Arben Çokaj

Historia ndalet tek ne

Nga Arben Çokaj, 10.06.2007Vizita e presidentit Bush në Shqipëri ishte një vizitë historike. Kjo u theksua këto ditë nga shumë politikanë dhe analistë shqiptarë dhe të huaj. Por ajo që nuk u përmend sa duhet, ishte fakti se në fund të fundit, vizita në vendin tonë të vogël e presidentit amerikan, e burrit më të pushtetshëm në botë, ishte padyshim një arritje kulmore e politikës shqiptare. Duke qenë se vazhdojmë të jemi një vend me probleme të mëdha, ne nuk i lejuam vetes të shprehnim vetëkënaqësi euforike, ndonëse edhe kjo e fundit, në një moment të tillë suksesi, ishte më se e ligjshme.

Vizita në fjalë u bë e mundur nga ndjenjat pozitive që ushqen populli shqiptar për SHBA-të; nga radhitja e vendit tonë në kampin e aleancës kundër terrorizmit ndërkombëtar; nga pjesëmarrja e ushtarëve tanë në misione të rëndësishme ndërkombëtare në Irak, Bosnje dhe Afganistan; nga puna intelektuale dhe shprehja e vazhdueshme e respektit për vlerat amerikane, të ngjashme këto me ndjenjat shqiptare për liri e demokraci; nga puna e madhe e diasporës shqiptare në SHBA, sidomos e asaj pjese të intelektualëve shqiptarë që kanë arritje atje. Këto të gjitha bashkë, në bashkërendim me një unitet pozitë-opozitë për sa i përket qëndrimeve kundrejt politikës dhe interesave amerikane, rezultuan me ketë vizitë të papërsëritshme të presidentit Bush në Shqipëri. Vizita e Xhorxh Bush tregoi më së miri, se politikanët dhe diplomatët shqiptarë duhet të punojnë në skuadër, pozitë – opozitë, për të arritur respekt dhe suksese në planin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Si popull i vogël, që s’na kanë lënë të rritemi (një pjesë të fajit e kemi vetë), jemi mësuar të mbetemi vëzhgues të historisë, pasi fatin tonë e kanë përcaktuar të tjerët, më të fuqishëm se ne. Historia ka kaluan anash nesh, ka rrëshqitur, duke na dëmtuar dhe injoruar shpeshherë. Por me vizitën e presidentit Bush në Shqipëri, ne morëm një rol të rëndësishëm rajonal: Historia u ndal tek ne! Ne jemi tani në anën e të fortëve të kësaj bote, në anën e atyre që drejtojnë dhe dinë të kenë sukses. Në planin politik duhet të vlerësojmë vendimet e rëndësishme që kemi marrë si komb, për të qenë në krah të kësaj aleance, dhe të veprojmë me kujdes, sidomos në çështjet e brendshme, për të prodhuar një politike të pjekur dhe jo infantile.

Priremi drejt Amerikës, por sillemi si meksikanë

Në konceptet amerikane dhe anglo-saksone në përgjithësi, ekziston shprehja, se për t’u bërë diçka në jetë, duhet të fillosh të sillesh si i tillë. Kombi shqiptar është padyshim më i civilizuar se vetë politikanët që nxjerr, të cilëve duket se u ka mbetur ora në periudhën e drejtimit komunist. “Makina e politikës është ndryshkur…” – tha Kadare në prag të vizitës së presidentit Bush. Dhe kjo është fatkeqësisht e vërtetë. Duhet të ndërmerren reforma ligjore dhe administrative, larg interesit të ngushtë personal apo partiak, që të çlirojmë mekanizmin meskin të politikës shqiptare dhe me kujdes të rrisim shkallën e dinamizmit të saj, pa u harlisur jashtë kontrollit.

Reformat e brendshme në politikën shqiptare, duhet të fillojnë nga vetë partitë politike, ku demokracia e brendshme vazhdon të cenohet nga autoriteti i njëshit dhe ku veprimtaria e një partie rezulton mjaft informale – në bazë të urdhrave nga lart, pa vetë-iniciativë personale. Duhet të futen koncepte të reja, ku fjala e lirë, sidomos brenda strukturave të partisë politike, të mos konsiderohet herezi. Përndryshe jemi të destinuar të dështojmë si klasë politike dhe si shtet. Më pas, lirinë e fjalës ta kthejmë në liri veprimi të përgjegjshëm, që t’u ngjajmë amerikanëve, ku që në shkollë mësohet se “nëse mendon se ke të drejtë në atë që thua, thuaje pa frikë dhe me zë të lartë”.

Duke mos patur përvojën e duhur, një shoqëri në hapje si e jona, ka qenë dhe vazhdon të jetë e destinuar të mësojë më parë veset e një shoqërie të zhvilluar, sesa strategjitë e zhvillimit. Telenovelat meksikane e kanë bërë më të lehtë absorbimin nga shoqëria dhe politikanët tanë të teknikave të një kakofonie jorezultative, sesa normat morale të një ekonomie konkurruese. Vese të padëshiruara, kanë themeluar tek ne një strukturë mendimi intrigues dhe primitiv, si formë e degjeneruar moralisht e një shoqërie të hapur, që vuan nën kthetrat e psikologjisë izolucioniste. Me kalimin e kohës, njerëzit do të lodhen nga vetvetja dhe nga kjo sub-kulturë e dalë kohe, dhe do të fillojnë e u kthehen vlerave. Por humbja do jetë më e madhe, nëse shoqëria vetë nuk ka forma ligjore dhe edukuese, që të rekomandojnë se si duhet të sillesh në një shoqëri të hapur.

Synojmë perëndimin, por sa shumë e dashurojmë orientin

Nëse presidentit Bush i intereson politikisht ta tregojë Shqipërinë si një vend mysliman, që adhuron Shtetet e Bashkuara, për të përdorur një shembull pozitiv për vendet islamike që nxisin terrorizmin, kjo mund të ketë ardhur edhe si rezultat i pamundësisë apo paaftësisë së diplomatëve tanë për të informuar këshilltarët e tij, se Shqipëria është një vend multi-fetar me shumicë statistikore myslimane, por që ka një tolerancë fetare shembullore. Ne e dimë se terrorizmi nuk ka ngjyrime fetare, por diferencat ndërmjet kulturave orientale dhe oksidentale, shpesh nga padija, gjenerojnë konflikte dhe viktima të panumërta. Ne shqiptarët nuk duhet të viktimizohemi për hir të fesë!

Tolerancën fetare është mirë ta shtrijmë edhe më tej. Do të ishte mjaft pozitive për një vend evropian si Shqipëria, që kultet fetare të aplikonin besimin dhe ritet e tyre brenda objektit fetar, siç bëhet në vendet e BE-së, dhe për hir të respektit për të drejtat e njeriut dhe për besimin e tjetrit, të mos i shqetësojmë kalimtarët në rrugë me tingullin e këmbanave të kishave, apo zërin e amplifikuar të myezinit. Këto manifestime mund të bëhen publike jashtë objektit fetar vetëm në ditë festash. Edhe vetë procesioni i festimit të bajramit në sheshin “Skënderbej” ngjan tepër oriental. Nismën pozitive dhe evropianizuese u takon komuniteteve fetare që ta ndërmarrin dhe ata vetë, me anë të një iniciative të tillë do të emanciponin shoqërinë shqiptare. Politikanët tanë do të merrnin kështu një shembull harmonie e paqeje, që duhet t’i lërë vend trurit të vendosë dhe jo pasioneve.

Është koha e kastravecave…

Kur gazetat shënojnë pikun më të ulët të shitjeve, përdoret termi “koha e kastravecave“. Në politikën shqiptare, kemi një shkëputje të klasës politike nga votuesit. Zgjedhësit duhen vetëm ditën e zgjedhjeve. Abuzimi me votën e lirë, mekanizmi i gabuar i vjedhjes së votave dhe shpeshherë, dalja nga zgjedhjet e individëve të paaftë për t’i shërbyer komunitetit ka ngjallur irritim, dhe sidomos një mungesë të theksuar të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor. Koha e “kastravecave” në politikën shqiptare ka kohë që ka filluar. Duhet një punë e madhe, respektim i kodit zgjedhor dhe votës së lirë, që raportet e sotme të përmbysen për mirë. Duhen ndoshta, njerëz të rinj në politikë!

Kemi ‘politikanë’ që nuk e meritojnë postin që kanë dhe për më tepër nuk e kanë lexuar as tregimin e Andersentit “Rrobat e reja të perandorit“. Ata fryhen e kapardisen, duke manifestuar një sjellje snobe dhe injoruese për mjedisin që i rrethon, për mbështetësit e tyre apo për vetë zgjedhësit. Shiko presidentin Bush, këtë burrë kaq të pushtetshëm, i cili ka sjellje më të thjeshtë e njerëzore me njerëzit, se vetë ndonjë kryetar partie në Shqipëri, apo qoftë edhe analist. Kjo ndodh pikërisht se kryetari i partisë së vogël në Shqipëri ka një botëkuptim sheiku, edhe nëse ai është kristian…

Një ditë u ndodha rastësisht në hyrje të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri po dilte jashtë. Një këshilltar i PDK-së në bashkinë e një qyteti verior, iu afrua me ngurrim kryetarit të partisë së tij Nard Ndoka për ta uruar për punën e re. Ndoka nga ana tjetër e pa me mospërfillje dhe mezi ia hodhi sytë. Një rast i tillë të bën të mendosh se kaposhi Ndoka sillet në atë mënyrë, sa mbështetësit të tij t’i duket vetja “mizë”, para faraonit të madh. Një histori tjetër më vjen nga një kryetar dege i LSI-së, i cili i ndodhur në një kafene, sheh kryetarin Meta teksa hyn aty. Meta nuk përshëndet asnjë të pranishëm aty, pasi ata, vdekatarët, duhet të përshëndesin të pavdekshmin, hyjnorin. Prandaj them: është “koha e kastravecave” në politikën shqiptare.

Këta individë që na bëhen edhe ministra e kryeministra, pasi vjedhin një shumë të madhe të parave publike, krijojnë një distancë me njerëzit e thjeshtë, të cilët e kanë të vështirë të fitojnë edhe bukën e gojës. Prandaj njerëzit në Fushë-Krujë u gëzuan shumë me vizitën e Bushit atje, e cila u komentua nga Artur Zheji me koncepte arkaike dhe të prapambetura në kohë. Realpolitika është arti i marrjes së mbështetjes nga publiku, përmes një konkurrence të fortë dhe të ndershme në bazë të disa rregullave të përcaktuara qartë nga të dy krahët e politikës. Xhorxh Bush nuk është bërë president për të shëndoshur vithet si Ilir Meta, apo ndonjë deputet “nuse“, që hyn në politikë për të vënë dhjamë. Bush nuk ka hyrë në politikë për të vjedhë paratë publike, se sistemi i hapur demokratik nuk ta lejon një gjë të tillë. Vemjet politike që shohim tek ne, zhvillohen në shoqëri të mbyllura, të pacivilizuara demokratikisht, dhe të paafta për t’u shprehur pa frikë.

Aleanca për vjedhjen e shtetit

Nëse duam të shërojmë një plagë shoqërore, atëherë duhet të pranojmë hapur, se ajo ekziston dhe të gjejmë mjetet e duhura për ta shëruar atë. Presidenti Bush e inkurajoi qeverinë Berisha në luftën e tij kundër korrupsionit. Por, a vazhdojmë të kemi përsëri një korrupsion të theksuar në vendin tonë? Përfaqësuesit tanë, a sillen me arrogancë, duke marrë përqindje nga çdo investim publik që bëjnë? Fatkeqësisht po! Aq i madh vazhdon të jetë ky korrupsion dhe korruptim i punonjësve shtetërorë, i politikanëve që kanë në dorë paratë publike, sa mund të thuhet se, aleanca për vjedhjen e shtetit në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër në atë pjesë të botës ku synojmë të integrohemi, është më e fuqishme se aleanca për shtetformimin.

Grupimi i njerëzve që kanë koncepte shtetformuese dhe perëndimore, dhe që fitimin e tyre duan ta nxjerrin përmes fitimit që nxjerr shteti shqiptar, dhe jo duke abuzuar me fondet publike, është fatkeqësisht në minorancë, aq sa një këshilltar i lartë në shtetin shqiptar më tha një ditë, se “kemi një shoqëri kaçakësh…” dhe se “ne nuk përbëjmë akoma masën kritike për të filluar një reaksion“. Me “ne”, e kishte fjalën për njerëzit me koncepte perëndimore, që mendojnë dhe punojnë, që Shqipëria të bëhet një vend me ligje dhe sjellje perëndimore.

Vizita e Xhorxh Bush në Shqipëri ishte një ngjarje që të jep shumë për të mësuar. Kryeministri Berisha, si një politikan me përvojë, diti të kapte anën e mirë të kësaj vizite. Ai i mundësoi popullit të Kosovës një premtimn nga Tirana për një Kosovë të pavaraur dhe pa kushte. Mbetet që kryeministri ynë të jetë po aq i suksesshën në zbatimin e reformave në vend, për rritjen e standarteve, që distanca e Shqipërisë me anëtarët e BE-së dhe të aleancës së NATO-s të jetë sa më e vogël.

Botuar në: Illyria | QIK | Standard, 12.06.2007, etj.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *