Arben Çokaj

Rrobat e reja të Edit

Nga Arben Çokaj, 12.02.2007

Po huazoj titullin e mësipërm nga tregimi i mirënjohur i H.C. Andersenit “Rrobat e reja të perandorit”, për të ilustruar imoralitetin, paaftësinë dhe mungesën e virtytit të një kryebashkiaku në ikje. Edi Rama, pozoi nudo këto ditë në gazetën e pavarur “Sot”, ndërsa ithtarët e tij u revoltuan, duke ia atribuuar këtë lakuriqësi të liderit socialist kryeministrit Berisha. Reagimi mbrojtës i kampit rozë dhe i disa drejtuesve dhe analistëve të majtë, më kujtoi gjithashtu filmin “Idiotët” e regjisorit danez Lars Von Trier…

Në tregimin e tij, Andersen trajton një perandor (mbret) të paaftë, që i shpenzonte të gjitha paratë për rroba të reja. Kështu që një ditë vijnë në qytet dy rrobaqepës, të cilët premtojnë se qepin rroba të veçanta, që në fakt nuk ishin rroba fare: rrobat shikoheshin gjoja vetëm nga ata zyrtarë, që e meritojnë postin që kanë… Perandori i paaftë intrigohet nga ky trill, dhe ngaqë donte t’i mbushte mendjen vetes se nuk është i paaftë, ai bën sikur i shikon rrobat, që nuk ishin rroba, të rrobaqepësve të çuditshëm. Kështu që perandori i krekosur shfaqet në publik lakuriq, ashtu siç e ka bërë e ëma, ashtu siç u shfaq edhe Edi Rama këto ditë në gazetën “Sot”, ashtu siç shfaqet para nesh çdo drejtues i paaftë i kësaj shoqërie, sadoqë mundohet ta mbulojë veten edhe me pallto të shtrenjta.

Regjisori i famshëm danez Trier tek filmi “Idiotët” shfaq gjithashtu një sekuencë të një seksi grupor (orgji), të disa njerëzve perversë, të cilët kishin gjetur ‘vrimë’ tek sistemi danez dhe të mbyllur në një vilë luksoze, që ishte pronë publike, po jetonin idilin e një jetë të shthurur imorale, duke përdorur resurset e shoqërisë. Këta ishin idiotët e sotëm danezë, që shfrytëzojnë sistemin për t’u molepsur në ndjenjat më të shthurura dhe perverse të tyre. Duhet thënë se danezët si popull, janë njerëz që përmenden për shthurjen e tyre relative morale, që e ka zanafillën tek një impotencë e vazhdueshme mashkullore, e cila i çon të dyja gjinitë në eksperimentimin e perversiteteve, meqë stili misionar nuk funksionon siç duhet.

Për analogji, duhet të pranojmë, se Edi Rama është kthyer tashmë në një seks-simbol pervers, i cili mund të punojë si lider i një sekti fetar me moral të veçantë; të shpërdorojë femrat që i bien në dorë, se veç kështu mund të respektohet nga disa mjeranë; të pozojë nudo për revista porno, etj. por nuk ka moral, aftësi dhe virtytet e duhura të një politikani bashkëkohor për të drejtuar një bashki. Sado që një pjesë e popullsisë në Tiranë, të prirur drejt modernizmit të paskajshëm, mund të bëjnë sikur nuk ka gjë se një politikan i lartë i Tiranës nxjerr hallatet jashtë në plazhet e Malit të Zi, apo diku tjetër. Edhe gjermanët u prekën kur një gazetë angleze publikoi fotot nudo të kancelares Merkel. Pra, reaguan. Ndërsa shqiptarët, të kalitur këto vite nga turbulencat e çmendurive politike dhe të disa telenovelave pa moral latino-amerikane, gëlltisin çdo anti-vlerë që u ofrohet, ka rëndësi që kjo të vijë nga jashtë.

Një pjesë e shqiptarëve janë kaq modernistë, kaq të avancuar, sa nuk dinë kujt t’i thonë mirë dhe kujt t’i thonë keq. Koncepti diktatorial i këtyre modernistëve, bën njëkohësisht përgjegjës kryeministrin Berisha edhe për pozimin nudo të kryetarit socialist Rama, për sjelljet dhe qejfet e tij disi të tejskajshme. Se mos Berisha do të merret edhe me mbathjet e Edi Ramës… A jeni në vete ju o trutharë?! Nëse bishti i një komete godet Shqipërinë (mos e thëntë Zoti, se mjaft të rrënuar jemi), a mos edhe për këtë fajin e ka kryeministri?! Ne vetë kërkuam liri të shtypit dhe mediave dhe sot disa analistë a politikanë kërkojnë që kryeministri të censurojë edhe shtypin…

Kur diçka është jashtë moralit të një shoqërie, ajo dënohet nga shoqëria. Për modernistët shqiptarë, që kanë parë gjermanë apo evropianë nudo, dua të kujtoj se në plazhet amerikane nuk lejohet asnjë mashkull që të dalë në plazh pa mbathje banjoje, të cilat shkojnë deri mbi gju. Kjo për arsye se fëmijët duhet të ruhen nga ekspozimi i organeve të ‘pabindura’ gjenitale mashkullore. Ndërsa Edi Rama, fuqia e poshtërimit, jo vetëm që del nudo në një plazh jo-nudist, por ai bën edhe foto atje dhe zgërlaqet i vetëkënaqur kur një femër lakuriqe zgjat dorën që t’i kapë veglën e tij. (Merrni me mend arsyen pse Edi Rama i bën disa gra për vete, ndonëse ka shpërdoruar një duzinë prej tyre… – Se janë pa moral!)

Publikimi i fotove nudo të kryetarit socialist në një prej të përditshmeve shqiptare dhe në disa gazeta të huaja, hap për diskutim edhe normat etike që duhet të ketë gazetaria. Por, a duhet të ndjehet fajtore një gazetë, që publikon disa foto nudo, kur personi që nxjerr hallatet jashtë nuk e ka problem?! Për më tepër, kur “lideri” në fjalë zgërdhihet mes një publiku ithtarësh socialistë, nuk ka aspak vrasje të ndërgjegjes dhe provon ekstazë në kërkimin e votës së tyre… Ja ku është Evropa, thotë si pa të keq, një i paekuilibruar mendërisht. Evropa lakuriq! Ku është sensi i masës në këtë rast?!

A duhet që shqiptarët të pranojnë gjithçka që u serviret?! A duhet që shqiptarët, kaq fanatikë dhe konservatorë në disa raste, të pranojnë që një njeri i lakuriqtë; me një familje të shkatërruar e të shthurur; me një jetë që merr ngjyrime perverse; mendërisht i ç’ekuilibruar, të ketë në dorë fatet e zhvillimit të kryeqytetit të tyre, apo drejtimin e një partie të rëndësishme politike?! Për këtë mund të vendosin vetë shqiptarët…

Por, mos kërkoni zhvillim ju qytetarë të Tiranës dhe ju o shqiptarë, nga njerëz karagjozë dhe pa personalitet. Nëse tërhiqeni nga ata, pas tyre do mbeteni. Ngaqë Edi Rama nuk ka potencë në drejtim, nuk ka kokë për të qenë lider, ai përdor hallatet dhe perversitetet e tij për t’u bërë tërheqës për sojin e vet, ashtu siç bëjnë skandinavët e gjorë, ku mungesën e potencës seksuale e mbulojnë me perversitete – pasi çdo shmangie apo devijim nga normalja quhet perverse. Por disa prej analistëve e ambjentalistëve tanë, perversiteti u duket normal dhe mundohen që në vend që të mbulojnë hallatet e liderit të tyre të zgërlaqur, ata ia hellin fajin kryeministrit, që nuk pengon një shtyp të lirë.

Edhe homoseksualët kanë teorinë e tyre të shpërndarjes së misionit. Madje harxhojnë shuma të mëdha që të inkuadrojnë njerëz publikë (si Edi Rama), që të influencojnë shoqërinë. Ky është një shembull dëshpërimi, se gjoja çdo akt anormal bëhet normal kur ky manifestohet nga një numër i madh njerëzish. Dhe Edit nuk i mbetet tjetër tani, në misionin e tij të vështirë dhe të papërballueshëm: të përdorë çdo organ në fuqinë e tij të ndryshimit, për të arritur që të ruajë statuskuonë e mashtrimit.

Por njerëzit e panë Edi Ramën lakuriq… fajin e ka vetë. Ndonëse në këtë fushatë, shqiptarët duhej të përballeshin edhe me hallatet e tij. Për të gjithë, kjo do të kujtohet si fushata e hallateve.

Dërguar për: Gazeta “Bota Sot”, “Illyria”, “Koha Jonë”, “Standard”, “TemA”

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: