Arben Çokaj

Shefi i ri i NATO-s

Nga Arben Çokaj*, 5 prill 2009

Anders Fogh Rasmussen mund të konsiderohet padyshim si një politikan i guximshëm, i suksesshëm e karizmatik dhe me arritje të mëdha në karrierën e tij politike, në një kohë mjaft të shkurtër. Si ekonomist i zoti, ai hyri në parlamentin danez në moshën 25 vjeçare. Në moshën 32 vjeç, ai u bë nënkryetar i partisë Venstre**, partia më e madhe e qendrës së djathtë daneze, dhe në moshën 34 vjeçare, ai u bë ministër i tatimeve. Pas largimit si ministër, në fillim të viteve ’90-të, ai publikon librin e tij me kritika për sistemin danez, “Nga sistem social, në minimal”.

Anders Fogh Rasmussen

Pas një pune të gjatë, rreth 13 vjeçare, me ish-kryetarin e partisë Venstre, politikanin e shkëlqyer, Uffe Elleman Jensen, i cili humbi zgjedhjet e marsit 1998, për mungesë të 87 votave nga Ishujt Faroe (pjesë e Mbretërisë daneze), Anders Fogh u zgjodh kryetar i kësaj partie. Në zgjedhjet parlamentare të radhës, partia Venstre me aleatët e saj, fitoi pushtetin, pas 3 mandateve qeverisje nga socialdemokratët. Anders Fogh u zgjodh kryeministër dhe vazhdon të jetë kryeministri aktual danez, deri sa të largohet nga vendi i tij, për të marrë postin e ri të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, në të cilin u zgjodh me 4 prill 2009, edhe me votën e Shqipërisë.

Ligje të rrepta në Danimarkë

Gjatë qeverisjes së tij, Anders Fogh e tregoi veten mjaft të suksesshëm në reformat që ndërmori, për të shmangur “rrjedhjen e parave nga kasa e shtetit danez” dhe për ta vënë ekonominë e biznesin danez në eficiencë. Duke qenë disi në koalicion me një parti ekstreme të djathtë, Partia Popullore Daneze (Dansk Folkeparti), e cila fitoi deri në 15% të votave, qeverisë së Anders Fogh iu desh të bënte edhe disa ligje shtrënguese për të huajt.

Marrja e qëndrimit të përhershëm në Danimarkë (apo e shtetësisë), nga 3 vjet, u bë 7 vjet. U shtërngua ligji për martesat me të huaj. U hoq e drejta e ndihmës sociale për të huajt, që nuk kishin mbushur 7 vjet qëndrimi në vend, etj. Ishin këto masa agresive dhe diferencuese, që presupozonin krasitjen e disa ligjeve të buta të barazisë, me qëllim shëndoshjen e ekonomisë daneze dhe krijimin e kushteve, që të huajt të natyralizohen e të kontribuojnë, para se ata të mund të përfitojnë nga sistemi social. Gjatë qeverisjes së Anders Fogh Rasmussen, u vunë re shumë ndryshime në shoqërinë daneze, në investimet publike, në funksionalitetin e shtetit ligjor, etj.

Ndjesia e lodhjes nga i njëjti kryeministër

Sado i suksesshëm që të jesh në politikë, zgjedhësit mërziten me fytyrat e vjetra, duan që të shohin njerëz të rinj. Në shtypin danez të muajve të fundit është vënë re kjo mërzitje e publikut edhe nga kryeministri aktual. Duket se opozita daneze e pret me gëzim ikjen e kryeministrit Anders Fogh, në një post të lartë ndërkombëtar, madje gazeta “Politiken” ka kohë që ka filluar një lojë on-line për ikjen e tij. Janë vënë re edhe kritika nga aleatët e vet.

Mund të përmendet gjithashtu edhe fuzioni me të majtën daneze, si rasti i ministres së brendshme dhe punëve sociale të Danimarkës, Karen Jespersen, një ish-studente çorap-kuqe marksiste-leniniste, e cila ka qenë ministre e brendshme edhe në qeverinë socialdemokrate. E pabesueshme kjo metamorfozë, por Jespersen iu bashkua partisë Venstre në zgjedhjet e fundit dhe tani pushteti lokal ndjehet i lodhur nga ndërhyrjet e saj në politikat lokale, ndërhyrje të qendrës në bazë, që i ka aq për zemër ministrja. Do të ishte njëlloj sikur psh. znj. Topalli të bëhej ministre e brendshme në një qeveri të PS-së, me Edi Ramën kryeministër. Ku i dihet, Topalli mund ta shesë Berishën një ditë, po pati burrë shteti më të fortë se ai.

Zgjedhja e Anders Fogh Rasmussen, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, vjen në një kohë mjaft të mirë për të dhe për opozitën daneze, por ndoshta edhe për të rinjtë në partinë e tij. Realisht, në kohë të vështira të ekonomisë globale, Anders Fogh Rasmussen ka ditur mjaft mirë të përtërijë ekonominë daneze, pas një topitje të saj nga reformat e majta të kryera nga qeveria e mëparshme socialdemokrate.

Kundërshtia turke që rrezikoi zgjedhjen

Përmes mediave, u njohëm të gjithë me kundërshtinë e kryeministrit turk Erdogan, për kandidaturën e kryeministrit danez, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Me bërjen publike nga amerikanët të kandidaturës së Anders Fogh, nuk pritej kundërshti, por zëdhënësi i qeverisë turke sqaroi se, qeveria turke ishte kundër, për tre arsye. Në vitin 2003, Anders Fogh ishte shprehur në TV se, Turqia nuk mund të ishte kurrë anëtar i vlefshëm i BE-së. Sipas tyre, ai luajti një rol të papërgjegjshëm në krizën e karikaturave të profetit Muhamed dhe nuk e ndaloi publikimin e tyre në mediat daneze. Si dhe për shkak të televizionit kurd “Roj TV” në Danimarkë, i cili shihet si kanal armiqësor në Turqi.

Ajo që duhet theksuar në këtë rast është fakti se në shoqërinë daneze, shkalla e lirisë së shtypit është relativisht mjaft e lartë dhe nëse lexohen gazetat daneze sot, ato janë shumë më agresive se sa edhe gazetat shqiptare, në kritikat e tyre. Pra, ka diçka bazike në shoqërinë daneze, që mentaliteti turk nuk mundet ta absorbojë. Kjo është shkalla e lirisë publike, e medias apo e politikës. Danimarka, apo kryeministri i saj, nuk mund të bllokonin disa karikatura ironike, që portretizonin Muhamedin, megjithë reagimin e botës myslimane, pasi shoqëria daneze ka një botëkuptim tjetër për gjërat, dhe ajo duhet pranuar ashtu siç është. Të ndryshëm, por të barabartë para ligjit.

Në Danimarkë, pushtetet janë të ndara si në Shqipërinë e Berishës. Danezët kanë shkallë më të lartë demokracie se ne. Për shoqërinë shqiptare vlen mjaft mësimi, që marrim nga një shtet i vogël si Danimarka, ku pavarësisht kundërshtive, që janë themeli i demokracisë, ata nuk shkojnë të ndarë në organizmat ndërkombëtare, por dinë të përfaqësohen me dinjitet. Danezët kanë fituar përvojë në marrëdhëniet e tyre me pjesën tjetër të botës. Ata marrin edhe poste të larta ndërkombëtare, pa pasur frikë se një ditë të bukur i pushon nga puna znj. Topalli, vetëm nga xhelozia për suksesin e tyre, siç bëri me nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj.

Duke lënë mënjanë debilizmin politik shqiptar, duhet thënë se Anders Fogh Rasmussen i merr punët seriozisht dhe do të bëjë një punë të mirë në drejtimin e NATO-s, ashtu siç ka bërë në vendin e vet.

*Autori ka shtetësi daneze dhe ka pasur rastin ta njohë nga afër shefin e ri të NATO-s.

** ‘Venstre’ në danisht do të thotë ‘e majtë’, por emrin kjo parti e djathtë, e ka marrë nga vendi në të majtë, që zinte në fillim në sallën e parlamentit danez.

Botuar në: Shekulli, 07.04.2009

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: