Arben Çokaj

Paratë nga Gjermania dhe infantilizmi i Edit

Nga Arben Çokaj*), 08.06.2003

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është ndeshur këto javë me një proces blasfemimi ndaj tij dhe rolit të tij në transformimin e Tiranës. Edi, ky djalë i shkathët dhe inteligjent, orator i kultivuar që nga mitingjet e vitit 1990, e më pas me batutat e tij shpeshherë banale e sarkastike kundrejt kundërshtarëve politikë, ka dalë në skenën shqiptare si një politikan i një kategorie të re, por që fijet e padukshme të politikës dhe pushtetit, e kanë tërhequr pakthyeshëm në krahët më kontraversialë të saj.

Sado që Edi luan rolin e moskokëçarësit, se “tironsit më duan”; sado që ai mundohet të injorojë autoritetin e një komisioni parlamentar, prapë se prapë, as ai dhe as qytetarët tiranas nuk mund të injorojnë aferat e tij abuzive, të nxjerra publikisht nga komisioni parlamentar “anti-Rama”. Veprimtaria e komisionit parlamentar “anti-Rama”, me faktet e nxjerra nga hetimi i bërë, shkarkoi nga puna ish-drejtoren e TOB-it, znj. Çela, dhe po rrezikon ndjeshëm karrierën e ardhëshme të vetë kryebashkiakut të Tiranës.

Ideja për të bërë diçka për Tiranën, dhe nëpërmjet punës së tij, të sigurojë të ardhura marramendëse për vetveten dhe bashkëpunëtorët e tij, është shumë më e preferuar se sa ideja për të mos bërë asgjë, as për Tiranën dhe as për veten. Në këtë kontekst, duhet thënë se, që në fillimet e pluralizmit në Shqipëri, brezi i të rinjve si Edi Rama, Blendi Gonxhe, etj. përbënin klasën e re politike në Shqipëri, që po lindte si metamorfozë me një sistem të vjetër, që ishte tashmë në të ikur…

Në krahasim me të rinjtë dhe drejtuesit e studentëve shqiptarë, të cilët vinin nga rrethet e Shqipërisë dhe që merreshin me politikën e kohës, brezi i të rinjve tiranas diti të përfitojë më mirë në pjesën e dytë, nga bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe nga pushteti i klasës politike që përfaqësonin. Ky brez i të rinjve shqiptarë, të cilët ishin më së shumti nga Tirana, pavarësisht zhvillimit intelektual dhe njohjes së tyre, u bënë megjithatë pré e shkeljeve abuzive, kur morën një pjesë të pushtetit në duar, pas vitit 1997. Kjo ka ardhur natyrisht si rezultat i pamundësisë së maskimit të veprimtarisë së tyre abuzive.

Ndërsa grupi tjetër ‘provincial’ i të rinjve shqiptarë, të cilët patën po të njëjtat mundësira siç kishin edhe Edi me shokë, nuk ditën të mbanin njëri-tjetrin siç duhej, nga mosnjohja dhe zilira personale, dhe përfunduan ose të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, ose provuan shijen e hidhur të dështimit të shtetit demokratik më 1997.

Sa do të respektohet përgjithësisht vota e hedhur nga votuesi shqiptar në zgjedhjet e ardhëshme lokale? Sa i përgatitur është sot zgjedhësi tiranas të pranojë shkeljet financiare të Edit, dhe ta votojë atë përsëri për kryetar bashkie? Sa i përgatitur do jetë vetë Edi, që të respektojë votën e qytetarëve tiranas, në një rast rizgjedhjeje të tij? Apo mos ndoshta, Tirana duhet të lëkundet në zgjedhjen e një kandidati tjetër nga e djathta?

Një e ardhme jo fort e largët do i sqarojë këto probleme, bashkë me to, edhe shumë pikëpyetje të tjera. Duhet patur parasysh se Edi i shkathët e hokatar, Edi i batutave dhe fjalorit banal, ndjehet sot më i humbur se kurrë. Edi me shpirt të lirë, që karrierën e tij politike e filloi në një kohë të turbullt, me fjalorin e tij karizmatik kundër figurave e simboleve të diktaturës, e ka humbur sot fleksibilitetin dhe lirinë e tij të reagimit. Sepse sot Edit i duhet të flasë për veten, në vetë të parë; për anët e mira dhe sidomos ato të këqia të punës së tij. Edit i duhet të ndeshet ballë pë ballë me ata, që po përpiqen ta rrënojnë kalanë e tij të suksesit, dhe përballë tyre, Edi ndjehet i humbur. Po të mos ndjehej i tillë, Edi do dinte të menaxhonte takimin me ta, dhe do e tregonte epërsinë e tij, jo vetëm trupore, por edhe intelektuale.

Por Edi bën veprime të pakontrolluara dhe mundohet të kapet pas fijeve të barit, që të shpëtojë karrierën e tij të rënduar…

Para pak ditësh, kryebashkiaku tiranas nxorri në publik një projekt për rregullimin e qendrës së Tiranës. Kjo lëvizje e matur e Edit, donte të thoshte se “Olldelet mund të blegërijnë sa të duan, unë mendoj dhe punoj për Tiranën”. Por çudia më e madhe ishte se Edi Rama shoqërohej nga zv/ambasadorja gjemane, gjatë prezantimit të tij. Me këtë rast, Edi deshi t’i imponohej publikut tiranas, se ja, ambasada e një shteti të fuqishëm evropian, po e mbështet iniciativën dhe projektin e tij.

Por sa reale mund të jenë këto premtime elektorale të Edit, kur merret parasysh mbështetja gjermane? Integrimi evropian i Shqipërisë dhe mbështetja politike që vjen nga Evropa perëndimore, janë aksionet më me vlerë që shiten në bursën politike të Shqipërisë së sotme. Qytetarët shqiptarë, të cilët, të mbyllur nga kjo Evropë, si në kohën e monizmit në Shqipëri, e kanë tepër të vështirë të ndjekin nga afër zhvillimet reale politike dhe ekonomike në Evropë, dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e saj, pa ditur se ku po shkojnë. Dhe Edi vazhdon të kultivojë tek tiranasit ndjenjën e mbështetjes nga Evropa, të para 13 viteve.

Zv/ambasadorja e nderuar gjermane premton investim të qeverisë gjermane në qendër të Tiranës, sikur Gjermanisë i kanë tepruar paratë. Të urojmë që kjo mrekulli të përmbushet për hir të Edit, ndërkohë që buxheti i qeverisë federale gjermane ka një borxh të brendshëm prej mbi 60 miliardë Eurosh, i cili vjen gjithnjë e duke u rritur me shifra galopante. Analistët ekonomikë gjermanë tregojnë se buxheti publik futet në borxh me rreth 1600 Euro për sekondë. Papunësia – e konsideruar si kancer i shoqërisë gjermane, ka kaluar shifrën e mbi 4,5 milionësh dhe ka tendencë të rritet, për shkak të sistemit politik dhe ekonomik, që Gjermania ka shtresizuar në këto 50 vjetët e fundit; për shkak të konjukturave politike e ekonomike në botë, si konflikti i Irakut, apo rënia e dollarit amerikan, që po krijon një deflacion në tregun e brendshëm gjerman, pasi produktet gjermane e kanë vështirë të eksportohen.

Qeveria federale gjermane ndodhet në një udhë pa krye – dhe kancelari gjerman Shrëder (Schröder) ka shpikur tashmë agjendën e tij 2010 , të daljes nga kriza e madhe (ose më saktë të punësimit të tij). Agjenda 2010 presupozon terapinë e rripit të shtërnguar, ose një “Orwell ’84” për popullin gjerman, ku të papunët veç tjerash, do shtërngohen të punojnë me rreth 300 Euro në muaj. Aq i pakrye duket ky projekt, saqë kur u inicua për herë të parë para disa muajsh, shuma që do u paguahej të papunëve në muaj, flitej të ishte 400 Euro. Zvogëlimi i pagesës ishte aq i shpejtë, saqë po të mendohet se një agjendë e tillë do të zbatohej në Gjermani, atëherë për 6 muaj do kishim një masë popullore relativisht më të madhe se popullsia e Shqipërisë, e cila do ushqehej nga garuzhde kolektive, sa për të mbajtur frymën gjallë. Kjo duket se është edhe prespektiva e Evropës së Bashkuar, për një njeri që i njeh mirë marrëdhëniet reale politiko-shoqërore dhe ekonomike të vendeve të Evropës perëndimore, si dhe sistemin e “drejtësisë sociale”, që këto vende kanë ndërtuar.

Atëherë, ku do i marrë paratë qeveria gjermane, që të financojë projektin e Edit për qendrën e Tiranës? Kjo është një përgjigje që Edi do duhet t’ia japë me megafon komisionit parlamentar “anti-Rama”, dhe përmes tij, të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të karnavaleve dhe infantilizmit që ka filluar kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, në përgjigje të një komisioni parlamentar, që është ngritur për të verifikuar punën e tij si ish-Ministër Kulture dhe si Kryetar Bashkie. Pavarësisht abuzimeve të vlerësuara nga komisioni parlamentar, Edi Rama do i bënte një shërbim më të mirë vetes, po të tregohej serioz dhe të përballej me fakte kundrejt akuzave të ngritura, e jo me sjellje prej fëmije. Në fund të fundit, ai do fitonte edhe respektin e qytetarëve seriozë tiranas, përballë kësaj gijotine, që i është ngritur për ta rrënuar.

Nuk besoj të gjenden njerëz që mund të thonë se Edi nuk ka punuar për Tiranën, por një shtet ligjor, që pretendojmë të ngrejmë në Shqipëri, duhet të ndëshkojë secilin prej nesh, në bazë të ligjeve të shtetit në fuqi, pavarësisht meritave dhe sukseseve që mund të kemi. Dhe Edi është i detyruar të përgjigjet para këtyre ligjeve, pavarësisht suksesit të tij në Tiranë, dhe pavarësisht konjuktuarave politike që drejtojnë sot Shqipërinë.

Që Edi ta meritojë rizgjedhjen e tij për Kryetar Bashkie të Tiranës, ai duhet të dalë publikisht në mbrojtje të vetvetes, seriozisht e me fakte, pa batuta, karnavale e fjalë banale, pasi ai po mbron vetveten e nuk po shan ish-diktatorët. Nëse oratoria karizmatike e lindur e Edit, në kritikat e guximshme kundrejt simboleve të diktaturës dikur, bëri që Edi të ketë një karrierë politike në partinë e trashëgimtarëve të diktaturës, dhe fituesit me “kallash” të pushtetit në Shqipëri më 1997, kjo nuk do të thotë se Edi mund të fitojë përsëri simpatizantë, duke mbrojtur veten po në të njëjtën mënyrë.

Nëse Edi e ndjen vetveten fajtor për akuzat e ngritura nga komisioni parlamentar “anti-Rama”, atëherë ai do duhej të largohej me nder nga drejtimi i Bashkisë më të madhe në Shqipëri, duke i lënë qytetarëve tiranas shijen e hidhur të ikjes së tij, e cila më pas do kthehej në rivlerësim të figurës politike të Edit, pavarësisht abuzimeve të tij me paratë publike, në një kohë, kur është e vështirë të gjesh politikan të pakorruptuar në Shqipërinë e sotme. Një veprim i tillë do i jepte mundësi Edit, që në një kohë tjetër të mund të ngrihej përsëri, në një lartësi më të madhe nga ç’është tani, pavarësisht konjukturave politike në Shqipëri, dhe natyrisht me një fjalor më të pastër e më serioz të tij.

*) Autori është ish-pjesëmarrës i demonstratave kundër komunizmit në Shqipëri, e më pas drejtues studentësh dhe njohës nga afër i lëvizjeve pluraliste e protagonistëve të saj, në Shqipërinë e viteve të para ’90-të.

Publikuar në:
Gazeta “Illyria“, New York, | Gazeta “Albania”, Tiranë, 09.06.2003

Dërguar për:
Gazeta “TemA”, Tiranë

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: