Arben Çokaj

Shoqëria e informacionit në tender

Nga Arben ÇOKAJ, 27 gusht 2007

Në gamën e gjerë të defekteve që vërehen në shoqërinë shqiptare të tranzicionit, përveç abuzimeve të mëdha që janë bërë e bëhen me paratë publike, për interesat personale të atyre që menaxhojnë paratë, vërejmë edhe sindromin e bosit, ose më saktë të një dhie të zgjebosur, që vazhdon ta mbajë bishtin përpjetë. E gjitha kjo e shoqëruar edhe me kompleksin e theksuar të inferioritetit kundrejt të huajve dhe një konkurrencë mbytëse ndër-shqiptare. Disa gjëra nuk ecin si duhet në vendin tonë dhe kjo për një numër të madh arsyesh: Ose njerëzit janë ata që nuk duan të punojnë siç duhet, ose qeveria jonë nuk di të delegojë kompetencat dhe të kërkojë llogari. Sistemi demokratik shqiptar, i cili vazhdon të bazohet më tepër mbi urdhrin, sesa mbi ligjin, paraqitet kërcënues për mbarëvajtjen e shoqërisë.

Gjëja e lirë, fik shtëpinë

Po e fillojmë me një fjalë të urtë për të përshkruar atë që ndodhi me tenderin e Albtelekomit, në lidhje me blerjen e portave të internetit – një politikë e qeverisë kjo, për ta kthyer vendin tonë në ‘moshën e internetit’. Ndërsa qeveria ofronte 13 milionë Euro për këtë tender, ofertat më serioze luhateshin nga 6-në 9 milionë. Por ndodhi ‘çudia kineze’: një firmë kineze e fitoi tenderin me 2 milionë Euro. Të fitosh një tender 13 milionësh me 2 milionë, kësaj i thonë: “Është aq i mirë, sa vështirë të jetë i vërtetë…”

Specialistët e Albtelekomit u ndodhën nën presion, pasi ata duhej të pranonin ofertën më të ulët, sipas koncepteve të KLSH-së për tenderat, ndonëse oferta ngjante mjaft jorealiste. A do të mundet firma kineze që të sjellë mallra të cilësisë së lartë për 200 mijë portat e internetit dhe pajisjet, që i shoqërojnë ato, me 2 milion Euro?! Për ata që merren me këto punë, vështirë që kjo mund të ndodhë. Ka më tepër mundësi që tenderi të dështojë, dhe qeveria shqiptare të detyrohet që të gjobisë firmën kineze për “plehërat” që do i sjellë Shqipërisë. E vërteta është se tenderi nuk do të përmbushet dhe kinezët që kemi provuar gjithmonë, nuk do të jenë në gjendje ta kthejnë Shqipërinë në moshën e internetit…

Punonjësit e Albtelekomit që u morën me këtë tender duhej të kishin vlerësuar një ofertë më reale dhe të mos e lejonin veten nga presioni që ta hanin sapunin për djathë. Pasi është përgjegjësi e tyre jo të vlerësojnë tenderin me vlerë monetare më të ulët, por tenderin që ka vlerën më të ulët monetare, pa cenuar plotësimin e kushteve teknike të tij.

Kompjuterë që flenë në magazinë

Internet në çdo shkollë – ishte premtimi elektoral i qeverisë Berisha. Njerëzit janë mësuar të kritikojnë kryeministrin për çdo mossukses të qeverisjes, por ja që janë disa punonjës apatikë, pa dëshirë për të punuar si duhet, të cilët e vështirësojnë punën dhe suksesin e qeverisjes dhe lënë në baltë premtimet e kryeministrit. Qeveria përmes Ministrisë së Arsimit ka blerë kompjuterë për shkollat e Shqipërisë me një tender prej 3 milionë Eurosh. Ndërsa për një tender shpërndarjeje prej 50 mijë Euro, disa punonjës të MASH-it i kanë lënë kompjuterët në magazinë pa i shpërndarë, që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Në kohën kur u hodh tenderi, firma fituese u porosit që të sillte tastiera shqip – pse nxënësit të mos mësohen me tastierën shqipe, në vend të asaj angleze? Por fituesi i tenderit tha se ishte një kohë shumë e shkurtër për ta bërë këtë të mundur, pasi atij i duhej vetëm një muaj kohë për ta sjellë mallin në Shqipëri. Fituesi i tenderit nuk e dinte se malli i tij do të qëndronte për 9 muaj në magazinë – kohë e mjaftueshme kjo për të prodhuar edhe tastierat shqip, për nxënësit shqiptarë…

ASYCUDA – Kalit të falur mos ia shiko dhëmbët…

Disa specialistë rumunë të IT-së kërkojnë 1 milion e 100 mijë Euro për aktualizimin e një programi me emrin ASYCUDA (Automated SYstem for CUstom DAta) në ASYCUDA World, i cili sipas tyre duhet të jetë më i mirë për doganat shqiptare. Programi ASYCUDA ka hyrë në Shqipëri si dhuratë e BE-së por ja që jo çdo dhuratë është falas… Për më tepër, po t’i hedhim një sy këtij programi, ai paraqet mjaft probleme teknike, të cilat janë kthyer në ankesa nga punonjësit e doganave. Edhe gjeografia e shpërndarjes së programit në fjalë është mjaft e dyshimtë. Programin ASYCUDA e aplikojnë disa vende të botës së tretë si Afganistani, Bangladeshi, Burundi, Gambia etj., dhe disa vende të lindjes si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Estonia etj., dhe asnjë nga vendet e zhvilluara evropiane, në drejtim të të cilave, Shqipëria është nisur për integrim.

Specialistët rumunë, të cilët në vendin e tyre mund të kënaqen edhe më nga një punë që paguhet 200-300 Euro në muaj, shtrojnë kërkesa maksimaliste për ministrinë tonë të financave: 6 muaj udhëtime në avion me bileta të klasit të parë dhe një rrogë mesatare mujore prej rreth 20-25 mijë Euro në muaj. Ministria jonë e financave falë para për specialistë të huaj nga lindja – ndërsa po të vinte fjala për specialistë shqiptarë, që në Evropë mund të jenë paguar deri me 100 Euro për orë, për punën e tyre në IT, punonjësit e Bodes do të ziheshin si kurvat dhe do të kërkonin që puna të bëhej falas në sensin patriotik, ose me një çmim tepër të ulët. E pra kësaj nuk i thonë ekonomi tregu apo synim për kthimin e trurit. Kësaj i thonë të sillesh me paranë publike si me një mall pa zot dhe të mos shfrytëzosh kapacitetet intelektuale dhe specialistët e vendit!

Internet me pikatore

Dështimi në marrjen e internetit përmes kabllos optike me Italinë, si nismë e qeverisë dhe e kryeministrit Berisha, në kohën kur Albtelekom ishte shtetëror, vazhdon të sjellë një lidhje të internetit mjaft të vakët dhe shumë të shtrenjtë për vendin tonë. Se kujt i ka interesuar kjo, që gjendja u la e tillë dhe nuk u avancua në projektin e blerjes së internetit, siç parashikohej 10-15 herë më lirë përmes kabllove optike ekzistuese, që kemi përmes dertit me Italinë, kjo mbetet për t’u parë…

Specialistët e fushës vlerësojnë se sasia e internetit që hyn në Shqipëri është e ngjashme me importimin e naftës nga Greqia me fuçi, në kohën kur ne supozojmë të kemi një tub nafte të lidhur direkt me Irakun dhe tubi nuk shfrytëzohet, pasi dikujt, në kohën e tij, i ka interesuar që të vazhdojë furnizimin me fuçia. Pavarësisht sistemit tonë demokratik, akte të tilla që dëmtojnë ekonominë shqiptare dhe konsumatorin shqiptar janë penalisht të dënueshme, por kjo është një pikë tjetër ku sistemi jonë nuk funksionon.

Kartat e shëndetit – një flluskë e radhës

Këto ditë përmes mediave morëm lajmin se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmend që të aplikojë kartat e shëndetit për pacientët – një shpikje kjo që i atribuohej ish-ministrit Cikuli. Nuk e di se ku e kanë marrë idenë për një marrëzi të tillë, por të nxjerësh on-line të dhënat mjekësore për një pacient është thyerje drastike e fshehtësisë së dokumentave të ndjeshme mjekësore dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Unë nuk e di se cili vend i zhviluar i botës e ka kaluar një përvojë të tillë dhe se kjo ka treguar se është e suksesshme.

Në vend të atyre kartave fantazmagorike të shëndetit, që nuk ia vlen të hysh në detaje, për të cilat synohet të hidhet një tender në shtator, sa për të vjedhur një dorë lekësh, znj. Hana e ISKSH-së apo të tjerë aktorë që merren me sistemin shëndetësor, bëjnë mirë që të liberalizojnë tregun e sigurimeve shëndetësore dhe secila kompani sigurimesh mund të bëjë karta elektronike, si kartat bankare, që tregojnë anëtarësinë e një personi në një firmë sigurimi, me anë të të cilave i siguruari mund të paguajë shpenzimet tek mjeku, pa patur nevojë të fusë dorën në xhep. Këtë gjë është mirë të bëjë ministri joprofesionist Ndoka, i cili vishet me Armani dhe pretendon se duke përdorur metodat shtërnguese do të rregullojë sistemin shëndetësor, si në kohën e Dullës, pa dhënë asnjë ide apo opsion të qartë zhvillimi të sistemit shëndetësor, në përputhje me përvojën e vendeve të zhvilluara, që aplikojnë ekonominë e tregut.

Kasta e sotme politike shqiptare, duke qenë se është e paaftë të ndeshet me rregullat konkurruese të një ekonomie tregu, pasi janë skarco politike, nxjerrin shpeshherë ide jorealiste, sa për të verbuar sytë e të paditurve, që kanë mbetur në Shqipëri, ide që nuk përputhen aspak me kërkesat e shoqërisë për zhvillim, dhe i atribuojnë vetvetes zgjuarsi, pasi kanalizuar në xhepat e tyre paratë publike të këtij vendi. Klasa e ardhsme politike e Shqipërisë do të trashëgojë nga klasa e sotme politike, nivelin politik të analfabetit, të hajnit pa moral dhe të mediokritetit. Nëse Shqipëria pretendon të ndryshojë, ajo duhet të ketë gra e burra të aftë, që të ndeshen me sfidat e kohës. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, të tjerët, vendet e zhviluara e kanë bërë atë para nesh. Ne na mbetet vetëm të jemi kopjues origjinalë…

E ç’mund të them për këtë, kur kujtoj shitjen e Albtelekomit tek një kompani turke?! Përmes Azisë, ne pretendojmë të integrohemi në Evropë… Tregojnë një histori banale për djallin (shejtanin):

I thonë djallit, sa këmbë të shtrembra ke?! Ai përgjigjet, po çfarë kam unë të drejtë në trupin tim?!

Kjo është Shqipëria në moshën e internetit – karikaturë e politikanëve tanë të paaftë!

Botuar në: Standard, 28.08.2007

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: