Arben Çokaj

Konflikti në Irak dhe gjysmë-diplomacia evropiane

Para se publiku i gjërë të njihej me planin amerikan për luftë kundër Irakut dhe ndryshimin e sistemit diktatorial iraken, sinjale të qarta u dhanë nga kancelari gjerman Gerhard Shrëder, në fushatën elektorale të shtatorit të kaluar. Do mbahet mend për shumë kohë thënia e tij elektorale: ”Asnjë ndërhyrje në Irak!”. Dhe kur Shrëder e pa se kjo gjë e frigonte popullin gjerman, e ai kështu po fitonte pikë, ai e theksoi edhe më shumë iniciativën e tij „paqësore“ për konfliktin në Irak, saqë tashmë e ka kthyer atë në një iniciativë të hapur politike, e cila nuk duket se do kalojë pa probleme të mëdha.

Është bërë tashmë e qartë për këdo, se Shrëder e fitoi edhe një herë pushtetin në Gjermani, në zjedhjet e 22 shtatorit 2002, duke përdorur pikërisht fatkeqësinë e përmbytjeve të ndodhura në Gjermani, në atë fund-vere nga lumi Elba, dhe kërcënimin e luftës në Irak.

Sa i përket fryrjes së lumejvë që vinin nga Rusia, si rezultat i reshjeve të shumta në atë kohë vere, askujt nuk i shkoi ndërment të krijojë lidhjen e kësaj ngjarjeje të natyrës, me rreth 500 milion Euro, që kancelari Shrëder i dha kolegut të tij rus Putin, disa javë para se këto përmbytje të ndodhnin. Fill pas zgjedhjeve të përgjithëshme të shtatorit 2002 në Gjermani, u bë e qartë publikisht se, shteti gjerman i drejtuar nga kancelari Shrëder, ishte në një krizë të thellë ekonomike, me një borxh të brendshëm prej 36 miliardë Eurosh.

Sidoqoftë, Shrëder e përdori shumë bukur faktin e përmbytjeve në Gjermani, për të dalë vetë mbi ujë, dhe panikun për një luftë të mundshme në Irak, që gjermanët të harronin numrin e lartë të papunësisë. Por kjo gjë nuk vazhdoi gjatë, se një pasiguri e madhe i ka kapur zgjedhësit gjermanë, pas gënjeshtrave elektorale të kancelarit të tyre, i cili synoi më pas të rrisë „kursimet inteligjente“, siç do i quante ai tatimet, dhe rritja e çmimeve në Gjermani, po e bën natyrshëm më të vështirë jetën e qytetarëve gjermanë.

Gjatë fushatës elektorale të shtatorit të kaluar në Gjermani, amerikanët reaguan përmes Kondelenza Rais, e cila pohoi se „marrëdhëniet Uashington-Berlin janë helmuar“. Më pas Shrëder dhe partia e tij socialdemokrate do pësonin një humbje të thellë në zgjedhjet lokale për dy lande në fillim të shkurtit, ku Shrëder u detyrua publikisht ta mbajë përgjegjësinë mbi vete, për këtë humbje.

Në lidhje me Irakun, diplomacia gjermane, me në krye taksistin më të famshëm në botë, të gjelbërin Joshka Fisher, vazhdoi në të njëjtën linjë, për të treguar edhe një herë, se kur gjermani thotë një gjë „e ka thënë gjermani“. Zoti i ruajtë të mos ndeshin në ndonjë hundëlesh…

Në një intervistë televizive, ministri i mbojtjes amerikane, Ramsfeld, sqaroi para disa ditëve se ky problem që paraqet qeveria gjermane këto ditë, e cila në të vërtetë është rreshtuar me Kubën dhe Libinë, është një problem evropian; „evropianët nuk kanë një mendim të përbashkët“. Në një konferencë shtypi, Ramsfeld përmendi një fjalë të urtë amerikane: „Nëse ndodhesh në një vrimë, mos gërmo më thellë!“. Nuk ka dyshim, që këtu, ai e kishte fjalën për qeverinë gjermane, të drejtuar nga kancelari Shrëder.

Por Shrëder po i tregon atij, se qeveria gjermane nuk ka ndërmend t’i ndalojë “gërmimet”, pasi Shrëder po mundohet me të gjitha mënyrat, të krijojë një bosht të ri anti-amerikan për luftën në Irak, dhe po mbështetet edhe nga Franca, Rusia dhe Kina. Shrëder po krijon kështu aleatë të rinj, në përpjekje për të izoluar SHBA-të…

Nisur si një rastësi në një fushatë elekrorale, konflikti në Irak, ose lufta për „arin e zi“, po bëhet temë e gjërë diskutimesh dhe mosmarrëveshje të reja po dalin në dritë. Kancelari Shrëder vepron si në panik, kjo falë karakterit e njohjes së tij, dhe paraqet në vetvete një person që vepron nga dëshpërimi. Ai ka filluar të kritikohet edhe nga shtypi gjerman, se po kryen veprime të pa matura, dhe pa u konsultuar mirë diplomatikisht, gjë që u pa edhe nga udhëtimi i tij në Spanjë, nga ku u kthye me duar bosh.

Kundërshtia gjermane për administratën amerikane, në lidhje me konfliktin në Irak, është bërë sot një temë e ditës. Në qendër të vëmendjes është përsëri kancelari gjerman Shrëder, i cili provoi dje dështimin e tij të parë personal, në këtë fushatë kundër luftës në Irak, kur kryeministri spanjoll Oznar, i deklaroi atij, se Spanja nuk do të luajë asnjë milimetër nga deklaratat e mëparshme në mbështetje të SHBA-ve.

Është tipar i strukturave të sotme gjermane, fenomeni psikologjik ”të gjithë bashkë”. Institucione të ndryshme gjermane, në dukje të pavarura, bëhen bashkë në të njëjtin mendim, për probleme të ndryshme në vend, dhe këtë gjë e synon kancelari Shrëder, ta shtrijë edhe më gjërë në Evropë.

Por dalja hapur kundër planeve amerikane, lidhur me konfliktin në Irak, duke mbrojtur një diktator si Sadam Huseini, është një kafshatë që nuk mund të kapërdihet nga të gjithë evropianët. Edhe shteti shqiptar, psh. është rreshtuar përkrah amerikanëve, në luftën kundër terrorizmit.

Në planin makro-politik, kemi të bëjmë këtu me një dyzim mendimi evropian, që për amerikanët është vështirë të kupohet. Kjo vjen edhe nga fakti se, Evropa përbëhet nga shtete nacionale, me një traditë nacionale, dhe bashkimi për ta është pikërisht përfitimi nacional, që ata mund të kenë përmes bashkimit. Por ndonëse punohet, që Bashkimi Evropian të ketë një politikë të përbashkët, përsa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, e që përfaqësohet nga Solana, akoma nuk është arritur që të ndërtohet struktura e nevojshme, e cila të japë një mendim unik, në emër të të gjithë evropianëve, për një problem të caktuar, siç është ky me konfliktin në Irak.

Gjithashtu, liderë të shteteve të ndryshme evropiane, mund të thonë një mendim të tyre sporadik, të hedhin një ide, në bazë të disa interesave të caktuara, siç bëri edhe Shrëder me kofliktin në Irak, dhe mendimi evropian, ose duhet të mbështesë kancelarin Shrëder, ose ta kundërshtojë atë. Pra përsëri, do kemi një gjysmë diplomacie evropiane, e cila për probleme të mëdha, e ka vështirë të jetë unike.

Konflikti në Irak, po ravijëzon gradualisht krijimin e dy blloqeve politikë. Brenda NATO-s kanë lindur të çara të mëdha, të cilat hedhin pikëpyetje mbi ekzistencën e aleancës veriatlantike. Franca dhe Belgjika i bashkohen Gjermanisë në veton që duan të vënë në NATO, për të mos e ndihmuar Turqinë, nëse ajo sulmohet nga Iraku në rastin e një konflikti. Me këtë gjë ata synojnë që të parandalojnë konfliktin, duke mos menduar mirë për mënyrën dhe kohën kur deklarojnë për gjëra të tilla.

Boshtet tradicionalë politikë, në politikën globale, të cilat njihen si boshti anglo-sakson dhe ai franko-rus, po ndeshen këto ditë me një fenomen të ri: daljen në dritë të diplomacisë gjermane, dhe radhitjen e saj përkrah këtij boshtit të fundit.

Veprimet e kancelarit Shrëder u kritikuan ashpër dje nga opozita gjermane, dhe kryetarja e unionit demokristian, Merkel, theksoi se, veprimet e kancelarit po krijojnë gradualisht një situatë të rrezikshme për Gjermaninë, ndërkohë që kryetari i unionit kristian-social, Shtoiber, kërkoi që ideja e vetos për të mos ndihmuar Turqinë, në rastin e një konflikti të mundshëm, duhet të tërhiqet menjëherë.

Kancelari Shrëder, i cili mundohet të maskojë difektet e politikës së tij të brendëshme ekonomike dhe punësimit, përmes hapjes së temave të reja të diskutimit, si ky me konfliktin në Irak, e ka vënë sot më shumë se kurrë në pikëpyetje, vazhdimësinë e qeverisjes së tij, në krye të këtij vendi evropian, një nga vendet më të industralizuara të botës.

Ka shumë mundësi, që koalicioni i kuq-gjelbër, që drejton sot Gjermaninë, të mos i rezistojë gjatë krizave të mëdha ekonomike, me të cilat ndeshet në politikën e brendshme, dhe dalja hapur e kancelarit Shrëder kundër interesave amerikane në Irak, ndonëse rrit një patetizëm nacional për disa gjermanë, mund edhe të përbëjë një precedent më shumë, për izolimin e Gjermanisë, dhe kursin e saj kundër aleancave të deri-tanishme, të cilat çuan në bashkimin e saj.

Arben Çokaj12.02.2003.
Publikuar:
Gazeta shqiparo-amerikane “Illyria“, USA – 14-17.02.2003, nr. 1216

Dërguar për:
QIK |
Shekulli |
Trepca.net

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: