Arben Çokaj

Shkëlqimi dhe rënia e çiftit Berisha-Topalli

Nga Arben ÇOKAJ, 13 nëntor 2010

Refuzimi që Bashkimi Evropian i bëri kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit të anëtarësimit për në BE, është goditja më e rëndë politike, që qeveria shqiptare dhe Shqipëria merr në këtë periudhë kohore. Uroj që ky refuzim i hapur dhe i prerë i BE-së, të shërbejë si mësim për maxhorancën e sotme, dhe sidomos për çiftin drejtues Berisha-Topalli. Por, duke njohur karakteret politike, që sot sundojnë vendin, etjen e tyre të pashuar për pushtet e pasurim të paligjshëm, kapjen e tyre nga krimi i organizuar e më gjerë, shpresat janë të pakta, që ata të dy mund të reflektojnë pozitivisht.

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, u kërkua pas këtij raporti, që të bëhet një mocion mosbesimi kundër Kryeministrit dhe Kryetares aktuale të Kuvendit, por përsëri nuk shpresohet shumë se Berisha do mund të largohet kaq lehtë, apo nëse ai do e lëshojë Topallin kaq lehtë. Ka vetëm një reagim instinktiv të znj. Topalli, për t’u strukur në vetvete, kur ndjehet e kërcënuar – por ajo do të shfaqet entuziaste dhe “më e fortë se kurrë” (në mendjelehtësinë e vet), sapo rreziku të kalojë.

Ilustrim i përdorur në gazetën Shekulli
Ilustrim i përdorur në gazetën Shekulli
Çifti që “me dorë të hekurt” drejton sot Shqipërinë, ka kohë që e ka humbur aftësinë për të reaguar në përputhje me interesat politike dhe kombëtare të vendit, për arsye se politika e tyre e dhunës dhe diktatit, është reduktuar ndjeshëm në përpjekjen e tyre maksimale për të mbajtur veten në pushtet, aq gjatë sa të munden. Pushteti i tyre u riciklua me votën e vjedhur një vit më parë, dhe qeverisja e këtij vendi është banalizuar si mos më keq, që nga fantazitë dhe premtimet e një kryeministri çmendurak, që pretendon në eter rritjen më të madhe ekonomike në Evropë, e deri tek varfëria absolute deri në dhimbje, që provojnë shumë familje shqiptare.

A do jenë në gjendje shqiptarët t’i largojnë këta njerëz nga keq-qeverisja? Koha do e tregojë. Por ajo që shihet qartë është se qoftë në faktorin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, “qeveria e integrimit” ka rënë në provim, pra, e ka humbur legjitimitetin. Raporti i BE-së flet politikisht, thotë shumë gjëra, që duhen thënë, por në Shqipëri ndodh më shumë se kaq. Gjendja reale e Shqipërisë është edhe më e rëndë. Por BE tregon kujdes dhe diplomaci, duke mos ia mbyllur rrugën e integrimit shqiptarëve, ndëra refuzon hapur qeverinë e tyre – qeverinë e kryesuar nga Berisha dhe Meta, dhe Kuvendin e drejtuar nga një kryetare, që me veprimet e saj bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Dhe ndërsa znj. Topalli struket tani e fshihet taktikisht pas Berishës, ky i fundit mundohet ta përballojë goditjen i vetëm. Edhe në vitin ’96-‘97, Berisha i vetëm u vu përballë Perëndimit, duke mos e lëshuar ish-kryeminstrin Meksi. Tani, ai në një proces qeverisje të ngjashëm me Putinin, ka kohë që është vënë përballë Perëndimit, duke i sforcuar ndjeshëm marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në dhe duke zhgënjyer të gjithë përkrahësit e tij seriozë, së fundi edhe znj. Doris Pack.

Këmbanat po i bien përditë kësaj qeverie, e cila keq-drejtohet nga një mjek i ç’ekuilibruar mendërisht, që nuk është në gjendje të marrë vendimet e duhura, as për veten e vet, e jo më për vendin. Burimet diplomatike pranë përfaqësive Perëndimore, besojnë se Kryeministri aktual është i kapur nga krimi i organizuar dhe Raporti i BE-së është mënyra më e qartë e refuzimit të tij politik dhe diplomatik. Ka kohë që ai nuk konsiderohet i besueshëm as si partner i NATO-s, por kjo ka kaluar pa ndonjë bujë të madhe. Ndërsa tani, me këtë raport të fundit, atij i thuhet një JO e prerë.

Në periudhën e fundit të qeverisjes së tij, edhe Gerhard Shrëder lajthiti nga pushteti. As ai nuk donte të largohej nga posti i tij dhe për këtë arsye, për të mbajtur pushtetin pra, ai i sforcoi relacionet edhe me SHBA-të, kundërshtoi egër ndërhyrjen e aleatëve në Irak dhe bëri aleancë me Francën e Rusinë, duke ngjallur edhe një herë boshtin gjeo-politik “franko-gjermano-rus”. Në atë kohë, kancelarja e sotme e Gjermanisë, Angela Merkel, si kryetare e opozitës, përmes një artikulli në New York Times, i kërkoi ndihmë SHBA-ve, që të mos e braktisin vendin e saj, pasi siç shprehej ajo, “Gjermania mund të mbyllet në vetvete dhe kjo mund ta dëmtojë vendin…”.

Meqë Gjermania është një nga vendet më të fuqishme në botë dhe ndikon ndjeshëm në ekuilibrat politikë dhe ekonomikë të globit, interesi amerikan për ta ruajtur Gjermaninë të pacënuar nga fryma e keq-qeverisjes apo e cënimit të demokracisë, është padyshim më e madhe, në krahasim me Shqipërinë. Gjermania gjeti forca brenda vetes, për ta larguar Shrëderin në një mënyrë të butë, me një koalicion të madh, duke ia kundërvënë Shrëderit mbështetësit e partisë së tij, pasi partia e tij po humbiste elektorat, ndërsa në Shqipëri kjo nuk pritet të bëhet për dy arsye: 1. Berisha e ka ngordhur PD-në politikisht, ajo merr frymë vetëm prej frymës së tij dhe 2. Berisha nuk pyet për votën e lirë, sepse e vjedh atë. Të gjithë ata që kanë teguar individualitet dhe integritet në PD, janë larguar ose shmangur me kohë nga partia. Pra, nuk besohet një vetë-pastrim i PD-së me forcat e veta – se Berisha dhe Topalli kanë afruar rreth vetes vetëm njerëz të bindur dhe pa integritet.

Pritet më shumë nga opozita, e cila me një kryetar të formuluar mirë dhe ide të qarta si Edi Rama, po çalon disi në planin e veprimit politik. Të merresh me një drejtues politik të paqëndrueshëm si Berisha, i cili përdor çdo mjet (deri edhe vrasjet) për të ruajtur pushtetin e tij, në shërbim të qarqeve të caktuara mafioze dhe që premton e gënjen vazhdimisht ndërkombëtarët me makinerinë e tij të shpifjes e mashtrimit, duke shpërndarë shpifje dhe gënjeshtra “të besueshme”, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk është edhe fort e lehtë. Në krahasim me Berishën, refuzimi i BE-së me raportin e fundit, e nxjerr Edi Ramën të fituar politikisht, megjithëse pa entuziazëm, se kur humbet Shqipëria, nuk është i fituar as Edi Rama.

Sidoqoftë, ora e qeverisjes së çiftit Berisha-Topalli ka filluar të numërojë mbrapsht. Ata të dy e kanë shpërdoruar besimin, që u pati dhënë elektorati shqiptar në vitin 2005. Ata shkëlqyen për disa muaj me premtimet e tyre për luftë kundër korrupsionit, etj., dhe na gënjyen të gjithëve. Por dështuan shumë shpejt dhe lustra e tyre ra në një qeverisje agresive dhe arrogante, që sulmon çdo individ, që merr guximin të mendojë apo shprehet ndryshe në këtë vend. Metodat e përdorura prej tyre, janë metoda diktati dhe penalizimi për çdo qytetar shqiptar, që mendon mirë për këtë vend, por që nuk i shërben çiftit Berisha-Topalli, të cilët po e mbysin këtë vend në borxhe dhe po e rëndojnë ndjeshëm ekonominë e Shqipërisë. Prandaj, herët ose vonë, ky çift do detyrohet të largoghet nga pushteti. Rënia sapo ka filluar… Se sa do zgjasë, është çështje kohe, dhe varet nga rrethanat që do të krijohen.

Botuar në: Shekulli, 15.11.2010 | TemA, 14.11.2010

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: