Arben Çokaj

Një festë e dytë për serbët

Nga Arben Çokaj, 29.06.2007

Serbët festojnë humbjen e një beteje me turqit në Fushë-Kosovë, në vitin 1389 – një betejë ballkanike që drejtohej nga car Lazari serb. Serbët kanë mundësi të festojnë përsëri për humbjen e Kosovës, meqë e kanë bërë zakon të festojnë edhe humbjet për hir të car Lazarit!

Dy gjëra të çuditshme e shoqërojnë pambarimisht popullin serb, të cilat kanë gjeneruar gjithmonë edhe atë pjesë të mirë të ngjarjeve kontraverse, që shoqërojnë historinë e tyre. E para është festimi i humbjes si alibi dhe e dyta, akumulimi i agresivitetit dhe urrejtjes si komb, për shkak të inferioritetit dhe mosvlerësimit. Ndjenja e humbjes është e padurueshme për kombin serb. Ata bëjnë gjithçka që të dalin fitimtarë, dhe nëse nuk munden të fitojnë, ata nuk e durojnë dot humbjen dhe për rrjedhojë, e kthejnë dhimbjen në forcë, duke e festuar humbjen si fitore. Ky kompleks nacional i hershëm serb, ka krijuar mbijetesën e tyre problematike në atë territor të uzurpuar me kohë prej tyre, duke justifikuar shpeshherë tragjeditë, që ky popull dhe drejtuesit e tij, i kanë shkaktuar fqinjëve, që nga ardhja e tyre në shekullin e 6-7-të të erës sonë në Ballkan. Kjo, në një farë mase arsyeton në absurdin e vet edhe zgjerimin e territorit të tyre, në një tokë, që në historinë e vjetër nuk ka qenë e banuar prej serbëve.

Alibia serbe

Duke e parë në këtë këndvështrim disi të çuditshëm, metodën dinake dhe gënjeshtare, që kisha ortodokse serbe ka përdorur për të krijuar alibi dhe supozime në formë argumentesh të qëndrueshme për kombin serb në histori, të cilat deri tash vonë janë shitur mjaft mirë edhe për vendet e perëndimit, Serbia ka mundur, përveç se përdhuni, të mbajë si të vetat këto toka shqiptare, ku një pjesë e saj përbëhet nga ajo që ne sot e njohim me termin zyrtar Kosovo (serbisht: toka e mëllenjës, mullizezës), një term që serbët dinakërisht i dhanë atij vendi në një kohë të pacaktuar, për të siguruar mbretërimin e tyre mbi shqiptarë. Përveç kësaj, serbët krijuan edhe mite e histori imagjinare, që ta tregonin Kosovën si djepin e tyre kulturor. Ekzistencën e shqiptarëve në këto troje, ata e sqaruan si dyndje e shqiptarëve të ardhur aty, pasi serbët vetë kishin pasur nën zotërim ato toka. Ajo që mbetet si argument i pasqaruar nga serbët, është pikërisht e vërteta historike: kë gjetën serbët në ato toka, në atë kohë kur ata erdhën vetë në Ballkan në shek. 6-7-të të erës sonë?! Ka shumë mundësim që serbët të kenë gjetur aty paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, një pjesë prej të cilëve i konvertuan në sllavë pas pushtimit.

Harta e Kosovës
Këto ditë, në Gazimestan, u festua përsëri përvjetori i betejës së famshme të luftës ballkanike në Fushë-Kosovë, të vitit 1389 kundër osmanëve. Kjo luftë ballkanike u drejtua nga car Lazari serb, dhe në të morën pjesë përveç serbëve edhe shqiptarët, kroatët, bullgarët etj. Lufta u humb nga ushtritë ballkanase, por të vetmit që e festojnë humbjen e kësaj lufte dhe që e kanë kthyer këtë humbje në një festë të madhe nacionale, janë pikërisht serbët, në vend që të ishin osmanët ata, të cilët festonin fitoren. Ndonëse kjo përbën rastin më unikal në botë, ku festa më e madhe e një kombi është pikërisht humbja e tyre dhe e ushtrive aleate, në atë vend, i cili, sidoqoftë sot banohet me mbi 90% shqiptarë. Thjeshtë bëhet pyetja: Si mund të quhet një vend i banuar me shqiptarë, djepi kulturor i një kombi tjetër? Nuk ka të dhëna historike, që flasin për pushtimin e asaj zone nga shqiptarët…

Gjithçka është sajuar mbi një alibi. Për të krijuar idenë se Kosova është pjesë e Serbisë, serbët përdorën çdo metodë e simbolikë, madje edhe festimin e humbjeve, që t’u thonin të tjerëve: “Ja, Kosova është tokë serbe! Kemi edhe histori atje…” Krijimi i imazhit sikur Kosova është tokë serbe (ndonëse ‘kosovo’ mund të jetë toponim serb, siç janë me dhjetëra toponime të emëruara nga sllavët edhe në Shqipëri, të cilat për shkak të internacionalizmit ‘evgjit’ shqiptar kanë mbetur ashtu edhe në ditët e sotme), përmes festave për luftëra të humbura, apo përmes disa kishave katolike shqiptare, të cilat u konvertuan gjatë pushtimeve sllave në kisha ortodokse, serbët kërkojnë përsëri të mbajnë një copë tokë që s’është e tyre dhe një popull shumicë shqiptar, që ka hequr të zitë e ullirit për të ruajtur ekzistencën e vet në Kosovë.

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra

Kaluan dekada të tëra dhe populli shqiptar i Kosovës dhe viseve shqiptare përreth saj, u përball me vrasje, likuidime, përdhunime e terror fizik e psikologjik. Një pjesë e mirë e tokave të banuara dikur me shqiptarë, u humbën përgjithmonë, por Kosova e ruajti substraktin e saj. Kjo falë karakterit të fortë të shqiptarëve dhe dashurisë së tyre për vendin e vet. Folklorizmi shqiptar shoqërohej me humbje të njëpasnjëshme territoresh përballë një makine të organizuar serbësh. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mundën të mbajnë të organizuar siç duhet një popullsi shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, Medvegjë, Preshevë e Bujanoc. Kjo edhe për shkak se shqiptarët e pushtuar nuk kishin mundësi të kultivonin gjuhën, kulturën dhe kombin e tyre. Shqiptarët nuk patën mundësi që të dilnin fitimtarë mbi gënjeshtrën historike serbe.

Erdh një ditë, dhe në atë tokë, që vendasit e njihnin si Dardani, por që sllavët u kishin vjellë emrin, tokën dhe prodhimet, lindi një fëmijë shëndetlig, dy-tre muaj pasi serbët i kishin vrarë të jatin, gjyshin, dhe familjarë të tjerë. Legjenda tregon se si ky njeri u rrit, u shkollua me vështirësi dhe kuptoi filozofinë serbe të gënjeshtrës, mashtrimit dhe urrejtjes racore. Ai mendoi jo folklorizmin si mjet antikorp kundër helmimit serb, por një teknikë të re më pak patetike dhe që dha efekt, për të çliruar popullin e vet nga vargonjtë e shtypjes serbe. Ky njeri quhej Ibrahim Rugova. Bashkëkohësit e tij, e kanë të vështirë ta pranojnë se njerëz të tillë nuk i vijnë shpesh një kombi, duhen shekuj. Por çdo komb i virtytshëm është në gjendje të prodhojë figura të tilla madhështorë, në ditët kur kombi është në hallin më të madh. Në qetësinë e tij, Rugova themeloi teorinë e re filozofike të shkëputjes nga serbët. Kjo teori nuk konsistoi në metodën tradicionale të luftës me një pushtues më të fuqishëm se vetja, por në sqarimin e opinionit mbarëbotëror për të vërtetën e Kosovës, për të vërtetën e një populli të uzurpuar, që vuan në çizmen e çetnikëve brutalë serbë. Njëkohësisht, Rugova punoi shumë për të vetëndërgjegjësuar popullin shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj, për strategjinë e re të veprimit, e cila do ta ndërkombëtarizonte problemin e Kosovës dhe do i jepte Kosovës një ditë pavarësinë.

Mënyra se si Rugova me bashkëpunëtorë, në kushtet e një terrori e kundërshtie nga serbët dhe kundërshtarë shqiptarë, të shitur apo që nuk ishin në gjendje të perceptonin mesazhin e tij çlirues, krijoi sistemin paralel në Kosovë, duke refuzuar estetikisht pushtimin brutal dhe injorant serb. Rugova me teorinë e 3%-shit dhe sistemin e tij paralel në Kosovë, dhe me një sistem informimi nga ana tjetër, informoi dhe i dha kancelarive perëndimore të vërtetën reale rreth Kosovës, duke nxjerrë në pah mjaft bukur edhe teorinë serbe të gënjeshtrave dhe alibive joreale. Shumë shqiptarë habiteshin se si ka mundësi, që Rugova është kaq bindës me të huajt për çështjen shqiptare në Kosovë. Sekreti qëndron jo vetëm tek shalli i tij, që ai e mbante të lidhur rreth qafës, sa kohë të zgjaste pushtimi i popullit të tij, por edhe tek ajo mënyrë e thjeshtë komunikimi që ai vendoste me çdo bashkëbisedues, larg fryrjeve banale e injorancës, që vëren tek shumë politikanë kokëboshë e të vetëkënaqur këtu në Shqipëri.

Ibrahim Rugova ishte shembull i një politikani modern, i cili kishte ndjeshmërinë të kapte shqetësimet dhe nevojat e popullit që përfaqësonte, duke përdorur me zgjuarsi perëndimore mundësitë që të jep politika për të promovuar lëvizjen e tij të drejtë politike, gjë që nuk e shohim aq shumë tek politikanët tanë orientalë të përditshëm, të cilët idetë dhe idealin politik e zëvendësojnë me meskinitetin, kalkulimet dhe përfitimet e momentit, që shpeshherë sjellin humbje dhe mossukses për shqiptarët. Edhe përfaqësuesit e çamëve kanë se çfarë të marrin nga shembulli i Dr. Rugovës, në mënyrë që të arrijnë sukses në qëllimet që ata i kanë vënë vetes për të realizuar të drejtat e mohuara të popullit të tyre.

Serbët mund të festojnë dy herë

Serbët kur humbin, nuk e pranojnë humbjen. Bota perëndimore i ka kuptuar tashmë gënjeshtrat, alibitë e rreme serbe dhe pretendimet e tyre jorealiste. Aleatët perëndimorë janë të vendosur ta ndihmojnë Kosovën në përpjekjen e saj të drejtë për mëvetësi. Serbët duhet të detyrohen të pranojnë humbjen, dhe nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë le të festojnë për herë të dytë një festë humbjeje. Rrethanat i çuan ballkanasit të humbin një betejë më 1389. Një betejë që kryesohej nga car Lazari serb. Meqenëse ky ‘shenjt’ i serbëve, paska kaq ndikim mbi kombin e tij, saqë i bën të festojnë për humbjen e një beteje, atëherë le të shpresojmë se edhe car Lazaristët e propagandës serbe të këtyre ditëve, do e kuptojnë mesazhin festues të carirt të tyre shpirtëror, për ta pranuar humbjen e Kosovës, po me një festë të madhe.

Kanë ardhur ditët e Kosovës. Një shtet i ri po lind në Ballkan – jo një komb i ri. Krijimi i Kosovës së Pavarur (e cila është mirë të ndryshojë emrin e saj në Dardani, sapo të marrë pavarësinë, në mënyrë që të shkëputet nga e kaluara e saj e hidhur), krijon premisat për një rajon më të qetë dhe më në ekuilibër forcash se kurrë. Problemet në Ballkan janë shkaktuar gjithmonë nga sllavët – sidomos serbët e pagdhendur. Vetëm duke vënë sanksione mbi Serbinë, duke kontrolluar agresivitetin e saj shpërthyes dhe dëmtues për fqinjët, egoizmin dhe egocentrizmin e saj, do të jemi në gjendje të jetojmë në paqe e zhvillim në Ballkan, ashtu si edhe pjesa tjetër e Evropës perëndimore.

Botuar në: Illyria | Bota Sot | QIK |Standard

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: