Arben Çokaj

Politika suburbane shkodrane

Nga Arben Çokaj, 15 qershor 2008

Këto ditë, një grup prej rreth 20 fëmijëve kishin marrë pankarta në duar, i kishin ngritur ato lart dhe ishin mbledhur për të festuar, a për të protestuar përballë ndërtesës së Prefekturës. Cilado qoftë arsyeja, fëmijët nuk ishin të vetëdijshëm për falsitetin e ngjarjes. Atë e dinin vetëm organizatorët fasadë, të kësaj ngjarjeje fiktive. Një ndodhi që nuk ndryshon asgjë, vetëm se nxjerr disa krerë në TV. Përballë fëmijëve, në krahun tjetër të rrugës, para kamerave, buzëqeshte ish-rektori i Universitetit të Shkodrës. Po u fliste fëmijëve për rëndësinë që kishte liqeni i Shkodrës. Dhe liqeni i Shkodrës nuk është pa rëndësi, ndonëse pushtetarët lokalë kanë interesa të tjera dhe kanë lejuar që ai të kthehet në kosh plehrash.

Para më shumë se një viti, një inxhinier gjerman, më dërgoi një email, ku sugjeronte mundësinë e binjakëzimit të Shkodrës me dy qytete, që lageshin nga liqeni Bodensee. Njëri qytet ishte austriak dhe tjetri gjerman. Kuptohet që bëhej fjalë për kujdesin që duhej të tregohej për liqenin, ku flitej edhe për fonde të BE-së. Qytetet gjermane kishin shprehur interes të madh, ndërsa ne jo. Ne jemi indiferentë. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës nuk tregoi interesin e duhur që të bisedonte për këtë, se çfarëdo që vjen në Shkodër, kjo duhet të vijë vetëm nga një linjë. (Përndryshe as bukë nuk do kishim, jo më politikë!) Kështu jemi mësuar në kohën e komunizmit ne, nuk e di se kur do të ndryshojmë?

Shkodra po “lulëzon” këto ditë nga investimet që po bëhen në këtë qytet, madje kryetari i Bashkisë, të cilit disa banorë cinikë i kanë hequr “t”-në e i kanë vënë “k”-në, thotë me mburrje se Shkodra është kthyer në qytet evropian. Nuk po përmend gjë tjetër, por qyteti që nuk ka as edhe një rrugë të standardeve evropiane, as edhe një semafor, si qenka qytet evropian për kryetarin e vetëkënaqur të Bashkisë, që qeth përqindjet e çdo rruge? Për vizionin e tij mjeran, ai ka të drejtë. Gënjen veten dhe kujton se gënjen edhe të tjerët. Në Evropë, atë e çojnë për të larë pjata, ndërsa këtu në Shkodër ne e bëjnë kryetar. Fajin e kemi vetë, se lejojmë që diktati të vazhdojë… Të na tregojë ky kryetar, se në cilin qytet evropian ka dëgjuar apo parë, se paratë e rrugëve kthehen në pallate të pushtetarëve?

Propozimi gjerman për binjakëzimin e Shkodrës me dy qytete të zhvilluara me popullsi gjermane, mbeti në letër, ashtu siç mbesin në letër shumë projekte në këtë pjesë të harruar të globit. Ashtu siç ka mbetur në letër edhe donacioni italian prej 22 milionë Euro për rrugën Shkodër – Hani i Hotit. Dhe ne rropatemi çdo ditë në këtë hapësirë, në përpjekje për të bërë diçka të mirë, për të bërë një ndryshim. “Sapo dëshiron të bësh diçka të mirë – të heqin nga puna…” – më pati thënë një ish-kryeministër shqiptar. Ky është fataliteti ynë, të cilin kemi frikë ta sfidojmë. Pse? Se të thyen kokën mediokriteti, të shkatërron korrupsioni mafioz, i cili ka pushtuar thuajse çdo qelizë të shoqërisë! Në vështirësinë më të vogël me autoritetet, janë qytetarët vetë ata që të sugjerojnë: Jepu ndonjë milion dhe kryej punë! Pse? Bota perëndimore që unë kam jetuar, nuk është ndërtuar kështu dhe as Shqipëria s’ka për t’u bërë kështu.

Kush luan me fatet tona? Kush na ka hedhur kundër vetes, përveçse paaftësisë sonë për t’i kuptuar gjërat, ashtu siç duhet? Kush fut hundët në çështjet tona familjare dhe do që ne të zihemi me njëri-tjetrin? Politikanët e paaftë, që duan përjetësi. Politika jonë e mbrapshtë vjen si rezultat i një sërë komplekseve dhe instinkteve kafshërorë, që kanë zëvendësuar në mënyrë fatale logjikën dhe forcën analizuese të trurit. Ndodh kjo nga padija apo mosdashja? Edhe mosdashja, padije është!

Politika shkodrane, me maska

Një drejtor, që konsiderohej si njeri i deputetit Çobaj, largohet para disa muajve nga posti i tij, sepse gjoja nuk i plotësonte kushtet për vendin e punës. Në vend të tij vihet një inxhinier i bindur (sa për t’i mbyllur gojën). Nuk shkon shumë dhe inxhinieri i nderuar largohet nga posti, që e pati pranuar me shumë dëshirë. Në vend të tij, hyn në punë një person, që megjithëse nuk i plotëson kushtet, si drejtori i parë, ky i fundit plotëson një kusht themelor, që drejtori i parë nuk e kishte. Është kumbarë i znj. Topalli.

Para disa muajve, deputeti Çobaj bëri një përpjekje për të promovuar një mësuese të re, e cila kishte dhënë kontribut në fushatën e tij elektorale. Nga drejtoreshë në gjimnazin e Koplikut, ai ndërmjetësoi me ministrin Pollo që ta bënte drejtoreshë të seksionit të arsimit për Malësinë e Madhe. Të promovosh një grua të pakorruptuar, do të ishte mjaft mirë. Por jo. Pasi gruaja e re takoi ministrin Pollo dhe ky i fundit e uroi për punën e re, duke i thënë se pas disa ditësh do të vinte për ta prezantuar, ajo e gjora foli hapur, kaq e sigurtë ishte. Drejtori aktual i arsimit në Malësinë e Madhe, që mbahet me ata, që e thirrin veten si krahu i Jozit, luajti levat e veta dhe ia dogji mundësinë mësueses së re, që të bëhej drejtuese e arsimit. Nuk shkoi gjatë dhe drejtoreshën e gjimnazit të Koplikut e degraduan në thjeshtë mësuese…

Deputetit Çobaj po ia hanë krahët gradualisht “qytetarët”. Flitet, por nuk dihet a është e vërtetë, se atë e blenë me para, duke e ditur se është ‘lek-ist’ dhe shitet lirë. Dhe deputeti nga servilizmi tërhiqet. Por ai bëhet mizor kundër të vetëve, deri në ekstazë, që t’i pëlqejë shefes. Duket se i kanë premtuar që t’ia fusin emrin në listë dhe ai ka kohë që u bie të vetëve. Por, kur të mbetet pa mbështetës, çfarë do të bëjë? Besoj që znj. Topalli do të gjejë si gjithnjë një justifikimin për moskandidimin e tij… Dhe deputeti në fjalë, duke qenë më shumë polic se politikan, kujton se pse njerëzit e kanë mbështetur në fushatë, ai ka çdo të drejtë mbi ish-mbështetësit e tij. Ka të drejtë t’i quajë të vetët, t’i përgjojë me ndihmën e njerëzve të tij në polici, t’i ngacmojë, t’i fusë në ngatërresë, të prishë marrëdhëniet e tyre familjare, etj.

Për 12 vjet në politikën shqiptare, znj. Topalli ka ngritur një strukturë njerëzish në Shkodër dhe ka një ndikim aq të madh, saqë besohet se as turqit s’e kishin në 500 vjet. Është mjaft aktive dhe vjen në Shkodër e ikën si aliene; ajo ka ardhur 2-3 herë gjatë këtyre ditëve. Një ditë u shfaq papritur mes të rinjve shkodranë me Muho Asllanin junior, Pali Miskën, etj. Ajo foli edhe për integrimin e të rinjve në politikë, si deputetë të ardhshëm, pasi të kenë kaluar provën e tyre, si kamikazë. Ta kesh mirë me znj. Topalli nuk është pak. Një fjalë e saj të bën deputet. Por është vështirë ta kesh mirë me këtë zonjë. Është e vështirë të plotësosh kushtet dhe ta ruash miqësinë me të, sepse nuk dihet çfarë do ajo. Duhet të jesh paksa injorant, kamikaz dhe tejmase i bindur për tekat e saj. Këto janë kritere ‘demokratike’. Sa të jetë Berisha gjallë, znj. Topalli si produkt i tij, do të ketë një ndikim relativ në PD dhe jo vetëm në Shkodër. Dhe, shkodranët si zakonisht, të mbyllur në vetvete, duket se e kanë kuptuar këtë…

Në ndonjë rast, kur vjen znj. Topalli i mblidhen vetëm 10-15 vetë. Dhe kjo e trishton një çikë. Megjithëse e kupton arsyen, ajo nuk mund të bëjë asgjë. E ç’i duhen njerëzit asaj? Deputetëve të PD-së tashmë i duhen milionat – ata nuk janë bërë deputetë për një rrogë. Me para, ata mund të blejnë këdo. Kështu shpresoi t’i blinte edhe Nano në zgjedhjet e fundit…(!) Aq më tepër tani, që në horizont po shfaqet fushata elektorale. Dhe znj. Topalli me krerët e PD-së në Shkodër janë përgatitur të fitojnë përsëri, ta marrin fitoren me forcë, edhe nëse nuk e meritojnë atë. Kështu kanë bërë gjithmonë.

Qytetin e Migjenit e përshkon një drithërimë e fortë. “Ajo grue, s’ish grue/ ish fantom uje” – thoshte Migjeni tragjik. Zonja e hekurt ka marrë përsipër të organizojë PD-në. Atë më së shumti e rrethojnë hajnat. E si mund të bëhet politikë me këta njerëz? Po bëhet, shpreson ajo. Të gjithë në këtë vend jemi kaçakë, dikush më shumë e dikush më pak. Ngaqë nuk dinë ndryshe, bëjnë sikur nuk duan. Përdorin më së shumti kërcënimet, ndërhyrjet banale e brutale si dhe dekurajimin e kritikëve, duke shpërndarë në masë frikën, panikun, shpifjet e thashethemet. Metodë e ngjashme me pompën e vakumit. Të afrojnë duke të shtyrë, të ledhatojnë duke të goditur. Kështu kanë bërë turqit 500 vjet…

Përzgjedhja e politikanëve në politikën shqiptare nuk bëhet mbi bazën e aftësisë, kontributit apo asaj se çfarë mund të bësh ti për këtë vend. Pra përzgjedhja e politikanëve tanë nuk bëhet mbi bazën e konkurrencës së lirë. E si mund të pretendohet atëherë një ekonomi tregu, që presupozon konkurrencën e lirë me këta politikanë e drejtues, që zgjidhen në mënyrë jo të drejtë, pa konkurrencë, pa merita dhe pa kontribut? Për aq kohe sa kjo lloj përzgjedhje të vazhdojë, dhe përderisa ekziston akoma ëndrra e përjetësisë së politikanëve në këtë vend, ky popull nuk duhet të pretendojë për ndryshime të shpejta.

Kemi të bëjmë me njerëz që kanë mangësi të mëdha në formimin e tyre intelektual e kulturor – njerëz infantilë, egocentrikë me personalitet të shumëfishtë, që merren me politikë. Ata janë mjaft të rrezikshëm për shoqërinë. Duke qenë njerëz joseriozë, që hyjnë e dalin rastësisht në politikë (hyjnë sa për të bërë një dorë para, sa për të vjedhë paratë publike), duke patur në dorë përgjegjësi, që nuk mund t’i mbajnë, gjërat serioze ata i marrin si lojë dhe jetën vetë e kthejnë në lojë. Modeli që ofrojnë këto lloj politikanësh, dhe jo vetëm në Shkodër, është i gabuar, prandaj jemi në këtë gjendje.

Publikuar në: Gazeta “Sot“, Tiranë

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: