Arben Çokaj

Paaftësia për të kuptuar realitetin objektiv

Lidhur me polemikën e Qoses kundër Kadaresë dhe më gjerë

Nga Arben Çokaj, 18 qershor 2006

Shoqëria shqiptare postkomuniste e kishte vështirë të orientohej në një realitet të ri – në një realitet të shoqërisë së hapur. Inercia që kishte fituar individi shqiptar, si një “thërrmijë e mbyllur në një tavë me presion”, ishte tepër e madhe. Hapja e kapakut, do e bënte ketë individ që të rrokullisej me shpejtësi marramendëse (në mënyrë figurative kjo), dhe në të shumtën e rasteve, këto individë nuk ditën të menaxhonin lirinë e tyre të lëvizjes (nxorën në pah anët negative duke vjedhur, duke bërë kriminalitet, trafikim, etj.) – prandaj për qytetarët shqiptarë filluan pengesat nga vendet fqinje, sidomos nga vendet e zhvilluara evropiane. Kot s’thonë: një dru i shtrembër prish gjithë turrën!

Pengesat në lëvizjen e lirë të shqiptarëve vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot – më shumë për faj të një pjese të shqiptarëve, që nuk dinë të orientohen si duhet përballë një realiteti objektiv të botës që na rrethon (duke futur këtu individë që nuk respektojnë ligjet, politikanë që nuk dinë të bëjnë mirë punën e tyre dhe bashkësinë në tërësi, që bie pre e padijes, mentalitetit komunist të ngjyruar edhe nga telenovelat latine-porno).

Këta individë kanë patur dhe kanë nevojë të heshtin paksa, t’ia vënë mendjen lëvizjeve të botës përreth, të kuptojnë lëvizjet e saj dhe të fillojnë më pas ta hedhin vallen në përputhje me këtë lëvizje të madhe, ndikuese, globale. Një pjesë e shqiptarëve, për hir të inercisë, për hir të zierjes me veten, për hir të një mendimi, që duket se e ka gjenezën tek barku, fillojnë dhe e kundërshtojnë këtë lëvizje të përgjithshme, japin mend, fillojnë dhe krijojnë kundërshti me rrjedhjen e jetës në mënyrë të natyrshme dhe në përputhje me ligjin universal të efektit të dominancës së natyrës njerëzore.

Ndër këta shqiptarë, me kontribut të konsiderueshëm letrar, kritik, studimor dhe intelektual, është edhe akademiku shqiptar nga Prishtina, Rexhep Qosja. Ndryshimi i tij me shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, i vërejtur nga trajtesat e tyre të bëra publike kohëve të fundit, vjen më tepër nga kuptueshmëria që ata kanë për botën reale, në përgjithësi. Ndërsa Kadare gjendet i përballur më shumë me realitetin objektiv, pasi jeton në Paris dhe udhëton sa në një vend në tjetrin, është më pragmatik, më realist në konceptet e tij jetësore dhe në ato të shprehura publikisht. Qosja nga ana tjetër e shpatit, nga lagjia Bregu i Diellit në Prishtinë, ndoshta nga pamundësia e lëvizjes së lirë, nga një lloj izolimi fizik, mbetet metafizik, i ngurtë në mendime dhe disi kundra-pedal.

Në shoqërinë shqiptare ekziston një lloj mendimi provincial, relativisht meskin, i cili pa ndrojë mund të thuhet se dominon një pjesë të mendimit të shoqërisë, dhe shfaqet në formën e vet primitive qoftë në shoqërinë shqiptare në tërësi, qoftë në politikën shqiptare dhe për më tepër edhe në disa nga mendjet e kultivuara intelektuale të shoqërisë sonë. Ky lloj mendimi koncentrohet në një tip smire për t’i parë të tjerët keq. Një dëshirë a epsh i brendshëm, i palogjikshëm, që nuk buron nga truri i ditur. Një prirje e vobektë e individit shqiptar (në shumë raste), pavarësisht nga shkalla e njohjes së tij, për të mos patur asgjë për vete, vetëm që të mos e lërë fqinjin e vet të ketë. Tregohen edhe barcaleta për këtë fenomen. Absurdi në këtë rast është, se si ka mundësi që ky lloj mendimi dominon deri në lartësinë e mendimit intelektual e politik shqiptar?!…

A mos vallë, kjo vjen nga një inferioritet i brendshëm e i fuqishëm, shoqëruar me një lloj servilizmi të paskaj kundrejt të huajve, që predominon racën shqiptare? Me këtë analizë duhet të merret akademiku Rexhep Qosja, që të na sjellë një produkt pozitiv e të dobishëm për kombin.

Duhet theksuar se në përgjithësi, shqiptarët janë treguar historikisht të paaftë për të kuptuar realitetin objektiv që i rrethon; për të shfrytëzuar mundësitë që kanë në marrëdhënie fitimprurëse për veten dhe vendin e tyre; për të përdorur pragmatizmin si filozofi përshtatëse me të tjerët; dhe për të përmirësuar jetën e vet, qoftë edhe duke kopjuar e përdorur praktikat pozitive zhvilluese që kanë shtetet e Evropës, ku ne gjeografikisht bëjmë pjesë. Shqiptarët janë treguar dhe po tregohen të paaftë për të mbrojtur veten. Shqiptarët e Kosovës, duke qenë se kanë një traditë më të hershme për të dalë jashtë dhe për t’u përballur me realitetin evropiano-perëndimor, instinktivisht kanë qenë në gjendje ta kuptojnë shoqërinë e zhvilluar, dhe në fillimet e viteve 90-të, pas hapjes së Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës ishin relativisht më të orientuar se shqiptarët e Shqipërisë, pavarësisht ndryshimit që mund të ekzistonte në pikëpamje të shkollimit.

Dhe ndonëse shoqëria shqiptare brenda Shqipërisë vazhdon të jetë e fokusuar në kryerjen qoftë edhe fiktive të një numri shkollash të larta, shpeshherë pa rezultat, gjë që vjen pikërisht nga mbyllja relative, që vazhdon të ketë Shqipëria, shqiptarët e Kosovës po përballen me një nga çështjet politike më të rëndësishme të historisë së tyre. Dhe meqë Qosja këtu nuk mund të japë një kontribut real, atëherë ai, meqë edhe është mplakur, i ka shkuar mendja të merret me tespitë. Në perëndim jam ndeshur me myslimanë, sirianë, turq apo arabë, dhe kam vënë re se të gjithë janë inferiorë përpara zhvillimit perëndimor. Ndjenja të tilla shoqërojnë edhe një pjesë të shoqërisë shqiptare, ku Qosja bën pjesë. Koha ka për të vlerësuar më shumë ata njerëz, që kanë orientim perëndimor, pasi edhe vetë populli shqiptar është i prirur drejt perëndimit.

Akademiku Rexhep Qosja – ky intelektual i formatuar dhe formuar në kohën e komunizmit jugosllav, del çuditërisht kundër vullnetit të popullit të tij, kundër instinkteve orientuese të tij. Nëse në Ballkan flitet për integrim evropian dhe nëse Shqipëria e Kosova shohin një të ardhme jo të largët në Evropën e Bashkuar, duhet që çdo kokë e zgjuar e vendit të shqipeve të punojë në këtë drejtim, e jo të fusë shkopinj nën rrota. Dhe nëse synojmë Evropën, ku bëjmë pjesë, nuk do të thotë se shqiptarët po shajnë lindjen, po shajnë myslimanizmin, pasi nuk po aspirojnë për t’u integruar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nganjëherë të qënit fort i zgjuar si në rastin e Qoses – edhe të prish punë!

Me një fjalë, jo çdo gjë që lihet pa thënë, i jep të drejtë Qoses të supozojë se është e kundërta e asaj që është thënë. Nëse pëlqehet Evropa, kjo nuk do të thotë se Kadare, autori i këtij shkrimi, apo autorë të tjerë që dolën krah Kadaresë në debatet e fundit, janë kundër një bashkëpunimi me vendet e lindjes, apo kundër fesë myslimane, e cila para 500 vjetëve u ngul me majën e shpatës si një rrobë ataviste mbi trupin e zhveshur arbëror.

Ka shumë probleme që mund të diskutohen nga polemika e Qoses – të cilat kanë lënë hapësira të mjaftueshme për të thënë diçka kundër autorit të tyre. Ndoshta ky ka qenë edhe qëllimi i polemikës së tij. Qosja hap një rrjetë ku mund ta goditësh, të fut brenda rrjetës së tij dhe pastaj të mbyt me argumenta – se ti nuk dëshiron të merresh me të dhe argumentet e ngurta e demagoge të tij. Në fakt, kemi të bëjmë me paaftësinë e Rexhep Qoses për të kuptuar nevojat dhe interesat e shoqërisë shqiptare në kohën që po kalojmë, paaftësinë e tij për të kuptuar realitetin objektiv. Ky mos-perceptim si duhet i realitetit, duket se i ka zbritur atij edhe shumë vota në Kosovë. Por duke qenë një njeri me kontribut intelektual – shtypi dhe opinioni publik merret me ato që ai shkruan, gjë që ai duhet të tregohet më i kujdesshëm dhe të mos abuzojë shumë.

Përkundër kësaj, Ismail Kadare është më koshient, dhe më i ndjeshëm ndaj realitetit shqiptar përballë zhvillimeve ndërkombëtare. Kadare arrin ta ndjejë më nga afër ndjenjën e pashprehur evropiane. Ai di të lexojë edhe heshtjen e tyre. Jo gjithçka që nuk thuhet, nuk ekziston. Besimi kristian i evropianëve është sidoqoftë fundamental për secilin popull evropian, dhe ne duhet të mos tregohemi gogolë që t’i trembim me ngurtësinë tonë të mendimit a besimit, por të tregojmë maturi e takt, që të mund kuptohemi dhe pranohemi prej tyre. Në situatat e reja të zhvillimit shoqëror, për një botë shqiptare të hapur, duhet të jemi më praktikë, më pragmatistë. Kadare tregon zgjuarsi edhe në rastin konkret, kur nuk tregon interes publik për të debatuar me Qosen. I duket nonsense!

Nëse Rexhep Qosja për një moment nuk tregon entuziazëm, që pas kaq kohësh i lënë disi në harresë, i tërë shtypi shqiptar po merret me sprovat e tij, por ai në heshtje mediton, jo me pezm e inat kundër bashkatdhetarëve që nuk i dhanë votën, analizon me kujdes arsyet reale të humbjes së tij politike, jam i sigurtë se ai do të arrijë në përfundimin se: populli shqiptar ka orientim perëndimor, është pro-amerikan dhe pro-evropian dhe dëshiron zhvillimin ekonomik si në vendet e perëndimit. Dëshira e Qoses për të na veshur një identitet mysliman, është e barazvlefshme me dëshirën e cilitdo shqiptar që do pushtimin serb në Kosovë – pra është një dëshirë e përdhunuar. Osmanët na kanë pushtuar për shekuj me radhë – mirë që ne ruajmë akoma gjuhën shqipe përkundër metodave më çnjerëzore, që ata praktikuan për shekuj kundër nesh, dhe një rrobë të grisur që na e kanë lënë, tani Qosja po mundohet të na e kthejë në identitet.

Një pyetje e thjeshtë mund të bëhet: Çfarë identiteti serb ka sot Qosja në Kosovë? Veç gjuhës që i lanë peng dhe e detyruan ta mësonte me zor… Çfarë respekti ruan sot Qosja për serbët, që ne duhet të ruajmë identitet islamik nga osmanët?! A nuk futemi kështu në një qerthull paradoksal, ku një intelektual i nivelit të lartë, nuk synon që të shkruajë për ta zhveshur rrobën e prapambetjes dhe për të veshur rrobat e përparimit, por sulmon çuditërisht atë penë të fuqishme shqiptare, që shkruan për “Identitetin evropian të shqiptarëve”. Ku e shpie mushka kështu Rexhep Qosen?!

Arsyeja politike pse populli i Kosovës ndoqi presidentin Rugova dhe rrugën e tij e të LDK-së drejt pavarësisë, ishte pikërisht ai instinkt që ka sot shoqëria kosovare. Në një emision dokumentar për luftën në Kosovë të televizionit kryesor danez, një qytetar kosovar sqaronte: “Fëmijët duan të hanë… ata nuk arrijnë ta kuptojnë se si ka mundësi, që ne nuk mund t’ju sigurojmë atyre për të ngrënë…” Pra, jo të gjithë shqiptarët në Kosovë i kanë patur mundësitë dhe dijet e Rexhep Qoses. Njerëzit duan bukë mbi tavolinë, jo broçkulla.

Populli shqiptar e do prosperitetin perëndimor më shumë sesa xhamitë, që janë ngritur nga fondacione arabe në çdo lulishte apo qoshe të rëndësishme rruge, dhe ku në pesë vakte dite kumbon zëri i amplifikuar i myezinit “Allah Ykber!”, për të treguar se shqiptarët janë myslimanë dhe se i përkasin identitetit, që parapëlqen Qosja. Nuk kanë qëllim arabët e myslimanët që të investojnë në ndonjë projekt, që i jep biznes e bukë popullit, por të ndërtojnë xhamia të shkëlqyera, me kupola të mbuluara me bakër e të lara me ar, në një vend ku rrugët e qyteteve janë mbushur me baltë e gropa dhe ku pisllëku rrezikon epidemi. Nuk janë të interesuar arabët, se po të ishin, do të kishin rregulluar një jetë më të mirë për veten, në harmoni me të drejtat dhe liritë e individit.

Me tërë respekt për fenë myslimane, në kohën e tij, profeti mysliman nuk rekomandonte amplifikimin e zërit, për të shurdhuar veshët e jo-myslimanëve pesë herë në ditë. Si duhet të sillet një shoqëri civile kundrejt fenomeneve të tilla, kur edhe intelektualë të kalibrit të Qoses nuk arrijnë ta kuptojnë, se është thyerje themelore e të drejtave të njeriut ta shqetësosh tjetrin me zë të lartë në një gjuhë të huaj, pesë herë në ditë! Edhe në Gjermani ka xhamia të tilla, me minare të larta e të bukura, si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por askush nuk thërret zërin jashtë dyerve të xhamisë. Feja aplikohet për komunitetin që beson, brenda objektit fetar, e jo të bëhet shqetësuese për të tjerët.

Në kontekstin e tolerancës fetare, që e karakterizon popullin shqiptar, duhet gjetur edhe mënyra e duhur e kompromisit me myslimanë të arsyeshëm. Me zhvillimin e shoqërisë, ashtu siç po shfrytëzohet teknologjia moderne me altoparlantë të fuqishëm, mund të shfrytëzohet nga myslimanët edhe sjellja moderne në shoqëri, duke përdorur politesë dhe mënyrë më të qetë komunikimi, për të arritur tek besimtarët e tyre. Drejtuesit myslimanë duhet ta kuptojnë, se po e paraqesin edhe shoqërinë shqiptare, si jashtë kohe… Një qytetar sirian, më pati thënë para disa vitesh, se drejtuesi i tyre më i lartë fetar, i cili kishte qenë për vizitë në Evropë, u kishte thënë pas kthimit, se Kur’ani respektohet më shumë në Evropë sesa në Siri. Nënkuptonte me këtë gjë, se zhvillimi shoqëror e ekonomik i evropianëve tregon më shumë zbatim të normave të fjalës së shenjtë, sesa në vendin e tyre, ku aplikimi i një besimi të madh, i zinte frymën zhvillimit…

Vendosjen e figurave të Papa Gjon Palit II apo të Nënë Terezës në institucione shtetërore apo partiake në Kosovë – një kritikë kjo kundrejt Dr. Ibrahim Rugovës në kohën e tij – por edhe kundër emërtimeve të aeroportit të Rinasit, etj., Rexhep Qosja e konsideron si të panevojshme, pasi ata janë thjeshtë figura fetare. Ibrahim Rugova ishte i madh, sepse përdorte me mjeshtri, jo për vete, por për interesat e popullit të tij, të gjitha simbolikat e nevojshme për të orientuar si Moisiu, popullin e vet drejt perëndimit, aty ku edhe bën pjesë. Ndërsa Qosja harron dimensionin humanist dhe ndikimin e madh shoqëror, që kishin dy personalitetet e mësipërme. Rexhep Qosja e thekson disa herë në sprovën e tij, se Kadare është racist, por harron për vete, se të injorosh rolin bamirës të Nënë Terezës dhe kontributin e saj në të mirë të njerëzimit, nuk është gjë tjetër veçse verbëri fetare, është racizëm fetar!

A po i zihen sytë Rexhep Qoses, se në tërë historinë e vet myslimanizmi botëror nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë asnjë figurë kaq unikale, siç ishte Nënë Tereza, ku u shkrinë në një person virtyti, vuajtja dhe bamirësia?! Jo se gratë myslimane nuk janë të devotshme, por sistemi i aplikimit të fesë myslimane të kthen në vitet 600 të erës sonë, të kthen në ligjet e sheriatit (para se anglezët të njihnin Magna Karta-n), ku po gënjeve të pritet gjuha, po vjedhe të këputet dora. Masa ekstreme këto, që janë shprehje e mungesës së lirisë dhe zhvillimit të kulturës së mendimit, në përputhje me ligjet dhe respektin e plotë për të drejtat dhe liritë e njeriut, që aplikohen në kohën e sotme.

Të vjen keq kur sheh se brenda intelektualit Rexhep Qosja, ngërthehet një inat i brendshëm e i papërmbajtur, i cili shprehet edhe në replikën e zgjatur kundër Kadaresë. I vetmi personalitet i njohur kosovar, që nuk u vu re me rastin e vdekjes së presidentit Rugova, ishte pikërisht akademiku Rexhep Qosja! (Qofsha i gabuar, nuk e kam vënë re, që ai t’i bëjë homazhe presidentit). Arsyen e sigurtë nuk e di, do ishte mirë që zoti Qosja, i cili zgjedh fjalët dhe presjet në vendin e duhur, ta komentojë edhe këtë dukuri.

Për të përfunduar, duhet thënë se debati Qosja versus Kadare nuk i sjellë asnjë të mirë shoqërisë shqiptare në përgjithësi, as mendimit intelektual e letrar në veçanti. Polemika e Qoses kundër Kadaresë është konflikti i përjetshëm i shoqërisë shqiptare: lindor versus perëndimor. Studiuesi Krist Maloki në punimin e tij “Perëndimor apo lindor” më 1937, sqaron një numër vesesh karakteristike të lindorit shqiptar, ku shpirtërisht hyn edhe Qosja, dhe që fatkeqësisht i vërejmë edhe sot tek shumë figura publike dhe politikanë shqiptarë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të kenë zhvillim, nëse mendimi dhe konceptet perëndimore nuk bëhen vlerë cilësore dhe predominante në shoqërinë tonë!

“Populli em’ u bá rob se nuk pati dijen” – pati thënë Papa Klementi XI -Albani, rreth tre shekuj më parë. A mos padija dhe të tjera të lidhura me të, po nxjerrin krye edhe kësaj here, për të penguar zhvillimin tonë si komb, për të dobësuar logjikën e shëndoshë dhe orientimin kah vlerat e jo kah fjalët e kota; orientimin drejt perëndimores korrekte e zhvilluese, e jo drejt lindores së prapambetur, inferiore e apatike?!

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: