Arben Çokaj

Shkurtprerja e Edi Ramës

Nga Arben Çokaj, 26.12.2006

Shqiptarët dhe socialistët e dinë, se Edi Rama erdhi në krye të PS-së duke blerë votën e anëtarëve të KPD-së. Dinë gjithashtu se, po hyre në politikë me metoda dhe rrugë të padrejta, po në atë mënyrë agjiton në politikë dhe po kështu del edhe prej saj. Shqiptarët e dinë gjithashtu se, kryetari socialist për shkak të gjatësisë së tij fizike, është më i rrezikuar që t’i marrë koka erë, se sa mund të jenë njerëzit e tjerë me gjatësi normale. Nga ana tjetër, edhe fuqia e trurit për të thithur gjakun e nevojshëm, që njeriu me logjikë të kryejë veprimet e duhura, bie ndjeshëm tek njerëzit me trup më të gjatë se normalja. Kjo është fiziologjike. Besoj se të gjithë e kemi parë xhirafën kur pi ujë. Ajo hapën këmbët që të balancojë presionin e gjakut në kokë, për të mos i plasur ndonjë nga kapilarët e hollë, që furnizojnë trurin me gjak.Dhe sot, kur e shohim Edi Ramën të fluturojë shtigjeve të pashkelura të anti-kushtetutshmërisë, nuk kemi pse të habitemi, pasi ai për shkak të presionit të madh që ka në kokë, kur detyrohet t’i ulë këmbët në tokë, nuk është në gjendje të artikulojë një sjellje normale politike. Dhe më thoni që nuk është e vërtetë, se Rama shtrembërohet paksa, kur flet para kamerave? Kjo duket se vjen për dy arsye: e para, ngaqë Rama është i gjatë dhe duart e atyre që shtrijnë mikrofonat nuk mbërrijnë kollaj para gojës së tij, dhe e dyta, për arsye fiziologjike të balancimit të presionit të gjakut. Në këtë rast, nuk e di nëse Rama hapën pak këmbët, apo përkulë pak gjunjët…

Rama si diversionist

Ardhjen e Edi Ramës si kryetar të PS-së, në një mënyrë si të Pirros, askush nuk e parashikoi në natën e zgjedhjeve për kryetar partie të Partisë Socialiste. Por politika e majtë në Shqipëri e ka një paracaktim: ajo duhet të dështojë, që ky vend të mund të ecë përpara. Zgjedhja e Ramës ishte një zgjedhje në dëshpërim. Një fjalë e urtë thotë: “Kurrë mos i merr vendimet me barkun bosh!”

Kur sheh shtetet demokratike të zhvilluara ekonomikisht, vëren se ata janë drejtuar më gjatë nga koalicione të djathta, se sa të majta. Gjermania për shembull, lulëzoi mjaft mirë ekonomikisht pas luftës së dytë botërore, pikërisht sepse të majtët me vështirësi mundën ta mbanin pushtetin vetëm një mandat. Dhe me aq pak kohë sa ndenjën në pushtet, ata arritën të ushtronin presion për futjen e një sistemi social të tillë, saqë sot është kthyer në një aventurë që thith të gjithë kursimet e shoqërisë. Llogarit sikur Gjermania të drejtohej nga të majtët aq gjatë sa Shqipëria. S’ka dyshim, që zhvillimi do të kishte ngecur si në Gjermaninë Lindore…

Edi Rama nuk është i vetëdijshëm politikisht, që ta kuptojë rolin e tij në një parti të majtë, aq më tepër si kreu i opozitës së sotme. Për shkak të karakterit të tij disi anarkist, zoti Rama nuk është në gjendje të prodhojë një politikë të nivelit të lartë, që të jetë në gjendje të drejtojë një shtet, të bazuar në ligje e rregulla. Ai ka ligjet e veta dhe s’është në gjendje të hartojë politika qeverisëse, duke aplikuar ligjet e vendit, apo duke respektuar kushtetutën e Shqipërisë. Dhe kjo po shihet edhe në rrugën që ai ka zgjedhur për të mos u futur në zgjedhje. Zgjedhjet janë një detyrim kushtetues, jo një dëshirë e një individi, apo partie. Aventurën e tij politike, Rama e ka filluar nga dështimi, dhe meqë rrethanat e vunë në krye të PS-së, ai u pa që në fillim si një lider i dyshimtë brenda kësaj partie, ku nuk dukej se kishte rrënjë tradicionale. Është thjeshtë një transplantim politik.

Edi Rama u importua në krye të PS-së si një njeri i suksesit brenda kësaj partia, më tepër nga fakti se kishte bërë ndryshime në Tiranë si kryetar bashkie, jo nga fakti se Rama është një lider i lindur, por nga metoda e tij e njohur “puno duke vjedhur”. Në kushtet e Shqipërisë së sotme, kjo metodë dha më tepër sukses, sesa metoda e përkundërt “vjedh duke punuar” apo “bëj sikur punon duke vjedhur”. Shqiptarët deri tani kanë parë këto tre metoda, që të përdoren nga drejtuesit e tyre në këtë periudhë tranzicioni dhe krijuan përshtypjen se Edi Rama është njeri i suksesit. Ardhja në pushtet e koalicionit të djathtë me 3 korrik 2005, i krijoi idenë njerëzve se diçka do të ndryshonte për mirë – dhe realisht duket se qeverisja e djathtë, e drejtuar nga zoti Berisha, ka bërë mjaft, sidomos në qendër, që të krijojë një psikologji të re kundër korrupsionit, duke u munduar të aplikojë idenë se “paratë publike, janë paratë e komunitetit” dhe jo të pushtetarëve. Por qeveria nuk po lihet të punojë që ta shtrijë këtë ide deri në komunën më të thellë malore të këtij vendi, se çdo sukses i qeverisjes është pikërisht një dështim për Edi Ramën dhe stilin e tij të punës.

Një gjë është e qartë, Edi Rama erdhi në krye të PS-së për t’i ngrënë kokën asaj. Kur socialistët ta kuptojnë këtë, ka për të qenë vonë, ndonëse kanë për ta abandonuar. Kjo është edhe frika kryesore e kreut socialist. Një frikë e kthyer në ndjenjë, që klinikisht konsiderohet si panik. Paniku e bën njeriun të ketë frikë edhe kur nuk ka shkak, kur nuk ka arsye. Analizoni deklaratat e përkundërta të Ramës; “hyjmë në zgjedhje në çdo moment, por nuk ka standarte”. Nga ana tjetër është pikërisht ai që në gjashtë muaj nuk ka pranuar të ulet me pozitën që të diskutojnë dhe të përcaktojnë standardet. Dhe tani kur data e zgjedhjeve po afron, ai kërkon shtyrjen e zgjedhjeve… Po a nuk e ka kërkuar të njëjtën gjë kreu socialist edhe gjashtë muaj më parë?!

Gjithkush e di, edhe Rama vetë e di, se kur qeveria mbledh para dhe di si t’i administrojë ato, ajo qeveri nuk bie lehtë. Kur qeveria, (pavarësisht vështirësive subjektive dhe objektive, me një opozitë që nuk njeh ligj e rregulla loje), lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe vullneti ekziston që kjo luftë të jetë e vazhdueshme, kjo qeveri ka dhe do të ketë sukses. Ky sukses i qeverisjes së sotme e vë në dyshim, madje e bën të pamundur, fitoren e Edi Ramës në Tiranë për herë të tretë. Dhe Ramës aq i bën për PS-në, ai do veç veten! Kjo është arsyeja pse Edi Rama konsiderohet si diversionist brenda Partisë Socialiste, dhe si një person i ardhur për ta shkatërruar atë.

Shkurtprerja e Edi Ramës

Shortcut apo “shkurtprerje” është një koncept i krijimit të rrugëve të kalimit në menytë e programeve në kompjuter. Kreu socialist, në atë mendësinë e trurit të tij të pafurnizuar mirë me gjak, është munduar të gjejë edhe ai një shkurtprerje të tillë, një rrugë kalimi për të ruajtur pozicionin që ka. Të negociojë me Berishën për Tiranën “zonë të lirë” nuk i ka lënë vend vetes. Të fitojë me “forcat e veta” nuk ka para. Dëshiron marsin, që të shqyejë “kofshën e luanit” në fondet që i vijnë Bashkisë për vitin 2007…

Me fjalë të tjera, ai gjendet përballë një situate të pafavorshme, prandaj edhe ka kaluar në panik. Nga njëra anë, Sokol Olldashi ka treguar konsistencë dhe aftësi, se di të fitojë në situata të vështira, të tensionuara, edhe kur kundërshtari ka shumë para. Pra, paratë e Ramës nuk pinë ujë. Njëkohësisht, një grup i konsiderueshëm në PS, sidomos grupi afër Nanos, e shohin Edi Ramën me dyshim, pikërisht për arsyet e sipërpërmendura, dhe mund të punojnë afër tij, që ta shohin atë duke rënë në këto zgjedhje. Nga ana tjetër, kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, si edhe kryeministri aktual, e patën filluar para-fushatën me tone jo fort miqësore kundrejt Ramës, duke përmendur edhe kurbanin në një ditë feste, etj. etj. në vend që ta merrnin me të mirë atë “fëmijë të llastuar”, derisa të hynin në zgjedhje, pastaj t’i tregonin vendin.

Duke i bashkuar të gjitha këto elemente, me mbingarkesën e madhe që ka drejtimi i bashkisë së kryeqytetit, mbingarkesën që ka drejtimi i PS-së dhe koalicionit të majtë, mbështetur nga njerëz pa përvojë si zëdhënësi i PS-së, që s’di tjetër veç të bëjë grimasa e të kapardiset para kamerave në konferenca shtypi, apo të shkruajë leksionet e tij banale me shkumës në një dërrasë të zezë, sikur po jep mësim në ndonjë shkollë fillore; gjendur përballë një fushate të egër zgjedhore, dhe kërcënimeve elektorale të kampit të djathtë, Edi Rama është thyer! Paniku që ai shfaq për zgjedhjet nuk ka shkak, nuk ka arsye. Ky panik shpreh ndjenjën e brendshme që ka kreu socialist, i cili e sheh veten duke rënë nga lartësia pa gjak ku mbërrin koka e tij. Edhe një njeri i mësuar me vështirësi do të ndjehej i terrorizuar po të gjendej në pozicionin e Ramës sot, e jo më një “djalë i llastuar”…

Edi Rama ka frikë të ndeshet, ka frikë të përballet. Këtë gjë e ka kuptuar edhe doktor Berisha, i cili sheh tek Edi Rama një djalë në panik, që duhet të trajtohet si pacient. Berisha ka filluar ta marrë me të mirë Ramën; të zbusë tonet e sulmeve elektorale të tij, gjë që duhej ta kishte bërë më parë, por kush mund ta parashikonte se një Edvin i vrazhdë, ishte lepur në shpirt?! Berisha e ka kuptuar, se rruga pa krye që po ndjek Rama me partinë e tij, për të bojkotuar zgjedhjet vendore, është një rrugë e rrezikshme, që çon ujë në mullirin e atyre, që nuk ia duan të mirën shqiptarëve. Çdo krizë politike në Shqipëri, në kohën kur përcaktohet edhe statusi i Kosovës, ndikon drejtpërdrejtë në shkallën e pavarësisë që do gëzojnë shqiptarët e Kosovës pas përcaktimit të statusit.

Por Edi Ramës i intereson veç vetvetja. Ai përpiqet të gjejë një status për veten. Pikëpyetjet lidhur me faktin se si mund ta mbajë ai postin e kreut të PS-së, nëse humb bashkinë e Tiranës, e shqetësojnë vazhdimisht. Ai e di, se po i iku bashkia, ikën edhe partia. Se nuk ka më ku t’i gjejë paratë që të mbajë partinë. Deputet nuk është, dhe kështu del realisht jashtë loje plotësisht. Prandaj është i prirur ta çojë Shqipërinë deri në destabilizim institucional, vetëm që të ruajë një vend për veten.

Krisjet në kampin e majtë kanë filluar. Edi Rama synon protestat popullore, që të rrëzojë një qeveri të suksesshme. Po shkojmë në zgjedhje lokale dhe ai gëlthet “poshtë Berisha!” Por duket se shumë shpejt edhe PS do të çahet nga presioni i një egoisti, dhe Rama do të ketë pasues vetëm ata militantë të majtë kamikazë, që thonë: “më mirë të mos bjerë shi, që të mos kemi drita… kështu mund të fitojë PS-ja…”.

Botuar në: Gazeta “Rilindja Demokratike“, 27.12.2006

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: