Arben Çokaj

Ngritjet dhe zbritjet e zotit Surroi

Nga Arben Çokaj, 01.09.2003

(Reagim për shkrimin “Ftesat e papërgjigjura për kryetarin” të Veton Surroit,
botuar në gazetën “Shekulli”, 01.09.2003)

Lexuesi shqiptar e njeh Veton Surroin më shumë se shkruesin e këtyre radhëve, falë kontributit të tij në median dhe politikën kosovare e mbarëshqiptare. Po perifrazojmë një thënie të Rexhep Qoses kundrejt kritikëve të tij, të disa viteve më parë: “Nëse do ta nxjerrësh emrin tënd nga varri i harresës, atëherë sulmo njerëz më të mëdhenj se vetja”. Mund të krijohet përshtypja, se reagimi im në këtë rast, vjen si rezultat i dëshirës për të “nxjerrë emrin tim nga varri i harresës…” Por, nuk është kjo! Përderisa unë po e përmend këtu këtë pasazh interesant të Qoses, lexuesi do mund ta kuptojë që në fillim, se ky reagimi është neutral dhe nuk ka të bëjë fare me këtë trend psikologjik të ndokujt për afirmim. Aq më tepër, që reagimi im nuk mund të kuptohet asnjëherë si sulm ndaj personalitetit të Surroit, pasi qëllimi im është më tepër pajtues se sa distrahues.

Gjithashtu, edhe Surroi nuk besoj ta ketë sulmuar presidentin Rugova, për të “nxjerrë emrin e vet nga varri i harrersës”, pasi Surroi është sot një njeri mjaft i afirmuar në botën intelektuale shqiptare. Por qëllimi i tij, gati fëminor, duket se fshihet diku tjetër… Këtu kemi të bëjmë ndër tjera edhe me një konkurrencë intelektuale, apo xhelozi që fiton të drejtë të shprehet, për të fituar popullaritet.

Ndërsa lexoja shkrimin e sotëm të Surroit, të botuar NëLinjë tek Shekulli, gati sa nuk po u besoja syve. Shkrimet e Surroit janë përgjithësisht të ngritura intelektualisht, dhe kanë një karakteristikë pikësimi, në ndarjen e tyre me numra në paragrafë të mëdhenj. Nga ana e formatimit, Surroi e ruajti përsëri formën e ndarjes së shkrimit me pika numerike (siç duket, ai ka ndërmend të themelojë edhe një rrymë të veçantë trajtimore në gazetarinë kosovare: Rryma Suroi me pikësime), por autori nuk ka mundur në këtë rast të ruajë nivelin e tij intelektual të shprehjes dhe për më tepër, etikën e tij gazetareske.

Në pamje të parë, shkrimi i sotëm i Surroit tek “Shekulli” ngjan më shumë me shpërndarje thashethemesh, pasi artikulli i tij nuk ka një bosht ideje, që të justifikojë qëllimin e tij. Ai përgojon presidentin Rugova, duke u bazuar në episode humoristike të një shoferi protokolli në Tiranë (nëse e marrim si të vërtetë historinë e treguar nga Surroi). Komentet e shpërlara të Surroit në shkrimin e tij, mund të konsiderohen si “fjalë të liga”, po të shprehemi me gjuhën e popullit.

Nga ana tjetër, Surroi duket se vuan jo pak, nga egoja e brendëshme e tij, për të marrë dimensionin e presidentit Rugova, dhe për t’u adhuruar nga populli i Kosovës, ashtu siç adhurohet edhe presidenti. Kjo dëshirë e papërmbushur e Surroit, gjen shprehje që në paragrafin e parë të shkrimit të tij të sotëm, ku përmendet ndër tjera “dhe pas ca kohe, në mision shkova unë”. Pra, Surroi – zëvendësuesi i Dr. Rugovës në misionet e tij në Shqipëri – pjesë nga aventurat e Niels Holgersenit… (Rregullat e gjuhës shqipe presupozojnë që titulli i një personi të shkruhet me shkronjë të madhe, dhe shkrurtimi dr. vlen për një mjek, që do të identifikohet si doktor, ndërsa shkurtesa Dr. është titull shkencor, dhe shkruhet me shkronjë të madhe për çdo rast, edhe në rastet kur përgojohet Dr. Rugova apo Dr. Berisha – një gazetar shqiptar duhet ta dijë ndryshimin, e jo më Surroi.)

Personalisht, unë ruaj një respekt të madh për figurën dhe dimensionin njerëzor, intelektual e sidomos politik të Dr. Rugovës. Dhe mendoj se i përkas shumicës së shqiptarëve në këtë rast. Këtu nuk po hyj të përmend sukseset e Dr. Rugovës në politikën shqiptare, pasi nuk jam biograf i tij, por po i referohem gazetarit danez Jens Holsoe, i cili mbulon Ballkanin për gazetën daneze “Politiken” dhe sqaron një episod të politikës kosovare, të kohës së luftës, që përmend edhe Surroi në shkrimin e tij. Jens Holsoe shkruan kështu: “Pastaj, nga zyra e tij doli Rugova, dhe të gjithë njerëzit që ishin mbledhur aty heshtën, jo nga frika por nga respekti.” Ndërsa Surroi përpiqet ta paraqesë Dr. Rugovën si një njeri, i cili edhe po shkoi në Shqipëri, nuk shkon për politikë por për qejfe, pasi biseda me Dr. Rugovën zgjat vetëm 10 minuta. Atëherë bëhet pyetja: Pse duhet të shkojë Rugova në Shqipëri?

Në botën intelektuale, si kudo tjetër, ka konkurrencë idesh e mendimesh, ka edhe xhelozi. Por Dr. Rugova është ndër të rrallët politikanë shqiptarë, që ka ditur t’i shmanget me pjekuri e kulturë xhelozive personale. Ky është edhe ndryshimi që Dr. Rugova ka ndër tjera edhe me botuesin Surroi. Dr. Rugova përçon besim tek populli shqiptar i Kosovës e më gjërë, si dhe dimensionin e një lideri të lindur, që Kosovës dhe popujve të tjerë, mund të ju duhen shekuj për të lindur njerëz të tillë. Dhe njerëzit e shohin me këtë sy Dr. Rugovën, ky është edhe çelësi i suksesit politik të LDK-së. Që Surroi apo dikush tjetër, të marrë një dimension të ngjashëm me Dr. Rugovën, duhet së pari të fillojnë e të respektojë presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili është presidenti i parë shqiptar në histori, i zgjedhur me votën e popullit, në atë krahinë shqiptare të sunduar për dekada nga serbët. Xhelozitë intelektuale, apo konkurrenca politike, nuk duhet të kapërcejnë interesin e përbashkët për një Kosovë të pavarur, dhe Surroi e di mjaft mirë edhe arsyen pse Dr. Rugova nuk ka shkuar në Shqipëri.

Nuk është e rëndësishme që presidenti Rugova të shkojë apo jo në Shqipëri. Presidenti Rugova, ashtu si shkruesi i këtyre radhëve e shumica e shqiptarëve, dëshirojnë të shohin një Shqipëri demokratike, të sigurtë dhe të zhvilluar, që të mos e ndjejnë nevojën të shkojnë në Shqipëri vetëm personalitetet politike, të shoqëruar me eskorta policie, por edhe turistë evropianë, që mund të shërbejnë si burim fitimi për të rritur nivelin ekonomik të shqiptarëve. Nga ana tjetër, presidentit Rugova i lejohet të bëjë vetë ato lëvizje e veprime, që sjellin ujë në mullirin e Pavarësisë së Kosovës. Nëse presidenti e quan të arsyeshme të shkojë në Shqipëri, jo për pjeprin e Sandrit, apo kungullin e Surroit, aq më tepër për “brekët e banjës”, ai do të shkojë në Shqipëri, kur kjo t’i duket e arsyeshme atij. Surroi harron se ka ndryshim mjaft të madh në sjelljen në mes një politikani kryesor, dhe një gazetari të Kosovës.

Politikisht, Dr. Rugova vetë nuk besoj se do e pranonte mungesën e opozitës në mendime dhe politikë. Por, a mund të quhet kritik një shkrim që shpërndan thashetheme dhe blasfemon me fjalë banale, një personalitet të nderuar politik? E vetmja gjë, që mendoj se e bën shkrimin e Veton Surroit të botueshëm në një gazetë si “Shekulli”, është fakti se Surroi ka një emër si publicist, merret me një temë, që ka të bëjë me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, dhe përmend emrin e presidentit Rugova. Sa i përket anës trajtimore dhe gjuhës intelektuale të shprehur në artikull, mund të konstatohet me lehtësi, që autori i shkrimit ka qenë në një ditë të keqe të tij, gjë që dihet se mund t’i ndodhë secilit autor, kur mungon frymëzimi i brendshëm i të shkruarit. Thuhet ndryshe: “I është mbaruar benzina, nuk ndez më!”. Pra, kemi të bëjmë në këtë rast me një zbritje stilistike të botuesit Surroi…

Shpërdorimi i personalitetit të Dr. Rugovës në artikullin e fundit, me ose pa qëllim, i shërben atyre qarqeve anti-Rugovë, apo anti-Berishë, që synojnë importimin e politikës konfliktuale në Kosovë, dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet politikës zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës. Sipas Surroit, Rugova shkonte në Shqipëri për të ngrënë dhe për të pirë, e jo për “muhabete politike”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë, pse nuk jepet Rugova sot pas këtyre qejfeve, kur pushtetarët në Shqipëri po fryhen sot më shumë se në kohën e Berishës?

Çështja e Kosovës nuk është zgjidhur akoma z. Surroi. It’s a long way to go! (Do të marrë akoma kohë!) Do ishte më mirë për ju, si botues dhe publicist i njohur, si njeri me reputacion në Kosovë, që t’i shërbeni më shumë interesave të pavarësisë së Kosovës, se sa blasfemimit të politikanëve të saj.

Publikuar në: QIK

Dërguar për:
Gazeta “Bota Sot” | “Illyria” | “Shekulli” | “Albania” | “TemA”

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: