Arben Çokaj

“Unioni” në hapat e parë

Vula e Unionit Studentor
Vula e thatë metalike – që u përdor për të prodhuar vulën e Unionit Studentor

Meraku për të pasur një organizatë të pavarur, një organizim të ligjshëm studentor, larg çdo force e tendence politike, larg çdo ndikimi partiak, i ka ngacmuar studentët gjithnjë, në këtë periudhë demokracie.

Përpjekje për këtë u bënë që në fillimin e demokracisë dhe rezultatet ishin fillimisht mjaft të kënaqshme e premtuese.

Këta të rinj anemikë ruanin në zemër pasionet e pashuara, ruanin atë energji të pashtershme, që u mjaftoi të përmbysnin edhe një sistem të demoduar.

Shpresa e madhe e rilindur bëri që studentët të besonin verbërisht edhe tek disa njerëz, që nën termin “demokraci” shihnin realizimin e dëshirave të veta personale, shihnin dritën jeshile të një karriere politike. Dhe këta nuk ishin pak, e sot kjo duket qartë, kur pak kush po pyet për fatin e studentëve. Pati nga ata që në emër të studentëve u ngritën në poste të larta, në emër të studentëve bënë sa e sa rrugë jashtë shtetit, bile kaluan edhe pushimet atje. E meqë gjetën rehatinë e pritur, s’po pyesin më për “vëllezërit” studentë.

Themeluesit e Unionit Studentor
Po studentët e vërtetë?

Të përgjysmuar nga vala e provimeve, nga eksodi masiv, nga pamundësia ekonomike, nën thundrën e sloganit “Edhe pasoja do të kemi” erdhën përsëri në këtë tetor, për t’u deziluzionuar më shumë. Erdhën këtu duke mos pasur as bazën elementare materiale për të filluar mbarë vitin shkollor, e megjithatë e duan shkollën! Njerëzit kanë të drejtë të tallen me këtë shpërblim mizor.

Kriza ekonomike e gërshëtuar me krizën e besimit (e një sërë krizash të tjera), ka bërë që ata të humbin konsiderueshëm shijen për jetën, e të presin si në përrallat pa shpresë, dritën e fatit të tyre pa fat. Pasi u ngopën me politikë (për të mos thënë me llafe boshe), pasi kuptuan të vërtetën në këtë farsë, të dëshpëruar si gjithnjë, por shpresëshumë si Robinsonë, po bëjnë përpjekje t’i dalin edhe një herë zot vetes.

Sot ata mëse të ndërgjegjshëm, s’kërkojnë më shumë se ç’ka u takon: duan të mos shihen më me syrin e njerkës. Tashmë janë të bindur se ekzistenca e tyre e pavarur, do u shërbejë më shumë, e do mirëpritet nga opinioni i shëndoshë. Që në fillim të këtij muaji, një grup studentësh morën iniciativën për krijimin e një Unioni të pavarur gjithëkombëtar studentor. Anëtarësia në këtë Union (Bashkim) do të jetë në interes të çdo studenti, pasi çdo student do gjejë aty përkrahjen që i mungon, një shpresë më shumë për të jetuar më mirë, do të gjejë atë ç’ka deri më sot i është mohuar padrejtësisht. Por edhe Unioni ka nevojë për çdo student, sepse bashkimi e rrit forcën.

Unioni ka për qëllim të bashkojë rreth vetes gjithë studentët shqiptarë, kudo që janë e, çdo student të jetë anëtar i tij (siç janë sindikatat e punëtorëve), pavarësisht se në ç’shoqatë bën pjesë apo në ç’parti politike. Por si gjithnjë, drejtuesit do jenë apartiakë. Kështu që kompetencat e tij do rriten gjithnjë e më shumë. Inteligjenca studentore s’do të gabojë as në këtë rast.

Unioni do të organizohet në atë formë, që të mos lërë vend për dyshime e mungesë sinqeriteti, ku çdo njeri do të thotë fjalën e tij të lirë e, spekulantëve t’u shkurtojë rrugën. Në këtë mes s’ka vend për keqkuptime.

Shoqatat kulturore të legalizuara gjer më tash, do të kenë të drejtën e shoqërizimit të pamohueshëm, por unioni do t’i përfshijë ato, e kjo është e kuptueshme. Puna ka filluar e rezultatet janë të mira. Unioni po hedh vrullshëm hapat e tij të parë, por si çdo foshnje, kërkon përkujdesje.

Arben Çokaj, 17.10.1991

Publikuar:
Sindikalisti

Shënim: Themeluesit e Unionit të Pavarur Studentor ishin Gjin Progni, Arben Çokaj, Lin Kurti, Afrim Krasniqi dhe Vangjel Tavo.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: