Arben Çokaj

Armët kimike siriane dhe Centrali bërthamor pranë Bunës

Arben Çokaj

Në një moment të caktuar, miqtë e tij serbë me ndërmjetës Fazlliçin, ia mbushën mendjen ish-kryeministrit Berisha për të ndërtuar mbi lumin Buna një central bërthamor, i cili do të prodhonte energji sa të gjithë hidrocentralet e kaskadës së Drinit bashkë. Dhe ai pranoi e hyri në negociata me Kroacinë për këtë projekt.

Për ta bërë të nevojshëm këtë central kaq efektiv, por edhe më të rrezikshëm se armët kimike siriane, ai duket se urdhëroi “prishjen e hidrocentraleve të kohës së Enverit” – nënkuptonte gazeta gjermane Bild në atë kohë dhe për këtë shërbente edhe Sahit Dollapi me shokë… I mbushi kaskadat e hidrocentraleve mbi Drin tej normave të lejuara dhe synonte kalimin e ujit mbi digë, që uji të merrte më pas me vete edhe digën. Fahredin Hoxha tregoi në një intervistë të asaj kohe, se sado të mundoheshin ata, digat nuk prishen, se janë ndërtuar të forta dhe në atë mënyrë, që uji nuk i dëmton edhe po kaloi mbi to. Ndonëse llogaritet që volumi i ujit që ndodhet në liqenin e një hidrocentrali, po të shpërthente diga, do të merrte me vete gjithë çfarë do të gjente përpara, e do mbërrinte deri në Durrës një gjysëm metri ujë… (kjo duhet përllogaritur).

E përmbysi disa disa herë Shkodrën, Saliu, e ktheu në Venecia, e Zina (nënkupto Jozefina) sillej si tru-kokalle e servile e tejskajshme, pa qenë në gjendje të ndikonte për mirë mbi trurin e marrë të shefit të saj…

Projekti i çmendur u ndal, ngaqë nuk mund të realizohej, se zona ku ish-kryeministri mendonte të ndërtonte një central bërthamor ishte një zonë sizmike dhe një tërmet i madh po të binte në Shkodër, si më 1985, do përbënte një rrezik për të gjithë rajonin, duke përfshirë Malin e Zi, etj., pasi centrali bërthamor mund të shpërthente… Në atë kohë pak a shumë shpërtheu nga tërmeti një central bërthamor në Fukushima, Japoni, që i bëri të tremben të gjithë ata që kishin centrale të tilla në vendet e tyre, dhe Gjermania vendosi për vete, që pas disa vjetësh, t’i mbyllte ato. Ndërsa Gjermania ka kohë që ka filluar seriozisht ndërtimin e burimeve të energjisë të pastër e të riciklueshme me mullinj ere e impiahnte të gjera të paneleve diellore… edhe ish-kryeministri ynë u detyrua për fat të hiqte dorë nga ky projekt i marrë. U mundua në fund, në atë mënyrën e tij bajate të të bërit politikë, që këtë marrëzi, si gjithçka tjetër, t’ia faturonte Edvinit…

Ambientalisti Gilman Bakalli, i sensibilizuar sa s’ka nga ky kërcënim real, që i bëhej Shkodrës nga “dhurata” e Berishës, dhe ngaqë kishte dalë hapur kundër politikave të qeverisë, u mundua të sensibilizonte shkodranët për rrezikun që u kanosej – kuptohet edhe për të fituar simpatinë e bashkëqytetarëve të tij. Gilmani kujtonte në atë kohë, ashtu siç kujtojnë tani shumë të tjerë, se protestat anti-armëve kimike të Sirisë u organizuan vetvetiu dhe nga vetë “rinia jonë e mrekullueshme”. Por pas një përpjekjeje simpatike dhe të dobishme, duhet thënë, por të kotë, se Gilmani nuk po e gjente gjuhën e kuptuesshmërisë në këtë rast, se rinia e Shkodrës nuk “trembej”, ai dështoi me sukses në këtë përsiatje të tij anti-central. Aq sa i dukej vetja një Don Kiushot i dëshpëruar nga Dylqina e Tobozës, sa u shpreh se “shkodranëve po t’ua bëjnë nga një central bërthamor në bythë, nuk luajnë vendit…”!

Gilmani dhe të tjerë që mendojnë si ai, gabuan dhe gabojnë… Sepse harrojnë një thënie të profesor Gjush Sheldisë, i cili e karakterizonte popullin e Shkodrës se vrapon pas të marrit, më shumë se pas të urtit. “Del një i marrë në rrugë – thoshte Gjushi pak a shumë – dhe të gjithë vrapojnë pas tij. Kurse të mençurin e lënë vetëm, dhe thonë për të çfarë është ky i marrë…” Tradita islamike e këtij vendi nën pushtimin 5 shekullor osmano/turk, ka lënë pasojat e veta mbi shoqërinë tonë padyshim, edhe në konceptet, botkuptimin dhe karakterin e shqiptarëve. Dhe kjo jo vetëm në Shkodër.

Siç e përmendi edhe kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij madhështor, me rastin e pamundësisë së Shqipërisë për të marrë armët kimike siriane për shkatërrim, shqiptarët e kanë zakon nganjëherë të “vrapojnë të gjithë pas të marrit”. Dhe kjo nuk tregon ndonjë veti të mirë gjykuese për vetë shqiptarët dhe as edhe ndonjë cilësi zgjuarsie! Kjo veti e çuditshme e subkoshiencës shqiptare, tregon se shqiptarët manipulohen me lehtësi nga padija, respektojnë më shumë të huajin se veten, pra tregohen inferiorë, dhe e kanë vendit të pazhvilluar, sepse nuk dinë ose nuk kanë ditur të bëjnë më shumë se kaq!

Prandaj ishte e vështirë të besohej, se “rinia jonë e mrekullueshme” kishte një vetëdije kaq të lartë, sa të ngrihej kundër importit të lëndëve/armëve kimike siriane, që do vinin për shkatërrim në vendin tonë, pa një shtysë e sponzorizim të fuqishëm nga ana e shefave të PD-së. Të cilët sidoqoftë treguan edhe fuqinë e tyre në të mirë e në të keq, që të manipulojnë masat, “rininë tonë të mrekulueshme” pra, dhe i bëjnë ata të sillen si arabë. Në të njëjtën mënyrë, rinia jonë u manipulua edhe në 1967-n, kur u rrëzuan kisha e xhamia me “vrullin e rinisë”, por edhe më 1990-n në protestat për rrëzimin e sistemit komunist… Sidoqoftë, rinia ka fuqinë t’i ndryshojë gjërat, për mirë ose për keq, kur forca e saj bashkohet dhe orientohet për një qëllim të caktuar. Por duhet që rinisë sonë të mrekullueshme, t’i japim një orientim pozitiv! Kjo është me rëndësi.

Në rastin e armëve kimike siriane, nuk ka pse të na mbetet merak ndonjë gjë, se armë kimike janë dhe e kanë rrezikun brenda, por prap se prap, gjërat është mirë të diskutohen në prizmin e leverdisë sonë ekonomike e politike si komb, dhe të mos kërcehet përpjetë në histeri kolektive, duke shfrytërzuar padijen, frikën e panikun e njerëzve! Se “krenaria” – thotë Bill Clinton, duke iu referuar Jaser Arafatit – “është pararojë e dështimit”.

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: