Arben Çokaj

Dhjetor ’90 – një ngjarje historike

Jam i nderuar që në Dhjetor ’90, isha në mesin e atyre studentëve idealistë, që dhanë një kontribut të madh në përpjekjen e tyre për të sjellë një sistem demokratik në Shqipëri. Unë isha mes atyre të shumtëve, që nuk i shërbenin e as i shërbejnë ndonjë konjukture të caktuar, por që i shërbejnë të mirës së përgjithëshme.

Shqipëria kishte nevojë për demokraci, përkundër një diktature të marrë, dhe një orientim Evrtopian, pa konsekuencë! Se duket sikur në këto vite e kemi humbur disi rrugën nga ndërhyrjet e jashtme dhe mosmarrëveshjet e brendëshme, që po na pengojnë në rrugën tonë të zhvillimit demokratik dhe ekonomik, përmes dijes e shkollimit, punës dhe mentalitetit Perëndimor të biznesit!

Si student i Dhjetor ’90-të, dhe aktivist i asaj kohe, jam përfshirë edhe në librin Dhjetor ’90, Mbaj mend, të botuar nga Bislim Ahmetaj dhe Grupimi Dhjetor ’90.

Moment i fiksuar në kohë

Arben Çokaj, tetor 2011

Pas 21 vjetësh, të kujtosh një moment historik, që ndryshoi rrjedhën e historisë dhe të politikës së një shteti të vogël të Ballkanit, të izoluar dhe të mbyllur çmendurisht në vetvete, të kujtosh ngjarjet e ndodhura para dhe pas 8 dhjetorit 1990, nuk është fort e lehtë. Si protagonist dhe pjesëmarrës herë i pavullnetshëm e herë i vullnetshëm i asaj kohe, mund të përshkruaj me njohuritë e kohës, ngjarjet se si rrodhën ato, çfarë pashë e nuk pashë në atë moment historik, të fiksuar në kohë.

Idealet e asaj kohe mbeten pezull dhe sot ne vazhdojmë të kujtojmë me nostalgji atë moment kulmor e shpërthyes, të papërsëritshëm në llojin e vet, të dirigjuar e spontan, që mbetet si pikë referimi e ndritshme, e aspiratave të këtij populli për liri, vetë-respekt, begati e dinjitet. Por që si popull i vogël e i keqtrajtuar nga historia, nuk ka mundur t’i gëzojë kurrë këto vlera universale, i vetëdijshëm e në liri të plotë.

Falenderoj me këtë rast iniciatorët e kësaj sipërmarrjeje modeste, për të përmbledhur në një libër simbolik, kujtimet tona për atë kohë sublime, që jo të gjithë e patën fatin e madh të jenë pjesë e saj, pjesë e erës së ndryshimeve demokratike në vend.

* * *

Vjeshta e vitit 1990-të, nuk mund të thuhet se ishte ndryshe për një vëzhgues të pavëmendshëm e monoton, qoftë edhe student. Kishin ndodhur ngjarjet e ambasadave në qershor – korrik të atij viti, ku shqiptarët ishin dyndur në ambasdadat kryesore të vendeve të huaja, në përpjekje për t’u arratisur nga ky vend dhe në atë vjeshtë, një poezi, Kuajt e Gjekë Marinajt, gërvishti kohën përmes botimit të guximshëm të saj, në gazetën Drita, poezi kjo që shëtiti më pas dorë më dorë ndër ne, si një përmbledhje e koncentruar, që tregonte thjeshtë dhe realisht, mjerimin tonë. Që nga ai moment, unë nuk do e harroja kurrë emrin e poetit malësor, pa e ditur se ç’u bë më pas me fatin e tij. Në ajër dukej se diçka do të lëvizte, atmosfera ngacmohej nga ngjarjet që ndodhnin në vendet e tjera të lindjes. Por kush guxonte në atë kohë të mendonte aq guximshëm në këtë vend, ku diktatura ishte më e egër se askund tjetër dhe për rrjedhojë kishte mpirë ndjenjat, mendimet dhe lëvizjet tona?!

Lexoj në bllokun tim të shënimeve të asaj kohe, jo ndonjë gjë të madhe, pasi shënimet e mia aty janë të rralla, por vërej një gjendje shpirtërore depresive dhe pesimizëm të dukshëm, që vinte sigurisht nga mundësitë e kufizuara të jetës dhe nga pamundësia për të jetuar si njeri i lirë. Kisha filluar vitin e dytë për Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ishim 6 vetë në një dhomë në konvikt, me kushte tepër të këqia, një banjë të përbashkët për gjithë katin, ku halet bëheshin edhe në korridoret e banjës, e cila nuk kishte as xhama në dritare dhe të ftohtit e dimrit hynte gjithandej. Pa ngrohje në konvikt, veç me ndonjë furrnelë klandestine dhe mbuloheshim me disa batanija të dala boje, si ushtarët, e flinim në disa krevate tip marinari. Ky ishte studenti i asaj kohe të zymtë, një kohë kur sistemi komunist po shënonte dështimin nganjëllimtar – një rënie të theksuar ekonomike dhe jo vetëm për këtë, lëvizjet demokratike për të rrëzuar atë sistem joproduktiv e represiv, në vendet e lindjes komuniste, ishin bërë tashmë dominante dhe gjithëpërfshirëse.

Ne si studentë, në përgjithësi, nuk ishim të motivuar politikisht në atë kohë, dhe nuk është se kishim ndonjë njohje politike të çfarëdo lloji. Mendimi ynë ishte i kufizuar, dhe sot e kuptojmë se sa të varfër në mendime, njohje të përgjithshme dhe të gjendjes ekonomike kemi qenë në atë kohë dhe nuk është se kemi qenë të qartë e të vetëdijshëm të gjithë për realitetin, në të cilin jetonim. Poezia e Gjekë Marinajt, Kuajt, përshkruan shumë bukur gjendjen tonë psiko-emocionale të kohës:

Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë…
Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!

Pra, ne ishim të gjithë kuajt e sistemit, i cili na kishte vënë frerët dhe na kishte kufizuar lirinë e lëvizjes, duke na detyruar të ecnim të bindur sipas disa rregullave të caktuara, të bindur plotësisht, se përndryshe dënimi ishte kapital, vetëm për një fjalë goje. Njeriu në atë kohë nuk kishte vlera para sistemit – ishte totalisht i depersonalizuar. Ne mund të kishim vlerat tona në krahasim me njëri-tjetrin, por pavarësisht kush mund të ishe në atë kohë, një fjalë goje mund të rrënonte. Dhe kjo sot mund të tingëllojë disi absurde, por në atë kohë ishte një realitet i egër, që mbante nën sundim një popull të tërë. Më kujtohet një herë në atë kohë, kur po haja në mensën e studentëve. Po haja pilaf me fasule. Në pjatën me pilaf pashë një krimb. E largova krimbin në një anë të pjatës dhe vazhdova të ha… Vazhdova të ha! Se ai kazan, atë pilaf kishte – kujt duhej t’i ankohesha në atë kohë?

Në arenën ndërkombëtare, në prill – qershor 1989, në Tienanmen u shënua një masakër kundër studentëve dhe popullit kinez, që kërkone liberalizim të sistemit. Mijëra vetë mbetën të vrarë dhe të shtypur nga zinxhirët e tankeve, ndërsa në dhjetorin e vitit 1989, pati një përleshje gjakatare të protestuesve në Rumani, kundër regjimit komunist të Nikolla Çausheskut, që përfundoi me mijëra të vrarë dhe rënien e sistemit komunist në atë vend. Diktatori komunist romun mbeti i vrarë nga protestat, bashkë me të shoqen. Kjo si duket i trembi rëndë drejtuesit komunistë të vendit. Ata e dinin se si organizohen këto protesta. Populli ishte tejskajshmërisht i varfër dhe i paditur, secili besonte se jashtë jetojnë më mirë se brenda Shqipërisë, se atje janë më të lirë se tek ne, dhe vetëm pak donte, që situata brenda vendit të bëhej shpërthyese, aq më tepër që në arenën ndërkombëtare kishte një tendencë lëvizjesh demokratike në të gjitha vendet e lindjes.

Meqë sistemi komunist kishte dështuar, dhe meqë Shqipëria komuniste ishte mbyllur e gjitha në vetvete dhe po e nxirrte bukën e gojës, duke u mbështetur plotësisht mbi forcat e veta – se ishte prishur tashmë me të gjithë, dhe meqë nuk pritej ndonjë përmirësim i kushteve ekonomike e shoqërore në vend, elita komuniste e kohës, me në krye udhëheqësin e fundit komunist Ramiz Alia, filluan të krijonin me kujdes parakushtet për një inicim protestash të kontrolluara nga ana e tyre.

Pra, Shqipëria në vjeshtën e vitit 1990, deri në dhjetor kur shpërthyen protestat, gjendej në kushtet e një vendi të varfër e të izoluar, me potencial të madh shpërthyes, që me pak ndikim nga jashtë mund të shpërthente në protesta të pakontrolluara dhe mund të merrte edhe jetën e liderve komunistë, që duke mbrojtur veten, ata do të vrisnin qytetarë të pafajshëm… Duke parë mundësitë reale të tyre, për të mbijetuar me këtë lloj regjimi e trazirash që mund të pasonin, udhëheqësit komunistë ishin trembur vërtetë, e për këtë arsye, në kundërshtim me parimet e tyre dhe në konflikt të hapur interesi, udhëheqësi kryesor i vendit, Ramiz Alia, kishte menduar që ta kontrollonte lëvizjen për demokraci në vend – dhe ai realisht, ia arriti këtij qëllimi me mjeshtëri dhe pa viktima në njerëz.

Dy shokët tanë të shkollës, që në atë kohë studionin për mjekësi, Lin Kurti e Mëhill Geci, tregojnë më pas se në shtator të vitit 1990, Azem Hajdari u kishte thënë atyre, se ata duhet të ngrinin krye, në një mënyrë apo tjetër. Ata të dy ishin trembur për vdekje dhe siç tregojnë më pas, ata kishin menduar se dikush ua kishte vënë syrin, për t’i rrasur në burg…

Azemi ishte më i madh se ne me moshë. Kishte punuar si drejtor i Galanterisë së qytetit Bajram Curri, dhe kishte ardhur në shkollë për juridik me vonesë. Ishte i martuar dhe kishte edhe fëmijë. Rrinte në fillim në Godinën tonë, në një dhomë me Shpend Jeshnicën, një shok kursi i yni në vitin e parë. Prandaj ne e njihnim të gjithë Azemin, dhe ngaqë ai ishte më i shëtitur ndër ne, kishte para më shumë se ne, ishte edhe mjaft liberal dhe kishte shoqëri e kontakte me shumë njerëz, ndër ta edhe vajza. Ne si më të ndrojtur, që kishim shkuar në shkollë për të mësuar mirë e për të kryer shkollën, duke u sjellë mirë, tregoheshim të kujdesshëm në komunikim me të.

Nga marrëdhëniet e tij me njerëz të ndryshëm, Azemi si duket e kishte kuptuar se diçka do të lëvizte edhe në Shqipëri dhe ai aty ku kishte konfidencë, hidhte edhe ndonjë fjalë. Dhe kur mendohet se ai që në shtator 1990, kishte filluar të bisedonte me studentë, të cilët i njihte mirë, kjo të krijon përshtypjen se ai dinte diçka ndërkohë. Edhe fikja e dritave, apo sabotimi i tyre për ditë me radhë në disa godina studentësh të Qytetit Studenti, në ditët e para të dhjetorit ’90-të, duket se kishte për qëllim të bënte të pakënaqur studentët, në mënyrë që ata nga pakënaqësia të dilnin në shesh, dhe pastaj grumbullimi i madh i tyre, të përdorej për qëllime politike.

Koha ecte si gjithnjë, pa ndonjë shenjë të veçantë, dhe unë lexoj shënimin tim. Një datë e fiksuar në kohën që rrinte pezull… “E shtunë, 8 dhjetor 1990, ora 23:00. …disa protesta të këtyre ditëve të bëra nga studentët. Ka 2-3 ditë, që janë djegur dritat, na është ndërprerë korrenti tek disa godina të Qytetit Studenti. Prandaj studentët po protestojnë me forcë për këtë. Sonte u bë një rrëmujë e madhe dhe vazhdon akoma. Pa ndonjë motivacion të caktuar, ata po shprehin lirshëm pakënaqësitë e veta për shumë çështje, kanë arritur të thonë fjalë e parudha nga më të ndryshmet.”

Pasi dal jashtë në atë mbrëmje afër mesnatës, shikoj se në sheshin, që më vonë do quhej “Demokracia”, “ishin mbledhur dhe diskutonin mbi 100 vetë dhe mora vesh se tek kryqëzimi pranë ish-ambasadës italiane dhe liceut artistik, ishin mbledhur rreth 3 000 vetë, të cilët ishin shpërndarë me dhunë nga organet e policisë, nën pretekstin se kishin humbur një revole. I pashë se ishin irrituar shumë dhe shanin edhe ministrin e brendshëm. Ndenja nja një orë dhe u ktheva në konvikt.”

Ndërsa shënimi me 10.12.1990 përmban ndër tjera: “Ndërsa dje u bë një gjë madhështore. Braktisëm të gjithë mësimin dhe erdhëm të gjithë këtu në qytet, ku u grumbulluam dhe pas një fjalimi të shkurtër, marshuam për në sheshin Skënderbej. Por rruga nga donim të shkonim, u bllokua nga forcat e policisë dhe ato të ministrisë (reparti 326). Bllokimi u bë poshtë ambasadës italiane, tek liceu artistik. Ishim mbledhur më shumë se 7-8 mijë vetë. Deshën të bashkohen me ne edhe qytetarë të Tiranës, por nuk i lanë. Kështu vazhduam protestën aty për mëse dy orë, por më kot.”

Punonjës të ministrisë së brendshme filmonin pjesëmarrjen nga dritaret e liceut artistik, donim të shquanin drejtuesit e protestës, që ishte Azem Hajdari, i cili hipte shpeshherë edhe mbi supet e studentëve, Arben Lika, Shenasi Rama, Ilir Dizdari, etj. Gjatë rrugëtimit tonë nga Qyteti Studenti deri tek liceu artistik, ne këndonim këngë patriotike, si: “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri…” apo “Eja mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne!” Dhe kur qëndronim për orë të tëra përballë policisë, mundoheshim t’i miklonim ata me thirrjet: “Policia është me ne. Policia është me ne!”

“Gardhi i krijuar nga trupat e policisë me skafandra e shkopinj gome, s’po na linte të vazhdonim më tutje. Nga studentët, puna ishte bërë më e organizuar, më komplekse. Ndër parullat tona dëgjoheshin edhe: “Poshtë diktatura!”, “Rroftë demokracia!”, etj. Para se të shkohej deri aty, u zgjodh një kryesi prej 14 vetësh, që hartuan edhe një farë programi. Por ky program nuk u bë i njohur deri më sot.”

Gjatë protestës sonë me 9 dhjetor 1990, unë pashë një student të shkollës së policisë, me të cilin njiheshim, ishte nga një fshat i Nënshkodrës, Sherif Kalaj, i cili ishte nja një pëllëmbë më i gjatë se unë dhe nuk njihej, pasi kishte skafandër, por ai më pa mua e më tha, siç ishte aty në kordonin e policisë: “Çfarë bën këtu?! Mbathja, se sa morëm urdhër dhe do iu rrafim të gjithëve…” Në fakt, nuk vonoi shumë dhe filloi të ushtrohej dhunë mbi ne. Nuk dua të ekzagjeroj, por për masakrën e Tienanmenit në Kinë, kishim dëgjuar. E dinim se atje ishin shtypur kafka me tanke. Dhe meqë rregjimi ynë mbahej si më i egri në llojin e vet, më shkoi mendja disa herë, se mund edhe të na masakronin si në Tienanmen. Të jesh trim në ato raste, je ose hero, ose paksa budalla…

Dhe shënimi në blokun tim, me dt. 10.12.1990, vazhdon:
“Në fund të këtyre demonstrimeve dje, policia ndërhyri me dhunë dhe na shpërndau të gjithëve. U plagosën disa, thonë se rreth 35 vetë nga dy ditët 8 dhe 9 dhjetor. Unë shpëtova mirë. Pjesa e fundit e demonstruesve, gjatë ikjes, kishte qëlluar me gurë e tulla ndaj policëve, siç na treguan.

Në këtë demonstrim erdhi sekretari i BRPSH, Lisen Bashkurti, që u mundua të qetësonte gjendjen, por më kot. Ai na propozoi që të shkonim ose tek Universiteti, ose në Qytetin Studenti, por nuk dëgjuam, megjithëse unë i këtij mendimi isha, për arsye se në qendër do mblidhej edhe populli i Tiranës dhe do bëhej ndonjë rrëmujë, ku mund të lëshoheshin edhe parulla armiqësore dhe mund të krijohej edhe gjakderdhje, gjë që do të ishte pa sukses për të dyja palët.

Sinqerisht që më gëzoi solidariteti i studentëve, djem e vajza shkonin si vëllezër e motra. S’më besohej të ekzistonte një forcë e tillë tek rinia jonë studentore. Isha mësuar të shihja vetëm indiferentizëm tek të rinjtë studentë, një indiferentizëm e mospërfillje fyese për këdo me ndjenja.
Mendoj se demonstrimi ynë, megjithë dështimin, e bëri efektin e duhur. Sot përsëri u bojkotua shkolla pothuajse nga të gjithë. U mblodhëm tek sheshi i Qytetit Studenti, poshtë mensës 7.1.

U mor një qendër zëri dhe u paraqit programi, që përmbante në vija të përgjithshme: – Përshpejtimin e masave demokratike, që ka filluar Presidenti Ramiz Alia, – Dënimin e atyre që qëlluan mbi ne, – Pluralizëm politik dhe mendimi, etj. Kërkohej një takim me Presidentin Alia. Mitingu vazhdoi gjatë megjithëse edhe kushtet e motit nuk po na ndihmonin. Sot pasdite u kthye përgjigje nga Presidenti Alia, se do takohej me ne, por vendi i takimit, data dhe ora do caktohej prej nesh. Mendohet së në Pallatin e Kogreseve. Të shohim nesër se çdo të bëhet.”

Të nesërmen në mbrëmje, e martë, datë 11 dhjetor 1990, një përfaqësi studentësh e pedagogësh, u nisën me autobuz për në pallatin e Brigadave, në një takim me Presidentin Alia. Kjo ngjarje është komentuar mjaft dhe duhet të jetë e njohur edhe për publikun. Këtu filluan negociatat dhe rruga, që Lëvizja Studentore të konsiderohej si lëvizje politike e mirëfilltë, e cila me kalimin e kohës u tranformua në një parti politike dhe shënoi fillimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Për të qenë i sinqertë, unë e shumë si unë, as që ia kishim idenë në atë kohë, se çfarë është pluralizmi politik. Këtë, si shumë gjëra të tjera, do i mësonim me kalimin e kohës. Krijuam më pas shoqata studentore, përveçse u angazhuam edhe me Partinë Demokratike, në kohë zgjedhjesh e më gjerë.

Në ato ditë të ftohta dhjetori 1990, zjarri studentor kishte ngrohur shpirtin tonë dhe kishte ndezur klimën politike në vend. Fjalime të përditshme në Qytetin Studenti, nga oratorë të ndryshëm, intelektualë, pedagogë dhe studentë, ndër ta edhe Sali Berisha, Hamit Beqja, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Arben Imami, Azem Hajdari, Arben Lika, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti, Ilir Dizdari, etj. Mbaj mend që në njërin nga këto mitingje, ndodhesha pranë tribunës, kur foli Sali Berisha. Është ai mitingu, ku Berisha filloi të përmendte meritat e Presidentit Ramiz Alia, dhe fjala e tij nuk u prit mirë nga studentët, të cilët filluan të ushtonin uuuuuu…, ndonëse ne kishim lexuar një shkrim në gazetën “Zëri i Popullit”, të shkruar nga Dr. Berisha dhe kishim krijuar përshtypje të mirë për të.

Sapo kreu fjalimin, Dr. Berisha u largua nga mikrofoni dhe u afrua aty ku po qëndroja unë. I thashë (nuk besoj se Berisha e mban mend këtë episod, por një ide për mua duket se e krijoi menjëherë): “Doktor, nuk bëhet propagandë në të tilla raste…”. Ai u kthye nga unë dhe më kapi e më përqafoi me gjithë forcë, e më tha ndërsa po më shtërngonte: “Ju dua me gjithë shpirt!” Unë e besova në atë moment, pavarësisht se më vonë do vinin kohë më të vështira, ku sinqeriteti i një politikani vihet në dyshim. Kjo është edhe aftësia e Berishës për t’i bindur të tjerët, dhe për të bërë mbështetës.

Në ato ditë dhjetori, pas krijimit të PD-së, ndodhën ngjarje të rënda e protesta në Kavajë e Shkodër, që shkurtimisht i kam përmendur edhe në bllokun tim të shënimeve. Partia Demokratike u krijua dhe zhvilloi aktivitetin e saj në fillim, në dhomat e godinës 15-të, ku strehoheshin studentët e inxhinierisë. Me një student të Gjeologji-Minierave, Isa Tahiri, që edhe ai e njihte Azemin me kohë, shkonim herë pas here dhe i takonim aty, Azemin dhe të tjerët. Shoqëronim për në mensë Gramoz Pashkon, i cili trembej nga ndonjë snajper, se mos e vrisnin, se kush u zinte besë komunistëve. Ata ishin detyruar të pranonin pluralizmin politik, por kush besonte se?! Ne si studentë nuk trembeshim, ndoshta ngaqë nuk i dinim të gjitha, siç u shpreh edhe Ramiz Alia në takimin me studentët…

Ajo që duhet thënë është se Lëvizja Studentore përfshiu shumë njerëz, ishte një lëvizje masive, që filloi nga studentët, por u bë lëvizje mbarë popullore dhe pavarësisht tendencës dhe dëshirës së ish-Presidentit Alia për ta kontrolluar atë, duhet theksuar se ai nuk mundi ta kontrollojë plotësisht. Meritë e tij ishte, se ai si komunist që ishte, pati inteligjencën e nevojshme dhe e kuptoi se linja e egër e dhunës, mund të kushtonte jetë njerëzish, nga e cila mund të shkonte edhe ai me jetë. Alia u mundua të bënte një kalim të butë nga komunizmi në demokraci, një praktikë, e cila nuk u ndoq në zhvillimet e mëpastajme, pasi Shqipëria u shkatërrua, prona publike u vodh dhe u keqpërdor, konfliktet politike pozitë – opozitë, për mentalitetin komunist, që ekziston në lidershipin e të dyja partive kryesore, sollën edhe kosto në njerëz, me ngjarjet e mëvonshme të vitit 1997, etj.

Nëse Ramiz Alia thirri Sali Berishën dhe i tha të shkonte në Qytetin Studenti e të fliste me ne, se ka disa tropojanë atje, gjë që edhe Berisha erdhi dhe në fjalën e tij tha se vinte nga zyra e Presidentit Alia, kjo nuk do të thotë se drejtuesit politikë të PD-së ishin të gjithë vegla të ish-Presiudentit komunist dhe se më pas ata bënë atë që ai u kishte diktuar dikur. Aq më tepër studentët, ndonëse ndërmjet tyre mund të ishin edhe studentë të infiltruar nga sigurimi i shtetit, pjesa më e madhe e studentëve të dhjetorit ‘90-të, ishin idealistë, që në fillim nuk e dinin se çfarë po kërkonin, por që më pas u qartësuan dhe arritën t’i dhurojnë Shqipërisë një sistem politik demokratik, përkundër diktaturës. Dhe ky ishte edhe qëllimi i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990. Pra, qëllimi u arrit. Mbetej në dorë të drejtuesve të PD-së, pastaj, menaxhimi politik i demokracisë së lindur shqiptare.

* * *

8 dhjetori 1990, ka mbetur si një moment i fiksuar në kohë, dhe unë me vëllain tim Dashamirin, e konsiderojmë veten me fat, që ishim pjesë e kësaj lëvizjeje, dhe që ishim pikërisht në pjesën e shëndoshë e idealiste të saj, pasi ne nuk na kishte futur dikush në lojë dhe nuk na orkestroi askush. Si ne, ishin pjesa më e madhe e studentëve, mbi 95% e tyre, por koha bën të veten dhe njerëzit ndryshojnë me kalimin e viteve, edhe tjetërsohen nga pushteti, që marrin në dorë.

Demokracia e brishtë shqiptare i ka rrënjët te kjo ditë. Fillimi pra i kësaj demokracie është 8 dhjetor 1990. Ndërsa rritja dhe zhvillimi i saj, si sistem demokratik, i është larguar fatkeqësisht idealit të dhjetorit ’90-të. Ne e donim Shqipërinë si e gjithë Evropa. Unë që kam jetuar tani në shtete të ndryshme të Evropës, vërej se, që nga Mali i Zi e lart, ne kemi një ndryshim të madh me Evropën, pikërisht prej ngërçit politik e korrupsionit gjithëpërfshirës, që kaplon vendin e shqipeve dhe mbjell në popull një klimë agresive dhe mentalitet jo-demokratik.

Ne ëndërruam një vend demokratik, kemi pasë shumë arritje me pluralizmin politik, por respektimi i ligjit, ndërgjegjia demokratike dhe e shtet-formimit apo e mirë-funksionimit si shtet, lë shumë për të dëshiruar. Askund në Evropë nuk gjen korrupsion kaq të madh, sa të mbushet mendja që ligji i vetëm funksional e universal në këtë vend, është korrupsioni. Askund në Evropë nuk gjen, që të jepen para për mjekun, pedagogun, për t’u futur në çfarëdo pune në shtet, etj. etj. Askund në Evropë nuk gjen një shtet të zhvilluar, ku njerëzit janë tjetërsuar kështu si tek ne, ku tjetri sillet si njeri, sa është i pa punë ose pa post, dhe sapo gjen një punë diku në shtet, sapo siguron pra për vete kafshatën e gojës, fillon dhe të tjetërsohet. Morali njerëzor ka rënë, edhe për shkak të konflikteve politike dhe individi tek ne, është i kërcënuar në mënyrë konstante nga mos-funksionimi i shtetit.

Shumë gjëra duhet të organizohen ndryshe në këtë vend, dhe mentaliteti politik të jetë ndryshe, sepse ne vërtetë jemi shumë larg Evropës dhe mentalitetit evropian – jemi të fundit në rajon, sa i përket edhe integrimit Evropian. Ne e kemi vendin në Evropë dhe përpjekjet tona, edhe si studentë të dhjetorit ’90-të nuk duhet të reshtin, për ta afruar Shqipërinë me Evropën, për ta integruar atë në Evropë. Kontributi ynë si studentë të dhjetorit ’90-të, si dhe i shumëkujt, që ka ndikim politik e publik, duhet të jepet në drejtim të reformimit të koncepteve brenda partive, që drejtojnë vendin, që ata të shohin interesat e vendit si përparësi kryesore dhe të respektojnë kulturën demokratike.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: