së krizës energjetike në Shqipëri kërkon një trajtim më të gjerë dhe më të detajuar, nga specialistë që merren me këtë fushë. Këtu, unë hodha një ide, pasi e shoh të pamundur zgjidhjen afatgjatë situatës energjetike në Shqipëri, përveç privatizimit si fillim të sektorit të shpërndarjes, e më pas kalimit në privatizim më të gjerë.

Botuar në: Albania | Koha Jonë | TemA

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *