Arben Çokaj

Muri i absurdit

— nga Arben Çokaj, 9 maj 2010

Greva e urisë e deputetëve dhe anëtarëve socialistë nga të gjitha rrethet e vendit, po hyn në një fazë kritike. Është greva më reale, që po zhvillohet në një çadër të ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mes Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, 20 vjet pasi Shqipëria doli nga grahmat e diktaturës komuniste. Tani, 20 vjet më pas, a mund të pohojmë se shqiptarët e fituan lirinë dhe demokracinë, për të cilën u ngritën dhe luftuan në vitin 1990? Me plot gojën, jo!

Liria dhe demokracia jonë, e të gjithë shqiptarëve pra, u manipulua rëndë nga ata komunistë, që morën flamurin t’i prijnë kësaj demokracie në vitin 1990. Dhe më i dallueshmi ndër ata, që e transformuan demokracinë në një kapje të shtetit ligjor, që e personalizuan dhe e personifikuan atë, me një dhunim konstant të ligjit dhe të respektit për vlerat më të çmuara të kombit tonë, dhe që tani në fund, e kanë kapur peng këtë komb, është kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha.

Diçitura që shoqëron shkrimin në gazetën Shekulli
Diçitura që shoqëron shkrimin në gazetën ShekulliPartia Socialiaste dhe opozita shqiptare nuk kanë shumë mjete në dorë për të kërkuar apo mbrojtur të drejtat e tyre, përballë një pushteti kriminel, arrogant e absurd. Ata i kanë intensifikuar protestat civile, të shoqëruar edhe me një grevë urie sublime, që simbolizon sfidën e tyre kundër frikës dhe tiranisë, që ushtron vazhdimisht kryeministri aktual me suitën e tij. Situata parazgjedhore u shoqërua me lirimin e të burgosurve kriminelë, me shantazhe, kërcënime e presione të shumëanshme, deri me vrasjen e deputetit Xhindi, apo të veprimtarit të PDK-së, Aleks Keka. Ajo tregoi qartë se Berisha ishte i përgatitur t’i fitonte ose grabiste zgjedhjet me çdo çmim. Por, a i fitoi apo i dhunoi Berisha zgjedhjet? E vërterta ndodhet në kuti. Pikërisht për këtë, përpjekjet e opozitës shqiptare për 10 muaj me radhë, për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, po hasin në murin e absurdit, të ngritur nga çifti Berisha-Topalli dhe nga një numër i pasuesve të tyre kamikazë.

Simbolika e një vetë-sakrifice sublime për transparencë në zgjedhje, siç edhe pritej, po ndeshet me cinizmit dhe mungesën e ndjeshmërisë së pozitës shqiptare dhe të kryeministrit të vendit. Një veprim kaq i thjeshtë për hapjen e disa kutive, për të parë të vërtetën e një procesi elektoral, jo për të ndryshuar rezultatin e tyre, po ndeshet me një kundërshti absurde, për mos hapjen e këtyre kutive, dhe po tregon qartë se Sali Berisha është i vetëdijshëm se çfarë ndodhet në ato kuti. Në ato kuti ndodhet vjedhja e pushtetit, krimi elektoral, dhe kryeministri i vendit, si komunist i vjetër që është, nuk tregohet i gatshëm të përballet me krimin e tij, po nuk u detyrua me forcë.

Partia Socialste dhe opozita shqiptare i kanë ulur armët dhe po luftojnë me vetë-sakrificë, pa armë, përballë një pushteti mizor e të çoroditur. Po luftojnë në mënyrën me paqësore dhe më demokratike të mundshme, kundër rrënimit ekonomik të Shqipërisë, kundër një kryeministri sharlatan, që ka kapur me egërsi frerët e pushtetit në këtë vend, dhe me arrogancë e cinizëm banal shpërdoron si t’i dojë qejfi, duke u shërbyer qarqeve jo-shqiptare, që kënaqen me rrënimin e Shqipërisë.

Nëse Ramiz Alia, në vitin 1990, tregoi arsyen e mjaftueshme për të ruajtur vetveten, duke ruajtur vendin e vet dhe duke shmangur gjakderdhjen e shqiptarëve, në tranformimin demokratik për të cilin përgatitej Shqipëria, 7 vjet më vonë, Sali Berisha në vitin 1997 e çoi Shqipërinë në prag të greminës ekonomike dhe ngjarjet që pasuan me protestat popullore për shkak të humbjes së kursimeve nga firmat piamidale, i kushtuan Shqipërisë miliarda lekë humbje ekonomike dhe mbi tre mijë të vrarë. Në atë kohë ish-presidenti Berisha mbeti vetëm dhe u detyrua të kapte ‘kallashin’ për të mbrojtur jetën e vet. Pasoi një periudhë e vështirë për Shqipërinë dhe vetë Partia Demokratike u reduktua në vetëm 27 drejtues të guximshëm të saj. Berisha shpëtoi bukur dhe arriti më pas edhe të riciklohej. Ky ishte një gabim i pafalshëm për shqiptarët, të cilët në mirëbesim i dhanë mundësinë një njeriu të paekuilibruar mendërisht të vijë në pushtet. Dhe ja ku jemi sot, 20 vjet pas rënies së komunizmit, në një betejë për transparencë e demokraci, në përballje me tiraninë e një pushteti absurd të një kryeministri, që nuk është në gjendje t’i thërrasë arsyes, vetëm përmes frikës.

Berisha kujton tashmë se askush nuk mund ta zbresë nga kali, ku ka hipur. Pasi po e konsideron këtë popull si kalë, ai në fakt përbën një rrezik të madh për këtë vend, pasi është një dorë e zgjatur agjenturore kundër interesave të këtij vendi. Përveç se vjedh zgjedhjet dhe pasuritë kombëtare, ai gradualisht po vjedh jetën dhe lirinë tonë, dhe ka filluar edhe të tallet me fatkeqësitë, që ai vetë u shkakton shqiptarëve. Realisht, ai ka shkuar tepër larg në këtë lajthitje qeverisëse. Ai ngjan me një kancer që i ngjitet një trupi, dhe vdes vetëm pasi ai vdes trupin që shfrytëzon për të gjalluar.

Çfarë mund të bëjmë ne për të shpëtuar trupin tonë, Shqipërinë nga vdekja? Një nga parullat e PS-së dhe opozitës në këto protesta është “ndal rrënimit ekonomik”. Po si? Duke u vetë-sakrifikuar?! Nuk e di sa efektive mund të jetë kjo mënyrë, përballë absurdit të Berishës, pavarësisht se rruga paqësore e protestave të PS-së i bën apel në këtë mënyrë, më shumë ndërgjegjes kombëtare dhe ndërkombëtare. Se sa i përket çiftit çmendurak Berisha-Topalli, këto akte vetë-sakrifice, po nuk cenuan pushtetin e tyre, janë vetëm batutë qesharake për cinizmin e radhës. Këtë e di edhe një qytetar i thjeshtë tropojan, që i thoshte Edi Ramës, “Berisha nuk largohet me lule…”.

Sali Berisha synon të radikalizojë veprimet e opozitës shqiptare, që të gjejë shkak për të radikalizuar veprimin e tij kundër kësaj opozite, me qëllimin final për ta eleminuar fizikisht atë. Partia Socialiste po përpiqet të gjejë metoda veprimi paqësore dhe demokratike, jo fort të lehta, në mënyrë që të ruajë veten dhe vendin nga rrënimi… Por në këtë kontekst, a ia vlen vetë-sakrifica e 200 socialistëve të ndershëm në një grevë urie? Sakrifica për një të çmendur, që ka humbur arsyen dhe realitetin objektiv?!… Dhe që i thërret arsyes vetëm kur vihet me shpatulla për muri… A mos duhet që opozita shqiptare të tregohet më e kujdeshme në vetë-sakrificën e saj dhe të fokusohet në gjetjen e rrugëve të tjera më efektive, për të mos thënë më radikale, për të arritur objektivat e saj, që janë edhe objektiva në interes të këtij vendi?

Unë jam anëtar dhe mbështetës i Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj. Nuk votova për të në zgjedhjet e fundit, pasi ka kohë që jam distancuar nga kjo mënyrë, se si e qeveris vendin çifti Berisha-Topalli, të cilët kanë uzurpuar çdo pushtet në duar të tyre dhe po e shkatërrojnë këtë vend përmes përdorimit të policisë dhe shërbimit sekret. Unë sot jam me protestat e opozitës, jo vetëm për faktin se vëllai im Qemali është pjesëtar i grevës së urisë dhe gjeti kurajon të sfidonte intrigat e znj. Topalli. Por jam me protestat e opozitës, sepse ato po kërkojnë transparencën e zgjedhjeve, dhe pa transparencë ne nuk mund të kemi demokraci. Unë jam për të hapur kutitë, jo disa, por të gjitha ato kuti që dyshohen për manipulim. Se ky proces i transparencës është një synim madhor, që duhet të aplikohet në të gjitha zgjedhjet e dyshuara dhe të kontestuara, në mënyrë që t’i vihet fré vjedhjes së votës, që çon në vjedhjen e pushtetit dhe të pasurisë së shqiptarëve.

Botuar në: Shekulli, 12.05.2010

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: