Arben Çokaj

Jashtë standardit

Vdekja e presidentit Rugova e la Kosovën jetime. Ai ishte personaliteti më i konsoliduar i vendit, në drejtim të qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes për një Kosovë të pavarur. Marrëdhëniet politike post-Rugova në Kosovë, si dhe relacionet me ndërkombëtarët, nuk priten të jenë aq stabile dhe të suksesshme sa ç’i bënte Rugova në kohën e tij. Pak kohë para vdekjes, edhe kundërshtarët e sinqertë të Rugovës kishin arritur në këtë konkluzion, duke e konsideruar atë me të drejtë si babanë e politikës moderne kosovare, si misionarin e pavarësisë së Kosovës.Rugova nuk është më dhe tani nuk dihet me siguri se pasardhësit e tij politikë do të jenë në gjendje ta ruajnë kursin dhe qetësinë e tij drejt pavarësisë, ashtu siç e kërkojnë interesat e Kosovës. Presidenti Sejdiu, një themelues i LDK-së dhe një figurë politike me kredibilitet, nuk do e ketë të lehtë që ta zëvendësojë Rugovën në punën e tij. Kjo për arsye se Rugova bëri epokë, pra dimensioni i tij si njeri dhe politikan i kaloi caqet e standardes në politikën moderne, dhe nga ana tjetër, çdo detyre e re është e vështirë si fillim, aq më tepër një post presidencial, në një Kosovë që zien nga papunësia dhe problemet sociale, në pritje të statusit përfundimtar.

Tërheqja dinjitoze e kryeministrit Kosumi nga posti i tij, duket se lë vend për të dyshuar për veprime jo fort dinjitoze pas kuintave të politikës së sotme kosovare. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërrim krerësh me vlera të përafërta në Kosovë, pasi secili është i domosdoshëm në vendin e tij dhe në rolin që ai luan. Këtu bëhet fjalë për domosdoshmërinë e ndërrimit të krerëve, kohën dhe arsyen e këtij veprimi, si dhe pse duhet të bëhen ndryshimet? Kryeministri Kosumi, që në kohën e tij zëvendësoi kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit u thirr nga Gjykata e Hagës, e tregoi veten mjaft të pjekur në punën e tij si kryeministër. Jo vetëm një shtetar shtatlartë, por edhe politikan i matur dhe i kujdesshëm në veprimet dhe konkluzionet e tij, një figurë politike e respektuar, që i dha shtytje Kosovës drejt negociatave për statusin e ardhshëm të saj.

Lëvizjet politike në Kosovë, të bëra gjatë javës së fundit, ngjasojnë me një “knock down” politik, të dy krerëve kryesorë të institucioneve më të larta të Kosovës. Problematike paraqitet kërkesa e kryesisë së LDK-së për të detyruar kryeparlamentarin Daci që të largohet nga posti i tij. Ndonëse figura e propozuar për zëvendësimin e tij, Kolë Berisha, është një politikan i devotshëm nga radhët e LDK-së dhe një njeri besnik i idealeve kombëtare të Kosovës së pavarur. Ndoshta kushtet politike të krijuara në Kosovë pas udhëtimit të padëshiruar të presidentit të ndjerë Rugova, e detyrojnë presidentin e ri, Sejdiu, që të kompozojë radhët e grupit negociator me personalitete që janë më të përshtatshme esencialisht dhe figurativisht, në drejtim të këmbënguljes së tyre për qëllimin përfundimtar.

Agim Çeku, gjenerali i famshëm, që luftoi për çlirimin e Kosovës po e merr detyrën e tij në një stil ala amerikançe (Në shoqëritë demokratike, vetëm amerikanët zgjedhin figura ushtarake në krye të shtetit). Çeku është një figurë mjaft e goditur, por ai është provuar deri tani vetëm ushtarakisht; të shpresojmë se edhe politikisht, ai mund të jetë po aq i suksesshëm.

Lëvizjet e shpejta në Kosovë, në kohën kur bilbilat, sazet dhe boritë fërshëllenin në parlamentin e Shqipërisë, të fusin në mendime: A ishin të domosdoshme pikërisht në këtë moment, këto lëvizje kaq domethënëse për politikën kosovare?

Krahu i majtë revolucionar në Kosovë, Shqipëri dhe në Evropë, direkt ose indirekt, dha shenja se ishte i interesuar për këto lëvizje. Edhe shkrimtari Kadare, nga Parisi i largët u shpreh me dashamirësi për zgjedhjen e Çekut si kryeministër të ri. Ndoshta kjo i duhet Kosovës… Por, pse e gjithë kjo rrëmujë? Pse i gjithë ky nxitim?! Dy krerë në të njëjtën kohë?! Nga ana tjetër, në Shqipëri, grupi parlamentar socialist kërkon dorëheqjen e zonjës Topalli, e cila është një politikane e suksesshme dhe e angazhuar me të gjitha forcat për luftën kundër korrupsionit, si dhe mjaft e ndjeshme ndaj çështjes kombëtare, përfshirë këtu edhe interesat e Kosovës.

Thuajse njëkohësisht, një kryesi e ngushtë e LDK-së “shkarkon” kryeparlamentarin Daci – një veprim paprecedent. Kryesia e një partie të “shkarkojë” kreun e parlamentit të vendit, i cili vjen po nga e njëjta parti?! Një veprim i tillë nuk ndodh shpesh në vendet demokratike, por ka mundësi që demokracia partiake në Kosovë, për vetë rrethanat, të mos jetë në nivelin e duhur. Ndërkohë që është e mundur gjithashtu, që Kryesia e LDK-së të ketë qenë e detyruar të arrijë në një përfundim të tillë, pas sulmeve që shtypi kosovar (pranë botuesit milioner Veton Surroi), bëri kundër kryeparlamentarit Daci. LDK ka dashur ndoshta që të shmangë influencën negative, që mund të sjellin për grupin negociator, akuzat e bëra publikisht kundrejt Dacit. Ose, kemi të bëjmë me arsye të tjera të pabëra publikisht, që kanë sjellë një ndërlikim të tillë.

Ndërsa Rugova kishte arritur një dimension, që as ndërkombëtarët nuk mund ta kontestonin, me ikjen e tij, ai e la rrugën të hapur. Nexhat Daci nga ana tjetër, me kritikat e hershme kundrejt zhvillimeve të ngadalta të proceseve në Kosovë nën administrimin ndërkombëtar, ngjalli gradualisht indinjatë tek bashkësia ndërkombëtare për “kryefortësinë” e treguar, ose më sakte tek ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që pëlqen ngjyrën e kuqe dhe që ka aq mundësi sa të ndikojë edhe konservatorët për çështje të tilla si ajo e statusit të Kosovës. Kosumi dhe Daci, pas përpunimit ndërkombëtar në Hagë të Haradinajt dhe Limajt, duket se kanë dalë papritur të zbuluar, jashtë standartit – atij “standart” që bashkësia ndërkombëtare kërkon për politikanët kosovarë, e kamufluar ndryshe nën terminologjinë “standartet në Kosovë”.

Të dy politikanët që po zëvendësohen këto ditë në Kosovë, janë politikanë që dinë ta bëjnë mirë punën e tyre, por rrethanat politike kosovare, pamundësia e tyre për të mbrojtur veten dhe postin që kanë në rrethanat e Kosovës sot, i nxjerr ata sot jashtë standartit, pra, jashtë lojës. Këtë gjë duartrokasim ne shqiptarët, përderisa nuk mund të bëjmë më shumë…

Më kujtohet historia e Irlandës, përpjekjet e saj për pavarësi nga Anglia. Ndonëse kemi të bëjmë me rrethana jo fort të ngjashme, përsëri koncepti i shkëputjes, pra i pavarësimit është i njëjtë. Në kohën kur Anglia bëri paqe në luftën e stërzgjatur me Irlandën, presidenti i shpallur i republikës irlandeze akoma të panjohur, ngarkoi një strateg lufte që të shkonte në bisedime me Londrën, se ai mund të kishte më shumë sukses në kërkesat e tij. Çërçilli nuk e njohu pavarësinë e Irlandës, dhe nëse irlandezët nuk pranonin ofertën e tij për një shtet nën Mbretërinë e Bashkuar, atëherë lufta do të ishte e pashmangshme.

Duke parë rrethanat e rënda, në të cilat ndodhej Irlanda dhe populli i saj, luftëtari patriot e pranoi ofertën e Çërçillit, ndërsa kjo nuk u pranua nga presidenti i shpallur i republikës irlandeze, gjë që inicioi krijimin e IRA-s dhe një luftë të gjatë civile brenda Irlandës për dekada me radhë. Luftëtari patriot u vra në pabesi nga forcat e IRA-s në krijim e sipër… Uroj që bota të jetë më e zgjuar sot dhe Serbia të mos e ketë forcën imponuese të Mbretërisë së Bashkuar, në mënyrë që histori rrënqethëse të mos përsëriten si dikur…

Ndërkohë që pritet se si do të shkojë puna në parlament për “shkarkimin” e kryeparlamentarit Daci, një gjë është e qartë: shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk e kanë politikën e tyre plotësisht në duart e veta. Dhe përderisa ne vetë nuk jemi në gjendje të lidhim ‘ushkurin’ tonë, të mos shpresojmë asnjëherë për rezultate maksimaliste. Në fund të fundit, do të marrim gjithmonë lëmoshën e të tjerëve, të cilët duket se i respektojmë kaq shumë, më shumë se veten. Përvoja ka treguar se askush në botë nuk mund të bëjë më shumë për ty, se sa mund të bësh ti për vetveten. Një thirrje e heshtur e shoqëron këtë shkrim: le t’i kthehemi vetvetes!

Arben Çokaj, 5 mars 2006

Dërguar për:
Illyria, Bota Sot, Koha Jone, Shekulli, Standard

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: