Arben Çokaj

Shkolla e administratës publike

Nga Arben ÇOKAJ*, 25 maj 2006Administrata shqiptare, qoftë ajo qendrore apo lokale, vazhdon të ofrojë në përgjithësi një nivel të ulët shërbimi për qytetarët. Ndërsa për tetë vjet kur pushtetin e kishin socialistët, korrupsioni u kthye në motiv qendror i administratës dhe nuk la qelizë pa kompromentuar. Pas ardhjes në pushtet të demokratëve, duket se i është vënë fré korrupsionit si fenomen, por jo si dëshirë e instinkt. Arsyeja kryesore pse punonjësit e administratës sonë korruptohen, nuk respektojnë ligjin, apo sillen me arrogancë, është pikërisht padija e tyre. Shteti shqiptar ka nevojë për një shkollë administrate, e cila duhet të përgatisë profesionalisht punonjësit e saj, që të njohin më mirë ligjet e vendit, të kenë njohuri mbi shtetin dhe ekzistencën e tij, dhe bashkë me këtë edhe respektin e duhur për punëdhënësin shtet dhe pasurinë e përbashkët.

Ilustrim i gazetës Standard

Ilustrim i gazetës “Standard”

Nga fjala angleze office vjen fjala officer, që duket se është adaptuar në një shqipe disi më të vjetër në ofiq dhe ofiqar dhe që në shqipen e sotme ka marrë formën zyrë dhe zyrtar. Punonjësit e administratës janë zyrtarët ose oficerët, të cilët drejtojnë punët e shtetit, në qendër ose në bazë. Nëse i referohemi origjinës angleze të fjalës, administrata jonë ka nevojë për një shkollë të sajën, e cila përgatit oficerë (zyrtarë) për administratën. Kuptimi i fjalës oficer tek ne, ashtu si edhe në gjuhë të tjera, përdoret më shumë për ushtrinë ose policinë. Dhe nëse marrim si shembull policinë e shtetit dhe akademinë e rendit, që të jesh profesionist, pavarësisht shkollimit tjetër, duhet të përfundosh edhe një shkollim suplementar profesional.

Është vënë re gjithashtu se të gjithë oficerët e policisë që kanë kryer akademinë e rendit, ruhen më shumë nga incidentet publike, goditja (rrahja) e qytetarëve, apo abuzimi me të drejtat e tyre, pasi ata janë më të ditur dhe i respektojnë më shumë rregullat, ligjet dhe të drejtat civile të qytetarëve. Kështu do të ishte edhe për administratën tonë, nëse një pjesë e madhe e saj, do të ishte e shkolluar profesionalisht. Arroganca e kapadaillëku, cilësi të ulëta këto, që janë trashëguar tek shqiptarët edhe për arsye të pushtimeve të huaja dhe ndjenjës inferiore që ata kanë patur kundrejt pushtuesit, luftohen më mirë përmes futjes së dijes tek punonjësit e administratës.

Për njerëzit që përfundojnë një arsim të lartë, dhe që punësohen në administratën shtetërore, si fillim do të mjaftonte një shkollim administrate pret 3-6 apo 9 muajsh, në një shkollë profesionale, pa shkëputje nga puna, siç mund të jetë shkolla e administratës publike. Ndërsa për njerëzit me shkollim të mesëm, të cilët duan të punojnë në administratën publike, do duhej një shkollim më i gjatë, ndoshta 2-3 vjeçar. Përveç lëndëve të përgjithshme, njohurive bazë mbi kompjuterin dhe përdorimin e tij, njohurive mbi ligjet, mbi kushtetutën dhe ligjin e administratës publike, do të ishte me rëndësi konceptimi i një lënde të veçantë: njohuri mbi shtetin.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, administrata shqiptare nuk ishte e përgatitur që ta drejtonte vendin në një shoqëri të re, në një shoqëri të ekonomisë së tregut. Dhe pavarësisht avancimit në këto 16 vjet tranzicion, përsëri vërehen forma primitive të komunikimit, të mbajtjes së protokollit, apo qoftë edhe të mënyrës se si shkruhen letrat zyrtare, qoftë edhe në formatimin e tekstit në një letër zyrtare. Për këtë duhet shkollë, duhet të tregohet edhe interesimi i nevojshëm.

Për më tepër, ekonomia shqiptare vazhdon të funksionojë e centralizuar, dhe komunat e bashkitë, në vend që të fokusohen në mbledhjen e taksave nga biznesi vendas, ato fokusohen më shumë në marrjen e ryshfeteve për leje ndërtimi, për tapitë e tokave, dhe për pjesën e buxhetit që shpërndahet nga qendra. Nëse ekonomia private nuk përbën 60-80% të ekonomisë së përgjithshme të vendit, nëse bilanci ekonomik import-eksport nuk është pozitiv, shteti shqiptar do e ketë të vështirë të mbijetojë pa ampula nga jashtë. Dhe ekonomia private nuk mund të zhvillohet, kur merr vite të tëra vetëm për të legalizuar një objekt biznesi, nëse nuk paguan këstin e kërkuar nga krerët e pushtetit lokal apo anëtarë të KRRT-së… pavarësisht propagandës politike që bëhet. Në shumë raste, punonjësit e administratës sillen si pronarë të këtij populli, e jo si përfaqësues të tij, apo punonjës të një strukture shtetërore, që drejtohet nga përfaqësuesit e zgjedhur me votën e lirë.

Le të përdorim si shembull pushtetet lokale të atyre zonave ku prodhohet energji elektrike, pra ku kanë të ndërtuar një hidrocentral, si Fierza, Komani apo Vau i Dejës. Të gjitha këto zona malore do të jetonin për mrekulli, vetëm me taksën lokale që do të nxirrnin (disa përqind) nga shitja e çdo kW/orë energji elektrike, pa patur nevojë për buxhet nga shteti, apo grante që tashmë janë bërë formë e punës në shtetin tonë. Nëse pushteti decentralizohet, nëse njësitë vendore vjelin taksat e tyre lokale, atëherë do të vinim në gjendjen e një zhvillimi real të shoqërisë, në përputhje me normat e ekonomisë së tregut, ku shpërndarja e pasurisë së përbashkët do të shkonte në zonat në nevojë e jo në një ndarje siç bëhet sot gjoja mbi bazën e numrit të popullsisë. Nga ana tjetër, zhvillimi do të ishte i njëtrajtshëm, siç është në Tiranë, edhe për zonat e thella, të cilat shfrytëzojnë resurset natyrore – kështu që shqiptarët do të harronin edhe atë lloj diskriminimi, që ekziston në mendjet e njerëzve për provincialët apo provincializmin.

Kriteret që përdoren sot për t’u punësuar në administratë, janë më tepër tradicionale-militante-politike-miqësore-nepotike-të papërgjegjshme, etj. dhe në rastin më të pakët vlerësohen ato profesionale. Për këtë arsye, është bërë zakon, që me ndërrimin e pushteteve, në punë të hyjnë shpeshherë njerëz jo-profesionistë, jo-zyrtarë se zyra nuk të bën zyrtar. Administratorët e pashkollë kanë idenë e një pune sa për të marrë rrogën në rastin më të keq, ndërsa në rastin më të mirë ata kërkojnë një punë ku mund të marrin ryshfete nga qytetarët apo nga “nderet”, që këta administratorë kujtojnë se u bëjnë qytetarëve. Puna më e vështirë është ajo e çrrënjosjes së ideve të hajnisë dhe korrupsionit, për ata administratorë apo punonjës administrate, që e konsiderojnë mallin e shtetit si madh pa zot, të cilin mund ta zhvatin pa dhimbje, pasi kontrolli i shtetit nuk funksionon siç duhet. Nëse ekonomia e Shqipërisë do të ishte mbi parametra të tjerë, ku dominon biznesi privat, atëherë puna në shtet nuk do të shihej si privilegj.

Administrata shtetërore ruan formën e ekzistencës së shtetit, duke ruajtur interesat e saj. Prandaj edhe shteti për rrjedhojë duhet të ruajë interesat e administratës. Duhet të tregohet kujdes që ligjet të jenë të qarta dhe të ruhemi nga burokratizimi i tepërt i administratës, apo shkëputja e saj nga interesat e publikut, për të cilat sot nuk bëhet fjalë në Shqipëri – se një koncept i tillë nuk ekziston për shumicën e administratës shqiptare. Nga ana tjetër, masat administrative, përjashtimi nga puna, dënimi sipas kodit penal për raste të shkeljeve apo abuzimeve të rënda, u kujton punonjësve të administratës faktin se “frika ruan vreshtin”. Përndryshe, të gjithë të pandërgjegjshmit do të vazhdojnë të vjedhin shtetin dhe të abuzojnë me pasurinë e përbashkët. Punët nuk duhen lënë në dorën apo ndërgjegjen e një njeriu të vetëm, por duhet të krijohet një sistem vlerash në një shtet, që ruan interesat e tij.

Administrata jonë, ashtu si edhe politikanët që drejtojnë vendin, duhet të jenë më të vetëdijshëm për rolin e tyre në shoqëri. Me ligjin për punonjësin civil, si dhe me mjaft kërkesa të tjera për punësimin e njerëzve profesionistë në administratë, janë hedhur mjaft hapa pozitivë, por një shkollë e administratës, do të ishte boshti kryesor dhe hallka fillestare në krijimin e punonjësve profesionistë të administratës. Se si mund të konceptohet kjo shkollë, njohuritë që do të japë ajo, etj. duhet të merret përvojë nga vendet e zhvilluara. Me rëndësi është të kuptohet se një shkollë administrate është e domosdoshme!

Me shkurtimin e administratës dhe reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha, punonjësit e sotëm të institucioneve qendrore janë të mbingarkuar dhe jetojnë në mungesë kohe. Shumë prej tyre punojnë më shumë se tetë orë në ditë/gjashtë ditë në javë dhe nuk kanë asnjë mundësi, qoftë edhe për të ngrënë një drekë të mirë e të lirë, e menduar kjo në një kuzhinë të përbashkët, që mund të krijojnë institucionet qendrore. Ka nëpunës të administratës së lartë që rrinë gjithë ditën pa ngrënë, pasi nuk dinë se ku të hanë – ndoshta edhe ngaqë nuk kanë një orë kohë pushim të programuar në kohën e drekës. Kjo e ul ndjeshëm efektivitetin e punës në përgjithësi, dhe një administratë e tillë s’mund të ketë jetëgjatësi.

Të gjitha këto elemente, qoftë edhe të hollësishëm, duhet të merren parasysh, në mënyrë që punonjësit e administratës të mos mbingarkohen nga puna e tepër e stresi, por të kenë kohën e mjaftueshme për të bërë punën, për të pushuar, për të ngrënë dhe për të programuar edhe pushimet e vitit. S’ka dyshim, që brenda kësaj administrate, vazhdojnë të mbahen njerëz jo-profesionalë, që punën e kanë pushim, dhe që nuk bëjnë asnjë lek punë për të justifikuar rrogën që marrin, por sorollaten gjithë ditën nga kafja në kafe e mërziten nga dembelizmi. Këto gjëra mund të vijnë duke u eliminuar me futjen e kriterit të profesionalizmit në punësim, dhe ruajtjen e raportit të ngarkesës në punë me sasinë së punës që ka një institucion i caktuar.


* Ish-punonjës në administratën daneze

Botuar në: Koha Jonë | Standard | TemA

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

%d bloggers like this: