Arben Çokaj

Një rrugë për në Shkodër…

Nga Arben Çokaj, 12.04.2007

Më ka takuar shpesh të udhëtoj me makinë nga Shkodra për në Frankfurt, Gjermani dhe të kthehem. Udhëtimi natën në rrugën nacionale Shkodër – Hani i Hotit (kufiri me Malin e Zi) të rrezikon që të biesh në ndonjë gropë dhe të shtrembërosh edhe diskun e ndonjë rrote. Herën e fundit, kjo gjë na ndodhi edhe ne, dhe përshkuam rreth 1800 km, me një rrotë të shtrembëruar e një kupë të humbur… Nejse, mirë që nuk thyem kokën! Kot nuk paguajmë nga një Euro çdo ditë, që makina jonë (me targa të huaja) rri në Shqipëri, për rrugë të tilla, që veç dëmtojnë makinën. Në asnjë vend tjetër në këtë zonë të globit nuk paguhen rrugët dytësore, përveç autorrugëve – vetëm në Shqipërinë tonë të dashur. Një detyrim ky, që mund të pengojë një numër të madh turistësh që të kalojnë për një herë të dytë në Shqipëri – dhe jo vetëm kjo!

Respekt për vetveten

Në përpjekje për të krijuar identitet, njerëzit krijojnë një respekt për veten. Si bashkësi, ne shqiptarët respektin për vete e kemi mjaft të ulët dhe të kamufluar shpesh me sjellje fodulle. Pse nuk bëjmë diçka të mirë, për të treguar se dimë të jetojmë, se jemi njerëz të zgjuar?!


Rruga nacionale në hyrje të Shkodrës
Rruga nacionale në hyrje të Shkodrës

Shiko: Rrugën e asfaltuar, ndikuar edhe nga ky shkrim

Në vend që të priremi drejt një kulture evropiano-perëndimore, ku dhe dëshirojmë të integrohemi, ne ndërtojmë arkapia të larta që të “mbrojmë” shtëpinë – që as në Mal të Zi nuk i sheh; bllokojmë trotuaret me shitës ambulantë, të cilët tregtojnë edhe perime e fruta në ambiente balte e pluhuri; shtrojmë rrugë me kanale të hapura anësore brenda qytetit – që mund të kthehen në vatra infeksioni; nuk i mirëmbajmë fare rrugët, se dikush ka dëshirë të vjedhë paratë publike që jepen për ato shërbime; shpenzojmë miliona për të bërë rrugë të cilësisë së lartë dhe produkti nuk bëhet kurrë ashtu siç duhet… etj. etj. Pse ndodhin këto fenomene në Shqipëri?! Se dikush i ka qejf paratë… E kush nuk i ka qejf paratë?! Pse e gjithë kjo shkrehje në kulturën e këtij populli?!… Pse nuk themelohet vetëdija e fitimit përmes një pune të ndershme?!

Ndërsa merr rrugën për në Shkodër nga ndonjë zonë e Malësisë së Madhe, bën si bën deri tek ish-SMT-ja, dhe aty rruga bëhet e pakalueshme. Asaj nuk i thonë rrugë! Të vjen turp nga vetja, që je pjesë e këtij realiteti, dhe në mendje fillon revoltimi për të mos u kthyer kurrë më në këtë vend, po të mos jesh pjesë e kësaj race… Pse bëhemi kaq të padëshiruar për të tjerët, pse ia shkatërrojmë jetën kështu vetvetes? Gjithçka ka të bëjë me kulturën, një subkulturë e një populli, që vazhdon të jetojë i izoluar në mendim, sa i përket politikave të zhvillimit… Në sfond dëgjohet zëri i një deputeti të vetë-kënaqur, i cili i jep intervistë një kanali televiziv lokal: “Emigrantët do të mrekullohen kur të vijnë e të shikojnë ndryshimin që do të bëjmë…”

Të zgjedhurit tanë dhe drejtuesit politikë kanë një njohje të përciptë të realitetit. Edhe udhëtimet jashtë shteti, që bëjnë me paratë e taksapaguesve, apo nga favoret që u jep të qënit deputet apo diku të punësuar në shtet, u japin një njohje sipërfaqësore të realitetit perëndimor – një zhvillim shoqëror e mirëqenie, që vetëm e shohin dhe që nuk i përket Shqipërisë… Përse? A nuk jemi ne në gjendje ta zhvillojmë vendin si të tjerët? Të zgjedhurit tanë kanë disa interesa meskine, që i pengojnë ata ta zhvillojnë këtë vend, me aq mundësi e para që kemi. Të zgjedhurit tanë nuk e respektojnë vetveten, si rrjedhojë as të tjerët, prandaj ata nuk bëjnë sa duhet për ta përdorur paranë publike me efektivitet. Sapo synon të dalësh nga normat e konjukturimit, ndesh në një kundërshti absurde të realitetit që të rrethon, të atij realiteti që është krijuar nga subkultura izoluese e një populli, që vuan nga padija e vet dhe e drejtuesve që ka.

Një rrugë që të ha kokën

Para disa javësh, 10 vetë humbën jetën në një rrugë të Dukagjinit. Fugoni me të cilin po udhëtonin, ra në humnerë. Paratë për të zgjeruar, bërë apo siguruar një rrugë, kalojnë në xhepa pushtetarësh, herë të majtë e herë të djathtë, dhe ti përjeton gënjeshtra telenovelash të drejtorit rajonal të rrugëve, i cili ka hyrë në punë i “detyruar” nga të tjerët dhe jo për rrogën e vogël që merr… Ironi e fatit! Të vjen keq për të…

Forca punëtore vitale e shqiptarëve sforcohet që të gjejë rrugët e emigrimit – si mënyrë për të siguruar një jetë më të mirë. Dhe mirë ia bëjnë. Atje jashtë, në vendet perëndimore, sado i diskriminuar që ndjehesh në disa raste, je më i respektuar se në vendin tënd.

Mekanizmi që vepron në vendet e zhvilluara e ka një synim – zhvillimin, ndërsa këtu në vendin tonë të dashur, që trilli i rastësisë na bëri pjesë të tij, mendimi i zgjuar dhe kontributi pozitiv syrgjynoset… Shqiptarët janë shumë xhelozë për gjërat e mira. Tjetri ndjehet keq nëse bën diçka të mirë, që nuk i ka shkuar në mendje atij më parë për ta bërë, dhe gjëja e parë që ai bën, fillon e të kundërshton në absurdin e një loje pambarim… Lojë me vetveten në një padije infantile…

Rrugëkalimi i Lekë Çukajt

Nëse pyet deputetin e zonës 3, se a e ka parë rrugën si është bërë në zonën e tij, ai të hakërrehet: “Ku e di ti se nuk e kam parë?!” Duket se deputeti i zonës, i cili falë rrethanave fitoi kundrejt ish-deputetit Lekë Çukaj, nuk ka ndikim të madh për të përdorur siç duhet paratë që janë dhënë për të bërë rrugën. Ose energjitë e tij pozitive i harxhon në projekte të tjera. Dhe nuk ka faj, të gjithë shikojnë interesat e veta në këto ditë… Po interesat e bashkësisë kush duhet t’i shohë? Përse e marrin votën dhe të ardhurat e majme të zgjedhurit tanë? A duhet ata, që përveç ndërrimit të makinave, të bëjnë më mirë rrugët, që edhe ata që s’kanë makina, të mund shërbehen me një transport publik, qoftë urban ose interurban?

Ironia e fatit të sjell përsëri në kushtet e një cikli të mbyllur. Një rrugë dytësore, e shtruar për efekt elektoral nga ish-deputeti Çukaj, me anë të së cilës ai financoi fushatën e tij, përdoret sot si rrugëkalim, për të shmangur llahtarin e hyrjes në Shkodër. Nga ana tjetër, paratë që u patën dhënë për të bërë kanalet kulluese në lagjen Dobraç, në hyrje të Shkodrës – rreth 12 milionë të reja – u përvetësuan të gjitha. Kur deputeti i ri kërkoi llogari për paratë, ish-kryetari socialist i komunës rrethina, filloi të vinte disa tuba të ngushtë në një kanal, për të justifikuar paratë. Kjo ide u bllokua nga deputeti i zgjuar, i cili megjithatë harroi se ku shkuan paratë, dhe kanali kullues mbeti i bllokuar – në mënyrë që uji të rrjedhë mbi asfaltin e një rruge elektorale, e cila ndonëse e shtruar keq, shërben këto ditë si rrugëkalim për automjetet që duan të hyjnë në Shkodër.

Për të shmangur rrugëkalimin e ish-deputetit Çukaj, janë dhënë dy herë fonde për të riveshur rrugën e hyrjes së Shkodrës. Një herë 8,4 milionë dhe një herë tjetër 8 milionë. Ku kanë shkuar paratë? Komenti zyrtar nuk e di si tingëllon… Sigurisht që gropat janë mbyllur – dhe janë hapur përsëri nga shirat… Por asnjë shtresë asfalti nuk është shtruar – dhe për këtë arsye rruga vazhdon të jetë e pakalueshme. Mediat lokale e kanë ngritur zërin sa e sa herë, por nuk ka asnjë reagim zyrtar. Njerëzit në Shkodër dhe Malësi të Madhe votuan kandidatët e djathtë në zgjedhjet lokale, me shpresë që të investohet diçka më shumë dhe që vala e investimeve të premtuara në Shkodër, të rregullojë edhe hyrjen e saj në rrugën nacionale, që na lidh me Malin e Zi.

Një premtim italian

Ka vite që përmendet një investim italian prej 22 milionë Eurosh për të bërë rrugën Shkodër-Hani i Hotit, e cila ndonëse ka gropa dhe nuk i plotëson as kushtet e një kategorie të rrugës superstradë, kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës e konsideron atë si autostradë. A thua kjo të jetë arsyeja pse vazhdojnë të na marrin nga një Euro në ditë për të udhëtuar në Shqipëri me makinë me targa të huaja? Se rrugët me gropa, disa titullarë jashtë kohe i konsiderojnë si autostradë…?!

Kryetari i ri i Bashkisë nuk pritet të bëjë ndonjë ndryshim të madh në Shkodër, pasi të gjithë e njohin atë për paaftësi, meskinitet, disrespekt dhe hakmarrjen që tregon kundrejt bashkëqytetarëve. Kryetari i ri i Bashkisë është mosmirënjohës, një ish- i persekutuar i regjimit të kaluar, i mbushur me komplekset e persekutimit, ish-punëtor në uzinën mekanike, që ka marrë një diplomë juristi pa shkuar në shkollë fare, i konsideron studentët e dhjetorit si spiunë të dhjetorit, vetëm se ata i dhanë mundësi atij që të bëhet kryetar Bashkie, me ndryshimin e regjimit, që solli lëvizja e dhjetorit 1990! Kësaj i thonë: Bëmë baba të të ha!

Gropa që quhet Shkodër

Si popull i vogël, ne shqiptarët nuk ndryshojmë shumë nga njëri-tjetri. Por kufizimet e lirisë së lëvizjes kanë bërë të mundur që të krijohen në popullin tonë disa subkultura lokale, përsa u përket disa ndryshimeve të dialektit apo zakoneve shoqërore, mentalitetit apo karakterit. Në Shkodër duket mjaft e theksuar kultura e një konkurrence banale kundërshtuese, aq sa të krijon përshtypjen e një metafore, që mund ta përdorim si ilustrimin. Një gropë e madhe, ku të gjithë shkodranët kanë rënë brenda. Në përpjekjen e përditshme për të dalë nga gropa, ata shtyjnë njëri-tjetrin në gropë, në vend që ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të dalë nga gropa ku kanë rënë…

Një burrë i vjetër në Shkodër po më tregonte një ditë, se një pasha turk nuk kishte mundur të hynte në Shkodër, pasi ishte bllokuar në hyrje të saj… “Fatkeqësisht” – ia ktheva, “Shkodra sot tregon tendencë të kundërshtojë edhe hyrjen e zhvillimit në këtë qytet.” Dhe vërtetë, deputetët e Lezhës, disa prej të cilëve intelektualë të njohur në Shqipëri, kanë bashkëpunuar dhe e kanë zhvilluar qytetin e tyre më shumë se Shkodra vetveten. Në Shkodër kemi më shumë deputetë, shumica e të cilëve tregohen konkurrentë në shkretëtirën e mendimit meskin, dhe trumbetojnë zhvillim, kur rrugët i lënë për faqe të zezë…

Vendi i të vdekurve

Kur nisem nga Frankfurti për në Shkodër, një ndjenjë trishtimi ma përshkon qenien… Rrugët e mira vazhdojnë deri në mes të Kroacisë (Split), pastaj rruga vjen duke e prishur cilësinë. Kaloj në Mal të Zi, ku rrugët me dredha përmes maleve, janë një ankth në vete, dhe përfundoj në Shqipëri, ku gropat në rrugë përbëjnë një rast të eksplicit, që i tregon turistëve të huaj, se sa krahëthatë është ky popull dhe se çfarë drejtuesish ka. Ky është vendi i të vdekurve – vendi ku njerëzit gjithë jetën mendojnë se si do të jetë jeta e përtejme, pasi në këtë jetë nuk dinë të jetojnë më mirë.

Arratisem nga ky vend për të harruar kapardisjen banale të kryetarit të Bashkisë Shkodër dhe më gjerë, të ndonjë deputeti, që i harron premtimet, sepse pushteti i ka dhënë mundësi për t’i blerë makinë edhe gruas në Tiranë. “Ia ka bërë zoti rrisk…” – shprehet ndonjë banor fatkeq i zonës së tij. Por pyetja bëhet, “po rrugët tona kush do t’i bëjë?!” Kur ky popull do ta marrë veten nga keq-qeverisja shekullore, do të gjejë mënyrën edhe për të bërë rrugët…

Botuar në: Gazeta Standard, etj.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: