Arben Çokaj

Çikanimet serbe në Kosovë

Shkruan: Arben ÇOKAJNë politikën dhe diplomacinë evropiane përdoret nganjëhere termi “vrasje me pambuk”. Ky fenomen në Evropë është më tepër real, sesa një gjuhë diplomatike e përdorur. Është bërë natyrë e dytë për institucione të ndryshme në shtetet e Evropës, që të përdorin metodat e një sulmi apo çikanimi të herëpashershëm, në formën e “sherr-budallait”, mund të thuhet me fjalë tjera, në gjuhën e popullit.

Për ta kuptuar më qartë këtë, duhet të marrim si shembull ngjarjet e fundit në Kosovë. Me 4 janar 2003, u vra pabesisht koloneli Zemaj – një personalitet ushtarak, që i përkiste Forcave të Armatosura të Kosovës, që luftuan për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Gjërat dihen thuajse nga të gjithë dhe nga shumë gazetarë të njohur e me intuitë, u tha se kjo ishte një goditje kundër pavarësisë së Kosovës.

Nuk është e lehtë për një lexues të thjeshtë të kupojë se kjo është e vërtetë; pra vrasja e Tahir Zemajt ishte një goditje direkte kundër pavarësisë së Kosovës. Krahu politik në Kosovë, që mendohet se mbështet vrasje të tilla politike, si vegël qorre në duart e dikujt tjetër, filloi menjëherë revanshin, vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje tragjike për Kosovën dhe lëvizjen e saj për pavarësi, pasi atyre nuk iu dhimbte shumë koloneli Zemaj, përkundrazi, këtë gjë ata e kishin dashur me kohë.

Siç edhe mund të dihet nga shumë analistë të politikës kosovare, vrasja e Tahir Zemajt ishte edhe prologu i një projekti famëkeq, që synon të përdoret në Kosovë nga vetë serbët. Për të realizuar këtë projekt, pra minimin e pavarësisë së Kosovës, serbët të ndihmuar nga eunukët e tyre brenda Kosovës dhe nga agjenturat e linjës anti-shqiptare, të qarqeve të caktuara shoviniste greke, duket se serbët kanë huazuar metodën e njohur evropiane të “vrasjes me pambuk”, të pavarësisë së Kosovës. Ajo që ne mund të shohim tani, është pikërisht injoranca në krye të qeverisë kosovare.

Gjërat evoluojnë me shpejtësi dhe filli i ngjarjeve është vështirë të kapet në këto raste. Vetë Hekerupi pat deklaruar për një gazetë daneze, kur u emërua administrator i Kosovës se ai ishte shumë i kënaqur me këtë emërim, pasi Kosova është vendi ku ndodh diçka. Dhe vërtetë ndodh diçka në Kosovë, që për shumë aventurierë politikë, do ishte e lakmueshme dhe e papërsëritshme.

Disa ngjarje na vijnë në ndihmë të arsyetimit tonë. Taktikisht, serbët e Kosovës para pak ditësh fillojnë “ftohjen” dhe “çarjen” e tyre me politikën e Beogradit, që shqiptarët të gënjehen. Pas ferrës së vogël fshihet lepuri i madh. Kryeministri serb, Zoran Gjingjiç shprehet shumë shpejt më pas, në “Der Spigel”, se pavarësia e Kosovës nuk është tabu, por kjo mund të çonte në ripërcaktimin e kufinjve të Ballkanit. Këtu reagon menjëherë ish-ministri i jashtëm shqiptar, vigjilenti Milo, me një koment lidhur me deklaratën e Gjingjiçit, që duket se e kishte përgatitur me kohë. Peshku skuqet, sa tigani është i nxehtë. Shtajner kërkon një takim me Rugovën, që ta qetësojë atë për vrasjen e fundit.

Në planin tjetër, nuk mungon Veton Surroi, i cili e paraqet këtë takim në gazetën e tij, si takimi Shtajner-Rugova (e jo si Rugova-Shtajner), kur dihet se takimi u bë në zyrën e presidentit Rugova dhe presidenti është realisht titullar më i lartë për popullin e Kosovës. Këtë Shtajneri e di, prandaj dhe shkon në zyrën e presidentit. Por këtë gjë nuk e di Surroi, apo edhe ai ndoshta e di, por nuk i pëlqen ta pranojë? Kartat serbe në Kosovë, me ndihmën e disa indiferentëve, fillojnë kështu veprimin dhe bashkërendimin e punëve, në projektin e tyre “vrasje me pambuk”.

Në këtë kohë, kryeministri Rexhepi detyrohet dy ditë pas varrosjes së kolonelit Zemaj dhe një ditë pas takimit Rugova-Shtajner, që të thërrasë në një takim tre liderët kryesorë të partive politike të Kosovës. Ky u trumpetua nga të majtët si takimi i unitetit. Nga ana tjetër, këtij takimi iu dha hapësira e duhur edhe në shtypin e majtë të Shqipërisë, ndërsa mediat e Kosovës, atë punë kishin. Duke fyer presidentin Rugova me paturpësi, klani i majtë kërkonte që t’ia faturonin dështimin e këtij takimi, pikërisht presidentit Rugova. Bëhet një gafë politike nga kryeministri Rexhepi, që sido që të veprojë presidenti Rugova, ai do bëhet shkak për thashetheme gazetareske të planifikuara që më parë.

Dhe kështu ndodhi. Të gjithë e pamë atë që shkroi intelektuali i famshëm i Kosovës, Surroi në editorialin e gazetës së tij “Koha Ditore”. Ai filloi të analizonte se cili është rangu më i lartë në Kosovë. Ndonëse rangun e njeh mirë Veton Surroi, ai përpiqet megjithatë të turbollojë mendjet dyshuese kosovare, me një lojë fjalësh dhe largim nga thelbi i çështjes.

Surroi, me siguri e dinte, që pas injorimit të lehtë (me pambuk) të figurës së presidentit Rugova, duke e vënë emrin e Shtajnerit para (pra, Shtajner-Rugova), në takimin e tyre të fundit, do vinte një injorim i dytë i një shkalle më të lartë, edhe ky i pranueshëm sipas logjikës së tij. Tani do ishte takimi Rexhepi-Rugova dhe këtu Rugova ftohej “thjeshtë” si kryetar i LDK-së. (O njerëz kuptojeni Surroin, s’ka asgjë të keqe në këtë mes! Përse është takimi tek kryeministri? S’ka rëndësi! Kryeministri fton Presidentin në takim, në zyrën e tij. Do diskutohet se çfarë duhet bërë për Kosovën. Kjo është e rëndësishme…(?!))

Kjo lojë taktike, e kompozuar në formën e goditjes brenda llojit (pra brenda shqiptare) pret si fillim në dy drejtime:

E para, ajo synon të krijojë një precedent mediatik për harrimin e vrasjes politike të Tahir Zemajt, e cila piklloi tërë Kosovën dhe mori vëmendjen e angazhimin e duhur të presidentit Rugova, deri tek prononcimi i politikanëve amerikanë, kundër këtyre vrasjeve politike. UNMIK-u heshti si gjithnjë dhe po si gjithnjë, policia do e “zbardhë” ngjarjen, siç ka “ndodhur” edhe në rastet e tjera.

E dyta, kjo lojë taktike, synon të injorojë figurën e presidentit Rugova, përmes një vartësi të tij, kryeministrit Rexhepi (se kryeministri vartës i presidentit është, në hierarkinë e një shteti).

Në këtë kontekst, Surroi si sufler i këtij mega-projekti (jo pa qëllim po huazoj një fjalë greke) më vonë do i linte radhën sensacioneve gazetareske në gazetën e tij “Koha Ditore”, për takimet e tjera: Thaçi-Rugova, Haradinaj-Rugova, Trajkoviç-Rugova, etj. etj. derisa një ditë, në imagjinatën e shfrenuar të Surroit, ky injorim grotesk i figurës së presidentit Rugova, të vinte e të bëhej gusto e ditës dhe natyrë e dytë, sikur presidenti Rugova të mos ishte edhe president i vetë Surroit, por një politikan çfarëdo. Këtu fillon të dalë në dritë shumë qartë, karakteri dhe pasioni egoist i Veton Surroit, që për “inat të sime vjerre, shkon e flë me mullixhinë”.

Pra, ideja e rangut në Kosovë është e qartë nga të gjithë, kjo është ide e vetë Surroit. Por jo të gjithë njerëzit janë në gjendje ta kapin menjëherë këtë lojë të stërholluar politike, aq më tepër kyeministri kosovar Rexhepi, i cili pranon të futet në lojëra të tilla, duke mos e respektuar pozicionin e vet. Sa i përket publicistit të njohur (të gjithë e njihni, ai është në qendër të vëmendjes) Surroi, ai duket se i di mirë këto punë, dhe unë nuk jam në gjendje të imagjinoj, sesi njeriu me një inteligjencë të tillë, i lejon vetes të pështyjë lart në këtë mënyrë, kur dihet se pështyma bie edhe në fytyrën e tij.

Stafi i presidentit Rugova nuk besoj se mund të bjerë pré e gafave të tilla politike, siç u mundua të provokojë kryeministri Rexhepi. Por kryeministri i ri është, i papërvojë. I duhet kohë që të mësojë.
Të shpresojmë që kryeministri kosovar, do zërë mend nga këto kurthe politike që i krijohen atij dhe të mos e dëgjojë shumë shefin e tij partiak, përndryshe, ai do konsiderohet si dordolec dhe do përdoret për të kënaqur shijet perverse të disa zyrtarëlucëve të Tiranës, që as në aeroport nuk e presin për festën e flamurit, apo kur atij si kryeministër, i krijojnë idenë se si kryeministër që është, ai është aq i madh, sa edhe presidentin Rugova mund ta thërrasë në takim.

Nuk po hyjmë më thellë në analizimin e figurës së kryeministrit Rexhepi, pasi druhemi se po i krijojmë atij komplekse inferioriteti, të cilat janë shumë të dëmshme në këtë fazë, ku ndodhet Kosova. Por edhe deliri i madhështisë, që duket se e ka influencuar herë pas here kryeministrin kosovar, në deklaratat e tij të pamatura, është po aq i dëmshëm për të, sa edhe komplekset e inferiorietit në këtë rast.

Pas së gjithash, u arrit në një farë mënyre, që në politikën kosovare të bëhej sprinti i parë; krijimi i një precedenti politik, për të harruar një vrasje politike. Harresa është në gjuhën e mediave, se vrasja e kolonelit Zemaj, vështirë se do harrohet ndonjë ditë nga populli i ndershëm i Kosovës.

Në kohën kur presidenti Rugova, e vlerësoi si të domosdoshme lëvizjen aktive për njohjen e pavarësisë së Kosovës, një veprim brutal, një vrasje makabre, bëri që kjo lëvizje institucionalizuese, të marrë një goditje të ashpër. Ndërkohë që presidenti Rugova interesohet me të drejtë në gjetjen e autorëve të vrasjes së kolonelit Zemaj, një gafë politike i ofrohet atij nga kryeministri i shtetit të vet.

Pavarësia e Kosovës po vazhdon të tregojë se është një çështje tepër e ndërlikuar. Ky ndërlikim vjen më tepër nga fakti se subjekti shqiptar në Kosovë, po vuan nga komplekset e afirmimit. Titullarë partish të krijuara pas luftës, zyrtarë të lartë të Kosovës, të cilët deri dje ishin njerëz të thjeshtë dhe e shihnin vetëm në ëndërr këtë rol që kanë sot, po mundohen të afirmohen duke iu imponuar shoqërisë kosovare me dhunë, në përpjekjet e tyre mjerane, për të marrë rolin e primadonës në skenën politike kosovare. Pra për të qenë të parët: “Ne e çliruam Kosovën… Ne e bëmë pavarësinë… etj. etj.”

Në këtë shtyrje bërrylash, e egërsie vandalësh, ka mundësi që këta aktorë groteskë të këtij teatri absurd, të bëhen realisht varrëmihësit e pavarësisë së Kosovës, e jo krijuesit e saj. Pra, goditja brenda llojit, që sot ata po vazhdojnë ta vënë në jetë, si mashë në dorë të dikujt tjetër, i paraqet ata si mjaft të rrezikshëm për pavarësinë e Kosovës në radhë të parë dhe për ndërtimin e strukturave të një shteti demokratik në të ardhmen, në radhë të dytë. Këtu nuk mund të injorohet roli i drejtuesve të UNMIK-ut, të cilët nuk interesohen për pavarësi, pikërisht nga rrogat e mira, që marrin sot në Kosovë. Përkundrazi!

Politikanët kosovarë nuk duhet të tregohen naivë, dhe egoistë, sa i përket kuptimit të faktorëve që luajnë në skenën kosovare dhe rreth saj, pasi Kosova s’është akoma e pavarur si duhet të jetë. Duhet të njihet pavarësia e Kosovës një herë, pastaj këta koka të nxehta (që flaka e luftës vazhdon t’i nxehë, e do vazhdojë për kohë të gjatë, se ata nuk njohin tjetër gjë), të fillojnë konkurrencën e tyre politike dhe luftën reale për pushtet, pasi pavarësia e Kosovës të jetë njohur ndërkombëtarisht.

Për hir të kësaj pavarësie, të gjithë kosovarët, pavarësisht bindjeve politike, duhet të bashkohen rreth presidentit të tyre, presidentit Rugova, si kreu më i lartë i shtetësisë së Kosovës.

14 janar 2003

Publikuar:
QIK – opinione,
Trepça.net – opinione

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *