Arben Çokaj

Lorenc Luka: Faleminderit Jozefinë!

Nga Arben Çokaj, 05.11.2007

Një rrugë e gjerë pranë Kishës së Madhe të Shkodrës po shtrohej me asfalt, ndërsa pezull rrinte premtimi për një bum investimesh, që do të kryhej në këtë qytet, të lënë pas dore për vite me radhë. Në ato ditë entuziaste, ashtu sikur varfanjakut i hedh një kothere bukë, një banderolë bashkiake u fanit në rrugë, diku pranë kishës: Faleminderit Jozefinë! Qytetarët kujtuan njëherë se ky falenderim doli nga shpirti i atyre banorëve, që i kishte mbytur balta, gënjeshtrat, gropat e rrugëve dhe pluhuri, por ata shumë shpejt e kuptuan se koha e xhaxhit nuk paska ikur dhe falenderimi në emër të qytetarëve vinte nga stafi miop i kryebashkiakut Luka, i cili si çdo titullar në administratën shqiptare i zgjedh vartësit më të paaftë se vetja.

Një rrugë e pakryer dhe një falenderim servil

Në Shkodër janë premtuar të vijnë rreth 13 milionë Euro investime, ku përfshihet edhe një urë me hapje mbi lumin Buna – një investim i Bankës Islamike prej rreth 8,5 milionë Euro. Shikoni me sa pak u bëhet qejfi shkodranëve?! 13 milionë Euro (një numër ters ky për besimtarët kristianë), mund të ishte fare thjeshtë buxheti vjetor, që Bashkia e Shkodrës do të siguronte me të ardhurat e veta, nëse në krye të saj do të ishte një kryetar bashkie efektiv – një kryebashkiak që i njeh mirë rregullat e ekonomisë së tregut, mundësitë potenciale të zonës, dhe pas disa investimeve themelore për të zhvilluar qytetin dhe biznesin privat në këtë qytet, do të ishte gjithashtu në gjendje të mblidhte edhe taksat lokale. Por jo, askush nuk e ka mendjen të bëjë ndonjë gjë të mirë këtu në Shkodër, ashtu si në të gjithë Shqipërinë. Zhvillimi vazhdon të pengohet nga padija dhe konceptet e ngurta të disa drejtuesve injorantë, të cilët nuk e kanë as idenë më të vogël se si duhet punuar për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe ekonomisë së lirë. Ata dinë vetëm të kapardisen përpara varfërisë dhe vuajtjeve të këtij populli, pasi janë aq të pafytyrë sa të vjedhin edhe paratë publike të tij, meqë nuk u hyn ferra në këmbë.

13 milionë Euro Shkodrës, qytetit të anatemuar për vite me radhë në periudhën e komunizmit dhe fatkeqësisht edhe pas tij. Më e keqja është, se tani lëngun Shkodrës po ia pinë pinjollët e persekutuar nga komunizmi, të cilët si donë të rinj post-komunistë, ngaqë nuk dinë ndryshe, mundohen të kopjojnë ish-persekutorët e tyre dhe vijnë me turr, e të marrin përpara, duke shpifur sa majtas-djathtas, sikur janë duke bërë nam të madh, pasi për herë të parë në Shkodër kanë sjellë 13 milionë Euro (shumicën nga një bankë islamike), në kohën kur ministri i financave Bode (në heshtje) dërgon për 9 muaj në qytetin e tij, Korçë, plot 41 milionë Euro për infrastrukturën rrugore. Pra, mbi 3 herë më shumë sesa në Shkodër…

Menjëherë sapo falenderimi e “dha efektin” e vet publik të devotshmërisë “qytetare” dhe mirënjohjes shkodrane për investimet që po sjell në qytet znj. Topalli, ai u hoq, por edhe rruga mbeti pa u përfunduar. Kryebashkiaku Luka përdori një banderolë për t’i përvjelur “në konfidencë” shtresën e fundit të asfaltit rrugës… së Jozefinës. Nuk e di se a do të shtrohet ndonjëherë shtresa e fundit në këtë rrugë, por ajo që vihet re në Shkodër, përveç përmbytjeve të rrugëve, është edhe ngadalësimi i procesit të punës për rrugët që patën filluar të shtrohen. Kryebashkiaku Luka po shërben si katalizator bllokues i këtij procesi, ashtu siç bëri në kohën e tij edhe me investimin italian për rrugën Shkodër – Hani i Hotit, dhe për të justifikuar dështimin që sjellin metodat e punës së tij, ai shkon si fëmijë i llastuar e fshihet pas logos së PD-së apo fustanit të znj. Topalli, sikur kësaj të fundit ai i paska lindur në derë.

Kryebashkiaku i fasadave

Kryebashkiaku Luka nuk pritej se do të bënte ndonjë ndryshim në Shkodër, por meqë disa nga njerëzit afër tij e marrin për të zotin (për t’ia rregulluar punët vetes), ai qe në gjendje të gjente mënyrën për të kandiduar për Kryetar Bashkie nën logon e PD-së. Nga vëzhgimi mediatik, që iu bë zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, në Shkodër rreth orës 14-15 kishin shkuar në zgjedhje rreth 12-15% të votuesve. Por kjo shifër u rrit artificialisht më pas, duket nga komisionerët e “shkathët”, të cilët ia kanë “zënë dorën” zgjedhjeve në Shkodër. Kjo tregon edhe mbështetjen publike për kryebashkiakun e ri, i cili është edhe qytetari i parë i pamerituar i qytetit të Shkodrës. Nuk besoj se gjen vend të zhvilluar në botë, ku një kryetar bashkie bëhet i tillë, pavarësisht cilësive të dyshimta personale, vetëm se ai i ka “hyrë në zemër” një zonje të pushtetshme, e cila ndoshta mendon me të vërtetë se mund t’ia ndryshojë fytyrën për mirë Shkodrës. Por jo kështu, jo me këta njerëz të paaftë dhe jo me investime gjysmake!

Para disa ditëve dëgjova edhe për një investim rreth 450 milionë lekë të vjetra për të lyer fasadat e ndërtesave, që përfshihen në atë që konsiderohet si Piaca e Shkodrës. (A nuk do të ishte më mirë, që këto para të shkonin për të bërë trotuarin, qoftë edhe nga njëra anë, të rrugës pa trotuare që shkon nga “5 heronjtë” deri në lagjen Kiras?! Se njerëzit ecin si kafshë në mes të rrugës, duke rritur pasigurinë e saj dhe duke e paraqitur këtë qytet si jashtë kohe!) Firma fituese e tenderit të fasadave ka ardhur nga Vlora, pasi kryetari Luka ia ka “zënë dorën” – i nxjerr paratë jashtë Shkodrës, pasi firmat lokale mund të flasin për përqindjet që u kërkon kryetari. Duket se këtë metodë e ka mësuar nga disa ministra a drejtues të KESH-it, të cilët u kënaqën duke ua dhënë tenderat firmave të huaja dhe jo atyre shqiptare. Kështu që në vend që paratë të rrinë në Shqipëri, apo në Shkodër, ato shkojnë diku jashtë Shqipërisë dhe për rrjedhojë edhe jashtë Shkodrës. A nuk ngjan kjo me të zotin e shtëpisë, që në vend që paratë t’ia japë për përdorim familjarëve të tij, ai shkon e i harxhon ato pas grave të përdala diku jashtë?!…

Partia Demokratike në pushtet duhet të tregojë kujdes tani, që pushteti është shtrirë edhe më shumë në dorë të saj. Njerëz të korruptuar dhe pamoral po manipulojnë në emër të titullarëve të lartë, për të kapur poste me peshë për zhvillimin dhe ekonominë e këtij vendi. Nuk e di, ndoshta edhe nuk i njohin sa duhet, por përderisa znj. Topalli e të tjerë, kanë të dhëna se dikush po manipulon në emër të tyre, ata nuk duhet të qëndrojë indiferentë, se në fund të fundit edhe ata paguajnë çmim politik, nëse një i zgjedhur prej tyre dështon, ose kur ndonjëri manipulon në emër të tyre, apo abuzon me paratë publike.

Kemi rastin e një kryetari komune, që nuk u rizgjodh për shkak të abuzimeve rrëqethëse, që bëri me paratë publike në kohën kur ishte kryetar komune. Meqë ka 8 klasë shkollë të rregullt (të tjerat ???), ai është mjaft i suksesshëm në përdorimin e instikteve. Hapi fjalë poshtë e lart se znj. Topalli po e mbështet për t’u futur shef në doganën e Hanit të Hotit, apo drejtor i tatimeve në Malësinë e Madhe, se më poshtë nuk pranon. Meqë nuk mundi t’i dalë në krye kësaj aventure (duket që znj. Topalli e mori vesh se ai po manipulon në emër të saj dhe nuk e mbështeti), ai nuk u tërhoq, por arriti që me 10 mijë Euro të siguronte vendin e Drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Malësinë e Madhe. Këto para ai nuk ia dha ndonjë njeriu afër znj. Topalli, por dikujt tjetër në PD, i cili bëri të mundur, që një grua profesioniste të hiqej nga puna dhe në vend të saj, të futej një injorant, që as letra nuk di të shkruajë.

Që në kohën e Konicës e Nolit, ky vend duket së është i mallkuar, pasi vetëm injorantët dinë të shfrytëzojnë psikologjinë sociale orientale të këtij vendi, dhe janë pikërisht injorantët ata, që nuk kanë skrupuj dhe me pafytyrësi pranojnë çdo lloj pune, meqë nuk dinë të bëjnë asnjë punë. Ky vend vazhdon t’i shohë me inat njerëzit e mençur e profesionistë, prandaj mbetet i tillë, i pazhvilluar!

Botuar në: Shekulli, 13.11.2007 | Shqipëria Etnike, 09.11.2007

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: