Arben Çokaj

Veprimet e matura të presidentit Rugova

Shkruan: Arben Çokaj
Cili është ai shtet që ka president dhe nuk është i pavarur? Cili është ai shtet, ku parlamenti i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve duhet të zbatojë ligjet e bëra nga të tjerët?
Radha e pyetjeve mund të jetë e gjatë, dhe këto pyetje shqetësojnë gjithësecilin prej nesh, në këtë fazë të ndërmjetme të Kosovës, në rrugën e saj drejt pavarësisë.

Nuk ka asnjë dyshim, se para numrit një të politikës kosovare pikëpyetjet janë më të shumta dhe detyrimet më të mëdha. Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova po hedh kohët e fundit hapa të matura e të domosdoshme, në drejtim të pavarësisë së vendit të vet. Dihet që çdo shtet i pavarur, ka simbolet e tij të shenjta dhe se pavarësia e një vendi ka nevojë edhe për vizione të qarta, që shoqërohen me simbolet e veta. Pra, edhe pavarësisë së Kosovës i duhet simboli i saj, shtëpia e saj, dhe kështu presidenti Rugova me mjaft dinjitet, i frymëzuar në një stil amerikan, përuroi Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës, pikërisht me 23 dhjetor 2002, në 13-vjetorin e krijimit të LDK-së – rezistencës politike paqësore të shqiptarëve, përkundër makinës vrasëse e çnjerëzore të regjimit serb.

Duke qenë se Dr. Rugova ka patur një njohje të mirë të diplomacisë së re evropiano-perëndimore dhe mentalitetit politik në perëndim, ai është përpjekur gjithnjë t’ia drejtojë rrugën popullit të vet drejt fitimit të arsyes politike e paqësore shqiptare, mbi pasionet e egra të politikës pushtuese serbe. Dhe jo pa simpati janë parë veprimet politike të z. Rugova nga politikanë amerikanë e evropianë në këto 13 vjetët e fundit, ndonëse z. Rugova nuk ka mbetur edhe pa u kritikuar nga disa koka të nxehta të bashkëatdhetarëve të tij.

Me karakteristikat e një politikani largpamës e paqësor, me sensin e hollë politik e kulturor, Dr. Rugova e di mirë se çfarë i duhet popullit të vet. Ai ka udhëhequr me sukses një politikë disa vjeçare drejt pavarësisë së Kosovës, dhe kohët e fundit po shfaqen lëvizjet e tij të matura e të shtrira në kohë, më larg sesa mendimi i shumëkujt, dhe në përputhje e harmoni të plotë me interesat e shtetësisë së Kosovës.

Procesi i gjatë i pavarësimit të një vendi është i mbushur me ngjarje rrëmbyese, me luftë e gjakderdhje rrënqethëse, me thënie e kundërthënie, më përkrahës e kundërshtarë. Ka rëndësi që rezultantja e të gjitha forcave që veprojnë mbi një vend, i cili shkon drejt pavarësisë, të ketë në radhë të parë një kahje pozitive. Pastaj forcat vepruese duhet të mblidhen dhe të dominojnë tryezën e bisedimeve, në mënyrë që në kohën e vendosjes, pavarësia të bëhet realitet. Pavarësisht vështirësive të fillimit, në këtë rrugë të gjatë, Kosova e ka dhënë provën e saj të pavarësisë, qoftë me popullin e saj vital që kërkon pavarësi, me zgjedhjet e lira e demokratike, që janë zhvilluar në mënyrë paqësore në Kosovë, dhe me klasën politike të matur, që ka krijuar kulturë politike për një kohë mjaft të shkurtër.

Politika kosovare sot, me përjashtim të disa rasteve të veçanta, nuk është përjashtuese. Mendimi politik që sundon në Kosovë, është mendim i pjekur, sidomos në pikëpamjet kombëtare, dhe në marrëdhënie të mira e reciproke me fqinjët. Në politikën e brendëshme, Kosova synon të ketë si themel kryesor një politikë tolerante e moderne ndaj etniciteteve e minoritetve të ndryshme.

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili sot ndodhet në një gjendje pritjeje, derisa të konsiderohet zyrtarisht edhe nga të tjerët si Presidenti i Republikës së Kosovës, po ecën në vazhdën e veprimeve të matura të tij, duke ruajtur gjithmonë të paprekshëm vizionin e tij të pavarësisë. Në çdo bisedë me politikanë e zyrtarë të lartë të perëndimit, ai u kërkon atyre me politesë, që ta njohin edhe formalisht pavarësinë e vendit të tij. Nga ana tjetër, ai me diplomacinë amerikane, sillet si amerikan. Pra tregohet pragmatist, i vendosur e vepron hapur. Emëron me të drejtë ish-senatorin e nderuar Bob Doll si ambasador nderi të Kosovës në Washington, gjë që pritet pozitivisht nga z. Doll.

Pothuajse në të njëjtën kohë, në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, me 28 nëntor 2002, Dr. Rugova hedh idenë e tij për simbolet e reja të Kosovës, që janë të domosdoshme në rastin e pavarësisë. Himni i ri i flamurit të Kosovës, ekzekutohet për herë të parë solemnisht me rastin e përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës, me 23 dhjetor 2002, në prag të këshëndellave.

Dr. Rugova e përdor mirë simbolikën politike dhe orientimin e tij drejt perëndimit, nga shkon edhe mendimi i popullit shqiptar – drejt integrimit në strukturat evropiano-perëndimore. Që pavarësia të vijë, ajo ka nevojë edhe për shtëpinë e vet. Dr. Rugova nuk dëshiron që politika e ndjekur në Kosovë të bjerë viktimë e ndryshimit të vogël që ekziston ndërmjet mentalitetit politik amerikan dhe atij evropian, por përpiqet të shfrytëzojë anët pozitive të të dyja këtyre mentaliteteve politike, për qëllimin e tij përfundimtar, pavarësinë e Kosovës. Diplomacisë amerikane i pëlqejnë veprimet e matura, ndërkohë që diplomacia Evropiane pas një akti të kryher drejt e në përputhje me vullnetin e një populli, pranon të tolerojë. Dr. Rugova hedh kështu hapat e tij të mençura drejt pavarësisë, duke mënjanuar njëkohësisht edhe zërat kundërshtarë, të cilët nga mosdija politike apo nga ndonjë arsye tjetër kundrapedali, po synojnë gjithmonë t’i bëjnë jehonë së keqes.

Pavarësia e Kosovës është në fakt një realitet, por ajo duhet të njihet edhe zyrtarisht në radhë të parë nga shtetet më të fuqishme të botës, dhe nga OKB-ja. Në kohën kur administrata amerikane, pas ngjarjes tragjike të 11 shtatorit 2001, u preukupua me luftën kundër terrorizmit në Afganistan, e tani me problemin e Irakut, dhe kur politika evropiane nuk është e konsoliduar sa duhet në një mendim të vetin, pasi Bashkimi Evropian është në organizim e sipër dhe nuk ka marrë akoma iniciativa në vetvete, problemi i Kosovës duket se del në hije, ndërkohë që UNMIK-u kryen detyrimet e tij në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Që pavarësia e Kosovës – ky akt i shenjtë për popullin e Kosovës, të mos injorohet apo banalizohet në diskutime kafenesh, apo rangje politikanësh të kategorisë së dytë, dikush duhet të dalë e t’i prijë këtij procesi. E kush më mirë se presidenti Rugova da ta mbronte të drejtën e popullit të vet për pavarësi?

I ndërgjegjshëm për rolin e tij historik, pas një pune të gjatë e plot sakrifica, presidenti i Kosovës po tregon kohët e fundit, se nuk është kori i zërave të mekur që do mund të instrumentalizojë politikën kosovare, në kundërshtim me verdiktin e popullit të Kosovës për pavarësi. Por duhet të jetë pikërisht presidenti i zgjedhur me votën e lirë të këtij populli, përfaqësuesi politik më dinjitoz i Kosovës, ai që duhet t’i paraprijë këtij procesi e të veprojë për jetësimin e pavarësisë së Kosovës edhe nga ana formale, pra juridike. Dhe Dr. Rugova duket se ka menduar që koha për veprim ka ardhur.

Të mendojnë çfarë të duan të tjerët, Kosova duhet të jetë një shtet i pavarur! Ky akt duhet të bëhet fakt i kryer.

Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës u përurua. Në emër të popullit shqiptar të shumëvuajtur të Kosovës, le të bëjmë një urim të madh në këtë prag festash: Mirësevjen o Pavarësi në Shtëpinë Tënde!

24.12.2002
Publikuar:
QIK – opinione,
Trepça.net – letra të hapura

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: