Arben Çokaj

Kur shteti degjeneron

Kur dikush nuk i respekton standartet morale të një shoqërie, atëherë kemi të bëjmë me degjenerim. Shteti i sotëm shqiptar është larguar mjaft shumë nga morali që duhet të ketë një shtet demokratik. Përmes kërcimeve spektakolare, kryeministri dhe ministrat e shtetit, të zënë më shumë me interesa vetjake jo-legjitime, e kanë harruar moralin shtetëror dhe sillen pa respekt kundrejt organeve të këtij shteti dhe popullit që përfaqësojnë, sikur shteti të ishte një grupim mafioz, ndërsa populli pa vlerë.

Forma e organizimit në shtet të një shoqërie, në bazë të disa ligjeve juridike e morale mund të përbëjë edhe një grupim mafioz. Kjo varet nga morali dhe karakteri i atyre njerëzve që drejtojnë shtetin dhe që përfaqësojnë një shoqëri të caktuar. E vërteta e hidhur është se faji për degjenerimin e shtetit nuk bie vetëm mbi shtetarë të degjeneruar, por edhe mbi vetë shoqërinë, e cila nuk është në gjendje të gjejë rrugë dhe mënyra për të larguar nga pushteti disa shtetarë të degjeneruar.

Krizat janë dukuria kryesore e një shteti në degjenerim.

Nuk ka dyshim që shteti i sotëm shqiptar ka degjeneruar me kohë. Shenjat për këtë janë të shumta, shërimi është i vështirë. Që nga viti 1997, shteti shqiptar nuk ka gjetur prehje, duke u hedhur nga kriza në krizë. Krizat kanë patur arsye të ndryshme që të gjenerojnë dhe kjo duket se ka ardhur kryesisht nga mosrespektimi i vullnetit të lirë të zgjedhësve, që më pas ka dhënë pasojat e pasurimeve të paligjshme për pushtetarët, sidomos nga moskontrollimi apo lejimi me qëllim i trafikut të drogës dhe qënieve njerëzore. Por nuk duhet të harrojmë gjithashtu se edhe individë në krizë, si kryeministri apo ministra të tij kanë qenë herë subjekt e herë objekt i prodhimit të krizave.

Kur instiktet nuk kontrollohen nga forca e arsyes së trurit, gjërat shpeshherë rrjedhin në moskuptim dhe kaotizëm. Për shembull, arrestimi i para disa ditëve i ish-kreut të policisë së Tiranës, Pjerin Ndreut, paraqet ndër tjera edhe një dëshirë të papërmbushur të ministrit të rendit Toska, i cili nuk duket se njeh apo respekton ligjet. Them kështu, sepse duke u nisur nga fakti që largimi nga detyra i Ndreut (dhe krerëve të tjerë të policisë së shtetit) zbulon padyshim afera të dyshimta të ministrit të rendit, dhe ngaqë ministri Toska nuk është në gjendje të bëjë më shumë për të mbyllur gojën e ish-kreut të policisë, në një shtet që mundohet të paraqesë një fytyrë demokratike, atëherë ky i fundit mundohet t’i shprehë dëshirat e tij në një formë qesharake e somnambuliste, duke prodhuar kështu një skandal në formën e një spektakli mediatik: arrestohet ish-kreu i policisë së Tiranës, i cili lirohet menjëherë nga gjykata. Kujt i shërbeu ky arrestim? A mos u bë për të trembur Ndreun? Urdhër-dhënësi (kushdo qoftë) a i kënaqi epshet e tij me këtë arrestim? A ia arriti qëllimit?! Jo!

Por kjo nuk është kryesorja. Kryesorja është një histori e vjetër e filozofisë së arratisjes nga realiteti. Qeveria Nano është krijuar për herë të fundit me një koncept të ri “alla Xhoi”. Ky koncept, i përdorur shpeshherë edhe nga qeveritarë në perëndim (si psh. Shrëder), bazohet në gjetjen e rrugëve dytësore, nënvleftësuese, për t’u larguar nga një problem kryesor, apo madhor. Qeveria Nano, që nga koha e ardhjes në pushtet jeton në mungesë kohe. Sa herë del në pah një problem themelor, Nano & co. prodhojnë nga një krizë apo skandal, që njerëzit të merren me të. Nëse nuk munden ta bëjnë këtë gjithmonë, atëherë Nano bën xhiron e radhës për në një vend të huaj. Këto dredhi duket se janë kuptuar mirë nga OJQ-të dhe opozita, e cila ka kohë që ka filluar të jetë mjaft e ekuilibruar duke krijuar dosje të tëra me evidentimin e këtyre fenomeneve, por pa qenë në gjendje të gjejë rrugën efikase për të ndaluar degjenerimin e shtetit, pasi kjo nuk është një punë fort e lehtë nga pozicioni i të qënit në opozitë.

Tani parlamenti shqiptar, i cili ndodhet në krizë pasi nuk ka mazhorancë të përcaktuar, ka me se të merret: Duhet të heqë imunitetin e deputetit Lesi. Nuk ka gjë më të rëndësishme sot për sot, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, vetëm imuniteti i botuesit Lesi, gazeta e të cilit, sipas gojëdhënave paska fyer rëndë dinjitetin e një zonje të papërlyeshme dhe të pafyeshme, e cila aksidentalisht pati fatin të bëhet gruaja e dytë e një burri që çuditërisht u bë përsëri kryeministër. Makina intriguese e daravitjes së mendjeve të varfëra njerëzore nuk harron periodat e veta, në prodhimin e fenomeneve ngacmuese kundrejt kundërshatëve, në momente krizash.

Krizat e njëpasnjëshme sjellin vdekjen e shtetit.

Pas ikjes së Metës nga PS dhe tërheqjes me vete të 9 deputetëve socialistë, Mazhoranca 71-she e soialistëve në parlamentin shqiptar nuk mund të formohet më. Nano u tregua shumë i qetë në konferencën e shtypit, që mbajti më pas, ndonëse ai duket se pa fundin e qeverisjes së tij. Thonë se para vdekjes, njeriu qetësohet. Kjo vjen ndoshta ngaqë njeriu që po vdes, e ka kuptuar gjendjen e tij dhe ngaqë nuk mund ta kthejë prapa fatin e vet, ai pranon verdiktin e përcaktuar nga të tjerët, nga një forcë natyre apo Zoti, që tashmë i ka në dorë ditët e fundit të tij. Njeriu që po vdes, po të ishte në gjendje do të bënte edhe udhëtimin e tij të fundit jashtë shteti, në ndonjë vend ekzotik, ku të tjerët të mos e njohin dhe të mos e tregojnë me gisht, duke i treguar atij pjesën e padëshirueshme të vdekjes. Kështu pra, qeveria Nano po vuan në gërrhamat e fundit të saj. Qeveria Nano po vdes, do apo nuk do zoti Nano; arrestohet apo jo ish-kreu i policisë së Tiranës; hiqet apo jo imuniteti i deputetit Lesi… Të dashur miq, qeveria Nano po vdes, kjo është e pakthyeshme. Qeveria Nano jeton ditët e fundit të ekstazës së saj…

Arben Çokaj, 21.09.2004

Dërguar për:
Illyria,
QIK
“Shekulli”,
“TemA”

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: