Arben Çokaj

Taksa “Loli” – “Jam krahu i Jozit”

Si mund të vetë-pastrohet administrata shqiptare nga njerëzit e paaftë dhe të korruptuar, kur ata abuzojnë në emër të partisë?!

Nga Arben ÇOKAJ, tetor 2006

Henri Kisinger në librin e tij “Diplomacia” citon një thënie të Ruzveltit: “Toka është pronë e të aftëve, kur ata kanë forcë.” Shtetet e Bashkuara janë ndikuar ndjeshëm nga mendimtarët dhe drejtuesit e mëdhenj, prandaj janë bërë edhe shteti drejtues i botës. Në betejën shekullore mes të diturit dhe të paditurit, këtu tek ne ka fituar shpesh i padituri dhe fryma e budallait; gjërat e mençura e kanë vështirë të gjejnë treg shitje tek ne, prandaj jemi këtu ku jemi. Ajo që shohim në sferën e politikës shqiptare, atë që njerëzit prekin më shumë në vendin tonë, është treguesi më i mirë i prirjeve tona.

Pushtetarët e paaftë nuk janë në gjendje të kuptojnë keqadministrimin e pushtetit dhe humbjen që ata i shkaktojnë ekonomisë së vendit, apo edhe vetë partisë së tyre, pasi ata ndodhen në anën e së keqes, në anën e shtrembër. Kleptomania instiktive e një pjese të administratës shqiptare, i ka ardhur në majë të hundës këtij populli, i cili më 3 korrik 2005 besoi tek “Koha për ndryshim” e Partisë Demokratike, për të provuar një shans të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nismë kjo që megjithatë mbetet një “mision i pamundur”, nëse krimi dhe abuzimet nuk goditen pamëshirë, pavarësisht ngjyrës që kanë.

Shumë gjëra kanë shkuar për mirë në qeverisjen e këtij vendi, që nga ardhja në pushtet e PD-së, dhe ndonëse pushteti qendror është më i rregullt dhe më i kontrolluar (dhe kjo shihet nga të gjithë), pushteti lokal, ai periferik, nuk e ka ndjerë ende si duhet frymën e re qeverisëse. Të ndodhur në një klimë surrealiste telenovelash banale meksikane, disa pushtetarë mediokër nuk kanë mundur t’i largohen vesit, që mësuan në kohën e Nanos. Ndonëse këta pushtetarë lokalë, janë edhe përfaqësues të PD-së, ata nuk e kanë marrë ende mesazhin e një qeverisje “me duar të pastra“.

Kjo ka mundësi të ketë ndodhur ngaqë ata kanë njohje me dikë atje “lart”, që i mbron, nuk kanë besim tek shteti i tyre, përderisa thonë “na lini të vjedhim, se deri në 2007-n e kemi…” (siç bëjnë disa krerë të PD-së në Mbishkodër), ose u është bërë zakon të shohin në këto 15 vjet tranzicion, që ata të cilët kanë abuzuar me paratë publike, kanë shpëtuar pa u dënuar, ose kanë marrë dënime qesharake. Një mundësi tjetër mund të jetë: këta tipa pushtetarësh janë kaq të “sëmurë”, sa nuk janë në gjendje të kuptojnë kohën në të cilën jetojnë dhe ndryshimet që vijnë bashkë me të.

Partia Demokratike përballet tani me një sfidë tjetër në zgjedhjet lokale që po afrojnë. Aftësia menaxhuese e lidershipit të saj është përcaktuese në fitoren, apo humbjen e këtyre zgjedhjeve, të cilat për nga rëndësia dhe impakti që mund t’i japin shoqërisë sonë, mund të konsiderohen po aq të rëndësishme, sa ç’ishin zgjedhjet qendrore të 3 korrikut. Por, a do ta ndjekë Partia Demokratikë në zgjedhjet lokale të njëjtën rrugë, siç bëri edhe në zgjedhjet qendrore? A do t’i afrojë PD figurat e reja dhe me kredibilitet të shoqërisë sonë, në mënyrë që jo vetëm të fitojë zgjedhjet, por edhe të ofrojë në pushtetin lokal një cilësi shërbimi më të lartë, me njerëz kompetentë dhe të aftë për të menaxhuar qeverisjen e vendit? Kjo mbetet për t’u parë…

Të vjedhësh në emër të Partisë

Fatkeqësia shqiptare vjen si pasojë e formatimit të administratorëve të këtij shteti me një format të gabuar. Pothuajse secili që dëshiron të hyjë në punë në shtet, synon në fund të fundit të vjedhë shtetin e vet. Pasi shpesh dëgjohet të thuhet: “Nuk hyj në punë për një rrogë…“. Nëse ideja e vjedhjes shtrihet me një shembull në sektorin privat, mund të shtrohet pyetja: Sa gjatë i shkon një lokali privat pa falimentuar, nëse psh. të gjithë kamerierët vjedhin? Kuptohet fare thjeshtë, se ditët do të ishin të numëruara për këtë lokal, ashtu siç janë të numëruara edhe për një qeverisje, nëse i lë administratorët e saj të abuzojnë me paratë publike.

Më kujtohen raste në perëndim, kur ka ndodhur që ndonjë kosovar, i cili merrej me drogë, arrestohej nga policia. Ai gjente një mënyrë të poshtër justifikimi: “merrem me drogë, pasi na duhen para për pavarësinë e Kosovës…“. Po ku ka komb, apo moral një njeri i tillë që merret me drogë? Për më tepër, ai komprometon një ndjenjë kaq të shenjtë dhe fisnike si pavarësia e Kosovës – si rrugëkalim për të justifikuar punën e tij kriminale.

Pothuajse në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe disa nga drejtuesit e Qarkut të Shkodrës dhe ndonjë nga kryetarët e komunave në zonën e Mbishkodrës, të cilët qenien e tyre në PD nuk e shohin si mundësi për të përmirësuar cilësinë e qeverisjes të kësaj partie. Se duke krijuar diçka të mirë për vendin dhe për grupimin e tyre politik, ata krijojnë diçka të mirë edhe për veten e tyre. Por jo, ata janë më të trashë se e lejon ligji, ata kanë hyrë në PD vetëm për të arritur të kapardisen para popullit të tyre të varfër, dhe nuk pengohen të flasin hapur për abuzimet dhe aventurat që bëjnë “në emër të partisë“, me paratë e këtij populli, me paratë publike. Sipas logjikës së tyre, pushteti nuk fitohet, ai blihet!

Një kryetar komune, i gjatë si stekë bilardoje, ka përvetësuar këto vitet e fundit rreth 100 dynymë tokë “në emër të partisë“, një pjesë të mirë të saj në zonën turistike të Razmës, për të mos përmendur abuzime të tjera të tij, deri edhe në përvetësimin e parave të ndihmës ekonomike, të atyre që nuk kanë as kafshatën e gojës. Shteti duhet ta bëjë më transparente, me lista të shpallura publikisht këtë ndihmë ekonomike, ose të gjejë forma të tjera të shpërndarjes më të drejtë. Ndërsa kryetari i komunës Gruemirë, ka abuzuar në bashkëpunim mbi 60 % të fondeve, që i janë dhënë këtë vit për rrugët rurale dhe shkollat, dhe është vënë në shënjestër të kontrollit të shtetit për abuzime, por nuk e di, nëse vetëm kjo është e mjaftueshme për t’i ndalë rrugën abuzimeve të tij?!

Targa e makinës së paregjistruar të kryetarit të komunës GruemirëTarga e makinës së paregjistruar të kryetarit të komunës Gruemirë.

Kryetari i kësaj komune ka mbajtur një makinë me targa të parregullta (e ndoshta të vjedhur) për vite me radhë – si shembulli më “i mirë” për banorët e komunës së tij. Motoja: “Bëhu kryetar që të shkelësh ligjin“, i ngjan një filmi me skenar të vjetër, por jo për kryetarin “kryelartë”. Përfaqësues të PD-së, që manipuluan listat për interes të PS-së në zgjedhjet e fundit, synojnë të kandidojnë përsëri në zgjedhjet lokale. Nëse PD u beson atyre kësaj radhe, kjo do të ishte pjesa tragjike e kësaj historie!…

Për të kuptuar më mirë shkallën e kleptomanisë të këtyre prototipave, nuk është nevoja të thuhet se çertifikatat jepen me një çmim 10 herë më të lartë se në Tiranë, por e vërteta është se nuk ka investim në komunë, ku të mos futen duart e kryetarit… Dhe paratë e rrugëve, shkollave, apo të ndihmës ekonomike përfundojnë fatkeqësisht në bankat e Malit të Zi (se më larg nuk mund të shkojnë), ku një pjesë e tyre harxhohet edhe me prostitutat e vendit fqinj. Pra, paratë e kafshatës kthehen në lekë prostitutash nga krerë të pushtetit lokal, qofshin këta të majtë, apo të djathtë…

Të na rrojë populli! Ky shtet duhet të rrisë shkallën e kontrollit, nëse do që të mbijetojë!

Investimet në rrugët e komunës Gruemirë, këtë vit, kanë patur një rritje të ndjeshme me ardhjen në pushtet të PD-së, por fatkeqësisht, cilësia e punës ka qenë mjaft e dobët – jashtë moralit të sotëm të qeverisjes. Në rrugën e fshatit Grudë-Fushë, janë vjedhur mbi 60 % e fondit të caktuar për këtë rrugë dhe cilësia e saj siç mund të shihet është një katastrofë në vetvete. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rrugët e tjera të kësaj komune…

Rruga për në fshatin Grudë-Fushë
Rruga për në fshatin Grudë-Fushë

Tregojnë gjithashtu se, kryetari i një komune në Mbishkodër, përfaqësues i PS-së, ka marrë një fond prej 7 milionë lekësh për një shkollë të re. Ai nuk ka ndërmend ta ndërtojë shkollën fare, ngaqë ka një fushatë, të cilën duhet ta financojë… Ironia e radhës është se, në një mbledhje të Këshillit të Qarkut, ai ankohej për paratë që nuk i janë dhënë për bankat… Këta njerëz nuk ngopen, jo… ata duhet të paktën të ndërrohen! Si mund të shmanget ky abuzim kaq ekstrem, në një vend ku dikush nuk ka ushqim të mjaftueshëm, ndërsa tjetri vjedh paratë publike dhe i shpërdoron ato?! A mos ka diçka që nuk shkon në mënyrën e të menduarit shqiptar, në atë formatin e trurit, që përmendëm më lart?!…

Krahu i “thyer” i Jozit

Tregojnë një histori në Shkodër, ku përfaqësuesi i një firme ndërtimi, ka shkuar tek kryetari i Bashkisë dhe ka kërkuar një tender, duke thënë se këtë ia kishte premtuar znj. Topalli, që shkurt i thirrin Jozi. Servilët e Bashkisë ia kanë dhënë tenderin pa një pa dy. Disa ditë më vonë, krerët e Bashkisë e pyesin znj. Topalli për tenderin në fjalë, dhe ajo e mohon faktin se i ka premtuar ndokujt diçka të tillë, kështu që Bashkia ia bllokon tenderin gënjeshtarit. Ky i fundit, shkon dhe zihet me përfaqësuesit e Bashkisë, duke i sharë ata për ndarjen e tenderëve në mënyrë selektive, sipas preferencave të politikanëve të lartë.

Ka mundësi që i “gjori” biznesmen, të ketë dëgjuar kryetarin e Këshillit të Qarkut Shkodër tek thotë se është “krahu i Jozit“. Njerëzit e thirrin atë “Loli”, “Lori”, “Loro”, etj. por emrin e vërtetë e ka Lorenc Luka. Në shpurën e tij, ai ka ofruar njerëz të sërës së vet, të cilët “ia lidhin” më lart se ligjet e këtij vendi. Prandaj, po flasim për taksën “Loli”, e cila i vihet çdo njeriu që kërkon të ndërtojë, apo të bëjë një investim privat në Qarkun e Shkodrës. S’ka rëndësi nëse ligjet janë në anën tënde, shpura e Lolit qeshën kur ato përmenden, ndërsa Loli vetë thotë me habi: “Kush është PD?“. Dhe kjo është zhgënjyese! Paaftësinë e tij, mediokritetin, mungesën e shkollimit dhe kapacitetit të duhur intelektual, ai mundohet ta kompensojë me pretendimin “jam krahu i Jozit“. Duket se kjo shprehje është bërë e modës, dhe jo vetëm në Shkodër.

Një gjë duhet të jetë e qartë, për të mos vënë në siklet zonjën e nderuar Jozefina Topalli, për të cilën njerëzit kanë respekt. Si nënkryetare e PD-së, ajo është e detyruar që të mbajë lidhje me çdo titullar të PD-së kudo në Shqipëri, e jo vetëm në Shkodër, të cilën e sheh me më shumë përkujdesje. Por që t’i japësh pushtet dikujt, që nuk di tjetër veç të serviloset, dhe ligjet e këtij shteti i shikon me neveri e përbuzje, ky është një investim pa të ardhme dhe humbje e madhe për PD-në dhe administratën shqiptare. Njerëz mediokër e të paaftë nuk duhet të marrin poste drejtuese. Nëse ata kanë dhënë kontribut partiak, atëherë t’u gjendet ndonjë punë e rangut të dytë.

Krahu i pretenduar i Jozit (ata që e shohin znj. Topalli në TV apo në ndonjë takim me publikun), duket se është një krah i thyer nga korrupsioni dhe paaftësia. Disa drejtues mediokër të PD-së në Shkodër dhe Malësi të Madhe sulmojnë me fanatizëm çdo demokrat me integritet. Ata e kanë gangrenizuar veprimin politik të PD-së lokale dhe nuk kanë kredibilitetin e duhur, që të marrin as një minimum votash nga elektorati ku ndodhen. Për më tepër, ata abuzojnë nën emrin e një zonje të nderuar – ikonë e politikës shkodrane – dhe kështu e lënë Qarkun e Shkodrës në një gjendje dhe mentalitet provincial. Është e pamoralshme dhe jetëshkurtër, që të marrësh kredit politik në emër të tjetërkujt, pasi në këtë mënyrë i bën dëm partisë, të cilën pretendon se e përfaqëson.

Ora e Bashkisë Shkodër - ka kohë që ka ndalur

Ora e Bashkisë Shkodër – ka kohë që ka ndalur

Bashkisë së Shkodrës i ka “vdekur ora”

Sapo hyn në Shkodër, shikon se rrugët janë shtruar si mos më keq, trotuaret edhe aty ku nuk janë zënë nga rruga, zihen nga ndërtimet pa leje, ose nga baret që ndodhen anash. Njerëzit, si në asnjë vend tjetër, ecin në mes të rrugës, duke u bërë një rrezik i pashmangshëm për aksidente. E kupton menjëherë, se këtë qytet e ka lënë koha prapa; këtë qytet nuk e sundon ligji dhe rregulli. Dhe fajin nuk e kanë qytetarët, por ata që drejtojnë keq!

Rruga nacionale, që lidh Shkodrën me Malin e Zi, në hyrje të Shkodrës, është kthyer në gërmadhë. Drejtori rajonal i rrugëve sqaron se ky segment rrugor i përket Bashkisë. Por Bashkia e Shkodrës ka rrugët e saj, të cilat i ka shtruar me asfalt, duke i bërë kanalet kulluese në sipërfaqe (për të “kursyer” asfaltin). Një shpikje e Bashkisë kjo, e huazuar ndoshta nga ndonjë vend i humbur arab. Përveçse rruga është ngushtuar ndjeshëm në të dy krahët në lagjen Kiras, kanalet që do të mbushen me papastërti dhe do të bllokohen shumë shpejt, do të shërbejnë edhe si burim infeksioni dhe ere të keqe gjatë gjithë kohës. Një inxhinier i Bashkisë tregon se këto rrugë do të rregullohen përsëri… Po çfarë të rregullohet më parë në Shkodër?! Diçka që bëhet keq, ashtu do të mbesë… se Shkodra nuk lundron në para; ndoshta kryetari i Bashkisë po!

Rruga nacionale në hyrje të Shkodrës
Rruga nacionale në hyrje të Shkodrës

Elektorati shkodran voton djathtas. Në një sistem demokratik mungesa e një krahu kundërshtar të fortë, ul konkurrencën brenda partisë së votuar, pasi edhe nëse del si kandidat Xan Gallata, ai ka për të fituar. Zgjedhjet në Shkodër nuk janë një sfidë e madhe vetëm për PS-në, ato janë një sfidë më e madhe për vetë PD-në. Shkodra, ky qytet i kulturës tradicionale, ka universitet, por një pjesë e drejtuesve të saj kanë diploma shterpë, ose nuk kanë diploma fare. Kjo është e pafalshme jo vetëm për klasën intelektuale shkodrane, por edhe për vetë PD-në, që nuk ka zgjedhur figurat e duhura për të drejtuar qytetin në një mënyrë bashkëkohore.

Zgjedhja e prefektit Kolombi në Shkodër, u prit në fillim me skepticizëm nga një pjesë e militantëve të PD-së. Por z. Kolombi në Prefekturën e Shkodrës ka treguar konsistencë në respektimin e rregullave dhe ligjit, me aq mundësi sa ka. Ndryshe ndodh me Bashkinë e Shkodrës, apo me Këshillin e Qarkut. Një koleg i imi gazetar më tha një ditë, se “Bashkia duhet të kthehet me kokë poshtë, për të shkulur korrupsionin“, ndërsa një punonjës i Prefekturës më pati thënë: “Duhet të ikë Loli, që të shuhet korrupsioni në Qarkun e Shkodrës“. I takon PD-së që të gjejë njerëz më të aftë si përfaqësues në Shkodër, pasi durimi i zgjedhësve mund të marrë fund.

Do të ishte gjithashtu e këshillueshme, që shteti shqiptar të krijojë një mekanizëm kontrollues revizionimi për çdo njësi prefekture, i cili do të kontrollonte në vijimësi mbarëvajtjen dhe përdorimin e buxhetit dhe parave publike për çdo komunë, bashki dhe qark të pushtetit vendor. Ky mekanizëm do ta plotësonte punën e kontrollit të shtetit, i cili vepron në të shumtën e rasteve, vetëm kur ka shkelje apo abuzime. Ndoshta “frika do ta ruajë vreshtin“, se kështu nuk bëhet!

Botuar në: Albania | Koha Jonë

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: