Arben Çokaj

Shqipëria përtej dëshpërimit

Nga Arben Çokaj, 22 tetor 2008

Fenomeni i qeverisjes përkundër dëshirës dhe interesave të shumicës së popullsisë, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Gjërat nuk janë të ndara me thikë, prandaj është përcaktuar një afat kohor katër vjeçar për vendet demokratike, që të bëjnë rotacionin e pushtetit. Në demokracitë e reja, ku vazhdon të jetë edhe Shqipëria, ky rotacion rekomandohet të jetë sa më i shpeshtë, ndoshta një herë në dy vjet, pasi drejtuesit politikë në këto vende janë autokratikë dhe me anë të rotacionit të pushtetit, ata duhet të mësohen me humbjen e pushtetit, si diçka e natyrshme në demokraci. Përkundër ligjshmërisë demokratike të qeverisjes së një vendi, drejtuesit politikë dashurohen me pushtetin e tyre, pasi kanë favore të mëdha, dhe kapen pas sukseseve të vogla, si i mbyturi pas fijeve të barit, kur vendi nuk shënon suksese të mëdha.

Në të gjitha ato rate, kur qeverisja bëhet e padëshiruar, qoftë për faktorët ndërkombëtarë, qoftë për banorët e vendit, vazhdimi i qeverisjes nga të njëjtit drejtues politikë humbet natyrshmërinë, kthehet në stërmundim, bëhet një qeverisje e sforcuar dhe vendi e popullsia kalojnë në një gjendje pasigurie e dëshpërimi. Këmbëngulja për vazhdimin e qeverisjes, në këto kushte, bëhet gradualisht e padëshiruar. Vendi kalon përtej dëshpërimit – dëshpërim që drejtuesit politikë ia kalojnë popullsisë. Në këto kushte ndodhet Shqipëria sot. Po përmend tre raste, kur drejtuesit politikë, pavarësisht stërmundimit të tyre dhe kacavarjes pas pushtetit, janë detyruar të largohen, pavarësisht se me përpjekjen e tyre, ata mundën ta zgjasnin qëndrimin në pushtet. Përshpirtja për të mbajtur pushtetin, sjell me vete doemos ndëshkimin për partinë në pushtet, pasi partia kundërshtare mund të rrijë më gjatë në pushtet, si rezultat i dobësive të paraqitura nga partia në fjalë, që është në rënie të lirë.

Në Danimarkë, ish-kryeministri socialdemokrat Paul Nyrup Rasmussen e humbi kontrollin mbi punët e qeverisë dhe filloi ta arnonte qeverisjen e tij me rioshë të papërvojë, që t’i komandonte më lehtë. Humbjen e drejtimit të një kryeministri e vë re, ashtu siç vëren edhe humbjen e drejtimit të një shoferi makine. Njerëzit që janë në makinë, ose nën qeverisje, fillojnë e ndjehen të pasigurtë për fatin e vet. Në Danimarkë, ekonomia po shkonte keq, por kryeministri Nyrup nuk donte të largohej, derisa faktorët e brendshëm e detyruan atë. Mund të ketë patur ndërhyrje edhe nga mbretëresha Margrethe II dhe vendi shkoi në zgjedhje. Erdhi në pushtet kryeministri Anders Fogh Rasmussen, një ekonomist i aftë nga partia e djathtë “Venstre”, i cili po vazhdon qeverisjen e tij, në mandatin e tretë. Ky është edhe një ndëshkim për të majtën. Ekonomia daneze është ripërtërirë dhe ka frymëmarrje më të madhe ekonomike.

Në Gjermani, Gerhard Schröder u dashurua me pushtetin e tij dhe për të shmangur vëmendjen nga stanjacioni ekonomik, që kishte kapur vendin nën drejtimin e tij, ai u mundua të bashkohej në atë kohë me boshtin franko-rus, për të ndenjur në pushtet edhe pa dëshirën amerikane. Drejtuesit politikë të botës demokratike, kur kryejnë veprime jodemokratike në vendin e tyre dhe më gjerë, ata synojnë të mos i kenë mbi kokë amerikanët. Ishte koha kur u sulmuan kullat binjake, dhe kur filloi lufta e aleatëve kundër “boshtit të së keqes” dhe Irakut. Schröder në kapacitetin e tij, e ktheu mosndërhyrjen në Irak si një qëllim në vetvete. Bërtiste me të madhe “Keine Beteiligung meine Damen und Herren” (asnjë ndërhyrje, zonja e zotërinj!) Njerëzit filluan të tremben. Ndonjë nacionalist ndihej mirë, se tashmë kishin një burrë të “guximshëm”, që po i drejtonte, Schröder-in. Ka gjermanë që janë mërzitur me rolin drejtues amerikan në botë. Një polic gjerman më tha një herë: “Go home Yankees!” “S’kemi nevojë për ju!” Meqë folëm anglisht, ai ndoshta kujtoi se jam amerikan dhe shprehu dëshirën e tij të fshehur. Me ndihmën e Amerikës, Gjermania u ringjall pas luftës së dytë botërore. Por tani, ajo s’u duhej më. Këto veprime të Schröder-it e çuan shumë keq ekonominë gjermane, pasi eksporti industrial filloi të binte dhe Gjermania, po nuk shiti prodhimet e saj, nuk mund ta mbajë gjatë nivelin e lartë ekonomik që ka.

Kështu që me stërmundime të mëdha, e ndoshta edhe me një sy mbyllur kundrejt manipulimit të votës, socialdemokratët e Schröder-it fituan 38% të votave sa kristiandemokratët dhe me koalicionin e majtë, Schröder ndenji në pushtet përsëri. Ekonomia po shkonte përsëri keq, reformat e Schröder-it po e çonin vendin drejt së majtës ekstreme, dhe kështu brenda socialdemokratëve filloi të rritej pakënaqësia për humbjen e madhe që do vinte. Schröder u detyrua të bënte zgjedhje të parakohshme dhe doli me idenë e koalicionit të madh, që sot drejton Gjermaninë, me Angela Merkel si kancelare. Sipas sondazheve, partia SPD e Schröder-it mund të marrë sot 22% të votave nga 38%, që mori kur Schröder erdhi në pushtet herën e fundit. Parandjenja e anëtarëve të SPD doli e vërtetë. Schröder po i çonte anëtarët e partisë së tij të humbnin vendet e punës në qeverisje dhe ndoshta edhe në një opozitë të gjatë, pavarësisht se ai vetë u largua nga politika dhe u punësua si konsulent në një firmë private në Zvicër.

Më i zgjuar u tregua Tony Blair, i cili pranoi konkurrencën brenda partisë së tij “Labour” nga Gordon Brown dhe ia kaloi pushtetin atij. Anglosaksonët që vazhdojnë të qeverisin botën tregohen më të zgjuar në drejtim të pushtetit. Ata dinë të largohen, kur e shohin se qeverisja prej tyre nuk ka më kuptim. Por Tony Blair, nga kryeministër me një rrogë vjetore mbi 100 mijë sterlina, ka sot një të ardhur vjetore prej 2,5 milionë sterlina. Kjo është mundësia e ekonomisë së tregut në Angli. Blair humbi pushtetin, por jo paratë. A jemi ne në gjendje këtu në Shqipëri ta krijojmë një luks të tillë për drejtuesit e lartë, që ata të mos kapen kaq keq me pushtetin dhe të mos kenë kaq agresivitet në punët e qeverisjes? Ose më mirë të bënim pyetjen, a mendojnë drejtuesit tanë, se çfarë do të bëjnë ata kur të ikin nga pushteti?

E vërteta është se në Shqipëri nuk përdoret shumë mendja. Prandaj, drejtuesit tanë politikë, po “ranë nga fiku” nuk merren më në konsideratë. Atë që kanë mbjellë, edhe korrin. Prandaj jepen me mish e me shpirt pas pushtetit, marrosen krejtësisht pas tij, i harrojnë të gjitha për një çikë pushtet e pará, dhe kur janë diku të punësuar, sillen me vrazhdësi kundrejt vartësve dhe të tjerëve. Drejtuesit tanë politikë janë primitivë. Ata kanë ndjenja egoiste vetëm për vete, por në të vërtetë ata nuk mendojnë sa duhet për të ardhmen e tyre, ashtu siç nuk mendojnë as për të ardhmen e popullit, që qeverisin.

Sado që Berisha përpëlitet për të mbajtur me forcë pushtetin, mënyra e tij e qeverisjes nuk ndryshon shumë nga qeverisja autokratike e mëparshme. Ai e ka vështirë të besojë se mund të gjenden njerëz në Shqipëri, që mund ta sfidojnë atë, dhe në të njëjtën kohë, ndjen një frikë të madhe nga konkurrenca e lirë. Prandaj, ai afron rreth vetes një tufë të paaftësh e rioshësh, që të mos ndjehet i kërcënuar. Ky panik i brendshëm e detyron atë të bëjë ligje të padrejta, për të absorbuar të gjitha pushtetet në Shqipëri. Aferat e tij me Damir Fazlliçin etj. janë bërë me qëllime përfitimi përrallor, gjë që i shkon përshtat më shumë një Putini, një Sadam Huseini, apo një sheiku Arabie, se sa një drejtuesi demokrat, të një vendi të varfër, si Shqipëria. Stili i qeverisjes Berisha nuk ka se si t’u pëlqejë amerikanëve, të cilët duan një shtet shqiptar stabil dhe që e zhvillon demokracinë mbi parime e ligjshmëri jo pasionante, por demokratike. Berisha po e çon Shqipërinë përtej dëshpërimit. Askush, as Berisha vetë nuk do të jetë i fituar nga kjo mënyrë qeverisje. Prandaj është më mirë, që ai të respektojë normat demokratike të zhvillimit të një shoqërie, konkurrencën e lirë ekonomike dhe politike dhe të mos e pengojë, me këmbënguljen e tij, rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të natyrshëm në familjen e shoqërive të zhvilluara.

Botuar në: TemA, 26.10.2008

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: