Arben Çokaj

Fazlliç, një mashtrues me fat

— nga Arben ÇOKAJ

Pashë intervistën, që i shumëpërfoluri Damir Fazlliç i dha këto ditë Blendi Fevziut. Fazlliç erdhi në Shqipëri dhe iku si fitimtar, sepse ka korruptuar më parë kreun e PD dhe njerëz të afërt me të; sepse i ka rrjepur Shqipërisë miliona euro nga mendje-ngushtësia e disa politikanëve; sepse gjeneroi një skandal të tipit të tillë, që të lë pa fjalë dhe që vetë ai e konsideroi si tragjedi. Fazlliç iku nga Shqipëria triumfator, duke futur strukturat shqiptare në ngatërresë me njëra-tjetrën, për të na lënë shijen e hidhur të mendimit, se gjithçka thuhet në media sot për të, është e vërtetë. Duke luajtur rolin e një të forti, që nuk çan kokën, Fazlliç i përforcoi akuzat e ngritura kundër tij, dhe ai sikur thoshte: “s’keni çfarë të më bëni!” Kaq larg shkon mendimi i tij prej spekulatori dhe kaq shumë e injoron ai vendin dhe kombin tonë.

Fazlliç nxori në shesh të palarat e miqve të tij në Shqipëri, Berishës, Mediut, Lul Bashës dhe Argitës, etj. Ka krijuar katër firma fantazmë në Shqipëri me gjithsejt katër mijë dollarë dhe synonte të fitonte miliona euro prej tyre. Shiti njërën nga firmat e tij tek një firmë në Qipro, për 1,75 milionë euro, dhe tregon injorancën e tij ekonomike me faktin se gjoja ai nuk ka paguar tatim mbi vlerën e shtuar, sepse firmën ia ka shitur vetvetes. Fazlliç na krijoi përshtypjen se, ai ka ardhur në Shqipëri pikërisht për të kompromentuar krerët e PD, dhe për t’ua futur atyre, siç edhe ka bërë. Nuk mendoj se një pronar është i detyruar të blejë firmën e vet, në atë mënyrë siç shpjegon Fazlliç, për të shpëtuar nga vlera e shtuar e tatimit. Ai thjeshtë mund ta kishte sjellë kapitalin në Shqipëri, duke ia dhënë paratë firmës së tij Crown Acquisitions, pa patur nevojë të bëjë akt-shitje të firmës fantazmë. Është e paqartë, si mund të gjenerojë para një biznesmen, duke ia shitur firmën vetvetes?

Fazlliç u shpreh se idetë e tij, e ndihmuan Berishën të vinte në pushtet. Na rrofshin idetë e Fazlliç dhe këta qyqarët tanë, që paskan dëgjuar një mashtrues. Në të vërtetë, gjatë bisedës së tij, nuk u vu re ndonjë ide gjeniale, apo aftësi e caktuar, që ai të na krijonte idenë, se është njeri me brumë. Fazlliç është një mashtrues, provokator, që e ka lejuar veten të përdoret dhe u dogj për të kapur Berishën. Ky nuk është një dëm i vogël për Shqipërinë, aq më tepër për vetë Berishën. Fazlliç tregoi se ishte tymnajë, full of smoke, siç është shprehur një kongresmen amerikan për Fatmir Mediun. Faji i Berishës është pse u beson këtyre tipave. Tani e shohim të gjithë, se mendtë e kujt ka marrë Mediu apo Berisha, që me aferat e tyre të dyshimta e fluturake, poqën të gjallë 26 vetë dhe plagosën qindra të tjerë në Gërdec, dhe nuk i vret ndërgjegjja fare për atë që kanë bërë.

Duke marrë mendtë e Fazlliç dhe njerëzve rreth tij, me ardhjen në pushtet, Berisha e humbi sensin e realitetit. Me ose pa qëllim, ai filloi të braktiste dhe të linte në baltë një numër të madh të mbështetësve të tij, saqë ka njerëz që mendojnë se ai me znj. Topalli gëzojnë sot mbështetjen e vetëm 10% të elektoratit të PD. Kjo mund të shihet edhe nga paniku që i ka kapur ata të dy, nga mënyra agresive e sjelljes së tyre dhe nga fakti se nuk i zë zyra, por vrapojnë sa në një vend në një tjetër. Presin shirita të rrugëve dy-metroshe “për në Evropë”, dhe u flasin nxënësve të shkollave për NATO-n, se veç zyrtarë e fëmijë dalin në takimet e tyre. Fatkeqësia më e madhe e Berishës është fakti se, ai kujton që letrat e futura në shishe në Dajt, apo sugjerimet eterike dhe pa këmbë në tokë të Fazlliç, do ta mbajnë atë në pushtet edhe për një mandat të dytë. No chance!

Sa i përket lirisë ekonomike në Shqipëri, mundësive të mëdha e perspektive, largpamësisë së Berishës dhe ligjeve të reja që ai ka bërë, të cilat i sheh Fazlliç por ne të tjerët, që jetojmë këtu, nuk po i shohim, mund të përdor shembuj konkretë të një mendësie komuniste që sundon vendin, dhe që nuk po e lë ekonominë shqiptare të marrë frymë lirshëm. Për më tepër, është rritur ndjeshëm shkalla e cungimit të lirisë së individit në vend, dhe pavarësisht se nuk ka raportime sa duhet, realiteti tregon se njerëzit përgjohen dhe përndiqen me gjueti shtrigash, me ndihmën e organeve të sigurisë, qoftë edhe për një largim nga puna.

Fazlliç ka patur sukses në krijimin e firmave fantazmë në Shqipëri, dhe kjo e bën atë një mashtrues me fat. Përkundër tij, unë po jap disa shembuj, ku mbështetës realë të PD dhe Berishës, janë injoruar ose e kanë pësuar keq me ardhjen e Berishës në pushtet. Një biznesmen, Sh.J. student i dhjetorit ’90 dhe mbështetës i PD, është detyruar nga mossuksesi dhe bllokimi i biznesit, ta mbyllë biznesin e tij dhe të largohet me familje për në Australi. Një tjetër student i dhjetorit dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit ’91, u largua nga puna si drejtor i Policisë së Ndërtimit në Shkodër, për t’ia lëshuar vendin kumbarës së znj. Topalli, dhe tani ai u largua përsëri me përkujdesjen e ‘zonjës së hekurt’ nga pozicioni si nëndrejtor ekonomik i Spitalit Rajonal Shkodër.

Pas ardhjes së Godos në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtor i spitalit në Shkodër u bë Namik Kamberi, kryetar i degës së PR në Shkodër. Ata që e njohin, e mbajnë Namik Kamberin për një njeri që abuzon me fondet publike, për këtë arsye ai ka çështje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe paratë e tepërta, veç tjerash, i kthen në alkool e bixhos, së bashku me disa shokë të tij, të partive të tjera. Këta janë drejtuesit shkodranë, që krijojnë skema dhe abuzojnë me fonde publike. Kështu duan ta fusin Shqipërinë në Evropë këta. Sapo Kamberi erdhi në zyrë, ai bëri një akt kuptimplotë. Largoi në mënyrë demonstrative portretin e Nënë Terezës nga zyra dhe vuri në vend të saj portretin e kryeministrit Berisha. Asnjë protokoll zyrtar nuk kërkon, që portreti i kryeministrit të vihet në zyrat shtetërore (aq më tepër në spital), përveç atij të Presidentit të Republikës.

Por servilizmi i tepruar, korruptimi i tij si drejtues i mëparshëm dhe gjinekolog, e ka detyruar Kamberin, që përmes Berishës, të krijojë një koracë mbrojtjeje kundër akuzave të prokurorisë. Nëse bëjmë një pyetje hipotetike: Ku ishte Kamberi, në kohën kur nëndrejtori Prendi, ishte në grevën e urisë për të rrëzuar bustin e diktatorit? Pyetja nuk ka nevojë për përgjigje. Sot jetojmë në një kohë tjetër, në kohën, kur në vendin tonë nuk kemi shtet ligjor, por një bashkim dhe bashkëpunim të skemave të vjedhjes së parave publike. Drejtuesit tanë nuk dinë ndryshe, ata fusin në punë njerëzit e vet, për të vjedhur më bukur e pa telashe paratë e përbashkëta. Prandaj u largua nga puna zv. drejtori ekonomik i Spitalit të Shkodrës, një mbështetës tradicional i PD dhe që dha kontribut të madh gjatë fushatës së korrikut 2005, në mbështetje të deputetit Çobaj.

Një tjetër student dhjetori, Ardian Palushaj erdhi nga Italia, ku banonte me familje dhe konkurroi si kandidat i së djathtës për kryetar komune në Bushat. Zef Hila, kontributor financiar i znj. Topalli doli si kandidat i pavarur. Dhe ‘zonja e hekurt’ e ktheu Bushatin në gjendje lufte, për të justifikuar votën e vjedhur dhe të marrë me zor nga kandidati i pavarur Zef Hila. Duke u gjendur në një situatë absurde, pasi e detyruan të humbte më shumë se 100 mijë euro, Ardian Palushaj u largua nga Shqipëria, pa mundur të zgjidhej kryetar komune.

Gjatë këtyre viteve të qëndrimit në Shqipëri, edhe unë u mundova të bëj aktivitet privat, meqë puna në shtet kushtëzohet nga mentaliteti Fazlliç. Për këtë arsye, ndërtova një objekt në tokën time, pranë rrugës nacionale Shkodër – Koplik. Por, megjithëse kam investuar më shumë para, unë nuk e kisha suksesin e Damir Fazlliç, që me katër mijë dollarë fiton miliona euro. Kuptohet, nuk jam serb. Jam student i dhjetorit ’90 dhe mbështetës i PD, kjo është e keqja.

Ambiente Shërbimi - leja e ndërtimit e bllokuar nga Lorenc Luka
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, në atë kohë Kryetar i KRRT të Qarkut Shkodër, nuk pranoi ta jepte lejen e ndërtimit për objektin tim, pavarësisht se kisha marrë leje për sheshin e ndërtimit dhe studimin urbanistik. Në bazë të ligjit të Urbanistikës, KRRT ishte e detyruar brenda 45 ditëve, të jepte ose refuzonte lejen e ndërtimit. Por kjo nuk ndodhi. Në pritje të ryshfetit, dhe ndoshta për arsye të një konkurrence banale nga ajo që quhet “krahu” apo “klani i Jozit”, Lorenc Luka nuk pranoi ta jepte lejen e ndërtimit në kohën e duhur, në pranverë 2005. Çështja ka shkuar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Zyra juridike pranë KRRT së Qarkut Shkodër mendon se unë kam të drejtë, por kryetari aktual i Qarkut u kërcënua nga Lorenc Luka për futje në burg, nëse e jepte lejen e ndërtimit, që më takon me ligj. Ligji në këtë vend është në dorë të derdimenëve, prandaj ti je me fat z. Fazlliç dhe ke ditur të shfrytëzosh injorancën dhe llupsërinë e disa politikanëve tanë, që të vish këtej e ta bësh rrush e kumbulla.

Unë nuk jam me fat si Damir Fazlliç. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk jam serb. Kjo dhe vetën kjo, është arsyeja e suksesit të një mashtruesi, e suksesit të z. Fazlliç. Meqë ka kompromentuar disa krerë politikë shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe Berishën, të mos kujtojë ai se ka kapur peng kombin shqiptar. Siç e gjetën rrugën për ta bërë Kosovën të pavarur, pavarësisht problemeve, vështirësive dhe humbjeve, ashtu do ta gjejnë shqiptarët rrugën e tyre edhe për t’u shkëputur nga ndikimi rrënues i Damir Fazlliç dhe mashtruesve si ai.

Publikuar në: TemA, 11.10.2008

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *