Arben Çokaj

Ligji i Jantes, ose modestia vetmohuese

Një ligj kontroversial që i përfshin të gjithë: ata të cilët nuk e zbatojnë, por edhe ata që e zbatojnë atë. Ai ka depërtuar thellë në ndërgjegjen e popujve skandinavë.Rreth 60 vjet më parë, në librin “Një refugjat kapërcen gjurmën e tij” të shkrimtarit norvegjezo-danez Aksel Sandemose, shfaqet një ligj i veçantë e tepër karakteristik, i cili do bëhet më pas ligji më popullor për danezët, dhe skandinavët në përgjithësi. Ky ligj i përbërë nga dhjetë pika, ose postulate, është mjaft kontroversial në vetvete, por përmendet gjithmonë si simbol i mendësisë skandinave. Danezët e quajnë atë ligjin e tyre dhe njihet pothuajse nga të gjithë, megjithëse janë të shumtë ata që nuk e dinë se kush e ka shkruar dhe çfarë do të thotë fjala Jante. Jante, sipas autorit, është qyteti Nykøbing Mors, jo shumë larg nga kryeqyteti, ku shkrimtari kaloi fëmijërinë e tij. Dhe nuk ka asnjë lidhje në mes titullit të librit e ligjit vetë.

Është e pamundur për dikë që do t’i referohet asaj që ndodh çdo ditë në jetën daneze, e të mos e përmend efektin e madh të ligjit të Jantes. Pavarësisht se ai nuk është një ligj shtetëror, zbatohet instiktivisht nga vetëdija e popullit danez, më mirë se kushtetuta vetë. Postulatet e tij janë:

1. Ti s’duhet të besosh se je dikush.
2. Ti s’duhet të besosh se je aq i madh sa ne.
3. Ti s’duhet të besosh se je më i zgjuar se ne.
4. Ti s’duhet t’i krijosh vetes idenë se je më i mirë se ne.
5. Ti s’duhet të besosh se di më shumë nga ne.
6. Ti s’duhet të besosh se je më shumë se ne.
7. Ti s’duhet të besosh se je i aftë për diçka.
8. Ti s’duhet të tallesh me ne.
9. Ti s’duhet të besosh se dikush çan kokën për ty.
10. Ti s’duhet të besosh se mund të na mësosh diçka.

dhe siç shihet janë mjaft të rrepta, të cilat nga njëra anë duket se përsërisin diçka, dhe nga ana tjetër kundërthonë diçka.

Por a është ky ligj i shpikur nga shkrimtari, apo i krijuar prej tij nga eksperienca me popullin ku ai u rrit? Duket se fiton hipoteza e fundit dhe ka mendime se danezët vetë, filluan të ndjenin një turp të madh kombëtar, pas humbjes së luftës me gjermanët në vitin 1864, në mbrojtjen e Sydslesvig-ut. Slesvig-u i jugut është një pjesë toke në kufirin tokësor të Danimarkës me Gjermaninë, që i përkiste mbretërisë daneze dhe popullohej nga danezë, të cilët pas vitit të sipërpërmendur filluan të kenë shkolla gjermane dhe një gjuhë zyrtare po gjermane. Me kalimin e viteve, gjuha daneze filloi të dalë në planin e dytë dhe të konsiderohej si gjuhë fshatarësh. Ai që dinte të komunikonte gjermanisht në atë zonë, kishte një superioritet: gjermanishtja vlerësohej më shumë se gjuha e tyre daneze. Në fillimin e shekullit tonë, Sydslesvig-u i kalon me vota të lira Gjermanisë, dhe megjithëse ishte një referendum i vullnetit të lirë të njerëzve, përsëri danezët e quajnë atë, si humbjen më të madhe në histori dhe qendrën e nacionalizmit të tyre.

Historikisht, danezët kanë qenë një popull i vogël që kanë arritur shumë, që prej vikingëve e deri në fillimet e shekullit të 19-të. Të përmendim vetëm faktin e mbajtjes nën sundim të Anglisë për dhjetëra vite me radhë, apo të zotërimit edhe sot ë ishullit më të madh në botë, Grëndlandës. Prandaj humbja e Sydslesvig-ut, ishte diçka me të cilën ata nuk mund të pajtoheshin, dhe që do ndikonte gjithashtu në krenarinë e tyre si komb. “Mos kujtoni se jeni më të zotë se të tjerët!”, tingëllon kuptueshëm postulati i pashkruar i Jantes.

Një i huaj që vjen në Danimarkë dhe që ka dëgjuar më parë për sukseset e këtij vendi, kontrastohet ndjeshëm me thjeshtësinë apo modestinë e popullit danez. Veshja e tyre të lë shumë për të dëshiruar, ashtu si dhe mënyra tepër e thjeshtë e komunikimit. “Mediokriteti, thotë profesori dhe sociologu kulturor francez, Dominik Bushe, është dobësia dhe forca e danezëve.” Ai shton gjithashtu se, danezët nuk e pëlqejnë tipin origjinal e kreativ. Një person të tillë, ata e ulin vetëm poshtë, pasi ai s’duhet të jetë më i aftë se të tjerët. Ndërsa të dobëtit i shtrijnë dorën. Ai arrin në përfundimin se mediokriteti danez është i këndshëm, secili respektohet të flasë, pavarësisht se nuk di as gjënë më të vogël për një problem të caktuar. Ndaj dhe ai e pëlqen këtë vend, dhe ndoshta kjo është arsyeja kryesore, që ai vazhdon të jetojë në Danimarkë. Por shumica e të huajve që vijnë me një bagazh të caktuar njohurish nga vendi i tyre, janë të detyruar të pësojnë dështimin para se të kenë kuptuar atë çfarë fshihet pas kulturës daneze, e thënë ndryshe, pas ligjit të Jantes.

Ligji i Jantes i përfshin ata që e respektojnë atë, por edhe ata që nuk çajnë kokë për të. Jashtë përcaktimeve të tij nuk mund të dalin as kryeministrat, as njerëzit e thjeshtë. Një vajzë simpatike nga Suedia, me sytë bojë qielli e flokët e artë, arriti të kuptojë vetëm në Itali se është e bukur, pasi në vendin e saj i thonin gjithmonë: “Mos pretendo të mbahesh më e bukur se ne!”…

Padyshim që një ndër vlerat më të mëdha të shoqërisë moderne daneze është vetë shoqërizimi i saj. Sensi vlerësues i gjendjes së tjetrit pas pyetjes retorike “Po të tjerët?”, e ka bërë këtë popull të ketë një nga sistemet më të pasura sociale në botë. Dhe gjithmonë skllavë të postulateve të Jantes, të dobëtit në shoqëri kanë shpeshherë më shumë favore se sa të fuqishmit. P.sh. ka raste që një çift hendikapatësh të jetojë në një vilë, të përkujdesur nga tre punonjës në turne. Një llogari e thjeshtë e hamendësuar, të jep të drejtën të mendosh se shpenzimet e këtij çifti janë disa herë më të mëdha se të ardhurat e një çifti mjekësh të specializuar. Siguria shoqërore ka krijuar një predispozitë të tillë, që një i ri mbi moshën 18 vjeç, të ketë mundësinë e shkëputjes nga “tutela” e familjes. Nga ana tjetër, pas revolucionit të “çorapkuqeve” të viteve ’70-të, gratë kanë marrë në dorë frenat e drejtimit të shoqërisë, sidomos të familjes. Janë këto dy fenomene që kanë jellë me vete një farë shthurjeje të familjes daneze, pasi në më të shumtën e rasteve, janë gratë ato që vendosin të ndahen nga burrat, sidomos pas fëmijës së parë. Dhe ky fëmijë rritet disi i mangët, larg asaj dashurie të domosdoshme prindërore, e nga mungesa e saj ndjehet tejet i depresuar. Kjo është arsyeja ndoshta që Danimarka është një nga shtetet, e cila e ka më të lartë numrin e atyre që bëjnë vetëvrasje, në kohën kur në Indi, apo në më të shumtën e vendeve afrikane, ky fenomen nuk njihet fare.

Një sqarim të përafërt, lidhur me procesin e burrëzimit të grave dhe grarëzimit të burrave, mund të gjejmë ndoshta tek ekzistenca e një numri mjaft të madh homoseksualësh në Danimarkë, rreth 12% e gjithë popullsisë. Tërheqja nga seksi i kundërt ndikohet padyshim, kur partneri i kundërt shfytyrohet. Pra, i afrohemi gradualisht njëjtësisë uniforme pa sfida.

Ajo që është specifike në atë që quhet “roli i gruas në familje”, përshihet mjaft bukur në thënien stoike “demokraci milimetrike”. Është mjaft e zakonshme, që në një familje daneze të diskutohet çdo ditë se kush e bën ushqimin në darkë, dhe kush do i lajë enët. Problem tjetër i një rangu të tillë mund të jetë edhe blerja e ushqimeve në treg. Të mos çuditemi, për diçka duhet të diskutohet!… Pra duket se gjithçka i afrohet një përllogaritjeje mjaft të saktë, deri në milimetra, nga e cila ndjenjat frigohen, shuhen. Mungesa e këtyre ndjenjave, apo e ngrohtësisë, ka bërë ndoshta që shumë të rinj të vrasin veten, para se të arrijnë të kënaqen në jetë, dhe përgjithësisht burrat danezë të konsiderohen si të plogësht. Është mjaft kontradiktor fakti se si gratë, me kërkesat e tyre i kanë sjellë burrat në një pozicion qesharak, dhe tani ankohen për plogështinë e tyre. Një i huaj që martohet me një daneze, e konsideron të palogjikshëm diskutimin “Kush do i lajë enët sonte?”, që është dhe refreni më i përdorshëm i jetës qytetare daneze. Tingëllon kuptueshëm fakti i shndërrimit të shoqërizimit danez në një egocentrizëm mjaft të skajuar.

Ligji i Jantes siç duket, i bashkëshoqëruar me ato nuanca sociale të majta, që frynë me erën e vendeve të lindjes, ka presuar një natyrë të re në shoqërinë daneze të gjysmëshekullit të fundit. Pavarësisht spekulimit tonë, dhe problemeve që shohim nga afër në shoqërinë daneze të përditshme, diçka vazhdon të mbetet enigmatike: Si është e mundur që Danimarka është një nga shtetet më të pasura në botë, dhe të ardhurat kombëtare për individ shënojnë vlera nga më të lartat?… Një pyetje me vend, që për mendimin tim mund të ketë si përgjigje: Logjikë e ftohtë në përdorimin e trurit.

Arben Çokaj, Kopenhagë – 30.11.1996

Publikuar:
Koha Jonedhjetor 1996

Shënim i autorit: Me paragrafin e fundit tregohet se si makina e propogandës daneze është në gjendje që të manipulojë mendjen e secilit për nivelin e lartë – gjë që nuk është absolutisht e vërtetë. Ligji i Jantes – i kompozuar në atë formë që ka, nga Aksel Sandemose, me origjinë norvegjese e banim në Danimarkë, ka shumë mundësi të ketë qenë një truk artistik i autorit për popullin danez, që nuk lë asnjë pa satirizuar e përqeshur…

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *