Arben Çokaj

Gjergj Kastrioti — SKËNDERBEU

Ludvig Holberg (1684-1754)

Përshtati dhe përktheu në shqip nga një danishte e vjetër gotike Arben Çokaj.
Shqipja e Skënderbeut
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - portret i kohës
Dikur, para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem. Më i riu i tyre quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do të përshkruaj këtu. Për lindjen e tij thuhet se kanë ngjarë shumë gjëra të çuditshme, nga ku mund të profetizohet emri i madh, që ai me arritjet e tij do i jepte vetes; thuhet gjithashtu se ai lindi me një shenjë në krah që i ngjante shpatës. Kur Sulltan Murati turk pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të japë peng birin e tij, Gjergjin, së bashku me vëllezërit e tij. Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, sipas Aleksandrit të Madh, ku tregohet, se çfarë përshtypjeje kishte krijuar Sulltani që në fillim për këtë epiriot të ri, dhe ai nuk gaboi.

Pasi Gjergji mësoi në fëmijërinë e tij me një shpejtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, pikërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më shumë në moshë, la të kuptojë se kishte dëshirë të madhe për të mësuar edhe ushtrimet ushtarake, dhe kështu i dha Sulltanit sinjale të tilla, saqë ai e bëri menjëherë Sanxhak, titull ky që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19-vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohë të shkurtër, atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajo të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur anë e mbanë.

Kur ai pas shumë fitoreve u kthye në Adrianopol, ku ishtë selia e Sulltanit turk, u organizua një betejë krenarie nga një shqiptar, që për t’i lënë njerëzit të shihnin fuqinë dhe burrërinë e tij, sfidoi në dyluftim një nga njerëzit e afërt të Sulltanit. Askush s’kishte dëshirë të kishte të bënte me këtë shqiptar të egër, përjashto Skënderbeun, i cili guxoi të shkonte, dhe me lehtësi fitoi në këtë beteje të madhe. Pas një kohe të shkurtër, ai ndërmori një fushatë të hapur kundër persianëve kokëfortë dhe në prezencë të Sulltanit i nënshtroi njërin pas tjetrit. Kjo formoi përshtypje të mirë tek Sulltani, saqë ai i besoi atij drejtimin e luftës kundër kristianëve në Hungari dhe Greqi. Në këtë luftë, Skënderbeu u soll në atë mënyrë, që t’i kursente sa të mundte kristianët, miku i të cilëve ishte me zemër, pothuajse shumicën me një përkujdesje të veçantë, saqë turqit nuk mundën të dyshonin.

Në këtë kohë vdiq babai i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, kështu që Murati mori nën zotërim të gjithë vendin e tij, së bashku me kryeqytetin Krujën, të cilën e rrethoi me roje të përforcuara. Ai arriti në përfundimin se bijtë e të vdekurit nuk mund ta shihnin pa keqardhje ndarjen e tyre nga vendi i trashëguar, prandaj i vrau fshehurazi vëllezërit e Skënderbeut. Vetëm Skënderbeun, pa shërbimin e të cilit nuk mund të bënte, e qetësoi me fjalë të buta, i premtoi vende në Azi me më tepër rëndësi se Epiri, dhe Skëndërbeu u duk se u kënaq, për të mos e pësuar si vëllezërit; por ai dyshim që i kish lindur një herë, nuk mund t’i shuhej Sulltanit përsëri, përkundrazi ai formohej nga dita në ditë, kështu që vendosi shkatërrimin e tij.

Shërbimet e mëdha që kishte bërë dhe përshtypja që kishte krijuar tek luftëtarët, e penguan sulltanin që të vinte dorë publikisht mbi të, prandaj ai u mundua me të gjitha mënyrat, që ta përdorte atë në fushatat më të rrezikshme kundër kristianëve, me shpresë që së shpejti, kurajoja e tij s’do të guxonte të vazhdonte dhe ai do i përfundonte kështu ditët e tij. Ai u sigurua që më parë të bënte luftë kundër Jorgo Hospodarit të Serbisë. Në mes të kësaj lufte, Skënderbeu vëzhgonte mundësinë që të lirohej, dhe të merrte përsëri pronat e trashëguara të tij, të cilën ai më pas edhe e bëri këtë gjë.

Mbreti hungarez Vladislausi, u angazhua në të njëjtën kohë në luftën e rëndë të Hospodarit dhe me heroin e guximshëm Huniaden, arriti një fitore të përkryer kundër turqve. Thuhet se Skënderbeu kishte patur një marrëveshje të fshehtë për këtë gjë me Huniaden, që përpara betejës. Disa nga ndjekësit e tij thonë se një arsye e tillë nuk ishte e bazuar. Por Skënderbeu, pas kësaj disfate dhe hutie që u kishte sjellë turqve, vazhdoi misionin e tij të fshehtë, dhe e detyroi shkruesin e Pashait turk, që të hartojë në emër të Sulltanit një rekomandim për oficerët e lartë në Krujë, që ta linin qytetin e Krujës në dorën e tij, pra në duart e Skënderbeut, gjë që edhe ndodhi, dhe kështu që Skënderbeu me këtë marifet u bë shef i njërit prej vendeve më të rëndësishme në Epir. Sapo ai mori pushtetin atje, masakroi të gjithë pushtuesit turq, dhe pastaj, me një shpejtësi të madhe liroi qytetet tjera të Epirit, kështu që emri turk u shua në Epir. Skënderbeu duket se u tregua i shpejtë dhe vigjilent, dhe nuk fjeti asnjë natë më shumë se dy orë, ndërkohë që punonte për të sjellë epiriotët nën drejtimin e tij.

Kur Sulltani turk mori vesh për dështimin e ushtrise së tij, dezertimin e Skënderbeut dhe humbjen e Epirit, vendosi menjëherë të hakmerrej dhe nën drejtimin e Ali Pashës krijoi një ushtri të paparë për të dënuar të
larguarit dhe detyruar vendin përsëri të bjerë nën sundimin e tij. Por Skënderbeu nuk u tremb. Me një ushtri të pallogaritshme epiriotësh i doli përballë ushtrisë turke dhe me një zotësi të rrallë arriti një fitore të përkryer. 22 000 turq u vranë dhe 2000 të tjerë u zunë robër. Epiriotët nga ana e tyre humbën vetëm 120 vetë. Kjo humbje e tërboi Sulltanin edhe më shumë; por meqë ai s’mund të hakmerrej menjëherë, u mor me përgatitjet e mëdha luftarake, që u bënë kundër tij në Hungari dhe Poloni, kështu që për një kohë u detyrua t’i lërë çështjet epiriotë mënjanë, në mënyrë që të vepronte me të gjithë fuqinë e tij kundër këtyre armiqve më të mëdhenj.

Hungarezët dhe polakët iu drejtuan për ndihmë Skënderbeut, i cili nuk e refuzoi atë, në mënyrë që të qëndronin së bashku kundër një armiku të përbashkët, dërgoi rreth 1000 epiriotë, dhe kështu edhe vetë u nis për rrugë për të ndihmuar fuqitë hungareze e polake. Por kur ai me trupat e tij u nis drejt Serbisë, Hospodar Georgiusi u mundua ta pengonte atë për të mos kaluar përmes vendit të tij dhe e mbajti aq gjatë, saqë ai nuk mund të arrinte në kohën e duhur dhe hungarezëve këtë herë iu desh të luftonin vetëm. U mbajt
beteja e madhe e njohur afër Varnës, rezultati i së cilës ishte i dhimbshëm për kristianët; pasi ushtritë hungareze dhe polake, pas një angazhimi të madh e të përgjakshëm, u dërrmuan dhe u shpërndanë, dhe vetë mbreti i ri Vladislaus u vra në betejë. Skënderbeu u bë me dije për këtë fatkeqësi, ndërsa ai ishte akoma në kufi me Serbinë, ku dhe u inatos aq shumë me Hospodarin, saqë shkatërroi e dogji gjithçka rreth e rrotull në vendin e tij.

Megjithëse turqit patën një fitore të madhe në Varna, ajo kishte qenë megjithatë e përgjakshme, dhe kështu që ata s’e panë veten në gjendje që njëkohësisht të ndërmerrnin gjë tjetër. Murati e gjeti të arsyeshme të
provonte me të mirë ta bindte Skënderbeun përsëri, dhe shumë shkurt pas Varnës i shkruajti një letër atij, ku ai numëronte të mirat që kishte bërë për të, e akuzonte për mungesë respekti dhe së fundi i dha atij premtime të mëdha, nëse ai do përulej përsëri. Këtë letër e pasoi, asgjë tjetër, veçse një përgjigje e pakëndshme, prej së cilës Sulltani vendosi të niste së pari një ushtri prej 9000 vetësh kundër Epirit, fuqia e së cilës nuk ishte edhe aq e konsiderueshme. Por përpjekjet e tij kishin qëllim ta befasonin Skënderbeun, në mënyrë që ai të kishte armiq rreth e rrotull, para se t’i shkonte lajmi për mbërritjen e tyre. Por Skënderbeu, që gjithmonë rrinte i përgatitur, e sulmoi fuqinë turke papritur dhe arriti një fitore të përkryer.

Menjëherë pas kësaj u krijua një ushtri tjetër, e cila s’pati fat më të mirë, përkundrazi ajo u shkatërrua ndjeshëm, dhe mundi të shpëtojë me arrati. Ndër të arratisurit ishte edhe komandanti i saj, Mustafai, i cili i dha Sulltanit këshillën që, më mirë të përparonin me kujdes për një kohë dhe të mjaftoheshin me një fuqi modeste, e cila do pushtonte kufinjtë, derisa të vinte rasti për të ndërmarrë diçka të rëndësishme. Kjo gjë u pa e arsyeshme. Ndërkohë u krijua një mosmarrëveshje në mes Skënderbeut dhe Venedikut, që shpërtheu me një luftë të hapur. Në këtë luftë, Skënderbeu pati të njëjtin fat; pasi ai shkatërroi një ushtri të paparë venecianësh. Por ai s’e përdori këtë fitore për ndonjë dobi, por bëri marrëveshje me republikën përsëri, që
të përdornin forcat e tyre sa më mirë kundër turqve, dhe qeveria në Venedik ndjeu një dashuri kaq të madhe për sjelljen dhe marrëdhëniet me të, saqë i bëri atij dhurata të mëdha, dhe e lejoi atë të shkruhej ndërmjet fisnikëve venedikas, e cila mbahet edhe si provë e madhe nderi.

Nga e gjithë kjo mosmarrëveshje që ishte krijuar ndërmjet të krishterëve, udhëheqësi turk Mustafai mendoi të kishte disa përfitime dhe prandaj kërkoi të drejtë nga Sulltani për të drejtuar një luftë tjetër ndaj epiriotëve. Kur ai kishte marrë leje, filloi të krijonte një ushtri të re; por as kësaj here nuk pati fat më të mirë se më përpara; pasi 10 000 nga luftëtarët e tij ranë në fushëbetejë dhe ai sëbashku me 12 drejtues të tjerë të ushtrisë, ranë në duart e Skënderbeut, kështu që Sulltanit iu desh ta lironte atë duke paguar para.

E gjithë bota po çuditej nga fuqitë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Evropën dhe Azinë, dhe po thyhej nga një provincë e vogël; një shembull mjaft i çuditshëm, se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu të
vetëm, të një vendi të vogël mund ta bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se me personin e Skënderbeut, ai kishte të bënte me të gjithë krishtërimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte e nevojshme vetëm të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë. Prandaj u bënë përgatitje të mëdha dhe bërthama e të gjithë luftëtarëve turq, që Evropa dhe Azia mund të sillnin, duhej të pajisej për të përmbysur një provincë të vogël, që ai më përpara, me vetëm një lëvizje koke e kish mbajtur nën sundim. I gjithë kristianizmi u tremb nga lëvizjet që bëheshin. Vetëm Skënderbeu, që rrinte ashtu i vetëm, nuk u tremb, por u bë gati si ai që përgatitet të fitojë, dhe bëri një rezistencë të ashpër.

Murati u përgatit që të pushtonte vendin e rëndësishëm Sfetigrad, por të sulmuarit u mbrojtën me një zotësi të pabesueshme, kështu që rreth 1000 turq ranë viktimë, dhe ndërkohë që rrethimi vazhdonte, Skënderbeu i sulmoi turqit me një ushtri fluturuese në një mënyrë tjetër, dhe kur një drejtues turk, pikërisht Ferit Pasha, në një përplasje i kërkoi duel Skënderbeut, ky e rrëzoi atë me një goditje të vetme. Së fundi, kur Murati vërejti se ai me forcë nuk mund ta merrte qytetin, u mundua që me premtime të mëdha e dhurata
të mund të kthente disa qytetarë të tij, që të tradhëtonin; dhe përderisa gjinden gjithmonë njerëz të këqinj, që sakrifikojnë nder dhe besnikëri për para, një nga ushtarët e Skënderbeut u shit dhe filloi t’i bënte të tjerët të rebeloheshin, dhe në këtë mënyrë pati mjaft sukses.

Ai e dinte se banorët, që përbënin pothuajse shumicën e qytetarëve këtu, kishin një bestytni, që më parë vdisnin se bindeshin të pinin ujin, ku është hedhur diçka e papastër në të. Në qytet kishte vetëm një pus, i cili i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës, ai hodhi një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes, dhe kështu u krijua një shqetësim ndërmjet ushtarëve, saqë u krijua ideja e rebelimit. Komandanti i atjeshëm u frikësua shumë, i grumbulloi ata e u përpoq me një bisedë të argumentuar t’i qetësonte, dhe më pas iu afrua pusit e në prezencën e tyre piu një kupë të tërë me ujë, gjë që u përcoll edhe nga oficerë dhe njerëz të tjerë. Por ushtarët nuk lëvizën, thanë se më parë vdesin se sa pijnë këtë ujë.

Këtu s’kishte asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar veten dhe qytetarët, se sa të bihej dakort me Sulltanin, gjë që edhe ndodhi dhe qyteti u dorëzua. Me dorëzimin e qytetit, i biri i Sulltanit, Muhameti, e këshilloi të jatin, që të mos e mbante fjalën dhe të hakmerrej ndaj banorëve, të cilët i kishin dhënë atij një
humbje kaq të madhe. Sulltani i vjetër nuk e dëgjoi këshillën e tij, por e mbajti fjalën e dhënë. Në mes të atyre që mbetën ishte edhe tradhëtari, i cili u shpërblye shumë; por që u zhduk shumë shpejt më pas dhe s’u pa më. Mendohet se Murati vetë e eleminoi. Pas marrjes së Stefigradit, Murati u kthye përsëri me të mbeturit në Adrianapol, pasi në këtë ekspeditë, ai kishte përdorur rreth 30 000 vetë.

Sapo Murati, së bashku me ushtrinë e tij, u largua nga Epiri dhe vendi u qetësua persëri, Skënderbeu vendosi, pasi s’mund ta pëlqente pushtimin turk në afërsi, ta merrte me forcë Sfetigradin. Qyteti u rrethua menjëherë dhe e gjithë mjeshtëria dhe zotësia që mund të merrej me mend u përdor për marrjen e tij; epiriotët u turrën si furtunë, të drejtuar nga vetë Skënderbeu, i cili vrau shumë turq me dorën e vet. Por forcat e kalasë dhe vigjilenca e banorëve asgjësuan gjithçka, kështu që pas një humbjeje të 500 burrave, u
detyruan ta braktiste rrethimin përsëri. Por në të vërtetë, ajo që e bëri Skënderbeun të hiqte dorë, ishte arsyeja e marrjes së lajmit për ardhjen e një ushtrie tjetër turke.

Pra Murati, sapo mori vesh për rrethimin e Sfetigradit, vendosi menjëherë ta mbështesë qytetin, dhe megjithëse e pa që rrethimi u braktis, ai vazhdoi më tej dhe me një ushtri më të madhe se më parë. U nis vetë drejt Epirit, që të sulmonte qytetin e rëndësishëm Krujën, gjë që ndodhi shumë shpejt. Kruja ishte e mbrojtur me një trupë të fortë nën drejtimin e pashoq të Uranakontes, i cili në këtë rrethim i dha vetes një
emër të pavdekshëm. Kjo ishte hera e dytë, që Murati, me bërthamën e gjithë fuqisë së tij, nisej kundër Skënderbeut, gjë që tregonte se me ç’sy e shihte ai këtë burrë. Të gjitha luftërat, që ai kishte bërë më parë kundër persianëve dhe vendeve kristiane, ishin drejtuar vetëm prej gjeneralëve të tij, por këtu, përkundër një dhimbjeje të parë, e quan të nevojshme ta ndjekë personalisht luftën nga afër, megjithëse ishte i vjetër në moshë, me rreth 80 vjet në kurriz. Kur të birit të tij Muhametit, heroit kuptimplotë
në histori, emrit më sinjifikativ ndër emrat osmanë dhe shpresës së vetme të tij, iu desh të shkonte, u krijua përshtypja se ata donin të lanin hesapet me të gjithë krishtërimin përnjëherë.

Kështu që qyteti i Krujës u rrethua dhe gjithçka që mund të mendohej u përdor për marrjen e tij. Tërbimin me të cilin vazhdoi rrethimi, e tregon fakti se vetëm në një rrebesh, ranë 8000 turq. Skënderbeu ishte ndërkohë gjithmonë në lëvizje dhe i sulmonte turqit, tashmë në një vend tjetër; ai një herë ishte futur ndërmjet tyre në një mënyrë, që njerëzit e tij e mbanin atë fallso, kështu që nuk ishte çudi, dhe e thënë zotësi e zgjuarsi, që ai u shfaq përsëri, ku përveç Muratit ai mund t’i ngjante edhe një kafshe të
egër, të cilës mund t’i afroheshe dhe ta lije veten të gllabërohesh nga egërsia e tij. Por nuk ishte e pa guximtë për të apo armiqtë e kristianizmit, që ai manifestonte këtë egërsi, pasi ai ishte i butë e
zemërgjërë nga natyra dhe kishte të gjitha ato cilësi që mund të këtë një udhëheqës, ndryshe nga i biri i vetë sulltanit, Muhameti, i cili pas Skënderbeut ishte heroi më luftëtar në ato kohë, por edhe më i përgjakshëm, si për njerëzit e tij ashtu edhe për armiqtë.

Pasi rrethimi kishte zgjatur një kohë të konsiderueshme, dhe ishte derdhur kaq shumë gjak turk, u krijua
përshtypja se e gjithë ushtria turke do shkatërrohej. Murati i vjetër nga dëshpërimi u dobësua shumë, dhe nga kjo edhe vdiq. Thuhet se në çastin e fundit, ai iu hakërrye fatit, që e kishte lënë të jetonte kaq gjatë për të parë të gjitha sukseset e tij të mëparshme, të errësoheshin nga një popull i vogël e i vuajtur, që ai më parë e kishte përbuzur. I biri i tij Muhameti, nuk e gjeti të këshillueshme ta vazhdonte rrethimin pas vdekjes së tij, prandaj u largua menjëherë dhe u kthye së bashku me të mbjetuarit për në Adrianopol, ku ai pa asnjë pengesë trashëgoi fronin e të jatit dhe është ky Muhamet, ai që i dha fundin perandorisë së lindjes dhe forcoi Konstandinapolin, ku sulltanët turq që nga ajo kohë kanë patur rezidencën dhe kanë mbajtur tituj perandorësh.

Ai ishte pa dyshim më luftëtari prej të gjithë sulltanëve dhe u ngjante (nëse nuk i kalonte të gjithë paraardhësit) në tirani dhe mizori. Por të metat e tij ishin të kombinuara me shumë cilësi të mëdha; pasi ai ishte i shpejtë, punëtor, i përmbajtur dhe një mbajtës i zellshëm i të drejtës. Ai kishte njohuri të mëdha për historinë dhe fliste gjuhë të shumta, si greqisht, persisht dhe arabisht, ishte marrë me artin e
yjeve dhe shkenca të tjera.

Gjëja e parë që bëri pasi hipi në krye të shtetit, ai i ofroi Skënderbeut paqe me kusht, që ai të mbante tokat e tij dhe t’i jepte atij një tatim vjetor, dhe pasi kjo ofertë u refuzua nga Skënderbeu, Muhameti krijoi dy ushtri kundër Epirit. E para u drejtua nga Hamzai, e cila u thye menjëherë dhe vetë drejtuesi i saj ra në duart e Skënderbeut. Ushtria e dytë, e cila u drejtua nga një njeri me emrin Debrea, nuk pati një fat më të mirë, pasi Skënderbeu e vrau drejtuesin e saj në betejë me dorën e vet dhe pastaj e shpërndau të gjithë ushtrinë. Në të gjitha luftimet, ai kishte parandjenjën që të ndiqte drejtuesin dhe e kishte zakon të thoshte se kur koka është prerë, pjesët e tjera bien vetë.

Një fat të tillë kishte Skënderbeu në fillim të qeverisjes së Muhametit. Përveç Sulltanit, dukej se asnjë s’mund të merrej me këtë njeri të madh, shikimin e të cilit askush s’mund ta trazonte, prandaj sulltani provoi t’i jepte vetes truke e dinakëri. Ndërmjet epiriotëve ishte njëri me emrin Moses, i cili pas Skënderbeut ishte më luftëtari dhe njeriu më me përvojë në shkencën luftarake. Sulltani provoi ta afronte këtë në krah të tij, i premtoi atij zotërimin e Epirit, nëse ai ikte nga Skënderbeu. Nga ky premtim, ai u verbua dhe që nga ajo kohë, ai filloi të punonte për rrëzimin e Skënderbeut. Heroi i Epirit kishte kohë që e kishte vendosur së bashku me të krishterët e tjerë, të rrethonte qytetin e rëndësishëm Beogradin, dhe
donte si zakonisht të kishte Moses me vete në këtë fushatë.

Por Moses, që preferonte t’i shërbente vetes nga mungesa e tij për të luajtur rolin e tij superior, u justifikua për këtë udhëtim, dhe shpresoi se qëndrimi i tij ishte i nevojshëm, në rast, gjë që ishte e vërtetë, se Muhameti do bënte një përpjekje të re, nga e cila Skënderbeu, që s’kishte asnjë dyshim për
besnikërinë e tij, e lavdëroi propozimin e tij dhe e la të qëndronte. Pasi u bënë përgatitjet, dhe një ushtri e madhe u ngrit në këmbë, Skënderbeu u nis drejt Beogradit. Qyteti u sulmua menjëherë e me një hov të madh, saqë të sulmuarit që filluan të bisedonin për dorëzim, kërkuan për një muaj armëpushim, pas të cilit, nëse asnjë përforcim s’do të vinte, atëherë qyteti do të dorëzohej. Skënderbeu nuk e pranoi këtë ofertë, por u bind nga oficerët e tjerë, që t’u jepte atyre një armëpushim prej 16 ditësh. Menjëherë u dërguan lajme të shpejta tek Sulltani për ta vënë në dijeni lidhur me armëpushimin.

Muhameti, që ndërkohë kishte një ushtri në këmbë, me të cilën ai preferonte të nënshtronte perandorinë trapezoidale, la një fushatë të tillë mënjanë, dhe e dërgoi ushtrinë drejt Beogradit për përforcim, dhe kjo ndodhi me aq fshehtësi, saqë drejtuesi turk Sebalia u erdhi të krishterëve përballë, para se ata të kishin idenë më të vogël për këtë. Ndodhi një disfatë e vërtetë në atë pjesë të ushtrisë që drejtohej nga
Musai dhe vetë burri i rreptë u vra me rreth 1000 kristianë, italianë të shumtit, që Alfonsi, mbreti napolitan i kishte dërguar për të ndihmuar epiriotët. Skënderbeu me njerëzit e tij mbajti distancë në errësirë, pasi ai, nga ana tjetër duhej edhe të tërhiqej; por turqit nënkuptuan se nuk duhej të ndiqnin fitoren e tyre dhe t’i jepnin fund problemit me të, por u kënaqën me fitoren ndaj kristianëve dhe e çuan trofenë në qytet. Skënderbeu vrau në këtë betejë mes tjerash dy komandantë turq me nam, të cilët e
sulmuan atë njëkohësisht; dhe ishte pra, një lloj parandjenje e çuditshme, si ankthi që zgjerohej me furi. Kjo ishte hera e parë që ky njeri duhej t’ua linte armiqve të tij fitoren, pasi të krishterët humbën në ketë betejë rreth 5000 vetë. Muhameti e vlerësoi këtë, pasi megjithëse ushtria u shkatërrua, Skënderbeu fitoi përsëri.

Kur lajmi u shpërnda në Epir, i lartpërmenduri Moses mendoi se ishte koha të fillonte tradhëtinë, që ai kishte kohë që e priste; por pasi ai nuk mori ndonjë mbeshtetje të madhe në vend, u detyrua të arratisej, së bashku me pak njerëz, për në Konstandinopol, ku kërkoi një ushtri të kufizuar, dhe premtoi se do të nënshtronte Epirin. Muhameti, i cili e dinte se sa pak mund të shpresohej nga tradhëtarët, nuk deshi në fillim të bindej; por kur e pa se Moses e kishte seriozisht i besoi atij një ushtri prej 15 000 vetësh, me të cilën ai u nis drejt Epirit. Skënderbeu në fillim nuk mundi ta kuptonte se si një njeri me të cilin kishte qenë i lidhur me një miqësi, besnikëri dhe zotësi, që deri më tash kishte treguar për atdheun e vet, shkoi pa ndonjë arsye dhe u bashkua me armiqtë e krishtërimit, dhe ai asnjëherë s’e pa me seriozitet, që Moses të kishte ndërmend diçka të keqe, por kur ai së fundi e vërejti se kjo ishte seriozisht, u nis kundër tij me armë në dorë dhe u mbajt kështu një betejë e përgjakshme, ku Skënderbeu korri një fitore të përkryer.

Para se të nisej, Moses i kishte premtuar Sulltanit se do e sfidonte Skënderbeun në dyluftim, dhe për më tej në betejë ai e tërhoqi atë deri këtu; por kur Skënderbeg i doli përballë, ai u tremb aq shumë nga vështrimi i tij, saqë nuk mundi t’i dilte përpara. Një turk tjetër ishte aq kurajoz në betejë, saqë ai me shpejtësi e kurajo u ndesh me Skënderbeun, që u shtri prapa në shpinë të kalit. Por u ngrit përsëri, para se tjetri të
mund ndërmerrte diçka tjetër dhe kjo u kurorëzua menjëherë me rënien e sulmuesit turk. Pjesa më e madhe e fuqisë turke u vra në këtë betejë, kështu që Moses me 4000 vetë, në një gjendje të tmerrshme, i mbushur me hidhërim e turp, u kthye për në Konstandinapol, ku Muhameti vendosi ta ekzekutonte menjëherë; por pasi ai nuk i kishte refuzuar në betejë të gjithë sfidat që kërkohen nga një drejtues me vlerë dhe ushtarët e mbetur dëshmuan për to, Sulltani ia kurseu jetën, por e la të përbuzur dhe të neveritur. Atëherë ky burrë kryelartë filloi të qahej për gjendjen e tij dhe pasi ai me vështirësi kishte qëndruar në Konstandinopol, u arratis fshehts prej andej dhe erdhi në Epir përsëri, ra para këmbëve të Skënderbeut, i cili jo vetëm e fali për fyerjen, por edhe e vuri përsëri në postin e tij.

Pak kohë pasi ndodhi kjo, u njoftua për një dezertim tjetër, që e preku Skënderbeun edhe më shumë në zemër dhe që ngjalli çudinë më të madhe për të gjithë; pikërisht nipi i tij, Hamzai, të cilin e kishte dashur gjithmonë si birin e vet dhe e kishte bërë si pjesëtar të qeverisë së tij, u arratis papritur me gruan dhe fëmijët për në Konstandinopol. Ai mbajti një fjalim të mbushur me akuza kundër xhaxhait të tij dhe përfundimisht premtoi nënshtrimin e Epirit. Fuqia ushtarake, ku vetëm kalorësia përbënte 50 000 vetë, iu besua Isa Pashës dhe me një ushtri të tillë ekzistonte shpresa për përfundimin e luftërave epiriote.

Skënderbeut, si zakonisht, nuk i mungonte asgjë, që mund t’i shërbente si mbrojtje; pasi ai ngriti në këmbë një ushtri prej 11 000 vetësh dhe u turr kundër armikut. Kur ushtria turke iu afrua atij, ai u kthye prapa dhe priti diku larg në tokat e tij, jo nga frika, por për ta bëre armikun sa më të pasigurtë, dhe kjo ndodhi me aq mjeshtëri, sa Hamzai vetë, që i njihte të gjitha trillet luftarake të xhaxhait të tij, nuk dyshoi për gjë tjetër, veçse e gjithë kjo u bë nga frika. Në këtë moment turqit u dehën nga suksesi dhe Isa Pasha, me një solemnitet të madh, e shpalli Hamzain mbret të Epirit. Por atëherë kur ata ishin mëse të sigurtë për fitoren, erdhi Skënderbeu papritur, dhe korri një fitore të përkryer. 30 000 turq u therën dhe të tjerët, së bashku me Isa Pashën ia mbathën. Bashkë me robërit e tjerë ishte edhe Hamzai, për të cilin Skënderbeu u kishte thënë njerëzve të tij të mos e vrisnin.

Kjo fitore ngjalli një gëzim të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin dhe u bë një hyrje triumfante në Krujë, ku u sollën edhe robërit. Ndërmjet robërve që u sollën me triumf, ishte edhe Hamzai, i cili me duar lidhur prapa me zinxhirë ecte përmes qytetit; një pamje e çuditshme për banorët, që pas Skënderbeut e kishin parë si burrin më të madh dhe më të ndershëm. Skënderbeu e dërgoi atë menjëherë tek miku i tij i besueshëm, Alfonsi, mbret i Napolit, që të mund ta burgoste më me siguri në vendin e tij dhe ai u mbajt atje për aq kohë sa jetoi edhe mbreti. Pas vdekjes së Alfonsit, ai u soll në Epir dhe u fut në burg në Krujë.

U mundua me letra të vazhdueshme të qetësonte inatin e xhaxhait të tij dhe i premtonte atij, se nëse fitonte
lirinë përsëri, ai do i bënte Skënderbeut shërbime aq të mëdha siç i kishte bërë para se t’i bënte keq. Duhej të veprohej në këtë mënyrë: të lejohej të arratisej nga burgu dhe të shkonte në Konstandinopol, ku kishte të shoqen dhe fëmijët, e të kërkonte përsëri mbrojtjen e Sulltanit. Dhe kur ai të kishte marrë mëshirën e Sulltanit, do të informonte Skënderbeun lidhur me formën e perandorisë turke. Skënderbeu u bind që ta linte Hamzain të shkonte dhe bëri sikur u frikësua shumë nga arratisja e tij. Hamzai erdhi për herë
të dytë në Konstandinopol, ku u prit mjaft mirë; por meqë vdiq shumë pak kohë më pas, thuhet se Sulltani e helmoi atë fshehtas dhe e la të vdiste.

Pasi turqit kishin provuar forcën e Skënderbeut me kaq humbje, provuan tani të kërkonin miqësinë e tij. Por ata nuk mundën të arrinin në një lidhje publike me të; vetëm kështu, që pasi ai donte të bënte një fushatë lufte me Italinë, ai u bind të bënte një marrëveshje për një vit armëpushim me Sulltanin. Pasi kjo marrëveshje u arrit, ai u nis me një forcë ushtarake për në Napol, për të mbështetur mbretin e ri Ferdinandin, djali biologjik i Alfonsit, i cili ishte rrëzuar nga duka i Anzhout, që kujtonte se kishte më
shumë të drejtë për Napolin. Ai pati fat aq të mirë, saqë shkatërroi tërësisht forcat franceze dhe i solli menjëherë vendet napolitane nën zotërim të Ferdinandit dhe kjo ndodhi pikërisht sepse shumë rajone iu dhanë
atij për arsye se kishin sigurinë e Skënderbeut, se mbreti nuk do të hakmerrej kundër tyre; gjë që të bën të kuptosh, se çfarë mendimesh të larta kishin njerëzit për ndershmërinë e këtij njeriu. Pasi ai kishte forcuar kurorën e Ferdinandit, u kthye përsëri në Epir.

Ndërkohë që ishte në Itali, Muhameti u nis në një mësymje të re kundër Epirit, megjithëse gjendja e armëpushimit s’kishte mbaruar ende. Për këtë arsye, ai bëri përgatitje të mëdha me shumë ushtri. Ushtria e parë, e përbërë prej 20 000 vetësh, drejtohej nga Sinan Pasha. Por para se sulmi të fillonte, Skënderbeu ishte kthyer. Ai kishte ngritur në këmbë një ushtri prej 8000 burrash dhe papritur, gjatë natës, ai i sulmoi turqit në befasi dhe me shpejtësi, saqë ushtria e tyre në një kohë të shkurtër u ça dhe u shpërnda totalisht, dhe kjo s’qe e vështirë, kur komandanti vetë, së bashku me disa të tjerë, u vranë. Pak kohë më pas ai sulmoi një ushtri tjetër turke prej 30 000 vetësh, që drejtohej nga Hasanbeu, me të cilën pati të njëjtin fat; pasi pjesa më e madhe u vra ose ia mbathi dhe Hasanbeu u dorëzua me të tjerët me dëshirë ose pa dëshirë. Komandanti i tretë turk, Jonuzbeu, që nuk e la moralin të binte nga fatkeqësia e të tjerëve, u përpoq gjithashtu të provonte fatin me 18 000 vetë. Por askush s’mundi t’i dilte përpara të tmerrëshmit Skënderbe; kështu që edhe kjo ushtri e tretë u pre dhe u shkatërrua.

Kjo nuk ngjalli asgjë tjetër veç frikë dhe çudi tek të gjithë njerëzit, më tepër nga fakti se Skënderbeu kishte të bënte me një armik të tillë si Muhameti, i cili kishte nënshtruar perandorinë e dytë me shumë mbretëri dhe ishte njëri prej monarkëve dhe luftëtarëve më të mëdhenj në histori. Askush nuk guxonte më të dilte si prijës në luftërat epiriote, pasi emri i Skënderbeut ishte bërë aq i fortë për gjithë monarkinë osmane. Përkundër kësaj, doli një luftëtar i vjetër me emrin Karazbeu, i cili si në kohën e Muratit, ashtu edhe të Muhametit, kishte bërë një emër të mirë. Atij iu besua një ushtri e paparë, me të cilën ai u nis drejt Epirit. Duket së çfarë emri kishte Karazbeu, saqë Skënderbeu thuhet të ketë thënë, se kishte më
frikë komandantin se të gjithë ushtrinë.

Karazbeu krijoi 4000 vetë si fillim me idenë për të marrë luftëtarë të tjerë gjatë rrugës në Çieri të
Maqedonisë, por 4000 vetët u sulmuan dhe u shpërndanë me shpejtësi, gjë e cila e tmerroi Karazbeun dhe ai u kthye menjëherë në Konstandinopol dhe Muhameti nuk u tregua i pamëshirshëm, por e konsideroi si fat kthimin e tij, në krahasim me komandantët e tjerë. Kështu Skënderbeu në një kohë të shkurtër shkatërroi katër ushtri turke të drejtuara nga katër komandantë të ndryshëm; dhe Muhameti e gjeti të këshillueshme të mos e ngacmojë më aq shpesh një burrë, të cilin ai e gjeti të papërkulshëm, por u mundua me letra tinzare të fitonte miqësinë e tij, nga të cilat Skënderbeu e la vetën të bindej, kështu që u vu paqe në mes tyre. Me këtë paqe, vendet e tjera kristiane, veçanërisht Venediku, ishin të pakënaqura, ku republika përpiqej
ta fuste atë në luftë përsëri dhe iu paraqitën atij me një delegacion, pasi të gjitha qeveritë kristiane ishin bashkuar bashkë kundër turkut e nuk mundeshin ta shihnin atë vetëm, si shpirtin e fuqisë kristiane. Ata shpresonin gjithashtu se, ai në betejat e ardhëshme nuk do të rrinte duarkryq pa i ndihmuar.

Skënderbeu, i cili ishte i interesuar të vazhdonte paqen me Sulltanin, në mënyrë që të pasuronte banorët e vendit të tij, dhe të lulëzonte tregun e kursin e jetës në vend. kështu që vetëm pasi ai i pa fushatat e ardhëshme si luftëra fetare, vendosi ta prishë marrëveshjen e paqes dhe menjëherë sulmoi vende të Sulltanit, ku préja u bë me të madhe biznes; por, papa Pius II, në të njëjtën kohë me vdekjen, i kishte sjellë
kristianët në grindje, dhe mosmarrëveshjet u ngjallën si zakonisht ndërmjet tyre, saqë secili u largua për në vendin e vet, duke e lënë Skënderbeun të vetëm. Tashmë Muhameti u çlirua nga ajo frikë, që i kishin kallur të krishterët e bashkuar. Ai i vuri në punë të gjithë mendimet e tij në luftën epiriote, dhe që Skënderbeu nuk u kthye me prénë e madhe, që kishte shpresuar, por gjeti një ushtri turke në vendin e vet. E njëjta ushtri nuk ishte gjë tjetër vetëm një vezullimë, që u duk dhe u zhduk shumë shpejt, u vranë 10 000 njerëz dhe vetë komandanti u kap i gjallë.

Kjo disfatë e re, e bëri Muhametin edhe më të tërbuar, kështu që ai menjëherë provoi të gjente një komandant tjetër, që të drejtonte luftimet. Askush nuk ishte i gatshëm në atë kohë, vetëm njëri me emrin Ballaban Badera, një epiriot me origjinë, i cili që fëmijë kishte qenë në shërbim të turqëve dhe ishte i pari që u ngjit në murin e qytetit kur u pushtua Konstandinopoli. Përvoja e tij me çështjet luftarake si dhe me gjetjet e tij, nuk ishte më e vogël se zotësia e tij, kështu që të gjithë mbanin shpresa se kishin gjetur
atë njeri, që do t’i jepte fund dominimit të Skënderbeut.

Ballabani iu përgjigj në fillim disi këtyre mendimeve që ishin krijuar për të; pasi doli mjaft mirë në betejën e parë, që bëri me Skënderbeun. Këtij të fundit iu desh të tërhiqej, kështu që kësaj here me një qëndresë më të madhe se më përpara; ai mori në dorë fatin e 8 epiriotëve të mëdhenj, ku secili ishte i
aftë që të drejtonte një ushtri, por kur guxuan më shumë se të tjerët, ranë në duart e tij. Ndërmjet këtyre të tetëve ishte edhe i mirënjohuri Moses, pseudonimi i Perlatit, që kishte treguar zotësi të madhe në rrethimin e Sfetigradit. Ballabani i dërgoi ata në Konstandinopol dhe Muhameti i rrjepi ata të gjallë, fatkeqësi kjo, që e solli gjithë Epirin në pikëllim.

Skënderbeu nuk e la moralin të binte nga kjo fatkeqësi, por i mbushur me dëshirën për hakmarrje e sulmoi Ballabanin përsëri, dhe ia shkatërroi ushtrinë e tij plotësisht. Ballabani vetëm, së bashku me disa të mbijetuar, u kthye për në Konstandinopol. Muhameti në fillim u inatos shumë, por meqë ai nuk kishte njerëz më të aftë për të drejtuar luftën se i njëjti njeri, duket ngaqë ai e njihte vendin më mirë, krijoi një ushtri të re përsëri për të. U mbajt përsëri një betejë jo shumë larg nga Sfetigradi, ku për një kohë
u zhvillua një betejë e ngjashme nga të dy krahët dhe Skënderbeu u tregua aq burrëror dhe i shpejtë, saqë kristianët, por edhe myslimanët e konsideronin atë si diçka, që ishte më tepër se njeri. Epiriotët, të cilët nga luftërat ideale dhe fitoret ishin të vështirë, qëndronin në fushë-betejë si luftëtarë, kështu që asnjë fuqi s’mund t’i lëvizte ata nga vendi. Në mes të betejës Skënderbeut iu kërkua dyel nga një turk i madh me emrin Soliman, i cili u rrëzua për tokë menjëherë. Kjo solli frikë të madhe ndërmjet turqve, saqë atyre iu dha arratia, kështu që vetëm Ballabani me disa shpëtuan.

Kur u kthye në Konstandinopol ai u mbrojt në mënyrë të tillë, saqë Sulltani u paqësua dhe vendosi ta përdorte atë përsëri për të njëjtën gjë. Mund të thuhet se ai kishte përmbushur detyrën e komandantit dhe në këtë, si edhe në dështimet e tjera, nuk mund ta çvlerësonte askush, as ushtrinë turke, që në raste të tjera e kishin mbajtur veten mirë dhe me zotësi; por askush në këto kohë s’mund t’i dilte përballë Skënderbeut, as venecianët dhe francezët nuk kishin patur një fat më të mirë me këtë hero të papërballueshëm. Ballabani u
nis për një fushatë të re dhe tani kishte marrë liri prej Sulltanit që ta drejtonte ushtrinë si të donte, ai zgjodhi një numër të madh prej trupave më të mirë dhe më të zgjedhur, të cilët i ndau me partnerin e vet Jakupin, kështu që provoi me të dy ushtritë ta sulmonte Skënderbeun një herësh.

Dhe mund të thuhet se heroit të madh iu paraqit një rrezik serioz, që ia kishte sjellur Ballabani. Ballabani arriti i pari me ushtrinë e tij, drejt së cilës Skënderbeu u afrua me një numër të vogël kalorësish, për të zbuluar gjendjen në kampin armik. Por ai u sulmua befasisht gjatë rrugës nga disa turq që kishin pritur për ta kapur, kështu që ai pas një rreziku të madh për jetën, ia doli të kthehet prapa vetëm me njërin prej shoqëruesve të tij; të tjerët u vranë të gjithë.

Ai vuri re se i gjithë fati i tij varet nëse ai mund t’i dilte përpara Ballabanit, para se të vinte ushtria tjetër. Ai u nis menjëherë drejt kundërshtarit dhe e detyroi atë të ndeshej, përkundër vullnetit të tij. Ndeshja ishte e fortë dhe e përgjakshme dhe Ballabani u përgjigj me jo më pak zotësi se sa kujdes; por ushtria e tij përkundrazi u ça dhe ai me pak veta shpëtoi lëkurën me arratisje. Dhe, siç u bë me dije më
pas, komandanti tjetër Jakupi, u turr direkt me ushtrinë e tij për në Epir, shkoi drejt në rreth dhe u ndesh me të, para se të kishte marrë lajmin për disfatën e Ballabanit. Në këtë betejë Skënderbeu kërkoi direkt komandantin dhe e vrau me dorën e vet, kështu që e gjithë ushtria u shkurajua dhe u arratis. Në këtë mënyrë u shkatërrua plotësisht një ushtri e dyfishtë dhe emri i Skënderbeut dha material për biseda dhe shpresa në të gjitha vendet kristiane.

Kur kjo fatkeqësi i erdhi në vesh Muhametit, ai filloi të frikësohet se reputacioni, që ai deri tani kishte patur, kishte qenë në bazë të sukseseve tjera, por do të donte nisur nga baza e kësaj fyerjeje të vazhdonte akoma në Epir, që të mos shndërrohet në përbuzje të njerëzve të tij; prandaj ai vendosi që personalisht të bënte një përpjekje të fundit. Ai u turr tashmë vetë me 200 000 trupa drejt Epirit dhe rrethoi përsëri qytetin e Krujës.

Para se rrethimi të ndodhte, ai bëri edhe një përpjekje tjetër kundër Skënderbeut, duke blerë dy vetë, të cilëve u tha ose ta vrisnin atë ose ta mbytnin me helm; por këta të dy nuk u pajtuan me njëri-tjetrin dhe plani i tyre u zbulua e u varën të dy. Pasi kjo përpjekje shkoi bosh, Muhametit iu desh ta ushtronte forcën vetëm, dhe rrethimi i Krujës vazhdoi me vrull të madh; por të rrethuarit u mbrojtën me jo më pak qëndrueshmëri dhe çdo ditë bënë sulme të mëdha e të suksesshme. Skënderbeu, i cili drejtonte një ushtri
fluturake, u ndesh tashmë me një krah tjetër të kampit turk dhe shkaktoi aq shumë dëmtime, saqë Muhameti me një pjesë të ushtrisë së tij u nis për në Konstantinopol përsëri, duke e lënë Ballabanin të vazhdonte rrethimin.

Ndërkohë Skënderbeu ndërmori një udhëtim për të marrë përforcime në vende të tjera. Ai erdhi edhe në Romë me të njëjtin qëllim, dhe influencoi papën që ta merrte çështjen e tij me zell. Pasi ai kishte bashkuar një numër të paanshëm trupash ndihme u kthye për në Epir dhe u përcaktua që të sulmonte turqit përsëri; por rrethimi u hoq menjëherë dhe turqit u larguan nga qyteti dhe vendi, pasi komandant Ballbani vdiq nga një furtunë. Një përfundim të tillë kishte edhe kjo fushatë, që ishte më e madhja e të gjithave.

Një numër i ndryshëm shkruesish të kohës janë marrë me udhëtimin, që Skënderbeu, ndërkohë që Kruja ishte e rrethuar, iku për në Itali, duke e konsideruar atë si prins të surgjenosur, i cili e kishte humbur Krujën së
bashku me qytetet e tjera. Por shkruesit më të besueshëm, si Barleti dhe Kalçondylasvidne, thonë se Muhameti ishte po aq i dëshpëruar në këtë fushatë, sa edhe në të tjerat, pasi ai bëri edhe një përpjekje kundër Krujës dhe Durrësit, por iu desh të kthehej përsëri pa ndrequr asgjë, kështu që fati dhe fitoret e Skënderbeut zgjatën deri sa ai vdiq, gjë që ndodhi në vitin 1466, në moshën 63 vjeçare, kur kishte qeverisur 24 vjet rresht.

Vdekja e tij shkaktoi një mjerim dhe piskamë në të gjithë vendin, pasi dihej se nuk ishte forca e vendit, por koka e Skënderbeut, që kishte bërë që Epiri të ruante lirinë kaq gjatë. Kur ai ishte në skajin e vdekjes, shtrirë e me temperaturë të lartë, pati një sulm të ri turk. Skënderbeu u hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia nuk e la ta bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat e vdiq pak kohë më pas.

Mund të thuhet për këtë burrë, se ai ishte heroi më i madh në histori, dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re, nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më madhështore, se sa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzisht të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u dridhën dhe u tmerruan. Ai shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që e sfiduan atë, i vrau me dorën e vet. Dhe shkruesit e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 vetë me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç’mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë.

Zotësia dhe burrëria e tij u shoqëruan nga mëshira dhe butësia. Ai kishte një zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjitha letrat e tij, ku ai i dha vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtari i Krishtit. Historia e tij është përshkruar nga shumë autorë, por e përkryer është historia e Marin Barletit, një epirioti, në 13 vëllime, të cilat unë i kam lexuar me hollësi. I njëjti Barlet dëshmon se, qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku Skënderbeu ishte i varrosur, nxorrën eshtrat e tij nga varri e i ndanë copa-copa dhe i përdorën ato si relike të shenjta, duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do i ndiqte më pas.

Për këtë burrë mund të thuhet:

Ai ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.

Shënim: Të drejtat e kopjimit dhe publikimit të shkrimit historik “Skënderbeu”, në gjuhën shqipe, i rezervohen përkthyesit: Arben Çokaj

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: