Arben Çokaj

HEKERRUP: ZGJEDHJE NË KOSOVË

Hans Hækkerup, ish-administrator i Kosovës

“Zgjedhjet janë një premisë sigurie për rajonin!”
– deklaron autoriteti më i lartë i OKB-së në Kosovë.

— nga Jens Holsøe – ‘Politiken’, Prishtinë.

Këtë vit do të mbahen zgjedhjet për një parlament dhe një president ose këshill presidencial në Kosovë, deklaron autoriteti më i lartë i OKB-së në Kosovë, dhe realisht – zëvëndës mbreti i provincës.
Shumë vetë kanë deklaruar se duhet të ketë siguri në Kosovë, para se të mbahen zgjedhjet, ndërkohë që Haekkerup (shq. Hekerrup) ka mendim të kundërt, të cilin ai e shprehu në një bisedë me gazeten daneze ‘Politiken’ nga zyra e tij në Prishtinë, të premten mbasdite, pas një dite të lodhshme negociatash me qeverinë maqedonase në Shkup.

“Zgjedhjet janë një premisë sigurie. Duhet të fillohet një proces, që zhvillon një kulture politike të mirëfilltë. Kosovarët kanë patur mundësi të vogla për të mësuar politikë, në atë mënyrë që e kuptojme ne. Edhe ne na ka marrë kohë të gjatë, para se të zhvillonim demokracinë tonë në Danimarkë. Do të marrë kohë edhe këtu, por është e rëndësishme që ne të fillojmë. Tashmë zgjedhjet komunale (të cilat u fituan nga moderati Ibrahim Rugova, red.) dhanë një sinjal se shumica dëshirojnë marrëdhënie paqësore e demokratike,” – thotë ai.
Hans Hekerrupit iu desh të shkonte të premten në Shkup për bisedime. Moti ishte i keq, kështu që ai s’mundi të përdorte rrugë ajrore, por e bëri udhëtimin me makinë. “Bisedimet kishin të bënin me rihapjen e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës për trafikun komercial. Kufiri ka qenë i mbyllur për tre javë rresht, që nga fillimi i trazirave. Na u premtua se do hapej për tre-katër ditë, dhe që nga e shtuna, UNMIK-u e KFOR-i do mund të fillojnë marrjen e furnizimeve”.

Ai ka qenë i habitur me faktin se i është dashur të përdorë kaq shumë energji me marrëdhëniet jashtë Kosovës, në fillim me krizën rreth luginës së Preshevës në jug të Serbisë, ku u krijua një konflikt i armatosur në mes shqiptarëve lokalë dhe forcave të sigurisë serbe, dhe më pas me krizën e javëve të fundit në Maqedoni.
“Ajo që ndodhi në Maqedoni ka treguar se komuniteti ndërkombëtar nuk do të tolerojë ushtrimin e kërkesave për ndryshime me armë ne dorë. Kjo do të thotë njëkohësisht se ne mbështesim çdo mjet, qoftë ushtarak apo politik që qeveria maqedonëse ka përdorur. Ne kemi kërkuar që ushtria maqedonase të vepronte në një mënyrë që të kishte sa më pak humbje ndërmjet popullsisë civile. Dhe kemi bërë presion që të fillohet një dialog politik, që do i marrë parasysh dëshirat e shqiptarëve,” – thotë ai.

Ndihmë e vazhdueshme

Në këtë kohë, zhvillimet në Kosovë kanë të bëjnë me planet e Hans Hekerrupit për miratimin e një “korrnize ligjore”nëse jo të një kushtetute, e cila edhe do ta rrisë shkallën e brendshme të vetëdrejtimit dhe do hapë mundësitë për zgjedhjet qëndrore të vendit. Është krijuar një komitet i përbashkët, që me ngadalësi po ecën përpara. Krahu serb i zgjedhur është tërhequr, ndërkohë që ka mospajtushmëri të mëdha ndërmjet shqiptarëve, të cilët kërkojnë një kushtetutë të mirëfilltë, si një hap të rëndësishëm në rrugën drejt pavarësisë.

Si shkon puna këtu?

“Për aq kohë sa asnjëra nga palët nuk bën asgjë, nuk mund të pritet që unë ta shoh pozitivisht këtë zhvillim. Shpresojmë se serbët e Kosovës do të zgjedhin së shpejti përfaqësimin e tyre në këtë proces. Unë nuk do ta përjashtoj këtë mundësi. Ne konsultohemi me qeverinë e Beogradit, por për momentin duhet të konstatojmë me keqardhje se, Kosova nuk është lart në rendin e ditës së Beogradit. Ata kanë shumë shqetësime tjera, të një natyre tjetër.”

“Kam dëshirë të theksoj se korrniza kushtetuese, për të cilën po punojmë, ka të bëjë me kalimin e një pushteti masiv tek politikanët e zgjedhur dhe organet e tyre. Në një perspektivë më afatgjatë, ne duhet të tërhiqemi një hap prapa dhe t’i afrohemi asaj që i ngjan më tepër një roli paqëruajtësish.”

“Kur kjo thuhet, duhet të konstatojmë se urrejtja ndëretnike është kaq e thellë, sa që helmon gjithë shoqërinë, prandaj nuk bëhet fjalë për një afat kohor të shkurtër. Dhe mua më duhet të mbaj atë pushtet me të cilin jam pajisur, në mënyrë që zhvillimet të mos bien në konflikt me rezolutën 1244 të OKB-së, e cila është baza e gjithë punës sonë këtu. Kjo do të thotë, se sovraniteti jugosllav nuk mund të cënohet, para se të bihet dakort nëpërmjet negociatave.”

Cilat sinjale keni marrë nga qeveria e re amerikane, gjatë vizitës suaj kohëve të fundit atje?
“Nuk ka ndryshime të mëdha në krahasim me më përpara. Duket qartë se amerikanët do t’i reduktojnë forcat në Ballkan, por ma merr mendja se, ajo që ministri i jashtëm amerikan Colin Powell (Kolin Pauell) tha se ne kemi hyrë së bashku në atë zonë dhe së bashku do ta lëmë zonën, është politika ekzistuese amerikane.”

Hans Hekerrupi e bën krejt të qartë faktin se do të zgjasë shumë vjet, para se përpjekjet e ndihmës ndërkombëtare dhe aktiviteti paqësor mund të përfundohet. Ai gëzohet që akoma rrjedhin ndihmat në Kosovë nga vendet donatore, pavarësisht se ndihma të mëdha shkojnë edhe në Serbi e Maqedoni.

“Nëse kjo punë që ka filluar tani do të ndalet heret, atëherë një spirare tepër negative do fillojë përsëri. Kemi të bëjmë me një vend ku papunësia përbën rreth 60%. Dhe të rinjtë nën 18 vjeç, përbëjnë 80% të popullsisë.”

Përktheu: Arben Çokaj, Kopenhagë – 01.03.2001.

Publikuar:
Politiken – gazetë daneze

Artikulli në shqip u botua në:
QIK dhe Bota Sot

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: