Arben Çokaj

Debatikasit e Edvinit

Gripi socialistNga Arben Çokaj, 20 shkurt 2006

Presidenti i Komisionit Evropian, Manuel Barroso erdhi në Tiranë për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për Shqipërinë. Për ta bërë të mundur këtë marrëveshje, kanë punuar padyshim të gjitha forcat politike shqiptare dhe është pozitiv fakti që ato janë të gjitha të interesuara, që Shqipëria të integrohet sa më parë në Evropë.

Përveç rëndësisë së vetë marrëveshjes, ajo që garanton integrimin sa më mirë të vendit tonë është bashkëpunimi i të dy krahëve politikë për të mirën e përbashkët dhe jo refuzimi agresiv i bashkëpunimit apo sabotimi, që socialistët përpiqen vazhdimisht të bëjnë për ta nxjerrë veten në dukje. Tranzicioni shqiptar siç e dimë ka qenë më shumë produkt i një lufte të pakuptimtë politike ndërmjet krerësh të pacivilizuar politikisht, sesa konflikt për gjëra thelbësore ndërmjet mazhorancave pozitë – opozitë.

Vërehet një ndjenjë perverse sabotimi dhe bojkoti e socialistëve shqiptarë, një ndjenjë e thellë papërgjegjshmërie kundrejt zgjedhësve që ata përfaqësojnë. Krerët socialistë po japin shenja mjerimi në mosdurimin e tyre kundrejt suksesit të qeverisjes së PD-së, e cila pavarësisht vështirësive të fillimit, po merr formë dalëngadalë dhe po luan një rol më të madh dhe më serioz në krahasim me qeverisjen e papërgjegjshme socialiste.

Incidenti banal me ndalimin e qëllimshëm të energjisë elektrike në sallën e kuvendit, ndërsa Barroso ishte akoma në sallë, bëri të shkrihen gazit deputetët socialistë, e sidomos ish-ministrja Dade. Këtu vihet re edhe mjerimi politik, intelektual e moral i përfaqësuesve socialistë, pavarësisht frazave boshe që ata përdorin për të ruajtur elektoratin. Zgërdhirja e tyre për këtë vepër injorantësh tregon edhe shkallën e civilizimit të opozitarizmit, që duket se frymëzohet akoma nga historitë e Kinostudios të tipit “Tomka dhe shkokët e tij”.

Disa javë më parë, Kryeministri Berisha u detyrua gjithashtu të lexonte një fjalim të përshtatur të Nanos, të tre vjetëve më parë. Top Channel – një kanal televiziv që për interesat e veta u rreshtua me humbësit, që para zgjedhjeve të 3 korrikut, po vazhdon të notojë në të njëjtat ujëra. Pas një informacioni të marrë duket nga vetë autori i këtij skandali, Top Channel qe i pari kanal që doli me lajmin e madh.

Ndërsa Top-in nuk ke pse ta paragjykosh për këtë gjë, pasi media është dhe atë punë ka, autori i fjalimit në fjalë u detyrua më pas që të jepte dorëheqje për një skandal zyrtar dhe për talljen, që ai u mundua të bënte me kreun e ekzekutivit shqiptar. Një kosto jo e vogël kjo, pavarësisht parave që ai mund të ketë marrë për aktin “kamikaz”.

Edhe punonjësit e KESH-it, të cilët fikën dritat në sallën e Kuvendit, ndërsa Presidenti i Komisionit Evropian Barroso ndodhej në sallë, u pezulluan nga puna. S’ka dyshim që edhe autorët e këtij skandali “kamikaz” do të gjinden. Them “kamikaz” se filli i mendimit në të dy rastet është i tillë, sakrificë e vetvetes për hir të disa parave të pista, për të realizuar një qëllim destruktiv dhe skandaloz.

Të veprosh në mënyrë sabotative, duket se është një virtyt i të majtëve në përgjithësi, që në gjenezën e tyre. Krahu i majtë në politikën globale është krijuar për të mbrojtur interesat e shtresave të varfra. Të gjithë jemi dëshmitarë të atij tmerri dhe diktature, që krijuan të majtët në vendet e lindjes dhe në Shqipëri, nga paaftësia e tyre për të menaxhuar tregun. Të majtët shkatërruan vlerat morale e materiale të njerëzve të pasur, të cilët me mund i kishin krijuar ato, dhe kur nuk kishte më të pasur veç shtetit, ata krijuan konceptin e vjedhjes së pronës së përbashkët. Pra tendenca fillestare ishte vjedhja dhe uzurpimi i pasurisë së të tjerëve. Kjo nuk ka të bëjë fare me fisnikëri!

Tranzicioni shqiptar dhe shoqëria vetë, vuan së shumti këtë anti-vlerë që e konsideron mallin e shtetit si mall pa zot. Kjo është arsyeja edhe e abuzimeve kolosale të pronës së përbashkët nga ana e zyrtarëve, pronë që është krijuar me kontributin e tatimpaguesve shqiptarë, donacioneve dhe kredive të huaja. Papërgjegjshmëria e skajshme për votën e lirë, si papërgjegjshmëri për qytetarin vetë, bën që të abuzohet edhe me të drejtat e qytetarëve, si dhe me pronën e tyre (këtu gjejmë arsyen pse policët e paditur shqiptarë rrahin, akoma edhe sot, qoftë edhe gazetarët).

Kryeministri Berisha po end me aq fuqi e mundësi sa ka, atë që mund të konsiderohet respekt për pronën shtetërore. Fillesat e këtij respekti duken tek lufta kundër korrupsionit, që ai ka ndërmarrë që në fillim të ardhjes së tij në pushtet, e deri tek dy zyrat e krijuara me numra telefoni falas për qytetarët që duan të denoncojnë abuzimet e administratës. Por kjo luftë nuk mund të bëhet vetëm – kjo është një luftë komplekse, që duhet të shtrihen tek të gjitha strukturat e administratës shtetërore si edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos pranuar abuzimin.

Në shoqërinë shqiptare dëgjon shpesh histori të firmave fantazmë të suksesshme, të cilat marrin paratë që jepen për rrugë (dhe nuk janë pak – kostoja e ndërtimit të një rruge në Shqipëri është e përafërt me koston në vendet e Evropës), por rrugë nuk ka, rrugë të standardeve nuk ndërtohen, veç ndonjë paçavureje që rrugë i thënçin – dhe ka raste kur një rrugë e tillë të përurohet edhe 8 herë, dhe rrugë siç duhet përsëri nuk kemi!

Socialistët i mbushën xhepat e tyre gjatë kohës që ishin 8 vjet në pushtet – dhe s’ka si t’u vijë mirë tani që ata nuk i gëzojnë më privilegjet e zhvatjes. Madje, bëhen edhe agresivë! Me anë të kryeprokurorit Sollaku, dhe ndërgjegjes së fjetur shoqërore, që ekziston gjithandej, ata kanë qenë në gjendje të mos e lejojnë përballjen e abuzuesve të shumtë me drejtësinë. Dhe merret me mend gjithashtu, që duke i njohur vlerat e tyre të kritikueshme me fjalë edhe nga kryetari Rama, socialistët me mendimin e tyre “kamikaz” paguajnë edhe skandalet që ndodhin qoftë me fjalimin për energjinë të z. Berisha, qoftë me fikjen e dritave në parlament, apo qoftë edhe me rrahjen e një gazetari nga forcat e policisë…

Për të rënë në sy, kryetari i ri i PS-së, Edvin Rama, së bashku me sekretarin Majko, nuk morën pjesë fare në takimin e përbashkët që u bë për nder të nënshkrimit të marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me presidentin e Komisionit Evropian, Barroso. Krerët socialistë i kishte pllakosur gripi. Pretendimi se Rama nuk kishte marrë ftesë, ishte i gënjeshtërt – më pas doli në dritë ajo historia e gripit. I urojmë kryetarit socialist shërim të shpejtë nga pikëpamja e shëndetit, por edhe një kurë të mirë në drejtim të mesazhit të tij politik.

Një njeri që hyri në politikë me fjalimet e tij tërheqëse në kohën kur Shqipëria po ndryshonte sistem, dhe që është sot kryetar i PS-së, nuk duhet t’i shmanget një takimi të rëndësishëm e historik për elektoratin që ai përfaqëson. Edhe nëse Rama nuk është ftuar, ose nëse ftesa e bërë, nuk ka mbërritur në dorën e tij nga debatikasit e PS-së, ai për hir të unitetit politik që duhet treguar ndaj një çështjeje kaq të rëndësishme, duhej të shkonte në takim. Askush nuk do mund ta kishte ndalë atë që të hynte brenda, se do kishte shkaktuar një skandal të hapur, me ose pa ftesë – të gjithë e njohin kryetarin e PS-së.

Por ka më shumë rëndësi për Edin ashtu si edhe për Majkon (i cili çuditërisht mban një mbiemër sllav – e ne pretendojmë që njerëz si ai të na shqipërojnë edhe toponimet e shumta sllave në Shqipëri), që të mos shkojnë në një takim të tillë – si mënyrë absurde refuzimi për të injoruar nënshkrimin e marrëveshjes nga stafi i kryeministrit Berisha.

Kryetari socialist, si shumë gjoja intelektualë shqiptarë, nuk di se ku e gjen këtë lloj urrejtjeje, që i bllokon logjikën dhe në gjuhën popullore konsiderohet si “të mendosh me bark” për t’u sjellë në mënyrë kaq jo-fisnike, pavarësisht se kryeson një parti politike që duhet të jetë pragmatiste për interes të zgjedhësve të saj. Politika anglo-saksone të mëson të rrish edhe me armikun tënd, për hir të interesave të tua. Por duket qartë që krerët e rinj socialistë nuk e kanë përvojën e duhur në politikë, ndonëse pompohen para publikut si intelektualë, apo njerëz të ditur.

Kreu socialist, duket se urren keq – ai urren patologjikisht. Dhe kjo është një e metë e madhe e politikanëve shqiptarë, dhe e politikës në përgjithësi. Presidenti amerikan Nikson thoshte: “Mos e urre kurrë kundërshtarin tënd politik. Fillimi i urrejtjes ndaj tij, shënon e fillimin e fundit tënd në politikë”. Kështu pra, urrejtja mund t’i kushtojë rëndë Edi Ramës, ashtu si edhe Partisë Socialiste, ashtu siç po u kushton dhe do t’u kushtojë shumë mosbindja të gjithë atyre punonjësve socialistë të administratës, të cilët ankohen se po largohen nga puna, dhe nuk gjykojnë drejt e të shohin se me mosbindjen e tyre, me skandalet që ata shkaktojnë për administratën shtetërore, viktimizojnë vetveten.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: