Arben Çokaj

Politikanët shqiptarë

“Mbi trupin thatim të Shqipërisë,
shtrihen barkiçët sa gjërë e gjatë…”

“Një prift grek i nderuar, i kishte huazuar një shumë të madhe parash një tregëtari, dhe fatkeqësisht kishte harruar të merrte një dëshmi për këtë. Kur kërkoi që t’i ktheheshin paratë, tregëtari e mohoi faktin e marrjes së parave, kështu që prifti vendosi ta shtronte këtë problem para Pashait.”

Udhëtojmë kështu prapa në kohë rreth vitit 1820, dhe duke iu referuar librit historik “Diamanti i Janinës” të Uiliam Plomer, do të shohim se si Ali Pashë Tepelena e zgjidhi këtë mosmarrëveshje, duke përdorur “gjetjen e Solomonit“.

“Pasi dëgjoi deklaratat e të dy palëve, Aliu sqaroi se nuk mund të arrinte në asnjë konkluzion dhe e anuloi çështjen – por urdhëroi që para se të iknin, si paditësi ashtu edhe i akuzuari, të peshoheshin. Pas një jave a dy, ai i thirri përsëri ata dhe i ripeshoi. Aty u pa që tregëtari kishte shtuar disa kilogramë në peshë, ndërsa prifti gati i çmendur nga dëshpërimi, kishte humbur proporcionalisht në peshë. Atëherë Aliu iu kthye tregëtarit dhe i tha se do të ishte më mirë për të, që t’i kishte paratë e ruajtura për t’ia dhënë priftit, se përndryshe do i pritej koka. Tregëtari u shtri përmbys, duke pranuar marrjen e huasë dhe në mënyrë të menjëherëshme, ia ripagoi ato priftit, me interesin e caktuar.”

Jemi afro dy shekuj më pas. Kohët kanë ndryshuar, por duket se mentaliteti dallkauk i disa prej politikanëve shqiptarë, fatkeqësisht nuk ka evoluar shumë. Prandaj, zgjidhja e Aliut, apo gjetja e Solomonit, do i shërbente mjaft mirë popullit shqiptar për të vlerësuar të “drejtën politike”, në skenën e politikës shqiptare. Mjafton të peshohen disa nga krerët e së majtës në pushtet, dhe disa prej krerëve të opozitës së djathtë. Nuk ka dyshim që një vlerësim i tillë (vetëm në të parë, e jo më në të peshuar), do rezultonte në faktin se, krerët e pozitës socialiste, jo vetëm që i kanë borxh opozitës së tyre, por janë mbytur në borxhe përkundrejt mbarë popullit shqiptar.

Dhe politikanët e pozitës largohen… ata distancohen çdo ditë nga populli i tij, nga realiteti i këtij populli të vuajtur. Largohen sepse kanë borxhe të mëdha. Një thënie e vjetër tregon: “Nëse do që të heqësh qafe dikë, jepi borxh!” dhe borxhliu nuk do e shfaqë fytyrën e tij para teje. Por duket se edhe kjo nuk vlen shumë në Shqipëri, përderisa politikanët tanë të majtë në pushtet kanë filluar të pëlqejnë veten, dhe shfaqen çdo ditë me ngjyra, në kutitë e vogla të ekraneve. Ata kanë zëvendësuar sot edhe humoristët shqiptarë, duke argëtuar popullin me batuta humori, sa herë që akuzohen për krime. Pra, kemi të bëjmë me paradokse të një pas njëshme, me paradokse që nuk mund të numërohen…

Një filozofi e re politike është në rrugë e sipër. Një filozofi që kundërshton normat demokratike dhe liritë bazë të njerëzve, të njohura deri më tash, qoftë kjo edhe e drejta e votës dhe respektimi i saj. Edhe në shtete të tjera të Evropës, ka filluar të lind një ide e tillë: ideja e përjetësisë. Politikanë të së majtës evropiane, të sëmurë nga narcizmi, kujtojnë se janë të pazëvendësueshëm. Të paktën kështu veprojnë…

Por le t’ia lëmë këto halle kokë-patateve (nga haloperidoli) të politikanëve të ndryshëm në Evropë, e të kthehemi në bazë. Aty ku na dhemb dhëmbi, shkon edhe gjuha…

Shqipëria akuzohet edhe nga Bashkimi Evropan për lidhjen që zyrtarë të lartë shtetërorë kanë me krimin e organizuar. Por organet respektive të drejtësisë shqiptare, ndonëse e pranojnë këtë gjë, nuk kanë qenë në gjendje të kapin ndonjë peshk të madh. Arsyet mund të merren me mend.

Opozita dhe lideri i saj kryesor Berisha, akuzojnë çdo ditë, me ose pa prova, lidhjet e qarqeve të caktuara të shtetit me krimin e organizuar, që po rrënon shoqërinë shqiptare, dhe po ekzekuton njërin pas tjetrit biznesmenët e njohur shqiptarë, për t’iu marrë pronat dhe biznesin, ashtu siç bënë edhe me arin e thesarit të shtetit shqiptar, pasi morën pushtetin më 1997.

Shfytyrimin e disa prej politikanëve shqiptarë dhe babëzinë e tyre, e sheh tek pamja e tyre e jashtme, tek mbipesha e tyre bajate. Mungesa e kulturës në të ngrënë, paraqet në një farë mase edhe shkallën e kulturës së tyre si njerëz, dhe është pasqyrim i qartë, veç tjerash, edhe i horizontit të tyre politik, përballë një populli të varfër e anemik. Rrallë herë sheh në perëndim politikanë të deformuar nga dhjami në atë mënyrë siç është vargu i krerëve të lartë të PS-së, në Shqipërinë e pas 1997-s. Dhe ndonëse kjo është një problem personal i tyre, që na përjashton ne nga e drejta e diskutimit, ata janë persona publikë, dhe të ardhurat e tyre (njëkohësisht edhe dhjami) sigurohen mbi kurrizin e popullit shqiptar.

Duke mos respektuar votën e lirë, duke injoruar me burrokracinë e tyre të drejtat e shtetasve shqiptarë, duke kaluar për qëllime personale në xhepat e tyre pjesën më të madhe të të ardhurave nga doganat dhe biznesi shqiptar, në vend të investimeve të ndershme dhe hapjes së vendeve të punës, politikanët e pozitës shqiptare sot, kanë krijuar një precedent të rrezikshëm për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

Dëgjojmë lajme shpeshherë se njerëz të ndryshëm vrasin apo varin veten, pasi nuk kanë me se të jetojnë, ose të mbajnë familjen. Skamja është njëra anë, por edhe degjenerimi moral dhe papërgjegjshmëria e tejskajshme e politikanëve që drejtojnë sot shtetin shqiptar, e shoqëruar kjo me një mbyllje të plotë të shoqërisë shqiptare nga vendet evropiane, si në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, krijon një situatë pa rrugëdalje për shumë qytetarë shqiptarë.

Politikanët shqiptarë të pozitës, mendojnë se i kanë punët mirë për vete. Ata “krekosen” se kanë privilegjin të dalin jashtë shteti sa herë të duan, dhe të jetojnë në një bollëk idilik të ardhurash nga burime anësore. Ndërsa qytetarët e popullit që ata drejtojnë, duhet të gjejnë rrugë ilegale për të dalë jashtë vendit, pasi e kanë të vështirë të sigurojnë bukën e gojës në vendin e tyre. Gjë që nuk duhet të ishte kështu!

Politikanët e sotëm shqiptarë, duhet të mos kënaqen vetëm me rregullimin e punëve të tyre personale. Misioni i tyre është më i gjërë. Ata duhet të rrisin besueshmërinë tek kolegët e tyre evropiano-perëndimorë, duke zvogëluar ndjeshëm “mbipeshën” e tyre personale, dhe duke kontribuar në hapjen e kufinjve të Shqipërisë, ku qytetarët shqiptarë do mund të dilnin lirshëm për të punuar sezonalisht në vendet perëndimore, do zbusnin varfërinë e tyre dhe do kishin një lidhje më të drejtë me realitetin.

Politikanët shqiptarë i kanë borxh, në radhë të parë, votën e lirë votuesve shqiptarë. Krijimi i mekanizmave që respektojnë votën e lirë, do të ishte fillimi i respektit që klasa politike shqiptare, duhet të tregojë për qytetarët e saj, do ishte fillimi i emancipimit politik të shoqërisë shqiptare.

Populli shqiptar e meriton të jetojë më mirë. Ne nuk kemi pse ta kërkojmë zgjidhjen tek ekspertë të huaj, që mund të kontrollojnë doganat, gjyqet, etj. Ne jemi në gjendje ta përparojmë Shqipërinë, duke u bazuar në radhë të parë në vullnetin tonë të sinqertë, dhe duke detyruar politikanët tanë të emancipohen, në mënyrë që të mos kemi nevojë t’i peshojmë ata.

Arben Çokaj, 23 maj 2003


Publikuar në:
Gazeta “Illyria“, New York | Gazeta “Albania”, Tiranë

Dërguar për:
QIK, opinione |
Gazeta “TemA“, Tiranë

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: