Arben Çokaj

Tranzicioni shqiptar në ikje…

Nga Arben ÇOKAJ, 24 prill 2008

Ligji i ri elektoral dhe ndryshimet e fundit kushtetuese ishin hapa të mëdhenj dhe të domosdoshëm, që u bënë për të përmirësuar rrënjësisht politikën shqiptare dhe zgjedhjet në Shqipëri. Ajo që sot po konsiderohet si “epoka e NATO-s” ka dhënë padyshim një ndikim të fuqishëm tek politikanët tanë, të djathtë apo të majtë qofshin ata. Përveç kësaj, ishte një arritje themelore për shoqërinë shqiptare, fakti që dy forcat më të mëdha politike, pavarësisht ndryshimeve dhe interesave, gjetën gjuhën e tyre të përbashkët për të mirën e kombit, ashtu siç ndodh edhe në vendet e perëndimit. Dhe vërtetë që reforma zgjedhore në veçanti e afroi Shqipërinë më shumë me Evropën. Të gjithë e shohim përfitimin e përbashkët, kur forcat kryesore bashkëpunojnë.

Për vetë kontekstin dhe terrenin politik shqiptar, duhet ta pohojmë pandrojë, se arritja e këtij konsensusi të madh është meritë, në radhë të parë e dy liderëve të partive kryesore. E bënë ata për interesat e tyre? Po, natyrisht. Në fund të fundit, interesat e kujt duhet të shohin ata? Interesat e Metës, Gjinushit? Apo të ndokujt tjetër?!… Kur diçka bëhet në të mirë të një shoqërie, atëherë justifikohet edhe interesi që aktorët politikë kanë për vete. Se është e natyrshme, duke bërë diçka të mirë për shoqërinë, bën diçka të mirë edhe për veten. Pse duhet të jemi përjashtues? Pse duhet të gënjejmë veten kaq keq, sa të mendojmë si në kohën e dullës, kur gjoja udhëheqësit që realisht nuk e çanin kokën për popullin, jepnin edhe jetën për të. Ky mentalitet i vjetër vazhdon ta influencojë akoma mendimin e tjetërsuar politik shqiptar dhe ashtu si ndryshimet që marrin kohë, edhe mentaliteti i vjetruar, komunist e oriental, do të marrë kohën e vet që të ikë.

PD duhet rikthyer në pushtet

Zgjedhjet e korrikut 2005 u fituan nga PD me aleatët e saj, por Partia Demokratike ka humbur kapital të madh politik duke e fragmentuar, ndarë në pjesë të vogla me partitë aleate, pushtetin e saj. Zemërgjerësia e Berishës, përkundër interesave partiake dhe interesave të vendit, ka bërë që qeverisja e PD-së të largohet nga njerëzit e saj. Pse duhet që Berisha të ketë më shumë besim tek të tjerët se sa tek të vetët? Pse Berisha mban akoma afër njerëz pa vlerat e duhura intelektuale, morale apo njerëzore? Që të sulmohet nga opozita?! Për të mirën e përbashkët, duhet të tregohemi disi egoistë në vlerat tona dhe në konceptet e qarta politike, edhe në përzgjedhjen e njerëzve, gjë që tregon përgjegjshmëri dhe respekt për veten.

PD duhet të mbrojë interesat e saj dhe të fillojë të mendojë për t’iu përshtatur ligjit të ri elektoral, që favorizon dy partitë e mëdha. Për të fituar zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, duhet që të bëhen veprime konkrete në riorganizimin e partisë dhe strukturave të saj, që zgjedhjet të fitohen duke i merituar ato. Kjo është edhe arsyeja kryesore, pse pushteti i PD-së në qeverisje duhet të zgjerohet nga qendra në bazë, duke thithur njerëz të aftë, me kontribut dhe vetëdije politike, njerëz që kanë vizion dhe reputacion shoqëror dhe që gëzojnë besimin e elektoratit. Kam frikë se skemat e vjetra nuk do të funksionojnë rezultative me ligjin e ri elektoral.

Kam lexuar me interes kritikat e Mero Bazes për disa nga ministrat e kabinetit Berisha. Duke njohur edhe disa detaje banale të këtyre ministrave, që kanë ardhur nga partitë e vogla, mendoj se Berisha duhet të fillojë të afrojë njerëz me dimension më të gjerë njerëzor dhe politik, nëse ai nuk do që ta dëmtojë partinë e tij në zgjedhjet e ardhshme. Ministra si Mediu, Pollo, Ndoka, Barka apo Xhuveli po tregojnë se janë shumë egocentrikë dhe kompromentojnë qeverisjen. A mos duhet të ndodhin “Gërdecë” të tjerë për t’i detyruar ata të dorëhiqen?

Full of smoke

Para se ish-ministri Mediu të bëhej me ‘karrige’, ai kishte udhëtuar disa herë në SHBA. Një mik i imi nga Texas, emrin e të cilit po e mbaj sekret, më tregon një ditë se pas takimit të Mediut me një kongresmen amerikan, kongresmeni i kishte thënë atij se “Mediu është full of smoke”, Mediu është tymnajë, pa lidhje. Nëse i referohemi Gërdecit, mund të themi se pavarësisht përgjegjësisë personale të Mediut në ngjarjen e dhimbshme, ai nuk është vetëm tymnajë… Ndërsa një malësor shqiptar me banim në SHBA, për respekt i bën Mediut një dhuratë – një kostum që kushtonte rreth 7-800 USD. Mediu me bonsensin e tij grotesk të një kaposhi oriental, pa minimumin e kulturës së nevojshme, ia refuzon kostumin malësorit, jo nga frika e korruptimit, por: “Unë nuk vesh kostume që kushtojnë më pak se 2500 USD”. Nga na polli ky farë Sokoli?! A nuk është rritur në Shqipërinë Socialiste ky farë burri, që i zgërdhihet me servilizëm Berishës, e shet mend se ka qenë ministër i një vendi, ku njerëzit vazhdojnë të vuajnë kafshatën e gojës? Ka mundësi që kompleksi i varfërisë, si tek “jevgu që bëhet mbret”, shpërthen keq tek këta njerëz, sapo marrin pushtet e para në dorë… Dhe fatkeqësisht, jo vetëm tek Mediu!

Pse 140 deputetë?

Në një intervistë të saj, znj. Topalli theksoi se Shqipëria është e vogël për të mbajtur 15 parti. Unë do shtoja në këtë kontekst se Shqipëria nuk e ka luksin që të mbajë 140 deputetë. 100 deputetë, në 100 zonat aktuale do të ishin të mjaftueshëm. Por si çdo ndryshim që merr kohë të perfeksionohet, për kushtet e kompromiseve politike, është menduar ndoshta, që ligji i ri elektoral të përfshijë si fillim 140 deputetë. S’ka dyshim që është më e lehtë të zgjedhësh 100 politikanë të duhur për në Kuvendin e Shqipërisë, se sa 140. Në fund të fundit, kjo është edhe më e favorshme nga pikëpamja ekonomike.

Edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit tregoi se civilizimi i politikës shqiptare vjen ngadalë. Do duhej që ai të zgjidhej nga populli, në mënyrë që të besohej realisht, se presidenti është mbi palët. Natyrisht që presidenti është politikan, dhe me funksionet e rëndësishmen që ka për sigurinë kombëtare dhe drejtësinë në vend, ai nuk është dhe nuk mund të jetë ceremonial. Prandaj, zgjedhja e presidentit nga populli është një nismë që nuk duhet harruar, pavarësisht se për interesat politike të kohës, kjo duket sot disi e hershme.

Integrimi përmes projekteve të mëdha, pa harruar të voglat

Jam mahnitur që në fillim nga investimet kroate në rrugët dhe autorrugët që ata kanë bërë, pasi udhëtoj shpesh përmes Kroacisë. Respekti që ky komb ka për vete është i shtrirë deri tek polici i kufirit, apo tek njerëzit e thjeshtë. Nëse nuk pretendojmë sot që të krahasohemi me vendet evropiane ku synojmë të integrohemi, atëherë duhet të fillojmë të shkojmë në drejtimin e tyre, përmes projekteve të mëdha. Një nga këto projekte është edhe autorruga Kroaci – Mal i Zi – Shqipëri – Greqi, e cila mund të bëhet me financime evropiane. Ky aks rrugor përbën në vetvete një strategji – strategjinë për de-gangrenizimin e Ballkanit, për përfshirjen e vendit tonë në hartën reale evropiane, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, duke filluar me heqjen e vizave kroate për qytetarët shqiptarë, që banojnë në vendet e perëndimit dhe për një kategori njerëzish me domethënie në shoqëri, që gradualisht të përfitojnë të gjithë.

Shqipëria aktualisht është ndër vendet e pakta të Ballkanit, për të mos thënë i vetmi, që jep një fletëhyrje për çdo makinë që hyn në vend. Ky proces burokratik, përveç lodhjes së kotë të doganierëve, krijon edhe përshtypjen e rregullave të panevojshme, që i mërzitin vizitorët e huaj, dhe e paraqesin Shqipërinë disi larg në kohë. E çfarë duhet sot një copë letër në kufi për të shoqëruar makinën? A nuk është kjo një pengesë konceptuale për lëvizjen e lirë, në një Evropë që po vjen gjithnjë e më shumë e bëhet pa kufij? Reforma ligjore për ligjin elektoral dhe ndryshimet kushtetuese është mirë të shoqërohen edhe me rregulla të reja praktike, qoftë edhe për raste në dukje banale si ky i fundit, që shmangin shkresa dhe veprime, të cilat kufizojnë lirinë e individit. Shteti shqiptar sot kontrollohet dhe funksionon më mirë dhe duhet të shfaqë edhe më shumë besim në vetvete. Duhet të fillojmë të mendojmë evropianisht, për t’u përshtatur në koncepte me evropianët dhe të fillojmë e të sillemi si evropianë.

Botuar në: TemA, 25.04.2008

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: